Në mëshirë të kapësve dhe të refuzuesve republikanë

12 Shtator 2016 - 09:37 - Lumir Abdixhiku      

Duket se Lëvizja është futur në një rrugë që s’di nga të dalë. Sepse s’arrin të kuptojë një fakt tërësisht të thjeshtë – se Kosova është e kosovarëve. Se kosovarët s’e shohin Republikën e tyre si imponim, por si produkt të vetin – madje më të suksesshmin

-1-

Mjaftoi një ndeshje futbolli, e Kombëtares së Kosovës, për të kuptuar madhësinë e urrejtjes ndaj Republikës nga projektuesit antirepublikanë. Në ditën më të rëndësishme të historisë së futbollit kosovar, në pjesëmarrjen e parë të Kosovës në kualifikimet për Botëror, lideri i partisë më të madhe opozitare në vend, i lëvizjes “Vetëvendosje”, kishte zgjedhur ndasinë dhe provokimin. Kishte nisur me injorimin e tërësishëm të ngjarjes, kishte vazhduar me trajtimin e Pavarësisë së Kosovës si diçka provinciale, e kishte përfunduar në vogëlsinë e axhamillëkut – e gjitha për t’i ushqyer pak militantë revolucionarë; për të hidhëruar përplot votues potencialë. Një vetëvrasje e tillë politike ishte munduar të përmbysej shpejt nga bashkëpartiakët, kryesisht ish-FER-istë që provonin megjithatë të shfaqnin të natyrshëm – gëzimin dhe ndjenjën e triumfit për shumë gjenerata kosovarësh.

Në esencë, reagimi futbollistik do të mbetej tërësisht i parëndësishëm sikur pas këtij reagimi të mos ndodhej një platformë shpërbërëse e Republikës që artikulohet nga një kanal opozitar; pra një ide që Pavarësinë e Kosovës, të vetmen gjë që na bën krenarë sot, e sheh si diçka provinciale.

-2-

Dhe ka diçka të tmerrshme në këtë llogaritje hesapesh nga projektuesit antirepublikanë; të cilën do ta provoj ta dekonstruktoj në disa hapa. E para, në strukturën logjike të mendimit u promovua ideja e bashkëngjitjes së lojtarëve kosovarë në Kombëtaren e Shqipërisë; dhe si rrjedhojë lënien në mëshirë të Kombëtares së Kosovës. U tha, më mirë një fitore sesa dy barazime. Në të vërtetë, më mirë do të ishte dy fitore sesa një; por, po qe se në logjiken e ndarjes maksimumi do të ishte vetëm një fitore – sepse jemi të ndarë – atëherë sërish s’bëhet mirë. Më mirë se një fitore e një humbje janë dy barazime. Këtë s’po e them unë, e ka thënë John Nash. I thonë “Nash Equilibrium”. Për këtë është nderuar me çmimin “Nobel” e autorit që nga atëherë ia kanë vënë emërtimin “mendja e bukur”. Pra, në ekuilibrin “Nash” për të dy pjesëmarrësit bashkë, po qe se u panë të dy të barabartë, zgjidhja optimale është përbashkësia e grupit – ndaras – e jo përfitimi veç i njërës palë.

Por këtu, e dyta pra, dhe qëndron problemi. Sepse në idenë e bashkimit të antirepublikanëve tanë, nuk qëndron trajtimi i pabarabartë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Komisarët trushpëlarës nga Tirana e eurokrem-patriotët axhami tanë edhe i kuptoj – ani se nuk i mirëkuptoj. Të parët vuajnë nga domosdoshmëria e nënshtrimit kosovar; të fundit nga nevoja për t’u nënshtruar nga llafazanë që flasin bukur shqip. Por ama, pabarazia në bashkim s’është rrugë për bashkim. Është rrugë për aneksim. Këta pra promovojnë aneksimin e Kosovës. Bashkimi do të nënkuptonte afrim të barabartë në mes të të ndarëve. E barazia do të nënkuptonte se të dyja palët kanë të drejtë të thirren në patriotizmin e përfaqësimit. Pra, në rast të barazisë, do të ishte shumë normale dhe thirrja për bashkëngjitje të lojtarëve nga Shqipëria në Kombëtaren e Kosovës.

E treta, kush nuk e do Kosovën s’mund t’i dojë shqiptarët. Arritjet e Kosovës plotësojnë arritjet e shqiptarëve. Nuk ka zgjedhje në mes të Kosovës dhe shqiptarëve – janë sinonime; janë të njëjta. Përgjatë gjithë diskursit politik në vend thuajse bëhet garë në mes të “kuqezi” e “verdhekaltër”; se po qe me njërën nuk je me tjetrën. Shoqëria jonë ka treguar në vazhdimësi aftësinë e lundrimit nëpër ekstreme – ja me njërin, ja me tjetrin. Por rasti i Kosovës dhe flamurit “kuqezi” s’mund të trajtohen si përjashtuese. Kjo, sepse themelet e Kosovës janë mu mbi ngjyrimet “kuqezi”. Se Kosova, nëse asgjë tjetër edhe me rregullim kushtetues të mëparshëm, të vitit 1974, ka pasur flamurin “kuqezi” si të vetin. Se edhe në Kushtetutën e sotshme definohet si shtet i shqiptarëve - dhe komuniteteve të tjera. Pra, Kosova është shtet i shqiptarëve. Shqiptarët kanë simbolet e tyre kombëtare. Por shqiptarët kanë dhe dy shtete. Rrjedhimisht dhe dy identitete shtetërore. Në këtë vijë identiteti shtetëror “verdhekaltër” është pronësi e “kuqezi”. Pra, është derivat i tjetrës; e zgjedhje në mes derivatesh s’mund të ketë.

E katërta, një parti serioze, inkurajon të rinjtë e të rejat që të bëjnë sa më shumë për vendin e vet. U thotë triumfoni; punoni; bëhuni më të mirët – s’u thotë mos luani për shtetin tuaj. Kërkesa për braktisje të përfaqësueses sonë e lëshimin e saj në mëshirë të kundërshtarëve të jashtëm, të hurit e të konopit, është sa e trishtë aq edhe e pamend. Fatmirësisht Kosova ka vajza e djem që s’lejojnë një gjë të tillë të ndodhë asnjëherë. Mbi të gjitha, sot është akt patriotik forcimi i shtetit të Kosovës; jo kërkimi për zhbërje të tij. Ky shtet sot po luftohet mjaftueshëm nga kundërshtarë shumë më të fortë se ne – nga brenda e jashtë pa dallim. Sot shteti ynë nuk njihet nga pesë vende të BE-së, e refuzohet nga dhjetëra të tjera. Për këtë arsye është e rëndësishme dalja jonë në arenën ndërkombëtare sa më shpesh e sa më mirë.

E pesta, disa ditë pas skandalit të parë, një zyrtar i lartë i kësaj partie po përdorte, besoni ose jo, argumentin e njëjtë që regjimi i Milosheviqit kishte përdorur kundër idesë fillestare të pavarësisë së Kosovës. Ky zyrtar, në të njëjtën logjikë, argumentonte se Kosova nuk mundë të mbijetojë ekonomikisht si e pavarur; se nuk ka bukë e ujë për vete po qe e pavarur. Dhe se, sipas të njëjtës logjikë mbytëse, ajo do të përfundojë ose nën Serbi, ose nën Shqipëri. Një ide e tillë, kaq e prishtë, kaq e ndyrë e kaq e pavërtetë, mbi të gjitha kaq asociuese me idetë e Milosheviqit duhet sot të luftohet nga secili intelektual, patriot e secili dashamirë i Republikës, pavarësisë e përpjekjes së gjeneratave të tëra për shtet. Sepse s’ka asgjë më të pavërtetë sesa paqëndrueshmëria ekonomike e Kosovës. Nëse asgjë tjetër, Kosova ka secilin resurs e mjet të mundshëm për të ekzistuar e pavarur.

-3-

Projekti i zhbërjes së Republikës do të jetë pengesa kryesore në mes të qytetarëve kosovarë dhe lëvizjes “Vetëvendosje”. Pa definim e pajtim në këtë drejtim s’do të ketë kurrë afrim e ngritje të tyre për në vendimmarrje. Rasti i fundit dhe reagimi kolektiv ishin dëshmi e pastër për secilin që ka sy e mend pak – e që s’është ultramilitant.
Përkundrazi, sepse identiteti i Kosovës shtet është i yni, sentimenti prorepublikan veçse po rritet. Shihni trendët e tetë vjetëve të fundit. Shiheni dashurinë e përkushtimin për këtë shtet, për pavarësi – që Lëvizja e sheh mjerueshëm si provinciale – nga të rinj e të rejat kosovare. Sa më shumë që internacionalizohet ky identitet, me pjesëmarrje e me medalje, aq më shumë ka për t’u rritur ky sentiment. Pra, ka një lundrim në kah të kundërt me sukseset që më të mirët e këtij vendi po synojmë sot. Suksesi i këtyre të mirëve është në korrelacion negativ me platformën e Lëvizjes. Është formulë që destinon dështimin për Lëvizjen; sepse në secilën rrethanë ky vend do të prodhojë sukses. Dhe duket se Lëvizja është futur në një rrugë që s’di nga të dalë. Sepse s’arrin të kuptojë një fakt tërësisht të thjeshtë – se Kosova është e kosovarëve. Se kosovarët s’e shohin Republikën e tyre si imponim, por si produkt të vetin – madje më të suksesshmin.

Jam plotësisht i vetëdijshëm se në kohë të aferës “Pronto”, në kohë të mbytjes së shtetit nga kapja, krimi e amoraliteti politik, në kohë të mbylljes sonë me jashtë, është luksoze dhe në veçanti e padrejtë trajtimi i një lëvizjeje opozitare. Dhe me të drejtë pjesëmarrësit e saj mund dhe të ndihen të frustruar. Njëkohësisht, jam po aq i bindur – siç dhe kam shkruar tash e gjashtë vjet rresht – se zgjidhja politike për Republikën time e tonën nuk është në vazhdimin e stilit qeverisës të tanishëm. Është në krijimin enjë opozite e alternative funksionale dhe prorepublikane. Kjo alternativë ka gjasën më të madhe të krijohet – siç dhe e pret mendja – në opozitë. Pra s’mund të presësh që pozita të transformojë veten. E përderisa opozita mban diskrepancë me dëshirat e qytetarëve, përderisa opozita bën betejën e mullinjve “donkishotianë”, përderisa ajo nuk artikulon zërat e qytetarëve në vend, por artikulon bindjet filozofike të individëve, atëherë ne s’kemi opozitë. Dhe rrjedhimisht, kapja e “prontoizimi”, si pa dyshim të keqet më të mëdha dhe më të domosdoshme për t’u luftuar nga të gjithë, do të vazhdojnë.

Opozitarët mund të vazhdojnë avazin e vjetër, të deritanishëm, të pasuksesshëm. Dhe sërish, sikurse herëve të tjera, do të mbahen përgjegjës nga qytetarët e vet. Do të mbahen sërish në opozitë. Ata mund dhe të vazhdojnë, përkundër këtij verdikti, të ecin në rrugë të njëjtë, siç kanë ecur deri më tani, siç pra s’kanë dëgjuar qytetarët tanë. Mund të vazhdojnë me njerëz të njëjtë, me ide të njëjta, me politika të njëjta. Por kanë për të mbetur përherë të vegjël e në opozitë, s’kanë për të arritur asgjë. Ata mund dhe të nisin beteja me kritikët e jashtëm, sikurse atëherë kur bënë koalicion me hajnat e 80 milionëve e shisnin moral për antikorrupsion (ku mbetën hajnat tash?) nën arsyetimin e interesave “më të mëdha”. Mund pra të vetëkënaqen në ciklet e tyre inceste të mendimit sa herë të duan. Por, nëse brenda këtyre zërave ka pak logjikë, nëse ka pak sens e vullnet për ndryshim të vendit, atëherë duhet të ketë dhe vullnet për ndryshim rrënjësor të vetes.

Në thelb të këtij ndryshimi është pranimi i Republikës me gjithë historinë e saj. Është gëzimi për pavarësi si diçka thelbësore e jo trajtimi i saj si ide provinciale. Është pranimi i simboleve e rendit kushtetues, përderisa të njëjtat janë votuar nga përfaqësuesit shumicë – përderisa s’ka ndryshim tjetër, përderisa s’bëjmë ndryshim tjetër. Për të bërë një gjë të tillë nuk pres që liderët e deritanishëm të Lëvizjes të ndryshojnë mendje. S’ka për të ndodhur asnjëherë. Pres, megjithatë, të ndërrohen këta liderë. Koha e tyre s’është më.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...