Një mësim ekonomik

5 Dhjetor 2016 - 08:16 - Lumir Abdixhiku      

Mbi papunësinë që bie dhe punësimin që nuk rritet

-1-

Nuk besoj se ka ndonjë temë tjetër për të cilën kam shkruar më shpesh sesa ajo e punësimit, përkatësisht numrave të papunësisë dhe normës respektive. Dhe, në secilin trajtim timin, mbi këtë temë, kam argumentuar kundër vlefshmërisë së numrave që Agjencia e Statistikave i prodhon. Jo sepse ata ndjekin ndonjë metodologji të paimplementueshme diku tjetër, jo sepse ata implementojnë anketën mirë ose jo (për këtë nuk kam më të voglën ide), por sepse numrat që ky institucion zyrtar i prodhon nuk bëjnë sens ekonomik, hiç, fare.

Përveçse nuk kanë sens ekonomik, të njëjtët numra nuk paraqesin situatën e vërtetë ekonomike në vend. Dhe në fund të ditës brenga kryesore e qytetarëve e politikëbërësve në vend nuk duhet të jetë rreth paraqitjes kozmetike të numrave, por rreth lëkurës së vërtetë të gjendjes sociale e ekonomike përtej këtij ngjyrimi politik. Fatkeqësisht, deri më tani, me gjithë argumentet e ngritura e të stërngritura kaherë, nuk ka pasur një debat të mirëfilltë të ekonomistëve mbi një fakt të vetëm të papunësisë – mbi papunësinë që bie dhe punësimin që nuk rritet.

-2-

Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në botë që ka ulje të papunësisë, duke mos rritur punësimin. Pra, përderisa papunësia ka rënë nga 45% në vitin 2012, në 27% në fitin 2016 (gjithmonë sipas numrave të Agjencisë së Statistikave), numri i të punësuarve për këta tre vjet ka mbetur përafërsisht i njëjtë. Në njërën anë pra kemi përgjysmim të papunësisë, në anën tjetër kemi stagnim të punësimit. Pra, thjesht, natyrisht, Kosova nuk ka përmirësim të situatës së punësimit. Kosova ka përmirësim të numrave të papunësisë.

Dhe ka vetëm një shpjegim logjik në këtë elaborim alogjik të numrave, e i njëjti lidhet me masën e forcës joaktive të fuqisë punëtore në Kosovë. Sipas ASK-së, Kosova ka forcë joaktive punëtore – pra të tillë që s’llogariten në numrat e papunësisë – në masën prej 62.2%. Pra, dy të tretat e fuqisë punëtore fshihen nga llogaritjet e papunësisë – konsiderohen si individë që nuk duan punë.

Me këtë numër, siç dhe kam argumentuar kaherë, Kosova renditet – besoni ose jo – e para në botë për nga joaktiviteti. E kalon Timorin Lindor me 62.1%, e kalon Moldavinë me 58.7%; e kalon Palestinën me 58.6%, i kalon Ishujt Samoa me 58.22%; e kalon Jordaninë me 57.6%, e kalon madje edhe Irakun – në luftë – me 57.6%.

Janë pra plot 750 mijë kosovarë që fshihen nga përllogaritjet e papunësisë. E kur fshin 2/3 e popullsisë, kur fshin jo 7 mijë, por plot 750 mijë kosovarë nga përllogaritja, është tërësisht e parëndësishme se me çfarë numri të papunësisë del në fund. Ky numër lehtë mund të bëhet dhe 0%, e tëra çfarë duhet është që Kosova të fshijë gjithë forcën punëtore nga përllogaritja – t’i shpallë të gjithë si joaktivë.

-3-

Kosova nuk i ka 62.2% të forcës madhore si joaktive. Kosova nuk ka karakteristikat kulturore e religjioze si shumica e vendeve që renditen rreth saj në rangimin botëror. Kosova nuk është as si Iraku e as si Palestina. Në vende të tilla gruaja nuk është fare aktive, sepse normat shoqërore të vendeve përkatëse e trajtojnë si të tillë. Vendet e rajonit, me të cilat edhe Kosova ndan më së shumti karakteristika kulturore, religjioze e gjeografike, kanë normë joaktiviteti prej 46.8% - në mesatare. Mali i Zi ka normë prej 50.1%; Serbia prej 47.5%, Shqipëria prej 44.9% e Maqedonia prej 44.8%. Në secilën rrethanë të mundshme Kosova do të duhej të kishte normë joaktiviteti si në Shqipëri e Maqedoni.

Nëse numri final i papunësisë është i palogjikshëm, atëherë ai duhet të jetë dhe i papërdorshëm. Numri i papunësisë sonë, 27% pra, është i papërdorshëm, sepse ndërtohet mbi baza të palogjikshme – të fshirjes së 2/3 të popullsisë së rritur nga secila përllogaritje. Në rrethana si këto, ne duhet kthyer nga numrat e punësimit. Në të vërtetë, jo pak vende e jo pak administrata nëpër botë masin efikasitetin e tyre me numrin e vendeve të reja të punës që krijojnë.

Sipas ASK-së, në Kosovë numri i të punësuarve është 328 mijë veta. Pra, nga 1.2 milionë banorë të moshës madhore për punë, janë të punësuar veç 27%. Pjesa tjetër është ose joaktive, ose e papunë – joaktivë janë 750 mijë banorë, të papunë, ASK-ja na thotë janë veç 116 mijë veta në Kosovë. Po sipas ASK-së, në dymbëdhjetë muajt e fundit janë krijuar plot 32 mijë vende të punës në Kosovë. Pra, përderisa në vitin 2015 Kosova i kishte 296 mijë të punësuar, në vitin 2016 Kosova i ka 328 mijë sish.

-4-

Fillimisht ka një diskrepancë serioze logjike në mes të vendeve të krijuara për 12 muajt e fundit dhe normës së rritjes ekonomike në Kosovë. Nëse rritja ekonomike në Kosovë gjatë vitit të shkuar ka qenë nga 3.5% deri në 4%, atëherë gjasat e krijimit të 32 mijë vendeve të punës janë krejtësisht abnormale. Të mos harrojmë, sipas secilës matje empirike e serioze të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar e secilës analizë tjetër të pavarur, Kosovës i duhet normë dyshifrore për të filluar akomodimin e fuqisë punëtore, që secilin vit futet në tregun e Kosovës si e papunë. Kjo fuqi punëtore që secilin vit futet si e papunë rrumbullakohet rreth 20-25 mijë. Pra, për të krijuar akomodim për këta 20-25 mijë të rinj do të na duhej normë rritjeje dyshifrore. Për 32 mijë vende të reja pune, norma jonë e rritjes do të duhej të ishte nga 14-16% në vit. Të mos harrojmë: e kishim 3.5% deri në 4%.

Për mua, numri i të punësuarve prej 328 mijë është krejtësisht real, madje më i vogël sesa duhet të jetë. Joreale është rritja. Pra një nga raportet e përparshme është i gabuar, sepse, siç argumentova kaherë, baza mbi të cilën përllogaritet papunësia (joaktiviteti pra) është e gabuar dhe si pasojë prodhon numra të përçudshëm. Pra, numri prej 328 mijëve duket është real. Kjo sepse vetëm Trusti Pensional i Kosovës ka 300 mijë kontribuues aktivë. Janë pra plot 300 mijë qytetarë që janë të regjistruar formalisht e që kontribuojnë në trust pensional gjatë gjithë vitit. Në të vërtetë, s’është aspak e habitshme që me normën e joformalitetit në Kosovë të kemi 328 mijë të punësuar. Kjo do të thoshte që joformaliteti i fuqisë punëtore është vetëm 10%. Në të vërtetë, për mendimin e argumentimin tim, në Kosovë numri i të punësuarve joformalë duhet të jetë dhe më i madh, sepse joformaliteti është më i lartë sesa 10%. Rreth 10% joformalitet e kanë plot vende të zhvilluara madje. Nëse Trusti i Pensioneve i ka 300 mijë kontribuues formalë, atëherë me një normë joformaliteti të fuqisë punëtore prej 30%, punësimi këndej duhej të ishte rreth 360-380 mijë veta. Pra, ASK-ja nuk ia qëllon as numrit real të të punësuarve. E zvogëlon atë, e zvogëlon dhe numrin e punëkërkuesve, por rrit vazhdimisht joaktivitetin.

Për ta thënë më thjeshtë, pavarësisht ASK-së, Kosova i ka 1.2 milionë banorë të moshës së punës. Nga ta punojnë formalisht 300 mijë veta, dhe me siguri, 70-90 mijë të tjerë në të zezën. Edhe sikur të ishin 400 mijë të punësuar (e jo 328 sa thotë ASK-ja) në të zezë e në të bardhë, Kosova do të kishte veç 30% punësim – kur i ka pra 1.2 milionë banorë të moshës së punës. Pjesa tjetër janë ose të papunë, ose joaktivë, pra të painteresuar për punë. Nëse Kosova ka normë joaktiviteti si të Shqipërisë e Maqedonisë – pra 44%, atëherë i bie se 530 mijë nuk do të donin punë. Pjesa e mbetur prej 300 mijësh, në secilën rrethanë logjike, do të ishte e papunë. Në një proporcion përqindjeje, papunësia në Kosovë – edhe sikur 400 mijë të ishin të papunë e 530 të tjerë të mos kërkonin punë – do të ishte rreth 40%; gati dy herë më e lartë sesa numri aktual zyrtar. I gjithë marifeti pra është te përllogaritja e joaktivëve si jashtë tregut të punës.

abdixhiku@facebook.com 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...