Mbi rrezikun e mbylljes së shtetit

13 Tetor 2014 - 08:38 - Lumir Abdixhiku      

Deputetët tanë kanë pak më shumë se 100 ditë kohë për të dhënë zgjidhje institucionale e për të krijuar Parlament. Në të kundërtën, vendi ynë për herë të parë do të kalojë në gjendje të “mbylljes"

-1-

Nuk parapëlqej paralajmërimet e emergjencave, sidomos jo të atyre që mund të mos ndodhin asnjëherë; gjithsesi, për hir të rrezikshmërisë së lartë që bartë veçanërisht njëra, më duhet t’i them disa fjalë.

Bëhet fjalë për vazhdimin e ngërçit për pak më shumë se 100 ditë të tjera dhe kështu sjelljen e Kosovës në një gjendje të pushimit; i thonë “mbyllje e shtetit” (në anglisht government/state shutdown).

Sa për rikujtim, sipas Ligjit mbi menaxhimin e financave publike, më 31 janar të vitit 2015, përfundon e drejta e institucioneve të tanishme të Kosovës për të ekzekutuar shpenzime nga arka e shtetit, pra nga buxheti.

Pas kësaj dite, asnjë ekzekutim financiar – i pagave, shërbimeve publike, investimeve kapitale apo mbarëvajtjes së aparatit shtetëror – nuk mund të ndodhë pa miratim të ri buxhetor. Pas kësaj date, funksionimi i mekanizmit shtetëror pushon.

Deputetët tanë kanë pak më shumë se 100 ditë kohë për të dhënë zgjidhje institucionale e për të krijuar Parlament. Në të kundërtën, vendi ynë për herë të parë do të kalojë në gjendje të “mbylljes". "Mbyllja e shtetit" ndodh atëherë kur legjislatura e një vendi nuk aprovon financimin e qeverisë, agjencive publike dhe praktikisht të gjitha shërbimeve të tjera publike që ndërlidhen me buxhet. Në mungesë të financimit, të gjitha institucionet shtetërore do të futen në gjendje të detyrueshme të pushimit; secili aktivitet do të jetë thjesht vullnetar.

Praktikat ndërkombëtare njohin disa raste të “mbylljes së shtetit”; e fundit ishte në SHBA në fillim të këtij viti kur qeveria dhe agjencitë qeveritare atje ishin “mbyllur” për dy javë rresht mu për shkak të mos aprovimit të buxhetit federal nga Kongresi.

-2-

Më duhet të shënoj këtu se paralajmërimet për kohë deri në muajin mars të 2015-ës nga zyrtarë publik janë keqkuptuese – potencialisht si rrjedhojë e mungesës së njohurisë së tyre me Ligjin në fjalë. Do të ishte muaji mars (siç dhe kishte ndodhur në vitin 2011) nëse zgjedhjet do të mbaheshin vetëm katër muaj para skadencës së afatit për aprovim buxhetor, e që është dita e fundit e vitit 2014. Por meqë zgjedhjet janë mbajtur shumë më herët se kaq, atëherë kufiri i fundit i tolerancës, i paraparë pra me Ligj, përfundon me fundin e janarit.

E drejta e shpenzimit të buxhetit për dy muajt e parë – si refleksion vetëm në rast të mbajtjes së zgjedhjeve pra – na sjell në një skenar të ri të afatit ultim për mbajtje të zgjedhjeve. Thënë ndryshe, nëse “mbyllja e shtetit” ndodh si rezultat i vazhdimit të ngërçit politik për pak më shumë se 100 ditë – dhe se kjo kohë e ditëve është kohë e patjetërsueshme për gjetje të zgjidhjes – atëherë edhe mbajtja e zgjedhjeve për të prodhuar zgjidhje, si alternativë potenciale, duhet të bëhet brenda një kornize kohore të kufizuar.

Përkatësisht, për t’u shmangur nga “mbyllja e shtetit” më 1 mars të vitit 2014, zgjedhjet duhet të mbahen domosdoshmërish para përfundimit të vitit 2014. Marrë në konsideratë festat e fundvitit, zgjedhjet e jashtëzakonshme – nëse janë në agjendë gjithsesi – duhet të mbahen në dy javët e para të dhjetorit.

Pas kësaj datë, asnjë alternativë tjetër – përveç marrëveshjes politike – nuk do të mund të shpëtojë vendin nga “mbyllja eventuale”. Sepse, pas kësaj date, edhe sikur të mbahen zgjedhjet menjëherë, koha e nevojshme për konsolidim e certifikim nuk do të mjaftonte për t’i shpëtuar “mbylljes”.

-3-

Skenari i mbylljes, sado alarmues, ka kohë të mjaftueshme për t’u shmangur. Njëqind e sa ditë janë më shumë se mjaftueshëm për të bërë zgjidhje kushtetuese nga situata e re e krijuar. Për më tepër, skenari i mbylljes, sado alarmues pra, është vetëm një pjesë e një fotografie të gjerë të humbjeve ekonomike që vendi i shënon në këtë periudhë – dhe të gjitha së bashku, si mbyllja e si humbjet – duhet të mjaftojnë për të arsyetuar domosdoshmërinë e gjetjes së zgjidhjes së menjëhershme.

Sepse, ndikimet ekonomike të ngërçit, nëse asgjë tjetër, do të shprehen në ekonomi; ato veçse kanë marrë hov. Kjo sepse ekonomia, përkatësisht sektori privat dhe i gjithë aktiviteti ekonomik që buron nga aty, ndërlidhet ngushtë me veprimet e politikat qeveritare. Lidhshmëria e institucioneve me sektorin privat, pra me ndërmarrësit, me punëtorët e me blerësit – pra me vetë qytetarët – është ekzistenciale. Rrjedhimisht, në mungesë të institucioneve që krijojnë, implementojnë e kontrollojnë politika ekonomike, gjendja në vend vetëm se do të rëndohet dukshëm.

E për dallim nga fushat e tjera, konsekuencat ekonomike do të marrin kohë për t’u rikuperuar. Të mos harrojmë se vendi ynë ka kohë që nuk arrin të ndërtojë mirëfilli bazat e shëndosha të zhvillimit ekonomik, madje as edhe atëherë kur kishte institucione funksionale. Mungesa e tyre sot veçse është një rëndesë e dyfishtë mbi një ekonomi bukur fragjile.

Sa për rrumbullakim, ngërçi politik i Kosovës prodhon katër efekte regresive ekonomike. I pari ka të bëjë me ndërprerjen e investimeve kapitale në vend; dhe kjo ndërprerje ndodh pikërisht në kohën kur Kosovës i duhej një iniciativë e re dhe rifreskuese e investimeve kapitale në infrastrukturë, energjetikë, telekom e miniera. Pra të gjithë sektorët e rëndësishëm ekonomikë që meritojnë vëmendje sot janë lënë në sfond të dytë; dhe kjo ka për ta na kushtuar shumë.

Efekti i dytë ka të bëjë me prokurimin publik, përkatësisht me shpërndarjen e parasë publike tek bizneset. Stagnimi institucional nënkupton edhe stagnim të kontraktimit të bizneseve; rrjedhimisht rëndesë e aktivitetit biznesor në vend. Kjo rëndesë do të përkthehet tek secili biznes e individë të tjetër në një cikël të tërë multiplikimi ekonomik, nga qarkullimi e deri tek aftësia për të shpenzuar apo investuar. Efekti i tretë ndërlidhet me ndërprerjen e politikave jokapitale nga qeveria, siç mund të jetë ndër të tjerash, subvencionimi i agrobizneseve, apo procedimi me reforma fiskale, të operimit, gjenerimit të kapitalit e të ngjashme. Të gjitha së bashku do të rëndojnë edhe më tutje ambientin e rëndë biznesor, e do të ulin aftësinë konkurruese të sipërmarrësve tanë.

Efekti i katërt, dhe jo më pak i rëndësishëm, ka të bëjë me imazhin e pasigurt që ngërçi politik mund të përçojë jashtë tek investitorët e huaj. Sepse, në fund të fundit, askush nuk parapëlqen një vend me risk politik - siç dhe del të jetë ky yni.

Si pasojë e ngecjeve ekonomike, Kosova do të shënojë një rritje ekonomike dukshëm më të ulët se të vitit paraprak, dhe konsiderueshëm më të ulët se çfarë ka planifikuar një vit më parë. Pra, duke parë rrjedhat e fundit politike, vendi as që mund të llogarisë në një rritje ekonomike prej 4% sa kishte planifikuar – përgjysmimi i saj në rastin më të mirë të mundshëm do të jetë një output i mjaftueshëm.

E mosaftësia e vendit tonë për të shënuar rritje ekonomike në afërsi të 8-10% nënkupton se edhe për disa kohë ne nuk do të mund t’i akomodojmë të papunët që i kemi tani dhe të tjerët që do të futen gradualisht në treg; se për sa kohë nuk mund të konkurrojmë me rajon, e nuk mund të përmirësojmë standardin e jetesës sonë.

Me pasoja evidente do të përballen edhe bizneset tona, të cilat do të shënojnë stagnim në potencialin e tyre rritës dhe humbje të aftësisë konkurruese me bizneset rajonale. E gjitha në fund do të përkthehet me më pak vlerë të shtuar, më shumë papunësi dhe më shumë rritje të çmimeve e varësi në importe.

-4-

Kushdo që provon të bëjë zgjidhje ka para vetes një orë që ecën shpejt dhe një kufi që do të afrohet shpejt. Presidentja, Kushtetuesja, komuniteti ndërkombëtar, ndërmjetësuesit e pavarur apo vetë partitë politike duhet të kenë të qartë se neglizhenca e tyre, paqartësia interpretuese e indiferenca politike mund të sjellë Kosovën më shpejt sesa që mendojmë në prag të potencialeve destabilizuese – përfshirë dhe protestat e kosovarëve gjithandej.

Nuk mund ta parafytyrojë një Kosovë në shkurt të 2015-s pa Parlament, pa buxhet dhe me 80.000 shërbyes civilë pa paga. Është mu stabiliteti i mësuesve, mjekëve, policëve, zjarrfikësve e secilit shërbyes tjetër publik qendror e lokal që ka shmangur trazirat sociale në vend. Sepse janë mu kategoritë si këto – dhe askush tjetër – që mund të gjenerojë protesta e krizë në shkallë të paimagjinueshme. Ndërprerja e kompensimeve për ta do të shpjerë vendin në një situatë të fragjilitetit gjithënacional, të shprehjes së pakënaqësisë në rrugë dhe potencialisht devijimit të kësaj pakënaqësie në skenarë tmerrësisht të dëmshme për gjithë vendin – dhe gjithë ecjen tonë, sado të ngadaltë, shtetformuese.

Prandaj, për të parandaluar këtë gjendje – dhe sidomos për të parandaluar ecjen e vetëdijshme të disave drejt një gjendje të tillë – na duhet një zgjidhje sa më shpejt. Konsekuencat ekonomike do të kalohen; do të humben një e dy vite, por ato do të kalohen. Konsekuencat e tjera sociale që i kemi në prag – dhe jo më shumë se 100 ditë larg – do të jenë të parikuperueshme.

abdixhiku@facebook.com
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...