11 Gusht 2014 - 08:45 - Lumir Abdixhiku
-1-
Përderisa “pleqnarët” do të pleqërojnë kontestin politik në mes të – deri dje – pozitës dhe –deri sot – pozitës së pezulluar, dhe për aq sa i gjithë mekanizmi shtetëror mbetet në gjendje stagnimi e varësie nga “pleqnarët”, them se alternativëdhënësit për mandatin e ri kanë kohë të mjaftueshme, fatkeqësisht për ta, për të matur mbarë e mirë modelin qeverisës që do të ndërtojnë. Sepse, përderisa arsyetimi i tyre i vetëm për bashkim joparimor ka qenë parandalimi i regresit nën qeverisjen e shkuar, ai nuk do të mjaftojë për të kredituar veten sa herë që bëjnë gabime e akte të tjera joparimore. Në fund të fundit, secila alternativë – ndaj secilës së keqe – duhet të ketë mirësinë e mbarësinë më vete, përndryshe, ndonëse më pak e keqe se tjetra, gjithsesi mbetet e keqe – dhe për të keqen kosovarët nuk kanë nevojë.
Pra blloku deri dje opozitar – tash pozitë e pezulluar – ka sjellë preferencën publike ndaj tyre në kufirin e tolerancës dhe pajtueshmërisë. I ndërtuar në afeksion e nevojë urgjente për të ndjekur e mbuluar humbjen, ky bllok ka bërë kompromise joparimore në mes vete qysh në fillim; siç është rasti kur udhëheqja e qeverisë së re bëhet jo nga lideri – deri dje opozitar – as nga pasuesi i tij, por nga i fundit pretendent për kryeministër.
Ta themi e ta pranojmë se ky ka qenë çmimi i plotësimit të një kushti. Atëherë, premisa e parë që del nga një konstatim i tillë është se ky bashkim nuk ka qenë fillimisht as fer e as i pakushtëzuar. Pra, qëllimi primar i bashkimit të – deri dje – opozitës nuk na qenka parandalimi i një të keqeje më të madhe për hir të bindjeve të barabarta opozitare – por qenka shfrytëzimi i pozitës negociuese (rrjedhimisht kushtëzuese) brenda bllokut; kushtëzuesit në rast të mosplotësimit të kushteve do të bashkoheshin me të keqen tjetër në skenarin tjetër. Këtu rrjedh edhe ideja se nëse treshja është ndërtuar fillimisht pas kushtëzimeve e plotësimit të kushteve, secili bashkim tjetër më i gjerë opozitar duhet të ndërtohet po ashtu me kushte; pra kushtet nuk janë e nuk na paskan qenë ide heretike.
-2-
Por ta themi se kompromisi e kushtëzimi janë çmime të pranueshme për të mundur atë të keqen e madhe (që gjithsesi dhe gjithmonë mbetet e keqe pavarësisht kombinimeve e arsyeve të bllokut), ndarja e posteve ministrore pa një plan e model të ri qeverisës është gabim që blloku nuk duhet t’ia shtojë qerres së gabimeve që bart me vete. Në vend që kjo qeverisje e re, që promovon shpresën, të ristrukturojë qeverinë më të madhe në rajon – siç dhe e kanë konsideruar shpeshherë vetë – dhe rrjedhimisht ta reduktojë në pak ministri e disa dikastere të tjera qeveritare, ajo e bën të kundërtën – merr modelin e vjetër të themeluar nga të këqijtë në ikje, dhe përshtat veten ndaj saj.
Ta themi se përshtatja me model të vjetër është imim që sërish duhet pranuar sa për të larguar të keqen e madhe – sepse (siç dhe e kanë thënë vetë) kënaqësia e secilit anëtar të bllokut kërkon pozita akomoduese shumë. Atëherë premisa e dytë që del nga konstatimet tona është se blloku që shpërfaqet si alternativë, por që merr modelin e vjetër për të ndërtuar qeverisjen e vet, nuk na qenka ndërtuar sinqerisht për alternativë, por për – siç edhe e thonë vetë – për akomodim. Dhe është mu për interes akomodimi që pushteti në ikje kishte shtuar në vazhdimësi ministri; në atë përmasë saqë ndërtimi i Qeverisë ishte bërë komik.
Nëse asgjë tjetër, si shenjë të parë të shpresës që pretendojnë ta ngjizin, ky bllok do të duhej të ndërtonte mu thelbin e konceptit në ikje; valutën e pushtetit dhe pozitës qeveritare si të pakontestueshme e të patjetërsueshme. Kjo alternativë do të duhej ta godiste sistemin në ikje në thelbin regresiv të saj; me një model të ri qysh në fillim.
-3-
Ndërtimi jo fer e me një nuancë hipertolerance – gjithsesi të ligë në konstatim – edhe ndjekja e modeleve të vjetra, mund të arsyetohen. Çfarë nuk mund të arsyetohet në asnjë rrethanë është ndarja e bllokut – deri dje – opozitar në dysh. Pra i gjithë koncepti i përpirjes së ndërtimit jo fer, i kushtëzimeve apo i ndjekjes së komfortit të pushtetit mund dhe të përpihen; por jo mosunifikimi në një i opozitës së deridjeshme.
Dhe ndarja duket se po formësohet si alternativë gjithnjë. Në vend të një partie – kryesisht nacionaliste – shqiptare, fillohet të preferohet një parti ultranacionaliste serbe. Përderisa e para kushtëzon privatizimin e “Trepçës” e të Brezovicës për motive të përfitimit shoqëror, e dyta e kundërshton privatizimin e tyre për motive nacionaliste – gjithsesi antishqiptare. Përderisa e para kushtëzon bisedimet për Veri për motive të funksionimit shtetëror, e dyta promovon bisedime për motive nacionaliste – sërish antishqiptare.
Pra, sado që kushtëzimet e VV-së përballë bllokut LDK-AAK-NISMA mund të jenë të gabuara – kryesisht këto të privatizimeve që ndërlidhen me bindje jo të sakta e jo të shëndosha filozofike – ato gjithsesi mbesin më të favorshme se kushtëzimet e Listës Serbe; në secilën rrethanë – sot e pesëqind vjet.
-4-
Nëse blloku – deri dje – opozitar ka vendosur kushte ndaj vetes përgjatë themelimit, them se duhet t’i adresojë edhe të tjerat për zgjerim; siç dhe pretendentët e zgjerimit duhet t’i bëjnë pragmatike bindjet e tyre që nuk mund të gjejnë kompromis. Kjo sepse, vetëm si të bashkuar dhe si një, blloku i gjerë mund të konsiderohet si alternativë.
Blloku i deritanishëm pra nuk duhet të rëndojë ecjen e tyre fragjile me gabime të mosbashkimit – përtej jokorrektësisë në themelim dhe ndjekjes së verbët të pushtetit. Në të kundërtën, nëse politikat e Kosovës mbesin në strukturë dhe filozofi të njëjtë si ato parapraket, atëherë çfarë dallimi bën kjo gjysmë alternativë me parapraken?! Në cilën pikë pra, e keqja e re – si alternativë më pak e keqe se paraprakja – bëhet e keqe e papranueshme?!
Blloku – deri dje – opozitar, ka secilën mundësi që të kthejë Kosovën në rrugë të mbarë; por jo duke vazhduar i ndarë. Sepse ndarja eventuale e tyre do t’i mundësojë strukturës –deri dje – në pushtet të rikonsolidohet shpejt e të vijë sërish si alternativë më pak e keqe se të këqijtë e rinj; sikurse dhe kishin ardhur këta.
Në rrethanat e tanishme PDK-ja me një opozitë të bërë pozitë falë Listës Serbe mund të kthehet në kohë dhe më të shkurtër, dhe gjithmonë e pareformuar, në sy të kosovarëve si forca më serioze (sado e keqe) e Kosovës; dhe për aleancë rrënimi të bllokut do të ketë dhe një pjesë të opozitës së deridjeshme. E pozita e re, me një bllok joparimor, ka pak gjasë që me një model të vjetër e njerëz të rinj të bëjë ndryshimin për të cilën kosovarët kanë kaq shumë nevojë.
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...