Letra nga limbo

10 Mars 2014 - 09:02 - Lumir Abdixhiku      

Mbi ushtrinë, futbollin dhe optimizmin Në javën kur Kosova u përfaqësua ndërkombëtarisht e kur krijoi ushtrinë, pati të tillë që megjithatë panë vetëm zi. Për të parën paradoksalisht argumentuan që duan shtet, por nuk duan përfaqësuese - a thua çfarë mendojnë për pasaporta, ambasada e përfaqësime të tjera; ndërkaq për të dytën, edhe më paradoksalisht, u kapën për emër. Them se të dy lajmet, pas një kohe të gjatë, na vijnë si të mira. Luksin e përvetësimit dhe vullnetarizmin e dorëzimit nuk duhet ta ketë e ta bëjë askush; pavarësisht joplotnisë së lajmeve

-1-

Do të ketë qenë një javë për t’u mbajtur në mend; nga ato të rrallat them unë – për të mirë gjithsesi. Si adhurues i flaktë i futbollit kam pritur për shumë kohë lojën e Përfaqësueses kosovare nën një frymë të pranimit ndërkombëtar; më ndryshe sesa ato përpjekjet tona për shpërthim të jashtëm. Mbaj në mend ndeshjen e parë të përfaqësueses sonë me Kombëtaren shqiptare menjëherë mbas lufte dhe gjithë shpresën për përfaqësim të shpejtë nëpër kualifikime. Nuk mbaj në mend të kem besuar se do të kalojnë gati 15 vjet para se ky përfaqësim të ndodhë – dhe atë i paplotë, me fusnotë e me një frankejnshtajn ide. Gjithsesi më mirë diçka se hiç, gjithsesi me më shumë shpresë se nesër përfaqësimi do të jetë thjesht i plotë.

E do të kem pritur edhe më gjatë shndërrimin e TMK-së në FSK e përfundimisht në FAK; një forcë e armatosur për një shtet sovran. E as këtu nuk mbaj në mend të kem besuar se do të kalojnë gati 15 vjet para se kjo forcë të ndodhë – dhe atë sërish e paplotë, pa strukturë të qartë, pa potencë serioze. Gjithsesi më mirë diçka se hiç, gjithsesi me më shumë shpresë se nesër forca do të jetë thjesht e plotë.

Natyrisht se në të dyja rastet pati të tillë që shohin zi. Për të parën paradoksalisht argumentuan që duan shtet por nuk duan përfaqësuese (a thua çfarë mendojnë për pasaporta, ambasada, ushtri e përfaqësime të tjera); ndërkaq për të dytën, edhe më paradoksalisht, u kapën për emër. E në gjithë këtë mes natyrisht që pati dallaveraxhinj e mashtrues të tjerë që nuk lënë rend për gëzim. Pavarësisht të gjithëve, them se çështjet me interes shtetëror nuk duhet dhuruar për zaptim as politikanëve, as partiakëve e as militantëve – sepse janë përpjekje dhe arritje tonat. Luksin e përvetësimit dhe vullnetarizmin e dorëzimit nuk duhet ta ketë e ta bëjë askush.

-2-

Në javën kur për herë të parë u organizua një miqësore futbolli nën ombrellën e FIFA-s, unë isha me Kosovën; me përfaqësuesen e futbollit kosovar. Njëtrajtëshit do të jem edhe me përfaqësuesen e Kosovës të basketbollit, hendbollit, tenisit e ragbit – po u bë ndonjëherë. Sepse shtet pa përfaqësuese nuk ka; sepse përfaqësimi ndërkombëtar i ndihmon shtetit; sepse shteti nuk është punë fëmijësh, nuk është punë simbolizmi, nuk është as letër e lexim deklarate pavarësie nga kjo letër – shteti është mekanizëm me një mijë e një përbërje, një prej të cilave është edhe përfaqësimi ndërkombëtar në sport.

Sepse shteti i Kosovës nuk është zëvendësues i shqiptarizmit, është plotësues i tij. Sepse Kosova dhe përfaqësuesja e saj janë shqiptare, flasin shqip e frymojnë shqip; aso që thonë ndryshe i kemi me bollëk me kahe në veri. Kosovën dhe përfaqësuesen e saj sportive i kemi bërë me shumë mund, me shumë sakrificë e me shumë dert. Ato nuk meritojnë përbuzje; sidomos jo atëherë kur shpërfaqen gjysmake - do të plotësohen një ditë. Pra deri në stacionin tjetër të fatit të Kosovës - e përgjatë gjithë kohës sa mbetemi shtet në vete - do të përkrah përfaqësuesen tonë të futbollit dhe gjithë djemtë tanë që përfaqësojnë po këtë shtet; siç dhe do të përkrah përfaqësuesen e Shqipërisë dhe zgjedhjen e lirë të djemve të tjerë tanë atje.

Të gjithë zërat përbuzës ndaj përfaqësueses sonë janë më tepër zëra që dëgjojnë rezonin e rrahjeve nacionaliste – jo të dëmshme – por të paarsyeshme gjithsesi. Sepse alternativa e përfaqësueses së Kosovës është mospasja e saj. E mospasja e saj do të thotë pikërisht shtet gjysmak; në të vërtetë do të thotë jo shtet. E nëse ata kërkojnë mospasjen si frymë e një ideali më madhor kombëtar, atëherë janë të paarsyeshëm. Sepse është fakt që jemi shtet i pavarur – dhe për gjithë kohën sa jemi shtet i pavarur duhet të sillemi si të tillë. Do të ishte absurde refuzimi i së drejtës ndërkombëtare për lojë; siç është – dorën në zemër – absurde (por jo në dorën tonë) luajtja me fusnotë e me njoftim paraprak të Serbisë. A është kjo gjendje e kënaqshme; assesi jo. Por a është progres loja ndërkombëtare – aq e kërkuar nëpër vite; gjithsesi se po.

-3-

Përderisa tema e përfaqësueses në futboll u amortizua e u rrumbullakua vetëm rreth disave – të paktëve – kjo e “ushtrisë” ishte më ndarëse. Sepse në ditën e parë të lajmit të rëndësishëm, u shfaqën të gjithë në kërkim të fjalës “ushtri” – forcë e armatosur, për ta, nuk na qenka tamam “ushtri”. Jo që i fajësoj sinqerisht. Kjo qeveri ka kohë që ofron zgjidhje gjysmake e çdoherë me nga një kleçkë në to; e ka bërë tanimë zakon të ofrojë status quo. Por, megjithatë, për hir të korrektësisë dhe për secilin tjetër me interes, një kërkim i thjeshtë në internet të bën të kuptosh se termi “Forcë e Armatosur” (anglisht Armed Forces) është sot term standard nëpër botë; të njëjtin emërtim e përdorin edhe SHBA-ja, edhe Britania, edhe pothuajse secili shtet tjetër modern.

Saktësisht, SHBA-ja ka United States Armed Forces (USAF) si forcë gjithëpërmbledhëse – forcë kjo që më pas përbëhet nga pesë kategori: nga US Army (ushtria), US Marine Corps (korpusi i marinsave), US Navy (marina detare), US Air Force (forcat ajrore) dhe US Coast Guard (rojat bregdetare). Njëtrajtësisht, Britania e Madhe ka British Armed Forces (BAF) si emërtim po ashtu gjithëpërfshirës e i cili përbëhet nga katër grupe: Royal Navy (marina detare), Royal Marines (marinsat mbretërorë), British Army (ushtria) dhe Royal Air Force (forcat ajrore). Pra në të dyja rastet termi "Ushtri" përdoret si nënkategori e "Forcave të Armatosura".

Emri pra është problemi më i vogël - në të vërtetë as që është problem, sepse është siç duhet - dikush mund të argumentojë më së shumti për mosfutjen e Republikës në të; dhe kjo pa dyshim është bërë për t’iu shmangur konotacionit “FARK” dhe profecive të rivalëve politikë të mëparshëm. Pra të njëjtët preferojnë heqjen e fjalës “Republikë” për sa kohë që prodhojnë diçka – sa për të thënë – vetë. Por as ky fakt, dikush mund të argumentojë, se nuk duhet të jetë problematikë; sepse, dikush mund të argumentojë, edhe shtetet e tjera heqin termin “Republikë” shpeshherë nga emërtimet e tilla. Problem është fuqizimi i FAK-ut, aq sa të sigurojë integritetin territorial të vendit - sidomos në Veri, të zëvendësojë sa më shpejt KFOR-in, e të anëtarësohet përfundimisht në NATO. Këndej jemi larg shumë; e me zaptuesit e tanishëm do të mbesim larg edhe më shumë.

abdixhiku@facebook.com

 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...