27 Prill 2015 - 08:13 - Lumir Abdixhiku
-1-
Nuk kishte si të përfundonte ndryshe, përveç se në refuzim, kërkesa e kryediplomatit kosovar për në vizitë në Beograd. Atë çfarë Kosova do të duhej të bënte me secilin zyrtar serb që vjen këndej, shpërndan fjalime aneksuese, jopenduese e antirepublikane – rrjedhimisht dhe antishqiptare – pra refuzimin, e bëri Serbia në momentin e parë të mundësisë. Kështu, paradoksalisht, vrasësi, që të viziton pa pendesë, edhe të refuzon kur ti kërkon vizitë. Vrasësi pra gjen arsye për arrest – të njëjtat që për të s’i ke gjetur kurrë ti vetë. E trishtueshme sinqerisht.
Se kemi humbur dinjitetin e bërjes politikë, për këtë nuk kam më dyshim. Se nuk fitojmë asnjë pikë përballë BE-së po e shpërfaqëm Serbinë si të papërmirësuar (nëse ky ka qenë qëllimi), kjo më është e qartë. BE-ja e di mirë e mbarë pandreqshmërinë e Beogradit në relacione rajonale. Madje, paradoksalisht, e gjithë kjo pandreqshmëri e tyre ka shërbyer si letër tregtimi me progrese, ndihma, liberalizime e konsideratë – standarde të dyfishta ndaj Kosovës së dëgjueshme në përpikëri.
Dhe në këtë dëgjim tonin ne dhe kemi bërë pazar me dinjitet. Në vend se të ngremë padi ndaj secilit që ofendon e pretendon zhbërjen e Republikës, ne kemi lejuar vizita të tjera rend. Nuk kemi bërë asnjëherë shembull të mirësjelljes së huaj në vendin tonë. Ç’është më e keqja, dhe për këtë të mbesim të sigurt, refuzim-pranimi i shpërfaqur në Beograd këtë herë, nuk do të nxisë asnjë reagim për pranimet e ardhshme të palës serbe këndej. Sepse ky vend ka kohë që pranon nënshtrimin diplomatik, shpërfaqet si viktimë e i paguximshëm edhe përballë të pandreqshmëve të tjerë. Mendon se me sjellje viktimizuese ka për të marrë respekt nga neutralët evropianë. E respekti nuk ka për të buruar asnjëherë po nuk treguam dinjitet. Reciprociteti, nëse nuk e dinë, përbën hapin e parë në këtë drejtim.
-2-
Protesta e opozitës – e qetë – përbënte lajmin më të mirë të javës. Lajmi i keq ndërsa, mbetej partiakizimi i secilës pakënaqësi qytetare në vend; në çfarë fryme edhe ishte organizuar kjo protestë. Kështu, një potencial për organizim qytetar transformohet në miting partiak. Njëjtë dhe përfundoi protesta e fundit; njëjtë fatkeqësisht do të përfundojnë dhe të ardhshmet; sa herë pra që partitë opozitare organizojnë protesta partiake – që i quajnë paradoksalisht dhe popullore. Pa energji, pa masë, pa artikulim natyral.
E në organizime herë të opozitës e herë të pozitës, do të ketë më së paku masë e kërkesë mase. Do të ketë ndjekës partiakë, madje jo të gjithë, por asnjëherë nisma e grupime qytetare. Do të mbetet kështu sepse shoqëria jonë nuk lë vend për opozitarizëm jashtë partiak. Shoqëria jonë, pushtet e opozitë në dominancë, nuk lë hapësirë për një rrugë të tretë; të as njërit e as tjetrit – thjesht të një organizimi qytetar (siç ishte rasti i nënave për ofendimin e një ministri qeveritar). Këta, madje, të konsiderojnë se je ose me njërin, ose me tjetrin.
Nuk kam ndërmend të vë zërin e kritikës mbi opozitën, duke hijezuar kështu mëkatet e pozitës. Për ta bërë të qartë për secilin që nuk përton lexim, ky shtet është i kapur – nga pozita pra. Është i kapur tani, ka qenë i kapur dje, pardje – qe plot gjashtëmbëdhjetë vjet. Madje mu kapja, paradoksalisht, është shndërruar në plaçkë – dhuratë e një beteje të fituar. Dhe për këtë plaçkë të fituar, partitë (pjesa më e madhe e tyre) kompromisojnë me parimet më bazike morale, njerëzore e të kurrizit. Pakurrizorë në s’kajshmëri.
Për shkak të plaçkës pra, politika bëhet biznes profitabil; ja vlen të merresh me të. Dhe përderisa nuk ka vend për të gjithë, një grup zëvendëson tjetrin, e tjetri e zëvendëson tjetrin; dikush mban në dorë tiketën e shpërblimit, tjetri ndërsa, pasi të jetë zvarritur e rrokullisur gjithandej pa moral e pa fytyrë – përfundon si i papunë. Sepse, përveç vjeljes së plaçkës politike, të tillët pra, nuk dinë gjë tjetër të bëjnë.
Pra, kapja sot është evidente gjithandej. Dhe kërkesat për shkapje do t’i mbështesë gjithherë. Nëse asgjë tjetër, në këto pesë vite shkrime mu në këtë kolumnë, zaptimin, kapjen e pronësimin e Kosovës e kam trajtuar në vazhdimësi. Përtej secilës bindje partiake, ajo për mua mbetet e drejtë. Shkapja sot është mision patriotik! Por në procesin e shkapjes kërkoj dhe sinqeritet. Sepse, (konsideratë për përjashtimet shumicë) kur shoh se si çzaptues të rendit të parë shpërfaqen zaptuesit më tipik, të njëjtët që deri dje kapën shtetin vet, këtë s'mund ta pranoj assesi. Hipokritë shembullorë. Nënshkrues kontratash miliardëshe e korruptive (të mosbëra transparente asnjëherë), falës të aseteve publike, tenderashë e politiko-milionerë, bashkëpartnerë me kapësit gjithandej, punësues familjarësh e militantësh në secilin vend, pra zaptuesit vetë - sot mbajnë moral për kapjen. Këta kapjen nuk e kanë hall; hall kanë se nuk janë më kapës vetë. Protesta nuk ushqen harresën; ajo nuk amniston pra askënd. Ne megjithatë mbajmë mend!
-3-
Skena politike kosovare nuk ka qenë asnjëherë më e paqëndrueshme. As ajo e pozitës e as kjo e opozitës. E para, pozita pra, ndodhet para sfidës së Gjykatës Speciale; e cila megjithatë do të bëhet dikur. Trajtimi i rasteve të kësaj gjykate, po u mor procesi ndërtues i saj dhe emrat e involvuar aty, do të prekë domosdo partnerin e madh të koalicionit.
Në këtë frymë, ky partner dhe kërcënoi me gatishmëri për zgjedhje të parakoshme. Fjalori i tillë natyrisht se është i pritshëm. PDK-ja ka komfortin, tani për tani, të futjes në zgjedhje të parakohshme – e daljes mirë nga to; diçka që asnjë parti tjetër sot nuk e ka. Dhe mbi letrën e gatishmërisë për zgjedhje të parakohshme, ajo do të trajtojë dhe koalicionin që ka; deri në ekzekutim të saj.
Panatyrshmëria dhe artificialiteti i koalicionit të tanishëm; i përcjellë me një revoltë qytetare ndaj joqëndrueshmërisë së fjalëve e mungesës së kredibilitetit, e bën pra këtë koalicion të çarë e të brishtë në vazhdimësi.
Por brishtësia shpërfaqet edhe në opozitë; e cila, fatkeqësisht, ende nuk e ka të qartë udhën që mendon ta ndjekë. Çfarë opozita ka të qartë tani, është dëshpërim-kërkimi për zgjedhje të reja. Dhe, sado që i mosvetshëm është koalicioni i madh, shkuarja në zgjedhje për pikë qejfi të dikujt në opozitë s’ka arritur të bindë askënd. Mund të bindë militantët e adhuruesit partiak; sepse, opozita gjithmonë do të kërkojë zgjedhje; por askënd tjetër jashtë saj.
E deri sa nuk ka zgjedhje të reja – pra ndërkohë – opozita duhet të tregojë se çfarë dëshiron të përfaqësojë si alternativë ndaj këtij pushteti. E para, dhe më e rëndësishmja, opozita duhet të qartësojë relacionin me partitë në pushtet. Ato pra duhet të tregojnë se a janë një bllok i pathyeshëm opozitar, apo janë të hapura për të gjithë. Nëse janë për të parën, atëherë ato duhet të ndërtojnë një platformë opozitare, e cila pikënisë me një marrëveshje. Në këtë marrëveshje ato duhet të shkrijnë dallimet ideologjike (të majta, të qendrës e të djathta) dhe duhet të përcaktojnë programin e angazhimit opozitar. Nëse janë si të ndara, atëherë secili nga ta duhet të prezantojë njerëzit dhe idetë që kanë. Ankesa ndaj pushtetit – që meriton gjithsesi ankesë – dhe thirrja fëmijërore për zgjedhje të reja, është zgjidhja më e keqe e mundshme. Për të qenë serioz na duhen ide (serioze gjithsesi).
E dyta, opozita, duke pasur hise në pushtet lokal, duhet të ofrojë zgjidhje – dhe sinqeritet. Pra, kur bëhet fjalë për kapjen, ajo duhet të prishë të gjitha koalicionet me kapësit. Është artificiale thirrja për shkapje kur bashkëqeveris e bashkëkapë me kapësit. Kur bëhet fjalë për punë, ajo duhet të japë një model të punës. Pra opozita duhet të pastrojë fillimisht oborrin e vet; për të ndërtuar një alternativë të re.
[email protected]
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...