Projekti ynë

24 Tetor 2016 - 08:17 - Lumir Abdixhiku      

"Kosova, shtet i pavarur dhe sovran, i integruar në strukturat euroatlantike e në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës" - mbetet projekti më i sigurt, më real e më shqiptar i mundshëm sot

-1-
Skandaloze, në secilën vlerësim të mundshëm, nga secili këndvështrim i mundshëm, mbetet nënshkrimi i marrëveshjes në mes të ministres për Zhvillim Ekonomik të Shqipërisë, Brunilda Paskali, dhe sekretarit të shtetit në Ministrinë e Tregtisë të Serbisë, Stevan Nikçeviq, mbi ndërtimin e linjës hekurudhore Beograd – Rudnicë – Prishtinë – Prizren - Morin - Milot.

Për secilin që merr pak erë në zhvillimet politike rajonale ku ka Serbi, erë që duket qartë politika e Shqipërisë zyrtare se merr hiç, anashkalimi i Republikës së Kosovës, në një projekt që përfshin, në masën më të madhe vetë Republikën e Kosovës, është pranim i mosekzistencës së saj; qëllim përfundimtar i Serbisë. Në të vërtetë, nënshkrimi në fjalë pranon se sovraniteti i Serbisë mbi territorin e Kosovës është faktik; se për pjesën Prishtinë - Prizren të hekurudhës, vendos shteti serb.

Kështu, marrëveshja në fjalë, merr epitetin e marrëveshjes së parë rajonale, në mes të dy shteteve Ballkanike, që përfshin Kosovën si pjesë të Serbisë. Shqipëria zyrtare, në kërkesë absurde për promovim rajonal, bën një akt që – në tetë vitet e fundit të paspavarësisë, s’e ka bërë as Maqedonia, as Mali i Zi, e as Bosnjë e Hercegovina që s’e ka njohur madje ende pavarësinë tonë. Shqipëria zyrtare, tregon edhe një herë maninë për abuzim nga politika e Beogradit; e tëra për një fotografi që shitet mirë në Berlin. E kushtueshme shumë.

-2-

Dhe për shkak të veprimeve si këto, pra për shkak të mosbërjes hesap të shtetit të Kosovës e qytetarëve të saj – që kanë zgjedhur një vend sovran e një qeveri sovrane t’i përfaqësojë – lindi dhe debati përplasës në mes të dy palëve. Shkrimi im i javës së shkuar, si kritikë ndaj partneritetit të Shqipërisë e elitave intelektuale atje mbi Kosovë, u shpërnda dhe në Tiranë. Reagimet, për fatin e keq, ishin, siç po bëhen gjithmonë, jo kundër argumenteve të ngritura aty, por kundër flamurit “sari e mavi”; si provë e dëshmimit të patriotizmit andej; mungesës këndej. E kam thënë dhe më parë, Kosova s’ka çka t’i dëshmojë askujt përbërjen patriotike; e mban këtë epitet me plot meritë. Kosova ka nevojë t’i tregojë gjithkujt se është e pavarur dhe e barabartë me secilin tjetër.

Dhe në nivelet e përgjithësimit dhe ekstremizmit, karakteristikë tipike e diskutimeve shqiptare andej e këndej, përballja u shndërrua në përballje në mes shqiptarizmit kundrejt kosovarizmit. Sikur duhet të zgjedhësh njërën nga këto.

U bë e qëllimtë kjo përballje; kundërshtarët e Kosovës e pretenduesit e aneksimit donin t’i jepnin karakter joshqiptar Kosovës dhe kosovarizmit. Kështu mund ta mundnin. E vërteta është se, për kohën, kosovarizmi është cilësim gjeografik i shqiptarëve. Të jesh kosovar është plotësisht e barabartë me të qenët shqiptar. Nuk ka zgjedhje mes shqiptarit dhe kosovarit; janë të njëjta. Njëjtësia nuk vjen e as nuk tjetërsohet në formë deklarative. Ka karakteristika individuale, të gjuhës, kulturës, historisë e çka jo tjetër që bën dikë pjesë të një etnie; shqiptarë pra.

-3-

Shqiptarët e Kosovës – kosovarët pra – kanë zgjedhur të kenë një shtet të vetin. Këtë zgjedhje e kanë bërë me vullnet të mirë – madje edhe me referendum. Shqiptarët e Kosovës, kanë bërë dhe përpjekje dekadash për pavarësim. Kanë artikuluar vullnetin politik me përfaqësues politikë që kanë promovuar pavarësinë. Janë zgjedhur të njëjtët bindshëm. Kurorëzimi i pavarësisë është festuar e shënuar gjithandej – si fitore përfundimtare e shqiptarëve të Kosovës. Së këndejmi, të jesh pro Kosovës së pavarur e shtet sovran, është ekuivalente me të qenëit shqiptar e atdhedashës.

Por kështu s’mendojnë patriotët part-time; e as anarkistët revolucionarë, komisarë të papunë në Shqipëri, dersmbajtës së trushpëlarjes në Kosovë. Njëri prej tyre, këtë javë kishte cilësuar pavarësinë e Kosovës si të barabartë me atëzimin e Serbisë. E kishte thënë, shkurt, se kush do për nënë Kosovën, ka për babë Serbinë; se, logjika e të shkretit e thoshte, projekti i pavarësisë së Kosovës është derivat i ndërhyrjes së Serbisë.

Dhe kështu, e gjithë përpjekja e patriotëve të kohës së Ibrahim Rugovës, Fehmi Aganit, intelektualëve të tjerë partiakë e partiakë, të 99% që kanalizonte në kohë pavarësinë e Kosovës me vullnet politik e reprezentativ – të mësuesve, mjekëve, inxhinierëve, të punëve e të papunëve, luftëtarëve e bartësve të tyre që vendosën për pavarësi – u bë argatizëm i Serbisë. Pavarësia e Kosovës, arritja më e madhe shqiptare në 100 vjetët e fundit, u trajtua si proserbe.

Një qëndrim që megjithatë është politik e jo individual (është shkollë e mendimit në Lëvizjen Vetëvendosje) nuk është i rastësishëm. Është metodë e teknikë e njëjtë që – për shembull e ndër të tjerash – ekstremistët religjiozë e përdornin kohë më parë në Kosovë. Edhe ata, si këtë, sulmojnë gjënë më të pranueshme të mundshme në një shoqëri. Ekstremistët sulmonin Skënderbeun e Nënë Terezën (njërin duke e quajtur vrasës shqiptar, tjetrën prostitutë ferri) me qëllim të provokimit të masës në gjënë më të ndjeshme të tyre; dhe kështu, mobilizimit të ndjekësve trushpëlarë. Më pas, secili sulm tjetër bëhet i lehtë. E rëndësishme që niveli i sulmit është vënë lart.

Njëjtë, projektuesit e rrënimit të Republikës, kanë nisur të sulmojnë pavarësinë e shtetit tonë për të bërë një standard të serbizimit të saj dhe refuzimit rrjedhimisht. Prandaj dhe sulmojnë në të njëjtën vijë gjithë përpjekjen dekadëshe të gjeneratave të tëra për liri e pavarësi. Në një ditë, të tanët pra, shqiptarë që i thonë vetes, e trajtuan gjënë më të çmuar tonën – lirinë e shtetin – si proserbe.

-4-

"Kosova, shtet i pavarur dhe sovran, i integruar në strukturat euroatlantike e në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës" - mbetet projekti më i sigurt, më real e më shqiptar i mundshëm sot.

Sot, secili devijim nga ky mision, s'është tjetër veçse kumbari e Serbisë. Bashkimi Kombëtar sot është muhabet prej ëndërrimtari. Është i pamundur tani për tani, rrjedhimisht i kotë për diskutim. I pamundur sepse, një, nuk ka asnjë qëndrim politik në Shqipëri që do ta kanalizonte atë; dy, sepse nuk ka artikulim shumicë në Kosovë që do të merrte rrugën e rrezikut të këmbimit të pavarësisë me një projekt të pambështetur ndërkombëtarisht; dhe tre, sepse, rrethanat gjeopolitike nuk lejojnë as për së afërmi ndjekjen e projekteve të ndryshimit të kufijve në Ballkan. Këto forca, që kanë peshë shumë, për fatin tonë të mirë qëndrojnë, si rrallëherë në histori, në anën tonë. Përballja me ta do të ishte humbje e madhe.

E ardhmja mund të sjellë gjithçka; e tashmja po konsumon jetët e gjeneratës sonë. Kjo gjeneratë mbetet me shërbime tmerri në shëndetësi, me analfabetizëm në arsim, me padrejtësi në gjyqësi, me refuzim të lirisë jashtë e kontestim të pavarësisë mjaftueshëm. E tashmja ka nevojë për përgjigje – përgjigje që ushqyesit e “temave të mëdha” s’i kanë.

[email protected]

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...