Refuzimi, shpërthimi dhe dita pas

2 Shkurt 2015 - 08:47 - Lumir Abdixhiku      

Protesta do të mbetet jo vetëm e drejtë demokratike – siç na thonë vazhdimisht zaptuesit politikë – kjo është e mirëkuptuar, por ajo mbetet edhe mjet i vetëm i ngritjes së alarmit, krijimit të masës kritike e reflektimit evolutiv (jo evolutiv, siç kërkojnë oportunistët e tjerë partiakë) për ndryshim.

Për të bërë këtë protesta duhet të plotësojë vetëm një kusht të vetëm, të jetë dhe të mbetet paqësore

Refuzimi do të shpërthente; e kur të shpërthente do të ishte i paparashikueshëm. Sepse refuzimi ndaj sistemit politik të paspavarësisë ishte akumuluar nëpër vite; pak nga pak – herë shumë – gjithsesi se do të shpërthente dikur. Këtë zymtësi mund ta ndieje nga muhabetet familjare pranë raportimeve televizive për migrim, korrupsion, luks e papërgjegjësi politike; e ndieje në një kafe mes miqsh e në një shëtitje sheshesh e rrugësh – ishte pra gjithandej. Këtë së paku secili që ka bërë një natë gjumë në Kosovë në tre-katër vjetët e fundit mund ta ketë ndier lehtë.

Zymtësinë e tillë ekonomike, politike dhe në fund gjithëshoqërore e kishim shkruar, thënë e treguar gjithandej. Për kapjen, për luksin, për fjalëthyerjen e për propagandën kishim gisht - treguar kaherë. Me mijëra të rinj të papunë (saktësisht 700 mijë sish), mijëra të tjerë që shtoheshin rangjeve të të papunëve (saktësisht 30 mijë për vit), të tjerë në punë e të dëshpëruar nga fundi i muajit (saktësisht 300 mijë të tillë) – Kosova, ky shtet i nisur me plot shpresë e optimizëm vetëm shtatë vjet më parë, ishte bërë shpejt e lehtë një vend pa të dyja; pa shpresë e pa optimizëm pra.
E tërë çfarë establishmenti dhe rendi politik në Kosovë kishte arritur të bënin – të njëjtit që mbajnë të kapur dhe vetë alternativën politike për pesëmbëdhjetë vjet rresht – ishte nisja e një gare shpëtimi për veten. Ky shpëtim arrihej jo duke ndalur e ndryshuar rrugën e tjetrin, por duke vënë veten në rrugë të tjetrit; në të njëjtën rrugë që do të sillte shpërthimin. Kështu herë njëri e herë tjetri – së fundi edhe njëri e edhe tjetri bashkë – kishin arritur të kapnin për vete (dhe për askënd tjetër) të gjithë shpresën kosovare përnjëherë. Në këtë kapje ata kishin treguar më së paku përgjegjshmëri; të ftohtë sa s’bëhet më. Dhe në gjithë këtë “magnum opus” të mbrapshtisë e individualizmit të tyre, ata kërkonin – pa shije kërkesë meqë jemi këtu – mirëkuptim nga të gjithë. Natyrisht se kjo s’kishte për të ndodhur kurrë.

Refuzimi do të shpërthente; për Jablanoviqin apo “Trepçën” këtë herë; herën tjetër për ku me ditë çfarë tjetër. Prandaj të shtunën e javës së shkuar në këtë refuzim qytetar merrnin pjesë plot 30 e kusur mijë veta. Ishte protesta më masive që kisha parë që nga njoh vendin tim si shtet. Dhe protesta do të ishte e përkryer – këtë duhet thënë sinqerisht – sikur të mbetej qytetare e jopartiake – ashtu siç ishte nisur në fillim nëpër qytetet e tjera të Kosovës.
Sikur të dilnin me mijëra qytetarë – secilën ditë pas tjetrës – që me qetësi shumë, me marshe e ecje po aq të qeta, pa kërkesa partiake e pa thirrje histerike që ngjallnin frikë njerëzore në rend të parë – protesta si e tillë pra – do të bënte ndryshimin evolutiv që e kërkojmë kaherë. Do të ishte një mesazh më i pastër dhe më masiv; do të sillte domosdo dëgjueshmëri. E për kuriozitetin e organizatorëve partiakë, secila pakënaqësi kundërqeveritare do t’u kanalizohej mu atyre si shpërblim; s’kishte ku të shkonte tjetërkah. E habitshme se si nuk e kuptojnë këtë.
Gjithçka tjetër nga paqësorja mbetej më regresive. Sepse përfshirja partiake jo vetëm se e shndërronte pakënaqësinë qytetare në motiv partiak e politik – shpeshherë tek e për individë që kanë qenë e mbesin bashkëfajtorë kryesorë mu për këtë pakënaqësi të akumuluar – por sepse politizimi e partiakizimi do të sillte dhunën e ballafaqimin me dhunë. Sepse nëpërmjet partiakizimit të protestës, këto parti synonin fatkeqësisht (në skajin e kërkesëbërjes) jo realizimin e qëllimeve të protestës, por synonin realizimin e qëllimeve për zëvendësimin e të tjerëve – nga ta.
Dhe këtë nuk mund ta pranoj. Zëvendësimi nuk mund të ndodhë me rrugë. Madje nuk është as impresive më pas. Është fare e lehtë, siç dhe ndodhi në ditën e dytë të protestës, të mbledhësh disa mijëra të rinj në rrugë – kryesisht përkrahës partiakë sepse kaq dhe mund të bësh – e të dërgosh ultimatum si peshkim për ballafaqim. Në të njëjtin stil, ç’është më e keqja, të njëjtit që kanë sjellë Kosovën në këtë derexhe janë dhe më të zotë. Ata, në të njëjtin stil e me gjithë përvojën kriminale e rrugaçore që kanë, mund të mbledhin po aq, në mos më shumë në rrugë. Dhe do ta bëjnë ditën e parë që mbesim pa forcën e pushtetit; të mbesim të sigurt për këtë – e kanë jetike. Por bërja e tyre e mëpasshme nuk do t’u japë as atyre – rrjedhimisht nuk u jep as këtyre sot – legjitimitet për të rrënuar pushtet pa votë. Kështu s’bën e s’ka për të ndodhur.

Tërheqja e iniciatorëve jopartiakë të protestës (në paraqitje së paku, jo domosdo në influencë) mund të ketë nxitur nevojën për përshpejtim të peshkimit për ballafaqim. Kështu, në një rast tërësisht të panevojshëm, me një arsyetim më shumë përrallor e patetik sesa kuptimplotë, prijësit e protestuesve u ndien të provokuar – besoni ose jo – nga grilat e masave. U provokuan, besoni ose jo, se grilat i paskan ndarë ata – dhe këtu fillon patetizmi – i paskan ndarë prej Skënderbeut.
Për secilin me pak përvojë në ecje përtej kodrës së Veternikut e tejpërtej nëpër Evropë, grilat e masave janë të zakonshme nga një lojë futbolli, tek një koncert roku e deri tek një protestë qytetare; pra ku ka masë, ka edhe grila të tilla. Sikur bartësit e protestës të mos peshkonin për ballafaqim (dhe fatkeqësisht ky nuk ishte qëllimi në rend të parë), ata do të mjaftoheshin me rregullat e sigurisë që një institucion shtetëror si policia i ka vendosur; sidomos kur vetëm tri ditë më parë nga i njëjti vend huliganët kishin pasur shfaqjen e tyre të jetës, vandalizmin. Dhe në këto rregulla minimalisht penguese ata qetësisht e paqësisht do të dërgonin mesazhin e qytetarisë aktive, të pakënaqësisë dhe kështu të nxitjes së grumbullimit edhe më masiv. Pra, do të ishte një fotografi të kundërt prej dhunës të rrezikshme të protestuesve të nisur ekskluzivisht vetëm nga ta në ditën e parë të protestave. Sepse grilat, si të tilla, nuk parandalonin askënd të mblidhej edhe në ditën e dytë të protestës; masivisht, paqësisht e në një hapësirë të mjaftueshme – më se të mjaftueshme – e tërësisht të lirë. Provokimin nuk e blen askush. Në stil të njëjtë – sikur mos të ishin grilat – kur kërkon peshkim pra, mund të ndihesh i provokuar nga gjithçka.
Ultimatumi dhe nxitja për vetërregullim anarkik nxiti edhe masën. Nxitja e masës fatkeqësisht u përcoll nga një përgjigje e shpejtë dhe plot gaz, dhunë e ujë. Pjesa tjetër e stories mbeti shëmti. Në këtë kaos dhune e flake ndaj njëri-tjetrit jemi humbës të gjithë; fitues mes nesh s’mund të ketë. Pamjet e protestës së dytë ishin të trishta, të dhimbshme dhe të frikshme njëkohësisht; lënë pak vend për shpresë.

Lufta partiake pas protestave është më se e kotë. Në njërën anë paradoksalisht mbytësit e imazhit të Kosovës, ata që kanë fundosur atë në skajet më të parikuperueshme të fundosjes, ankohen për mbytje të imazhit nga një protestë; e në anën tjetër partiakë e parti fillojnë të shfaqin ambicie anarkike për të përmbysur gjithçka – dhe kështu ndoshta për të marrë rend për pushtet.
Kështu ndodh kur një pakënaqësi legjitime qytetare dorëzohet tek organizimet partiake; do ta konsumojnë shpejt dhe keq. Sa herë që partitë politike fusin hundët e duart e ideologjitë e tyre në pakënaqësi qytetare, sa herë që ndodh kështu, qytetarët do të marrin më së paku. Gjithsesi se protesta është freskim për secilin zaptues e mbytës të shpresës sonë që sot, sikurse dje, vazhdon të mbajë me ftohtësi fatin e një vendi të tërë të mbytur. Gjithsesi se protesta është freskim edhe për komunitetin ndërkombëtar që ka lejuar me po aq ftohtësi ardhjen deri këtu.
Protesta do të mbetet jo vetëm e drejtë demokratike – siç na thonë vazhdimisht zaptuesit politikë – kjo është e mirëkuptuar, por ajo mbetet dhe mjet i vetëm i ngritjes së alarmit, krijimit të masës kritike e reflektimit evolutiv (jo evolutiv, siç kërkojnë oportunistët e tjerë partiakë) për ndryshim. Për të bërë këtë, protesta duhet të plotësojë vetëm një kusht të vetëm, të jetë dhe të mbetet paqësore.

Për secilin me kuriozitet, shkarkimi i një fashisti si Jablanoviqi as që do të duhej të ishte diskutim sikur në këtë vend të kishim minimalisht pak rend e dinjitet. Mosshkarkimi nuk i falet as për së afërmi Qeverisë e kryeministrit. Puna është se, kur lejon Jablanoviqin të ofendojë e mohojë viktimat e luftës, inkurajon Mariqin të komunikojë nga ministria pa simbole, Stojanoviq ta quajë Kosovën Serbi, e Nikoliq të vendosë postbllok në Brezovicë - të gjithë këta zyrtarë qendrorë e lokalë të Republikës; paguar prej Republikës, kundër Republikës. Lista Serbe mund të jetë e pandreqshme; por Republika s'guxon të mbetet si e tillë. Çdo tolerim në këtë drejtim nxit antirepublikanizmin fashist.
Pra, mosshkarkimi i tij është mjaftueshëm arsye për protestë më vete – siç është mjaftueshëm arsye për protestë më vete i gjithë akumulimi i pakënaqësive në këto vite shtet. Prandaj është esenciale që të dëgjohet zëri i qytetarëve kosovarë, e të jepet (ani pse me vonesë) një shembull i mostolerancës ndaj sulmeve të gërditshme ndaj vlerave më bazike të Republikës sonë të re.
Për “Trepçën” ndërsa, siç dhe kam elaboruar në shkrimin e fundit në këtë kolumne, nuk shoh asnjë arsye për kaos e histeri. Shoh arsye për alarm e vetëdije e mbi të gjitha bashkim mendjesh për zgjidhje, por meqë asgjë – as edhe një gjë e vetme nuk ka ndryshuar me vite më parë – nuk shoh as një arsye për revoltë; përveç nëse dikush dëshiron të shfrytëzojë secilën temë populiste e keqinformuese të kosovarëve për kaos.

[email protected]

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...