Peng të zaptimit

6 Tetor 2014 - 13:53 - Lumir Abdixhiku      

Blloku VLAN ka dy alternativa. E para, që të insistojë me ngulm te presidentja për zgjidhje të menjëhershme të situatës – duke përfshirë edhe kërkesën e re të saj për qartësim kushtetues rreth çështjes së kryeparlamentarit dhe nenit 12. E dyta, që të gjejë rrugë ligjore të çzaptojë foltoren e Parlamentit, rrjedhimisht të zgjedhë institucionet e të lërë më pas PDK-në të merret me presidente dhe Kushtetuese. Në secilën rrethanë, blloku nuk ka asnjë llogari të vazhdojë ecjen në rrugë të shtyrjeve. Shtyrjet do të detyrojnë bllokun në kompromis

-1-
Ky ngërç politik, që derivon jo nga balancat e mospajtimeve (sepse balanca do të nënkuptonte baraspeshë), por ekskluzivisht nga zaptimi, na lë të kuptojë – ndoshta për herë të parë kaq qartë e kaq mirë – se sa pak institucione e sa shumë paradokse kemi ndërtuar si shtet tash e shtatë vjet.

Për të mos thënë fare, në shtatë vjet ekzistencë ky vend i vogël e me shumë telashe, ka vendosur të lërë gjithë fatin e fragjilitetin e të tij në një parti politike, pakicë parlamentare, që për fat dhe asgjë më shumë ndodh të ketë më të moshuarin në radhët e veta. Dhe për shkak të këtij fati dhe jo më shumë, ky vend vazhdon të mbetet pa institucione tash e njëqind e sa ditë.

Sepse e moshuara që me fat pra ndodh të jetë caktuar si bartëse e ceremonisë së nisjes, vendos të suspendojë, të shtyjë e bllokojë një shtet të tërë – kur nuk ka aq kompetencë. Arti ynë i të bërit, sepse mundemi, tipik pra i anëve tona – ka qenë dhe si duket vazhdon të jetë burim kryesor i ngecjes sonë. Integritet fare, sens dhe më pak – mundësi gjithmonë – prandaj dhe bërja.

Natyrisht se në këtë proces komplikues kontribuojnë dhe tre fajtorë të tjerë. I pari, dhe më i rëndësishmi, Gjykata Kushtetuese, e cila me ose pa qëllim vendos të prodhojë interpretime kushtetuese që mundësojnë dualizma të tjerë interpretues.

Në gjendjen më të rëndë politike të mundshme të vendit që pas shpalljes së Pavarësisë, Gjykata Kushtetuese ka luksin e nxjerrjes së vendimeve të paqarta; thuajse gjuha shqipe qenka aq e komplikuar sa për të mos dhënë një verdikt të prerë – nëse ka të tillë gjithsesi – se kujt dhe vetëm kujt – nëse është ashtu pra – i takon pozita e kryeparlamentarit.

Fajtori i dytë – shtesë pra – është edhe insistimi i pakuptueshëm i bllokut që të vazhdojë ecjen në rrugën e trasuar nga bllokuesit e PDK-së. Është pikërisht kjo rrugë që zaptuesit dëshirojnë të tjerët t’i vihen pas; dhe është pikërisht pazari për një pozitë të parëndësishme – sikurse kryeparlamentari – niveli në të cilën zaptuesit dëshirojnë të mbajnë të tjerët.

Fajtori i tretë – dhe fatmirësisht në pakësim – është ndikimi ndërkombëtar në vend; që megjithatë duket të mbajë në dorë çelësin e zgjidhjes politike për Kosovën. Këtë herë jo me zarf, siç filluan përfoljet e javës që lamë pas paradoksalisht e trishtueshëm, por me mjete plotësisht institucionale – diçka për shembull si presidentja.

-2-
Faktori ndërkombëtar në Kosovë është megjithatë decidiv; për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi. Secili veprim, secili bashkim e secila ndarje do të bëhet vetëm me aprovim të ndërkombëtarëve. Dhe këtë aprovim ndërkombëtarët e kanë siguruar me mjeshtëri nëpërmjet tri proceseve plotësisht institucionale; gjithsesi të ndërlidhura ngushtë në mes vete.

I pari ka të bëjë me përzgjedhjen e presidentes – përzgjedhje kjo që fatkeqësisht ishte bërë me një ndërhyrje brutale, plot anonimitet e anomali institucionale tre vjet më parë. Gjithsesi, presidentja deri në bërje anonime, mësoi shpejt, u mbështet shumë, dhe në fund del të jetë faktor përcaktues i zgjidhjeve kaq të rënda politike – kur dikush më së paku e pret atë.

Në këtë bërje esenciale mbetet po ashtu edhe vizita e saj në SHBA – procesi i dytë përcaktues pra – vizitë kjo që për fatin tonë të mirë si shtet konfirmon një aleancë të fatit, se nuk kemi bërë shumë ndryshe për ta merituar atë. Kjo vizitë, kjo pritje dhe kjo mbështetje, e kthen presidenten e Kosovës në një autoritet të pakontestueshëm mes partive politike; të pakontestueshëm sa nuk bëhet më.

Për gallatë e zbavitje presidentja me fuqinë e percepcionet që ka sot, do të mund të prodhonte vetë një emër të ri rrugës për kthim në shtëpi; vë bast se nuk do ta kontestonte askush emrin nga pritësit tanë. Pra në rrethana normale, relacione të tilla forcimi e mbështetjeje duhej të kishin liderët tanë politik; por ja që duket se të gjithë – pa përjashtim – të kenë gabuar diku. Rrjedhimisht anonimiteti i transformuar në determinues.

Procesi i tretë përcaktues, vazhdon të mbetet vendimi i parë i Gjykatës Kushtetuese, e cila në interpretimin për mandatar të Qeverisë i jep diskrecion të plotë presidentes. Pra është presidentja e vendit, e vendosur dhe e mbështetur nga faktori ndërkombëtar pra, që ka të drejtën e fjalës së fundit e të pakontestueshme madje.

Dhe kjo e drejtë, me gjithë mbështetjen që merr, do të jetë vendimtare për zgjidhje. Në gjithë këto procese, vendimtarët e vetëm mbesin ndërkombëtarët, ata që vendosën, mësuan dhe mbështetën presidenten – autoritetin e vetëm kushtetues për të dhënë zgjidhje.

-3-
Ndërhyrja ndërkombëtare, tashmë e institucionalizuar dhe e paketuar si këshillë miqësore, më duhet të them se është fatkeqësisht alternativa e vetme e daljes nga ngërçi i tanishëm institucional. Sado e dhimbshme, sado treguese e papjekurisë sonë politike dhe mungesës absolute të institucioneve të pavarura e me integritet, ndërhyrja ndërkombëtare – e institucionalizuar tashmë pra – prodhon megjithatë zgjidhje.

Dhe ndoshta ky ka qenë dhe qëllimi i vetëm i zaptuesve të Kosovës, ata që kontrollojnë foltoren, por jo Parlamentin; që duan Qeverinë, por që nuk kanë votat. Ndoshta me vonesat, shtyrjet e improvizimet tjera, këta zaptues dhe kanë kërkuar intervenim politik ndërkombëtar në vend. Sepse intervenimi ndërkombëtar do të nënkuptonte kompromise në mes të partive politike; e janë mu kompromiset çfarë zaptuesit duan.

Prandaj dhe vazhdimisht insistimi i shtytësve të bllokut VLAN për heqje dorë nga një pozitë – me ose pa të drejtë – për të marrë nën zotim qëllimin ultim të vet zgjedhjeve, Qeverinë pra. Sepse, secila vonesë formëson ngërçe, secili formësim prodhon ngecje, e secila ngecje kërkon intervenim. Intervenimi rrjedhimisht duhet të krijojë situatë ku humbin e fitojnë të gjithë nga pak.

Presidentja e Kosovës – me gjithë mbështetjen ndërkombëtare që ka – do të vazhdojë të jetë përcaktuesi i fundit i daljes eventuale nga gjendja e tanishme. Deri më tani ajo nuk ka mbajtur anë. Mosmbajtja e anëve, në parim, nënkupton se ajo – me gjithë ndërkombëtarët që i rrinë pas – do të duhej të gjente një zgjidhje që kënaq të gjitha palët në këtë kontest – prandaj dhe mosmbajtja e anëve. Pra do të duhej një “zero sum game” zgjidhje.

Nevoja për gjetje të zgjidhjeve shumë lehtë mund t’i shndërrojë takimet individuale mes palëve në kontest në takime të përbashkëta. Në momentin e parë që palët pranojnë uljen e përbashkët – do të pranojnë dhe kompromisin. E kompromisi i pranuar paraprakisht – si derivat pra i uljes në takime të përbashkëta – transformon bllokun VLAN rrënjësisht.

Për të mos ndodhur kjo, blloku VLAN ka dy alternativa. E para, që të insistojë me ngulm te presidentja për zgjidhje të menjëhershme të situatës – përfshirë edhe kërkesën e re të saj për qartësim kushtetues rreth çështjes së kryeparlamentarit dhe nenit 127 (që blloku e sheh si favorizues për ta). E dyta, që të gjejë rrugë ligjore të çzaptojë foltoren e Parlamentit, rrjedhimisht të zgjedhë institucionet e të lërë më pas PDK-në të merret me presidente dhe Kushtetuese. Në secilën rrethanë, blloku nuk ka asnjë llogari të vazhdojë ecjen në rrugë të shtyrjeve. Shtyrjet do të detyrojnë bllokun në kompromis.

abdixhiku@facebook.com
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...