Një faqe e zezë

30 Maj 2016 - 08:29 - Lumir Abdixhiku      

Vendi ynë, për shkak të një pakice të konsiderueshme, do të bartë një kosto jashtëzakonisht të kushtueshme për shumë vjet

-1-
Hovin e lajmeve të mira për Kosovën e ndaloi artikulli i ballinës së gazetës më të famshme në botë, i “New York Times”. Titulli i paraqitjes së sërishme të Kosovës në ballinë, sepse hera e fundit që Kosova kishte bërë ballinën ishte Shpallja e Pavarësisë, e karakterizonte vendin tonë si vatër e ekstremizmit fetar – tokë pjellore e kishte quajtur gazeta vendin tonë. E pabesueshme se sa shpejt mund të kthehet imazhi i një vendi në të mbrapshtë.

Një njollë e tillë, e vërtetë ose jo ka pak rëndësi, do ta ndjekë Kosovën shumë gjatë. Sepse janë mu elemente si këto, detaje që shpërfaqen tek lexuesit ndërkombëtarë, që krijojnë një përshtypje të re për vendin që dikur konsiderohej si më i riu – në thelb e energji pra – evropian. Dhe, për të qenë të drejtë me veten, cilësime të tilla nuk kanë trajtën veç të shkrimeve gazetareske. Sot qendrat diplomatike mu këtë frikë e percepsion kanë.

Pra, vendi ynë, për shkak të një pakice të konsiderueshme, do të bartë një kosto jashtëzakonisht të kushtueshme për shumë vjet. Them pakice të konsiderueshme sepse, për secilin që ka kaluar një natë këndej, ekstremet religjioze janë shumë më të pakta se çfarë sot mund të gjenden nëpër qendrat evropiane. Kjo nuk i bën ato më pak të rrezikshme, as më pak të shtueshme në të ardhmen; por i mban të tilla siç janë pak a shumë në secilin vend tjetër evropian.

Tashti, për të mos hedhur poshtë rrezikun, Kosova ka qenë njëmend vend i pjellshmërisë së lloj-lloj ekstremizmi. Nga ai religjioz deri tek ai nacionalist, nga racist e ksenofobik deri tek ai partiak e politik. Këndej, tek ne, mendimet janë sa ekstreme aq edhe të patolerueshme. Toleranca jonë – e shpërfaqur këndej si vlerë – nuk ka ardhur asnjëherë si vlerë besuese e diskutimeve, por si moskokëçarje. Në momentet e para të ballafaqimeve të ideve, kudo që kanë ndodhur ato, nga diskutimi parlamentar deri tek ai i odave e kafehaneve, është nxjerrë jotoleranca jonë, ajo e vërteta.

-2-

Por për t’iu kthyer ekstremizmit, si karakteristikë e plot mendimeve këndej, ai më i rrezikshmi, më transformuesi e më i kushtueshmi për ne mbetet i besimeve e trushpëlarjeve që janë toleruar me vite këndej. I rrezikshëm, sepse fillimisht ka karakter global – rrjedhimisht ka fuqi; e më pas sepse sulmon pikërisht vlerat e shumicës. Për vendin tonë i rrezikshëm dy herë, sepse prek rrugëtimin tonë shtetformues, ashtu-kështu të lodhët e të sakatuar nga inkompetenca e korrupsioni skandaloz gjithandej.

Në Kosovë, si në pak vende evropiane, pëlleshmëria e ekstremizmit religjioz është shtyrë nga një gjendje e rëndë ekonomike e sociale. Pra, duhet të ketë dallime thelbësore në burimet e ekstremizmit – për shembull nga rastet e Belgjikës e të Zvicrës – me ato të Kosovës. Jo të gjitha kanë zanafillë të njëjtë – ani pse në fund kanë një bindje të njëjtë.
Për Kosovën, frymët e tilla kishin nisur me nisjen e organizatave humanitare pas vitit 2000, e që shpërndanin para, ndihma, literaturë e ligjërata urrejtnxitëse gjithandej. Më pas u krijuan grupet. Dikur grupet krijuan institucionet e veta, të përfshira brenda institucioneve religjioze, por dhe të vetorganizuara jashtë saj. Kulmi, natyrisht, kishte arritur me konfliktin e Sirisë, kur njerëzit trushpëlarë të nxitur për dhjetë vjet rresht, kishin përfunduar në monsterë e vrasës mizorë. Të tjerë përkrahës të tyre këndej.

Duhet thënë këtu, se reagimi qytetar e intelektual i parë ishte përcjellë me një kundërpërgjigje ofenduese nga një sistem mirë i organizuar e i sinkronizuar i organizatave promovuese të ekstremizmit në vend; sistem i cili edhe sot shfaq veten gjithandej sa herë që ka një reagim kundërekstrem. Secili mendimtar i vlerave properëndimore, gjykues i ekstremeve të tilla, ballafaqohej me lloj-lloj ofendimesh; dhe jo vetëm aq. Imamë të moderuar ishin sulmuar e ndjekur vazhdimisht; politikanë të guximshëm ishin pjesë e propagandave mediatike – përfshirë dhe këngëve e programeve urrejtjenxitëse.

Fillimi pra ishte i vështirë; jo se tani është më ndryshe. Porse, për dallim nga atëherë, tani, megjithatë, kemi një nismë institucionale të nisur gjatë vitit 2014. Kosova kishte rregulluar me ligj pjesëmarrjen në organizata terroriste; kishte adresuar institucionet paralele fetare gjithandej; dhe mbi të gjitha, kishte arrestuar, gjykuar e dënuar promovuesit e urrejtjes si shumë pak vende nëpër Evropë. Prandaj, për raste të tilla, rasti i Kosovës do të duhej të ishte parë botërisht si rast i mirë – si shembull që duhej ndjekur. Fatkeqësisht nuk ishte shitur si i tillë.

-3-

Inkurajuese në gjithë këtë përballje ka qenë gjithmonë edhe reagimi intelektual e qytetar. Pra, pavarësisht një fillimi të vështirë, përballja me ekstremizmin në shoqëri ka pasur anë të qartë – është e shumicës.

E shumicës mbetet edhe rehabilitimi i vendit tonë nga një investim njëdekadësh të mbrapshtë. Pra, e para, ne duhet të pranojmë se kemi një problem. E dyta, se ky problem ka goditur vendin tonë rëndë. Rrjedhimisht, se për shkak të këtij problemi e goditjeje, e treta kjo, neve na duhet rehabilitimi.

Dhe rehabilitimi i Republikës nuk do të bëhet me sulme ndaj imazheve botërore. Sado të dhimbshme e në masë të madhe edhe të pasakta, ato janë refleksion – simptomë pra – i një ngjarjeje që ka ndodhur këndej – e që mund të përshkallëzojë po u tolerua. Rehabilitimi nuk bëhet as me kundërekstremizëm e mbytjen e bindjeve religjioze në vend. Kosova, në pavetëdije e jo pak herë, është shndërruar në betejë të ekstremeve – në njërën anë përçmuesit e feve e në anën tjetër trushpëlarët e feve. Kosova duhet, pra, të ndërtojë një sistem demokratik të vlerave e bindjeve; e kjo punë natyrshëm vjen me traditë.

Mbi të gjitha, Kosova e diplomacia kosovare duhet të jenë proaktive të ngjarjeve të tilla. Është e pakuptueshme se si asnjë nga institucionet e vendit nuk reagoi ndaj një paraqitje prej faqeje të zezë. As edhe një fjalë. Është e pakuptueshme, mbi të gjitha, që nuk kishim as edhe një informacion të vetëm se një hulumtim i tillë po vinte. Në fund të ditës ai kishte ndodhur mu në Kosovë. Në fund të ditës do të duhej të kishim angazhuar gjithë aparatin shtetëror, të miqve e lobuesve tanë për të parandaluar – në masën e mundshme parandaluese – një shpërthim të tillë.

Dhe për fund, ndonëse më pak fajtorët për të gjithë, s’kam se si të mos shpreh pakënaqësi ndaj shumë mendimtarëve tanë, amatorë të tmerrshëm, që nuk lënë të zezë pa thënë për vendin e vet jashtë. Ka një dallim esencial në mes të kritikës konstruktive dhe promovimit të tmerrshëm jashtë; sidomos kur ky promovim i mbrapshtë është zmadhim i pavërtetë ndaj vendit tënd. Në fund të ditës, s’ka gjë për të fituar e glorifikuar në një kampanjë të tillë.

Rreziku, gjithsesi, është këndej. Keq që jemi zgjuar vonë; mirë që kemi bërë këtë zgjim. Do të jetë edhe më mirë – e domosdoshme madje – sikur këtë zgjim ta përdorim mençur për të parandaluar ekstreme të mbrapshta në vend.

[email protected]

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...