7 Dhjetor 2015 - 08:28 - Lumir Abdixhiku
-1-
Më shumë për fat të mirë sesa meritë, Kosova në dy dekadat e fundit ka arritur të ketë afër vetes një nga përcaktuesit më të mëdhenj të lirive dhe rrjedhave botërore, qeveritë e njëpasnjëshme të SHBA-së. Nga administrata e Bushit të vjetër, tek ajo e Klintonit, Bushit të ri e së fundmi dhe Presidentit Obama, Kosova vazhdon të shihet si një projekt i përbashkët i shtetndërtimit. Ç’është e vërteta, vetëm falë ndërhyrjeve qenësore – dhe të përsëritshme – të administratës amerikane, Kosova me mrekulli është shndërruar nga një krahinë autonome në ish-Jugosllavi, në një shtet të pavarur – në një Republikë; e gjitha për më pak se 20 vjet. Kjo përkrahje nuk amortizon përpjekjet e shqiptarëve nëpër vite, por, thënë të vërtetën, siç është, pa një të tillë përpjekjet tona do të ishin të pafundme, me kosto të paparashikueshme jetë njerëzish, dhe me gjasën e një topi bore në ferr për të përfunduar me gjithçka që kemi sot – çfarëdo qoftë ajo. Dhe këto ndërhyrje, siç është rasti i vijës së kuqe gjatë konflikteve jugosllave, bombardimeve mbi forcat serbe, e vet deklarimit për pavarësisë – “mjaft është mjaft, Kosova duhet të jetë e pavarur” – shpërfaqin me siguri përkrahjen më të madhe që ndonjë shtet në rajon, dhe më shumë, mund të ketë marrë ndonjëherë.
Dhe, më shumë për fat të keq sesa meritë, Kosova në dy dekadat e fundit nuk ka arritur të shfrytëzojë as për së afërmi një përkrahje kaq fondamentale. As në vitet e para pas çlirimit, kur elitat tona politike u dhanë mbas kapjes së vendit në vend të bërjes së tij, as pas pavarësisë kur të njëjtat elita vazhduan konsolidimin e perandorive të tyre biznesore e ekonomike – për të prodhuar në fund ngecje, papunësi e varfëri, për të krijuar kështu një Kosovë që njihet për eksport të refugjatëve në Perëndim e të terroristëve në Lindje. Imazhi i vendit tonë jashtë, i krijuar nga një ngatërresë e vazhdueshme politiko-ekonomike brenda, në kohën më të papërshtatshme të mundshme – pra gjatë shtetndërtimit – i dha hapësirë dhe komfor shumë edhe një ish të bombarduari për ne, Serbisë pra, që të konsolidojë veten e të kthejë përkundër të gjitha gjasave përkrahjen e vëmendjen e shumë qeverive perëndimore.
Kosova do të vazhdojë të ketë interesin e qeverive amerikane – natyrisht jo me intensitetin e as nivelin diplomatik të viteve të para të çlirimit e shtetësisë sonë. Kosova e as Ballkani nuk përbëjnë më as për së afërmi prioritetet e politikëbërjes ndërkombëtare. Janë regjione të tëra, shtete të tëra me konflikte aktuale e me rrezikshmëri tjera shpërthimi gjithandej nëpër botë që kanë këtë vëmendje. Natyrisht se gjëja e fundit që neve do të na duhej është vëmendja për shkak të konfliktit e rrezikshmërisë. Kosova është me fat pra që ka kaluar një periudhë të tillë. Por gjëja e parë që na duhet është që të kemi vazhdimësi të kësaj mbështetjeje. Dhe këtu bëhet i rëndësishëm konfirmimi i saj nga sekretari amerikan i Shtetit, Kerry, gjatë vizitës së kësaj jave. Të mos harrojmë, për Kosovën që ende gjendet në hapat e saj të parë të republikanizmit, rikonfirmimi i sovranitetit dhe i shtetësisë është fondamental. Është fondamental jo vetëm për ekzistencën e shtetit tonë, por edhe për konsolidimin ndërkombëtar të saj – nëpërmjet anëtarësimeve pra, ku dhe, siç u rikonfirmua sërish, do të fokusohet tutje politika e jashtme e SHBA-së në relacion me Kosovën.
-2-
Vizitat dhe pritjet që palët qeveritë amerikane u kanë bërë politikanëve kosovarë, këndej janë parë rëndom në dy dioptri. Në të parën, janë futur gjithnjë ata që kanë qenë në pushtet, e të cilët, për qëllime ekskluzivisht elektorale, e kanë transformuar mbështetjen institucionale e republikane në mbështetje individuale e partiake. Një fotografi me ta andej, një mijë të zeza e veprime antidemokratike këndej. Hiq ndryshe nuk ndodhi as këtë herë. Në ditën e dytë pas takimit përplot mesazhe për luftim të korrupsionit, zëvendësministër u emërua një ish i shkarkuar për korrupsion.
Në të dytën, janë futur rëndom opozitarët, të cilët pak nga padituria e shumë nga bindjet ideologjike, kanë ndërlidhur vazhdimisht pushtetin me shtetin – dhe kështu, një përkrahje shtetërore kanë provuar ta devalvojnë duke e ndërlidhur atë me klasën politike lokale. Rrjedhimisht, rreshtimin me politikën amerikane e kanë emërtuar si kolonializëm e neoliberalizëm, ndërsa përkrahësit e këtij rreshtimi si servilë. Kaq dinë.
Por përtej dy pikëpamjeve si këto, them se qëndrimet specifike të diplomacisë amerikane duhen shtruar në një platformë të tretë – në një platformë të ecjes sonë të mëtutjeshme – siç dhe do të duhej të ishte gjatë gjithë kohës normalisht. Pjesë e kësaj platforme ishin edhe mesazhet specifike të dhëna gjatë vizitës në fjalë, jashtëzakonisht specifike madje. Nga to, do të provoj t’i rrumbullakoj tri sosh.
I pari, dhe më i rëndësishmi, se siguria dhe sovraniteti i pavarësisë sonë mbeten të garantuara nga një forcë kryesore e rrjedhave globale. Rrjedhimisht, të gjitha paranojat që i dëgjon njeriu shpesh këndej mbi rrezikun luftarak të Kosovës – paranoja që më pas bëhen arsye për zhbërje të Republikës dhe bashkimin e saj me një shtet tjetër – mbesin të paqena, është investuar shumë për ta lënë në rënie të lirë u tha. Një konfirmim i sovranitetit dhe i sigurisë sonë do të duhej të na jepte jo rahati për të bërë punët tjera shkel e shko, as për të pritur mrekulli nga jashtë, e edhe më pak për të vazhduar me avazin e vjetër, por do të bënte një bazë të mirë mbi të cilën projektohet më pas zhvillimi i shtetit dhe i shtetësisë sonë.
I dyti, se pa një luftë të hapur, të drejtë dhe të papardon ndaj korrupsionit, keqpërdorimeve e vet kapjes, Kosova nuk do të ketë asnjëherë bazë për tërheqjen e investimeve nga jashtë, duke përfshirë dhe kthesën – siç u tha – në orientimet ekonomike drejt Perëndimit e krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë kosovarë. Kërkesa si këto, ndonëse duken të rëndomta e të shpeshta, përbëjnë padyshim një standard të ri të vënë para shoqërisë kosovarë që domosdo duhet kapërcyer një ditë.
I treti, dhe shumë aktual, se për aq kohë sa arrijmë të kërkojmë ruajtje të sovranitetit dhe për aq kohë sa arrijmë të dëshmojmë se marrëveshjet me Serbinë nuk janë brenda këtij sovraniteti, do ta kemi një aleat të fuqishëm në krah. Për këtë pikë na duhet dialog e unitet, na duhet, mbi të gjitha, përafrim i qëndrimeve.
-3-
Mesazhi i tretë ishte pra i ndërlidhur me marrëveshjet e fundit të Kosovës me Serbinë dhe me Malin e Zi, si dhe me refleksionin opozitar ndaj tyre. Edhe siç, edhe siç kishim diskutuar vazhdimisht këndej, mjetet e zgjedhura të opozitës mbeteshin të papranueshme. Dhuna, gazi e kërcënimi në Parlament nuk kishin vend në perceptimet e politikës zyrtare amerikane. Dhe janë mu qëndrimet si këto që u japin validitet predikimeve se me një opozitë si kjo, pushtetet e deritanishme do ta kenë gjatë. Para anarkisë edhe pushtetet më të dobëta mbesin të preferuara. Një opozitë e dhunshme si kjo, e bindur marrëzisht në qëllime të axhamive revolucionarë – një grusht sish madje – e vendos një kauzë tërësisht valide në plan të dytë. Në plan të parë mbetet tash gazi lotsjellës. Alamet arritje!
Por kritika ndaj opozitës nuk guxon të përkthehet në dhënie zemër për pozitën dhe rrjedhimisht vazhdim me avazin e vjetër, përkundrazi. Nëse asgjë tjetër, kërkesa për dialog të brendshëm dhe përafrim të qëndrimeve vë në nivel krejtësisht të ri qasjen kosovare për dialog të jashtëm. Pra mesazhi i sekretarit Kerry e vë si domosdoshmëri pajtueshmërinë e brendshme dhe vetë unitetin politik, si parakusht për relacione të jashtme – diçka tërësisht e neglizhuar nga liderët kosovarë në procesin negociues deri më tani.
Nëse gjetja e gjuhës së përbashkët, nëpërmjet dialogut, është kërkesë – atëherë e njëjta duhet të vlejë dhe për trajtimin e mëtutjeshëm të marrëveshjeve në fjalë. Mbi këtë bazë, një pushtet i përgjegjshëm do të trajtonte jo vetëm pikëpamjet e kundërshtarëve partiakë, por edhe të të gjithë zërave jashtopozitarë. Pra ka një pjesë të madhe të shoqërisë sonë, që me argumente plot kanë ngritur shqetësimet mbi marrëveshjet e arritura si cenuese të sovranitetit për të cilin morëm garanci. Dhe trajtimi i një pushteti të përngjeshëm ndaj brengave si këto, ka vetëm një rrugë: mosinfluencimin e interpretimit kushtetues të tyre.
Dhe ky mosinfluencim natyrisht nuk bëhet nëpërmjet dërgimit në Kushtetuese të një militanti partiak nga lista zgjedhore – e pritjes së verdiktit të tij e saj – por nëpërmjet dialogimit për gjetjen e kandidatëve profesionalë e të pandikuar politikisht për të dhënë një verdikt profesional të kushtetueshmërisë së marrëveshjeve në fjalë. Në përgjigje të kësaj përgjegjësie, një opozitë po aq e përgjegjshme do të pajtonte kthimin në Parlament, zgjedhjen me dialog të anëtarëve të mbetur të Kushtetueses – dhe pritjes përfundimtare të vendimit të saj.
Sepse është interes edhe i pozitës, edhe i opozitës, që mbi një kornizë mbështetëse si kjo e vënë qartë këtë javë, të gjejmë zgjidhje që ruajnë funksionalitetin kushtetues dhe republikan tonin. Është në interes të të dyja palëve, që një përballje të brendshme ta përkthejmë në një fitore të përbashkët. Zgjidhja e kontesteve, edhe një herë pra, fillon me interpretimin profesional, të pavarur dhe apartiak nga Kushtetuesja.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...