Mbi afrimin Kosovë - Shqipëri

30 Mars 2015 - 08:27 - Lumir Abdixhiku      

Nuk ka marre në afrimin tonë; paranojat e fqinjëve tanë paranoikë nuk i kemi në rend për t’i marrë seriozisht gjithsesi, por seriozisht duhet marrë substancën e takimeve në fjalë. Sepse, për aq sa pritshmëria ime ka marrë përvojë, ka një mungesë të rëndë sinqeriteti në mes të palëve, në veçanti të politikës së fjalëve të bukura të Shqipërisë ndaj kërkim-atësisë së Kosovës

-1-

E kam thënë vazhdimisht se afrimi i Kosovës me Shqipërinë është natyral; është i zakonshëm pra. Sepse të dyja vendet, si pak vende të tjera ndërmjet, kanë intencë për afrim, kanë orientim të njëjtë strategjik dhe në fund kanë dhe një lidhje historike. Në secilin rast tjetër, vendet që potencialisht plotësojnë dy nga këto tri premisa do të përfundonin natyrshëm në aleancë e afrim. E aleancën e afrimin Kosovë e Shqipëri nuk duhet menduar e as bërë ndonjëherë në hije e frikë; bashkimi – siç na e thotë vetë emri i organizimit – është vlerë evropiane; Bashkimi Evropian është shkrirje pra, e në shkrirje pretendojmë të ecim të gjithë.

Prandaj takimi i fundit në Tiranë, i përbashkëti i dy qeverive, bën pikërisht atë çfarë evropianizmi provon të na mësojë. Madje, për dallim nga takimet tona të vonuara, në Evropë bashkimi e afrimi nuk bëhet më për tema të tregtisë, kalimit të lirë kufitar apo politikës së jashtme të përbashkët (në çka dhe kemi mbetur ne shqiptarët sot), por bëhet për tema krejt të mëdha. Bëhet për union të përbashkët energjetik, për politikë të përbashkët fiskale e buxhetore, për ushtri e polici të përbashkët – e përfundimisht, në ndonjë mundësi të re, edhe për një Kushtetutë evropiane. E shihni sa larg jemi ne kur vjen tek bashkimi?

Pra, nuk ka marre në afrimin tonë; paranojat e fqinjëve tanë paranikë nuk i kemi në rend për t’i marrë seriozisht gjithsesi, por seriozisht duhet marrë substancën e takimeve në fjalë. Sepse, për aq sa pritshmëria ime ka marrë përvojë, përtej ngjyrave të bukura kuq e zi, të rrumbullakuara me verdh e kaltër – herë për Kosovë e herë për Evropë – ka një mungesë të rëndë sinqeriteti në mes të palëve, në veçanti të politikës së bukur së Shqipërisë ndaj kërkim-atësisë së Kosovës.

-2-

Ky niveli i ulët i pritshmërisë nuk më buron nga një kotizëm i së tashmes, por nga një evoluim i ngjarjeve folklorike, që nga Shkupi e vilajeti i proklamuar atje, e deri tek Prizreni i një viti më parë dhe marrëveshjet e nënshkruara atje; disa të nënshkruara sërish dhe këtë javë.

Merreni për shembull marrëveshjen për lehtësimin e tregtisë së lirë (shih me çfarë merremi ende); e nënshkruar një vit më parë në Prizren, e rinënshkruar sërish në Tiranë. Dhe për ironi, këto dy marrëveshje vijnë mbi dy marrëveshje të tjera e paraprake, atë të bashkëpunimit bilateral për tregti të lirë, dhe të vetë CEFTA-s; katër marrëveshje për tregti të lirë – gjithmonë në kërkim të lëvizjes së lirë.

E do të befasoheshit po të kuptonit se në mes Kosovës dhe Shqipërisë ka shumë segmente që nuk kanë lëvizje të lirë – ani pse katër marrëveshje për lëvizje të lirë u qëndrojnë pas. Kështu për shembull, sipas një raporti të përpiluar nga OECD, raport që do të dalë në publik shumë shpejt, bizneset kosovare që eksportojnë mish, pije joalkoolike, produkte të gatuara e barna farmaceutike, nga të gjitha vendet e Ballkanit kanë Shqipërinë si më problematikën. Këto të fundit madje nuk lejohen të eksportohen asnjëherë në Shqipëri. Dhe këtu nuk po përfshijë problemet me patate, me rrush e me verëra; storie të kaluara kaherë.

A e dini se certifikatat e kontrollit të ushqimit, të lëshuara nga Republika e Kosovës, njihen në gjithë Evropën – në secilin shtet që bizneset kosovare eksportojnë (Belgjikë, Suedi, Gjermani, Zvicër e Francë), por nuk njihen e refuzohen nga Republika e Shqipërisë. A e dini se bizneset kosovare – ato pak biznese që eksportojnë për në Shqipëri atë pak prodhimtari që kemi këndej – flasin për maltretimet nga më të çuditshmet e më të padrejtat. Nga vonesat – deri në kalbje madje – të produkteve ushqimore, nga hapja e produkteve të vakuumit, nga ndalesat policore përgjatë gjithë rrugës, nga pagesat korruptuese, burokratike – e deri te thjesht ndalesa për eksport (siç është rasti i barnave të prodhuara në Kosovë e të shitura gjithandej nëpër botë përveçse në Shqipëri) janë karakteristika të relacioneve të tanishme tregtare në mes të dy vendeve. Dhe ne ende flasim për lëvizje të lirë? Ta bëjmë dhe një marrëveshje të re tani; t’i bëjmë pesë gjithsej. Patetike.

-3-

Besoj se prapa një josinqeriteti që anon kryesisht nga ana e Shqipërisë, sepse Kosova për bizneset e Shqipërisë mbetet e hapur gjithnjë (e në ato pak raste kur ndodhte ndonjë ekses ngrihej në këmbë secili, nga Parlamenti e tek bizneset, nga mediat e tek partitë), pra prapa një josinqeriteti të tillë qëndron një relacion jo i barabartë në mes të dy vendeve. Dhe këtë relacion e ushqejnë dy elemente. I pari, ai i Kosovës, që kërkon në vazhdimësi një mbështetje atërore; e quaj paternitet. Herë ndaj ambasadave e herë ndaj shteteve që me romantizëm dhe hiç më shumë kanë marrë rolin e adoptimit tonë. Dhe i dyti, ai i Shqipërisë, që provon të faktorizojë veten si fatcaktues në rajon; e këtë faktorizim nuk e bën nëpërmjet ndonjë zhvillimi ku ta di sa ekonomik, por nëpërmjet futjes së vetë Kosovës në ekuacion. Po të shikoni me vëmendje, i gjithë komunikimi i Shqipërisë në rajon bëhet nëpërmjet Kosovës. Rrjedhimisht, bëhet fare normale që kryeministri i Shqipërisë të flasë për secilin problem të brendshëm të Kosovës, por kryeministri i Kosovës nuk bën të flasë asnjëherë për ato të Shqipërisë – vë bast se për secilin do të dukej çudi involvimi i kryeministrit të Kosovës për problemet e ujërave me Greqinë; se mos të flasim për ndonjë zhvillim politik të përgjimeve, krimeve e ku ta di çka tjetër.

Në këtë pabarazi, të ushqyer vullnetarisht – gjithsesi gabimisht – nga të dyja palët, nuk mund të ketë dhe përgjegjësi. Prandaj në ditën e dytë prapa takimit, siç dhe kishte ndodhur për treqind e kusur ditë të tjera pas takimit të parë, bizneset e Kosovës, nën arsyetimin se Kosova edhe duron, parandalohen e keqtrajtohen padrejtësisht për në Shqipëri. Asnjë biznes tjetër nga rajoni nuk merr trajtim të tillë.

Për të ndryshuar kjo gjendje nuk pres reagim të Shqipërisë. Për aq sa i ofrohet një politikani atje një letër si kjo, do ta mbajë gjithnjë. E bën faktor pra, e bën pretendent për lidership rajonal. Por pres nga Kosova që të zgjohet nga amnezia e ngjyrave e flamujve që – dorën në zemër gjithmonë ngjallin krenari e mburrje – dhe të kalojnë përtej. Të kalojnë tek vendosja e Republikës së Kosovës si të barabartë me atë të Shqipërisë, dhe veçanërisht në fushën e tregtisë me interesa gjithçka ose asgjë. Ose mbesim dy ose bëhemi një. Dhe nëse bëhemi një, ta bëjmë që sot.

Gjithsesi, në takimin e fundit të dy qeverive, gjen njeriu më shumë përmbajtje dhe mesazh sesa ai i parë. Mbetet impresiv dhe i guximshëm veçanërisht mesazhi i kryeministrit të Shqipërisë që përfundimisht guxon ta trajtojë si të turpshme – përballë evropianëve pra – izolimin kosovar. Një gjuhë e padëgjuar këndej, tipike e atë-kërkuesit (këtë herë ndaj Evropës). Implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara e stërnënshkruara tani, mbetet për ta parë. Gjithsesi, Kosova dhe Shqipëria duhet të guxojnë të mendojnë “big”; të mendojnë për qasje në porte, në gaz, e energji, për unione të ngjashme – tipike evropiane – për secilën fushë me interes. Për faktorizimin e dy vendeve në një garë të rëndë konkurrence rajonale, ku të dyja, si të ndara, mbesin në fund. Përfundimisht, për më shumë sinqeritet.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...