16 Janar 2017 - 08:21 - Lumir Abdixhiku
-1-
Rikthimi rus në Ballkan po merr formë secilën ditë. Këtë rikthim të tyre, klasa jonë politike s’arrin ta nuhatë dot. Po që e nuhat, s’arrin ta kundërshtojë fare. Rikthimi rus po shpërfaqet me një Serbi ndryshe – më agresive, më proaktive, më problematike; në një Serbi si gjithherë, provokuese, konfliktuoze e jokokëçarëse për pasojat që mund të vijnë tek ajo e përreth saj. Tipike për të, Serbia po kërkon ndryshim me çdo çmim. Këtë ndryshim po e kërkon në kohë të një vakuumi interferues në Ballkan, në një kohë të një Evrope të lodhur me zgjerim e të një Amerike të zënë keq me përplasje bindjesh. Në një kohë të një apetiti rus për influencë në gjithë brezin lindor të Evropës.
Në këtë vijë do të duhej të kuptohej dhe agresioni i saj diplomatik ndaj Kosovës këtë javë, por edhe javë më parë. Arrestimi i një prej figurave kyç të luftës së fundit në Kosovë, nëpërmjet një fletarrestimi që daton nga regjimi i Milosheviqit, bashkë me kërkesën për ekstradim në Serbi, përbën hapin e fundit të tyre, provokues e konfliktuoz në një Ballkan të ndjeshëm e të ndarë etnikisht skajshmërisht. Motivet e një France që zbaton fletarrestime të Milosheviqit, për një të gjykuar për pafajësi nga drejtësia ndërkombëtare, mbesin sa të trishta, aq edhe të papërgjegjshme. Vendimi eventual i saj, do të mundë të përcaktojë rëndë fatin e relacioneve që BE-ja me plot mund e vite provon t’i ndërtojë këndej.
Me po aq entuziazëm të mbrapshtë sikurse kërkesa për ekstradim, Serbia kishte nisur dhe propagandën e gjoja kidnapimeve të diplomatëve serbë në diasporë, nga shqiptarë që jetojnë atje. Lajmin me kërkesë për siguri të shtuar e kishte shpërndarë nëpër kryeqendrat evropiane. Një inskenim si ky, i ulët, por, sërish, tipik për Serbinë, kishte zënë të papërgatitur tërësisht diplomacinë kosovarë – çfarëdo qoftë ajo. Diplomacia kosovare, ndërsa, këto ditë na është e zënë me fyerje ndaj gazetarëve, në atë stilin e bajatshëm, të pakripë, që fut diku një “kuzhinë UDB-je” e një “mani për Beograd”. Ky është niveli i tyre, këta na mbajnë lidhjet gjallë jashtë. Mjerim!
-2-
Masat provokuese e kërcënuese të Serbisë ndaj Kosovës do të shtohen ditëve në vijim. Paradoksalisht, ky shtim i tyre ndodh në sy të një Evrope pa takt e energji që të merret me Ballkanin, por që, megjithatë, shton presionet për dialog në mes të dyja vendeve. Në këtë kallëp të tyre reagues ishte edhe deklarata e zëdhënëses Kocijançiq, e cila, në gjithë paditurinë e saj për ngjarjet këndej, kishte kërkuar që arrestimi i Ramush Haradinajt të trajtohej me bisedim – si gjithçka tjetër. Pra, të bëhej mall, të bëhej pjesë e një tryeze diskutuese diku në Bruksel. Të bëhet pra pazar me të, ku një mes do të ishte i kënaqshëm për të gjithë. Mos harroni, pra, bëhet fjalë për një të trajtuar nga gjyqësia ndërkombëtare, për një qytetar të Republikës që kërkohet të gjykohet e ekstradohet në një shtet tjetër. Këtu s’ka mes. Këtu ka veçse një skaj, një anë, mostrajtimi i budallallëqeve të Beogradit.
Në këtë pikë më është e qartë se dialogu i shumëproklamuar Kosovë-Serbi është i vdekur. Ka qenë i vdekur gjithherë. Dhe ky dialog ka vdekur jo sepse palët kanë hasur në çështje që s’mund t’i zgjidhin mes vete – ani pse ka plot sosh – por sepse ndërmjetësuesi i tyre është pa takt. Ndërmjetësuesi i tyre ka përballë një Serbi që flirton herë me ta e herë me Rusinë. Ky ndërmjetësues do të bëjë gjithçka që të mbajë Serbinë flirtuese më afër vetes, e kjo gjithçka nënkupton që edhe murin në veri ta quajnë si “shkallë” – po qe nevoja.
E në anën tjetër, ky ndërmjetësues ka përballë një Kosovë që s’di çfarë të kërkojë nga një proces që për të është tërësisht alien. Kosova, në këtë proces, siç është thënë kaherë, është futur edhe pa platformë, edhe pa unitet, edhe pa ide se ku do të mbërrijë në fund. Kjo ka bërë Kosovën të jetë pa integritet. E subjektin pa integritet s’mund ta respektojë askush.
E pa integritet po sillet Kosova edhe sot. Edhe kur i ndërtojnë mur, edhe kur i arrestojnë gjeneralë, edhe kur i propagandojnë jashtë – herë me ISIS e herë me “kidnapime”. Kosova, pra, është bërë një subjekt eksperimenti që s’reagon.
Reagimi do të ishte ndryshe, po të kishim integritet. Do të fillonte me një masë sanksioni ndaj një Serbie që s’ndryshon. Do të goditej drejt, shpejt, pastër, në pjesën më të ndjeshme të saj – paranë. Do të vazhdonte me një unitet shqiptar përbrenda, unitet që do t’i sillte Kosovës një platformë udhëzuese të hapave që do të ndjekin në të ardhmen për secilin që kërkon nga ne që të bisedojmë. Do të bisedonim për gjëra që Serbia s’do të ndihej mirë – për të zhdukurit, për krimet, plaçkat e luftës, pensionet – do të silleshim si shtet. Siç sillet Kroacia në secilin relacion të saj me Serbinë. Shihni sa shumë respektohet ajo sot. Do ta bënim vendin tonë, shtetin tonë, të respektohej nga ndërmjetësuesit njëtrajtësisht siç respektohet Serbia kërcënuese sot. Kaq mund të bënim në shtëpinë tonë.
-3-
Dhe përderisa Serbia është e zënë me gjithë mekanizmin e saj politik e parapolitik të gërmojë nën themelet e shtetësisë së Kosovës – brenda dhe jashtë saj, deputetët e Parlamentit të Republikës janë të zënë, besoni ose jo, me rritjen e mëditjeve të tyre. Ky është preokupimi në një vend abnormal.
Pra ky vend s’është normal. S’ka as politikë normale, as përfaqësim normal, as kundërshtim normal e as durues normalë. Të gjithë, bashkë, kanë vendosur të shkojnë në dreq të mallkuar, dhe në këtë rrugë të tyre, për te dreqi, i biri e kushdo pas tij, po marrin me vete ardhmërinë e fëmijëve tanë, mundin e gjeneratave që s’janë – gjithçka tonën, të tashmen, të shkuarën e të ardhmen.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...