14 Korrik 2014 - 09:00 - Lumir Abdixhiku
-1-
Nisja e autoudhës në ditët e fundit të një qeverisjeje, me kosto të gjithëmbarshme sa një e dhjeta e bruto produktit vendor – është përmbledhja më e mirë, gjithsesi më e trishtë e degradimit potencial që ky stil qeverisës mund të sjellë në Kosovë po vazhdoi sërish. E janë mu stile e politika si këto që na rikujtojnë e rikujtojnë vazhdimisht se pse duhet ndërprerë me secilin kusht këtë avaz mbytës; dhe – ndoshta, pse ndonjëherë megjithatë duhet kërkuar të keqen më të vogël për të përmbysur një të keqe të madhe që na e dërgon të gjithëve në dreq të mallkuar.
Përjashto diskutimet hajgare, konsultimet e pabëra, koston e fryrë apo kontratën e mbyllur – përjashto të gjitha – mund të kishin më pak rëndësi nëse presupozojmë se gjithçka është bërë mbarë; ta themi se kanë superfuqi diturie të paditurit tanë. Porse, vetë ideja e futjes së vendit në marrëdhënie kontraktuale kaq masive kur pritet qeveria dhe qeverisja e re, është rast pa precedent – është sjellje tipike destruktive; si adoleshentë inatçorë që sillen pa fije përgjegjësie. Por përtej inatit e papërgjegjësisë, vendimet e aksham pazarit janë gjithsesi vendime të dyshimeve e aferave korruptive; siç dhe kishte ndodhur me rrugën më të shtrenjtë (për kilometër), atë të Kombit.
Në stilin e njëjtë, me proces të njëjtë, pa fije befasie, kontrata e re vulos sërish çmimin prej 10 milionë euro për një kilometër; pra 1 milion euro për 100 metra; pra 10 mijë euro për një metër; pra 100 euro për një centimetër.
-2-
Kur të paditurit diskutojnë për autoudhë, ata vënë në pah tri argumente – pritshëm të pamenduara, të papërtypura e të pamatura mirë. Argumenti i parë i tyre është se rrugët janë të nevojshme (shih). Argumenti i dytë i tyre është se partneriteti publiko-privat nuk funksionon, sepse ka dështuar në një vilajet të Rumanisë (shih). Argumenti i tretë i tyre është se kjo është kontrata më e mirë e lidhur ndonjëherë në rajon (shih).
Ti zhbëjmë zbulimet epokale – hiq – të tyre nisur nga kjo e fundit. Sipas të paditurve tanë, për dallim nga rruga e Kombit, kjo e Shkupit është shumë më e favorshme e shumë më pak e dëmshme, sepse çmimi i ndërtimit të saj është i fiksuar, pra nuk mund të ndryshojë. Rrjedhimisht, nuk ka gjasë që, siç dhe kishte ndodhur me autoudhën e Kombit, Kosova të paguajë një kontratë të nisur për 600 milionë plot 1 miliard euro. E nuk ka paraqitje, prezantim e mbrojtje të bërë në katër vjet rresht, që po të njëjtët nuk paraqisnin kontratën e fundit si më të mirën në rajon; që duket se megjithatë nuk paska qenë sepse – siç dhe argumentonim ne të zakonshmit gjithnjë – çmimet i kishte ta pakufizuara.
Por ta pranojmë argumentin e tyre të paditur si të qenë, se autostrada e nisur nga ta ka dalë si e shtrenjtë, se tashti, pasi kemi shpenzuar plot 1 miliard kesh për më pak se tre vjet, kemi mbledhur mend (çfarë kosto enorme e mbledhjemendjes, përndryshe) e kemi dalë kështu në fund me një kontratë të re – me çmime fikse. A është çmimi 10 milionë për një kilometër – 10 mijë euro për metër – çmim i natyrshëm?
-3-
Autoudha E18 është një ndër superrugët më të mira që ka sot Finlanda. Kjo udhë ndërlidh kryeqytetet skandinave me njëri-tjetrin; në disa dalje ndërlidhëse dhe me Evropë e Rusi. Seksioni E18-1, ndërlidhës i qyteteve Muurla-Lohja është ndërtuar në vitin 2010. Ky seksion kishte 57 kilometra (përafërsisht aq sa rruga për Shkup), 7 tunele binjakë me distancë të përgjithshme prej 10.3 kilometrave (dy herë më shumë se rruga për Shkup) dhe 8 dalje (dy më shumë se rruga për Shkup).
Autoudha, katër korsi, me 7 tunele, 8 dalje – pra 57 kilometra e gjatë – kishte kosto mesatare prej 5.7 milionë euro për kilometër në Finlandë; gati dyfish më pak se kostoja mesatare e kontraktuar në Kosovë në dy kontrata të njëpasnjëshme.
-4-
Sipas një studimi përmbledhës të “World Highways”, ndërtimi i rrugëve nëpër terrene mesatarisht të përshtatshme (siç dhe konsiderohet ky për Shkup) kushtojnë në Danimarkë 5.8 milionë euro për kilometër; në Kroaci 6.6 milionë euro për kilometër; në Slloveni 7.1 milionë euro për kilometër; në Gjermani 8.2 milionë euro për kilometër. Kosova pra, ndërton me kosto 20% më të lartë se Gjermania, 30% se Sllovenia, 35% se Kroacia e gati 50% - pra dyfish – se Danimarka.
Ta zëmë se, siç dhe me siguri është rasti, të paditurit tanë janë manipulues tipik që provojnë disi t’i arsyetojnë pazaret e paarsyetueshme; se në vendin më të korruptuar në Evropë – dhe më shumë – tenderët qindra milionësh janë banka të pashtershme të korruptuarish. A ka mundur rruga e re të financohej ndryshe?
Sipas Kornizës afatmesme të shpenzimeve, një dokument që natyrshëm do të duhej të planifikonte e kornizonte makroshpenzimet e vendit – e që fatkeqësisht është shndërruar në dokument leckë e të pavlerë – Kosova nuk ka paraparë në tri vitet e ardhshme t’i shpenzojë 600 milionët e planifikuar. Ç’është e vërteta, dhe për fatin tonë të keq, planifikim nuk kishte as në ndërtimin e autostradës së Kombit – por paratë u bënë, investimet e tjera u shkurtuan, 1-miliardëshi u gjet.
Në skenarin më të mundshëm Kosova do të financojë sërish autoudhën për Shkup me para të buxhetit, duke sakrifikuar kështu, sërish, për 3-4 vjet të gjitha investimet e tjera potenciale (në rrugë regjionale, në gjyqësor, në shëndetësi, në arsim e në sektor privat). Në skenarin më të mundshëm, sepse e thanë të paditurit vetë, nuk do të provohet me partneritet publiko-privat, sepse – e këtë s’mund ta besoj – i njëjti kishte dështuar diku në Rumani.
Një kauzë-relacion të tillë vetëm të tanët mund të prodhojnë. Përndryshe, për secilin tjetër të zakonshëm, pjesa më e madhe e rrugëve evropiane ndërtohen sot me partneritet publiko-privat. Tjetër çka që këta të paditurit tanë nuk mund të gjejnë asnjë partner për biznes; tjetër çka që asnjë partner privat nuk ka ndërmend të fusë 10 milionë euro për kilometër kur kosto reale e saj mund të jetë sa gjysma e saj. Në një skenar normal, me qarkullimin enorm Prishtinë – Ferizaj – Shkup, me një kosto normale, autoudha 60-kilometërshe, e ndërtuar për 300 milionë (financuar gjysmë-gjysmë nga privatët dhe qeveria) do të ishte një projekt profitabil sa s’bëhet më – rrjedhimisht dhe atraktiviteti për pjesëmarrje.
E Kosova, përndryshe, vazhdon të mbetet vendi i vetëm në rajon – dhe më shumë – që ndërton e financon autoudhat me para të buxhetit; pale çfarë buxheti se. Pra, Kosova, për shkak të bindjeve të të paditurve tanë për dështimet nëpër provincat e Rumanisë, përveç se bastardon idenë e partneritetit publiko-privat, mbyll edhe secilën formë alternative të financimit me kredi të buta – dhjetëravjeçare.
-5-
Argumenti i parë, por i fundit i trajtuar këtu, është më i zakonshmi. Kur ne argumentojmë për çmimin, korrupsion e keqpërdorimin, ata thonë rrugët janë të nevojshme dhe duhet bërë. Natyrisht se duhet bërë. Nuk ka asnjë dyshim se rrugët janë të nevojshme; një vend pa rrugë e pa infrastrukturë modern nuk do të ketë asnjëherë zhvillim të mirëfilltë ekonomik.
Problemi megjithatë qëndron në intensitetin e ndërtimit të këtyre rrugëve dhe koston oportune që ato bartin. Thënë ndryshe, përtej konfirmimit të nevojës së pasjes së rrugëve, është e domosdoshme edhe renditja e barrës financiare karshi nevojave e tjera ekonomike që i ka Kosova. Sepse, siç jemi vend i varfër e me probleme, kemi edhe nevoja e kërkesa zhvillimore të tjera. Pra, përveç nevojave për rrugë, kemi edhe nevojë për gjyqësi, arsim, shëndetësi – e në fund sektor privat. Rëndesa financiare në buxhet që bëhet për shkak të ndërtimit të hiperautoudhave, anashkalon secilën alternativë tjetër. Dhe mu ky anashkalim mban Kosovën në stade simbolike të rritjes ekonomike prej 2 deri në 3 për qind në vit.
Pra, për të rikapituluar gjithë këtë diskutim, mirë shumë që bëhen rrugët. Ka qenë tërësisht e panatyrshme mosndërtimi i kësaj për Shkup me gjithë nivelin e qarkullimit që gjysmudha e sotshme mban. Do të ishte edhe më mirë sikur të ndërtonim edhe një për Gjilan, e një tjetër për Podujevë, të përfundonim këto për Pejë e Mitrovicë – e të ndërlidhnim secilin qytet kosovar me njëri-tjetrin mbarë e mirë. Rrugët pra, duhet bërë, sepse nuk bën ndryshe. Por kjo nevojë nuk arsyeton asnjëherë koston enorme që të paditurit tanë bëjnë, as formën më brutale të financimit – nëpërmjet shterjes së buxhetit. Sepse, përveç rrugëve, kemi dhe nevoja të tjera.
Përveç rrugëve, ne duhet megjithatë të bëjmë dhe ekonominë. Prandaj, një ecje paralele, më pak e kushtueshme dhe e financuar nga partneriteti publiko-privat apo kreditë e buta (e zhvillimore) do të bënin punë shumë. Kështu siç e bëjmë tani, po futemi ngadalë por sigurt në një vend që ka humbur udhë.
[email protected]
©KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...