Një javë për t’u mbajtur në mend

9 Maj 2016 - 08:11 - Lumir Abdixhiku      

Mbi futbollin dhe lëvizjen e lirë

-1-

Intensiteti i lajmeve të mira, me të cilat u përshkua Kosova këtë javë, më ngjasonte shumë me javën e parë pas Pavarësisë. Me ato njohjet e njëpasnjëshme të vendeve që rrënonin ligjet ekonomike se sasia ul çmimin – secila kishte çmim të njëjtë, në mos dhe rritës.

Pas një pushimi gati tetëvjeçar, pas rënies së intensitetit për shumë kohë, pas dështimit në UNESCO – pas gjithë ngufatjes ekonomike, sociale e politike në vend për gati dy vjet rresht, Kosova kishte nevojë për një shpërthim. Shpërthimi natyrisht se nuk do të ndryshonte Kosovën për një natë, as që do të përmirësonte jetët e kosovarëve në mëngjes, por do të hapte sigurt e mirë dyer të reja me mundësi plot.

Dhe kështu ndodhi. Më 3 maj Kosova u bë anëtare e organizatës më të rëndësishme sportive në botë, UEFA-s. Ndërsa më 4 maj Kosovës iu dha rekomandimi pozitiv për lëvizje të lirë. E për të mirë të të gjithëve, në horizont shfaqet dhe anëtarësimi shumë i mundshëm i Kosovës më 13 maj në FIFA – dhe me këtë edhe pjesëmarrja në kualifikime për Kampionatin Botëror të 2018-s në Rusi. Një javë si kjo është për t’u mbajtur në mend.

-2-

Pranimi në UEFA, për mua, bën lajmin më të mirë në konsolidimin e shtetësisë që nga shpallja e Pavarësisë dhe njohjet konsekutive të ditëve të para. Të mos harrojmë, konsolidimi ndërkombëtar i shtetësisë së Kosovës ka qenë një ndër problemet më thelbësore në vend. Ngurtësimi i njohjeve, refuzimi për ulëse në OKB, përplasjet me pesëshen e BE-së kishin nisur të transformonin rrugëtimin e shtetbërjes sonë në një Tajvan e Qipro të dytë.

UEFA dhe futbolli nacional natyrisht se lëkundin këtë ngurtësim. Sepse nëpërmjet futbollit e sportit, Kosova ka mundësinë perfekte të shpërfaqë jashtë imazhin e saj të shtetit. Dhe imazhi i shtetit – pra vetë ekzistencës së tij – përbën domosdoshmëri për ne. Mbi të gjitha, vazhdimësia anëtarësuese në FIFA hap një horizont krejt të ri të këtij imazhi shtetekzistues. Pjesëmarrja në tournamentet më të rëndësishme, më të shkueshme e më të njohura botërore, të një shteti me himn, flamur e përfaqësuese të vet është gjithçka çfarë Kosova ka njëmend nevojë sot.

E, padyshim, dhe mbi të gjitha, përfitimet ekonomike e financiare, për një vend që ka shumë talent sportiv, e nevojë për ekonomi edhe më shumë, janë primare. Ekipet tona më nuk do të shohin pjesëmarrjen në ligën nacionale si rrugë me një përfundim të izoluar e të parëndësishëm. Kualifikimet e përfitimet financiare për në Evropë do të nxisin investitorë të rinj, projekte të reja – seriozitet më shumë. Industria e futbollit sot nëpër gjithë rajonin është treguar si profitabile – edhe në terma financiarë për investitorët, por edhe në terma të imazhit për gjithë vendin.

-3-

Po aq i rëndësishëm mbetet edhe lajmi për rekomandimin e vizave. Në të vërtetë, të përfundosh i fundit në rajon nuk është ku me ditë çfarë arritjeje. Mbi të gjitha, izolimi vetëm i kosovarëve ka qenë një rast sa i pakuptueshëm, aq edhe i padrejtë. Zhbërja e kësaj padrejtësie dhe trajtimi njëjtë në një rajon pak a shumë të njëjtë ka qenë gjithmonë e drejtë.

Natyrisht se kosovarët kanë probleme bazike ekonomike e financiare për të shfrytëzuar këtë liberalizim për lëvizje e shëtitje. Natyrisht se për shumë kë liberalizimi i vizave mban Evropën larg sa kishte qenë larg ajo gjithherë. Gjithsesi, lëvizja e lirë mban në vete tri efekte politike e sociale të menjëhershme.

I pari, përbën lëvizjen e lirë të qytetarëve në tregje të reja të punës. Ndonëse për këto tregje duhet e drejtë pune nga secili shtet individualisht, praktikat rajonale kanë treguar një trend të mirëthemeluar të largimeve dy-trimujorëshe të të rinjve e të rejave, dhe angazhimi në punë atje. Ky angazhim, fatkeqësisht, ka qenë më tepër ilegal, por në çdo rrethanë ka qenë – siç japin pra – edhe përfitues për shumë familje në vend.
I dyti, ndërlidhet me lehtësimet udhëtuese të bizneseve dhe një shtrese të mesme kosovare – jo pak të vogël – që gjithmonë ka pasur mundësi udhëtimi, për biznes, studime e veç qejf nëpër Evropë. Radhët e turpshme e të mundimshme para ambasadave, e veçimet nëpër pika kontrolluese evropiane kanë marrë fund. E drejta për të lëvizur lirshëm, në fund të ditës, nuk ka sesi të mos jetë e mirë.

I treti, dhe jo më pak i rëndësishëm, ka të bëjë me një imazh ndryshe të Kosovës përballë investitorëve e vizitorëve të huaj. Vetë ideja se ky vend është i izoluar do të kishte ngjallur një dozë frike për secilin. Trajtimi i njëjtë pra me vendet e tjera si ne, na jep një dozë të këndshme imazhi.

-4-

Natyrisht i kuptoj skeptikët e lajmeve si këto. Nuk i mirëkuptoj fare kundërshtuesit e tyre – sepse nuk e kuptoj dot alternativën që japin. Të parët turbonacionalistë që pretendojnë idenë bajate se Kosova nuk duhet të ketë përfaqësuese futbolli, nuk bën edhe të merren seriozisht. Janë veçse grupe fanatikësh – të paktë e në rënie gjithmonë – që kanë probleme në thelb me konceptin e shtetësisë së Kosovës.

Të dytët, ndërsa, që lajmin e lëvizjes së lirë e shohin si hiçgjë, bëjnë pjesë në grupin e të revoltuarve që refuzojnë e kundërshtojnë gjithçka, herë sepse janë futur në nihilizëm që nuk i lë të shohin përtej zi e terr që ndërtojnë rreth vetes, e herë sepse nuk kuptojnë vetë se çfarë duan.

Natyrisht se me të dyja lajmet Kosova merr çfarë shtetet përreth nesh kanë pasur kaherë. Secili prej tyre ka qenë gjithmonë anëtar në UEFA e ka lëvizur lirshëm tash e sa kohë. Pra, në thelb, ne gëzohemi se po arrijmë normalen e rajonit. Kjo tregon natyrshëm sesa shumë të vuajtur kemi qenë. Dhe është mu për shkak të kësaj vuajtjeje dhe ecjes sonë të pazakonshme që nga atëherë, se pse lajmet si këto shijohen edhe më shumë. Sepse, në ditë e javë si këto, sado të zakonshme për shumë kë të duken, Kosova po jetëson shtetësinë e vet njëmend. E shtetësia jonë, të tillë çfarë vetë po e ndërtojmë, është mrekulli në vete.

[email protected]

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...