Mbi Tribunalin

14 Prill 2014 - 10:36 - Lumir Abdixhiku      

Pesëmbëdhjetë vjet më parë do të ishte e paimagjinueshme, e pakuptueshme dhe e paarsyeshme që në vitin kur Serbia afrohet me Evropën, Kosova të gjykohet për krime lufte nga Evropa. Do të ketë ndodhur diçka ters në mes, një ngatërrim, një mbrapshtim, një entropi, që na kthen të mbarën përmbys kaq shpejt. Kush do ta mendonte ecjen tonë kaq keq vetëm në pesëmbëdhjetë vjet liri.

-1-

Nuk vë asnjë dyshim se ka individë kosovarë të ligj e të mjerë që ushqejnë bëmat e tyre me krim, e bëjnë sot, duhet ta kenë bërë dhe pesëmbëdhjetë vjet më parë – e do ta kenë bërë dhe shumë kohë më parë se aq. Mes një idealizmi të stërtepruar e të stërglorifikuar nëpërmjet folklorizmit institucional dhe gjithçkaje tjetër në funksion të tij, që e kemi parë dhe prekur në pesëmbëdhjetë vjet liri, duhet të ketë diçka më reale, më të ligë e fatkeqësisht më njerëzore – sjellja çnjerëzore për të ushtruar krim individual. Në të vërtetë, duke parë potencialin destruktiv dhe kriminal të individëve në liri, imagjinatën e krimeve individuale gjatë luftës anarkike nuk arrij as ta kufizoj.

Sepse popull qind për qind të pastër nuk ka, por luftë të drejtë qind për qind ka. Dhe kjo jona ishte e drejtë, e mbarë, e domosdoshme – ishte luftë çlirimtare ndaj një pushtimi të sëmurë racor e nazist.

Në këtë luftë të drejtë e të domosdoshme qind për qind, nga nevoja e përndjekjes së një objektivi më madhor – siç është çlirimi – dhe, më e rëndësishmja, në pamundësi për të zotuar struktura mirë të formuara militare e politike që pastrojnë papastërtitë individuale të të sëmurëve të tjerë brenda një grupi që përndjek drejtësinë e qindpërqindtë, mund të kenë dalë dhe raste kriminale – gjithsesi të izoluara, por gjithsesi të trishtueshme – që duhen të trajtohen në kohë paqeje, kur dhe strukturat militare e politike të jenë ndërtuar për të bërë një gjë të tillë.

Në pesëmbëdhjetë vjet liri, në vend të pastrimit të shtëpisë nga individë të tillë, ne kemi pastruar secilin zë që ka guxuar të shfaqë dyshime eventuale për paqëndrueshmërinë e glorifikimit të gjithçkaje. Në pesëmbëdhjetë vjet liri ne kemi dëshmuar se nuk jemi të zot për gjyqësi ndaj vetes.

-2-

Se nuk kemi bërë vetëgjyqësi - gjithsesi. Se kemi një Evropë që çuditërisht shpërblen agresorin para se ta dënojë atë për viktimën - gjithsesi. Se kemi një mijë e një matrapazë të tjerë në krye të vendit që për të shpëtuar veten marrin në qafë një luftë të tërë - edhe më gjithsesi.

Por ta vëmë rekordin drejt. Tribunali i veçantë për Kosovën është thjesht i padrejtë. Është tërësisht i padrejtë nëse evropianët e bëjnë atë vetëm për Kosovën, ndër viktimat e vetme gjatë gjithë luftërave në ish-Jugosllavi, por nuk e bëjnë për asnjë vend tjetër – kryesisht agresor – në gjithë Jugosllavinë. Pra është shumë e padrejtë që i njëjti insistim për zbardhje të krimeve – deri në vrasësin e fundit – të mos bëhet dhe në Serbi, në vend të saj, në kohën e gjetjeve mortore të kosovarëve atje, Serbia dialogon për evropianizim e integrim të plotë në zyrat e ngrohta brukseliane. Në këtë lëmsh padrejtësish është revolta jonë që bëhet tërësisht e drejtë.

Në këtë drejtësi revoltuese kundër trajtimit të padrejtë duhet vepruar mençur. Dhe mençuria jonë, fatkeqësisht, kërkon – siç po ndodh rëndom së fundmi – zgjedhjen e dëmit më të vogël nga një grumbull dëmesh të mëdha. Pra mosreagueshmëria jonë me kohë, e shtyrë nga një zaptim institucional që ka mbrojtur individët e implikuar në vazhdimësi, dhe me këtë ka rrezikuar barazimin e krimit të përgjithshëm mes Kosovës dhe Serbisë (për sa janë mërzitur ata), ka bërë që ne të vihemi para një akti tashmë të kryer: themelimit të Tribunalit (të veçantë).

Ky themelim, në rastin më të keq të vogël, do të bëhet nga vetë institucionet kosovare – dhe kështu të mbahet një copë integriteti në një tërësi të dëmshme, apo në rastin më të keq të mundshëm do të bëhet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara – dhe kështu të humbet gjithçka që është ndërtuar tash e sa vjet këtu. Sado që e dhimbshme, e turpshme dhe e padrejtë, në kohën kur duhet bërë këtë vendim, alternativa më e mençur del të jetë gjithsesi e para.

-3-

Pra fatkeqësia jonë buron dhe rrumbullakohet gjithmonë rreth zgjidhjeve më pak të favorshme, por për këtë punë ne duhet kërkuar fajin këtu, mes nesh. Jo në Evropë, jo në Kombe të Bashkuara, por në Kosovë, në mes zaptuesve individualë që për sherr kur shohin veten në rënie marrin gjithçka me vete.

Sepse këta që bëjnë sot politikë, nga mbrapshtia që bartin me vete e me idetë e tyre dhe më të mbrapshta, nuk arrijnë të sjellin asnjëherë në tavolinë zgjidhje të drejta. Kur tre vjet më parë u shfaqën për herë të parë akuzat monstruoze të Martit, që ndotën gjithë vendin ndërkombëtarisht, ne zgjodhëm refuzimin kategorik të gjithçkaje që ndodhej aty. E bëmë meqë racizmi dhe fantazitë proserbe të shpërfaqura në të njëjtin dokument tejkalonin secilën mundësi të bërjes – në kohë kur bërësit ishin ata e të bërit ishim ne. Por pas refuzimit kategorik ndaj raportit, ne nuk trajtuam asnjëherë – e nuk guxuam të trajtojmë assesi – as edhe ndonjë mundësi eventuale të krimeve individuale në Kosovë thuajse nuk kanë ndodhur asnjëherë. Zgjodhëm heshtjen dhe pastërtinë gjithënacionale – gjithsesi utopike.

Fatkeqësisht ato duhet të kenë ndodhur. Nëse e gjithë bota na qenka bindur se duhet të ketë një Gjykatë të veçantë për krime në Kosovë (sepse paska krime pra), atëherë ne kemi dy mundësi. E para, që të bindim gjithë botën se një gjë e tillë nuk ka ndodhur në Kosovë, dhe e dyta, që t’i vërtetojmë vetes së një gjë e tillë ka ndodhur ose jo në Kosovë. Gjithsesi në të dyja rastet na duhet një gjykim. Fatkeqësisht, këtë gjykim – që po e nisim të fundit në rajon – po e bëjmë në mbrapshti (sepse e bëjmë si të veçantë) dhe me potencë serioze për t’i bërë dëm enorm imazhit të vendit dhe luftës sonë të para pesëmbëdhjetë vjetëve për liri. Sepse gjykimin individual nuk e kemi bërë asnjëherë brenda gjyqësisë vendore; nuk e kemi bërë asnjëherë në Hagë; prandaj na detyrojnë ta bëjmë – fatkeqësisht dhe padrejtësisht – si të veçantë. Në gjithë këtë rrugë ne do të vazhdojmë të mbytemi në folklorizëm e patetitzëm nga ata që potencialisht rrezikojnë gjithçka tonën me fatin e punës së mbrapshtë të tyre.

-4-

Pesëmbëdhjetë vjet më parë do të ishte e paimagjinueshme, e pakuptueshme dhe e paarsyeshme që në vitin kur Serbia afrohet me Evropën, Kosova të gjykohet për krime lufte nga Evropa. Do të ketë ndodhur diçka ters në mes, një ngatërrim, një mbrapshtim, një entropi, që na kthen të mbarën përmbys kaq shpejë. Kush do ta mendonte ecjen tonë kaq keq vetëm në pesëmbëdhjetë vjet liri.


abdixhiku@facebook.com


© KOHA.net

 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...