Një narracion mbi rrugëdaljen

14 Mars 2016 - 08:20 - Lumir Abdixhiku      

Si të dilet nga kriza në pesë hapa

-1-

Duket se përplasjet politike do të vazhdojnë në vend për shumë kohë. Siç dhe kam shkruar më parë, palët nuk do të zgjohen një ditë e të vendosin për dorëzim. Zgjedhja e presidentit, përkatësisht moszgjedhja e tij, ishte gjithsesi një dritare e mirë për të përfunduar përplasjen në mënyrë tërësisht kushtetuese dhe pa krijim të precedentit që shumëkush i frikohet shumë. Moszgjedhja e tij, pra, do ta dërgonte vendin në zgjedhje, nga ku përfundimisht të gabuarit (cilët do qofshin ata) do të merrnin trajtim qytetar – me votë. Ndërsa zgjedhja e tij rehatoi veçse një njeri, por mbajti peng fatin e një vendi të tërë. Tash, sado të arsyeshme të duken thirrjet për ndërprerje të përplasjeve, veçanërisht ato thirrje për ndërprerje të gazit lotsjellës, them se të njëjtat mbesin megjithatë të pabëshme. Dorëzimi i pritur nga palët pra, nuk do të jetë i pranueshëm për asnjërën anë. Ato tanimë janë futur thellë në qëndrimet e veta, saqë largimi nga to do të perceptohet si dobësi politike, si gabim, si humbje.

Në anën tjetër, zërat ndërkombëtarë kanë filluar të japin shenjat e para të një ndërmjetësimi e përafrimi eventual; së paku të hapjes së një dere të re. Propozimi publik i ambasadores gjermane në vend rreth krijimit të një komisioni ndërmjetësues, bën një nisje të mirë. E sa më të shpeshtë që do të bëhen këta zëra, aq më shumë reagime pozitive nga të gjitha palët do të marrin. Sepse, thënë të drejtën, pakkush me pak mend në kokë mund të pranojë situatën e tanishme si të leverdishme për vete e edhe më pak për vendin. Ndërsa shumëkush është në pritje dëshpëruese për ndërmjetësim e dalje nga përplasja e zënë keq.

Në këtë shkrim do të provoj t’i shtroj e rrumbullakoj disa pika që përbëjnë diskutimin ndërmjetësues që veçse është formësuar në vend. Natyrisht se oferta të tilla ishin dhënë shpeshherë. Dhe ishin refuzuar po aq. Refuzimi, për fatin tonë të keq, nuk bëhej mbi parimet e marrëveshjeve, që jepnin megjithatë një rrugë të drejtë për të gjithë, por për parimin e bërësve të tyre. Përderisa ofruesit e zgjidhjeve mbesin vendorë, fatkeqësisht secila zgjidhje cilado e çfarëdo qoftë ajo do të refuzohet me mostrajtim.

-2-

Pra, pavarësisht produktit final, palët duhet të ndërmjetësohen për të folur në mes vete. Për këtë ndërmjetësim është i domosdoshëm formimi i një trupi ndërmjetësues. Sipas parashikimit kushtetues, në një Kosovë normale, kjo pozitë ndërmjetësuese do t’i takonte njeriut të unitetit – vetë Presidentit. Por ja që Presidenti në ardhje, jo që nuk është figurë unifikuese, porse është përçarëse. Është burim i gjithë përplasjeve në vend. Nëse asgjë tjetër, ai do të duhej të shihej si pjesë e palëve që duhen ndërmjetësuar, jo si ndërmjetësues vetë. Zgjedhja e tij në një pozitë unifikuese ka djegur një institucion kushtetues me peshë. Së këndejmi, ndërtimi i një komisioni referues, si zëvendësim i institucionit të Presidentit që s’vlen për ndërmjetësim më, mbetet hap i parë. Palët, në këtë hap, do të duhej të caktonin një ekip me individë dhe përfaqësues (vendorë e ndërkombëtarë) të pranueshëm për të gjithë. Mandati i dhënë, me marrëveshje politike për këtë ekip pra, do të duhej të zgjaste deri në arritjen e një marrëveshjeje të re politike, përfundimtare e që prodhon rezultate të daljes nga kriza.

Hapi i dytë, dhe më i rëndësishmi, është përcaktimi i produktit përfundimtar e kryesor – atij të zgjedhjeve. Këtu palët do të mund të diskutonin për disa parahapa që u paraprijnë zgjedhjeve. I pari, dhe më i rëndësishmi, mbetet inicimi i reformës zgjedhore; pa të cilën, asnjë proces zgjedhor nuk ka kuptim. Pjesë e reformës zgjedhore në Kosovë do të duhej të ishte edhe Komisioni i Venecias, i njohur dhe me përvojë të mjaftueshme në hartimin e ligjeve e reformave zgjedhore. Në pakon e reformës do të duhej të adresoheshin në veçanti problemet me listat zgjedhore (votuesit fiktivë), me zonat elektorale, e me praktikat e precedentëve të krijuar nga interpretimet e çuditshme kushtetuese që përbëjnë pengesë serioze për zgjedhjet e ardhshme (përfshirë dhe rastin e shumicës parlamentare). Pjesë e diskutimeve do të mund të ishte edhe zgjedhja e Presidentit me votë të drejtpërdrejtë. Ndryshimet do të inkorporoheshin në Kushtetutë; e data e zgjedhjeve të reja do të përcaktohej tek pas opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias mbi këtë reformë.

Hapi i tretë do të ishte nisja e trajtimit të problemeve që kanë nisur gjithë këtë përplasje. Në këtë vijë, palët do të pajtoheshin për formimin e një komisioni të ri për vlerësimin e procesit të demarkacionit me Malin e Zi. Komisioni do të mund madje, për rritje të kredibilitetit, të udhëhiqej edhe nga një i deleguar i opozitës. Pjesë përbërëse e tij natyrisht se do të ishin edhe ekspertët më të mirë vendorë e ndërkombëtarë, që palët mendojnë t’i angazhojnë. Vendimet përfundimtare të Komisionit të ri, përfundimisht, do të ishin përjashtuese të vendimeve paraprake.

Hapi i katërt do të ishte respektimi në plotni i rekomandimit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi natyrën e Asociacionit. Për këtë, palët do të ndërtonin një ekip të përbashkët implementues, nga ku do të derivonte edhe formimi i vet Asociacionit. Vendimet e reja mbi natyrën e Asociacionit të merren me konsensus. Drafti përfundimtar i statusit do të dërgohej në Kushtetuese për verifikim.

Dhe i fundit, hapi i pestë, nga tash e tutje, dialogu me Serbinë do të zhvillohej edhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve opozitarë; me një ekip të ri uniteti pra. Vendimet do të merreshin me pajtueshmëri të të gjithë pjesëmarrësve në dialog. Për secilin vendim, natyrisht, do të duhej të merrej paraprakisht miratimi parlamentar.

[email protected]

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...