Kultura dhe sporti si biznes

17 Gusht 2015 - 08:30 - Lumir Abdixhiku      

“Dokufesti”, përveçse është shndërruar në simbol kulturor të Prizrenit, është bërë dhe model i suksesit kosovar; tërësisht kosovar, dhe tërësisht jopublik. Këtë vit, ai u përdor mjeshtërisht për të shpërfaqur edhe pakënaqësinë kosovare ndaj regjimit të vizave, pra u bë një transmetues kreativ i mesazheve politike e qytetare të vendit tonë.

-1-

Verën e ngadaltë të sivjetshme, siç dhe ndodh rëndom tashmë secilin vit, e gjallon organizimi – pa dyshim – më i mirë që ka prodhuar ky vend ndonjëherë, “Dokufesti”, pra. Origjinal, kreativ, atraktiv dhe në fund ekonomikisht përfitues, për veten dhe rrethin njëtrajtësisht, “Dokufesti”, përveçse është shndërruar në simbol kulturor të Prizrenit, është bërë dhe model i suksesit kosovar; tërësisht kosovar, dhe tërësisht jopublik. Këtë vit, ai u përdor mjeshtërisht për të shpërfaqur edhe pakënaqësinë kosovare ndaj regjimit të vizave, pra u bë një transmetues kreativ i mesazheve politike e qytetare të vendit tonë.

Në të vërtetë, janë mu storiet e suksesit si këto, që pa fije përkrahjeje publike, me iniciativë tërësisht individuale dhe private, ofrojnë diçka origjinale; ofrojnë një vend mbledhës të vendorëve e ndërkombëtarëve; në rritje shumë të ndërkombëtarëve. Kështu, një nismë kulturore e artistike, i ofron qytetit të vet një input ekonomik e biznesi bukur gjithëpërfshirës. Sepse, gjatë muajit të shfaqjeve, Prizreni bëhet atraksion turistik, tërheqës i parasë për bizneset lokale, nga marketet e te kafeteritë e bujtinat – një multiplikator i gjithandejshëm ekonomik.

Fatkeqësia, megjithatë, qëndron në idenë se sa pak përkrahje publike – financiare pra – merr një ngjarje që gjeneron kaq shumë të hyra për secilin vit. Vetëm 15 mijë euro janë dhënë për një gjenerues kaq të madh të kulturës, identitetit e vetë parasë – nga komuna e Prizrenit (që shpenzon përndryshe dyfish më shumë se kaq në dreka e darka); dhe vetëm 25 mijë të tjera nga niveli qendror. Ne pra japim për një sezon të “Dokufestit” sa tërësia e shumës ditore që japim në mbështetje të televizionit të kapur publik – RTK-së. Një ditë e RTK-së sa një vit i “Dokufestit”.

“Dokufesti” do të duhej në secilën rrethanë të shihej si burim i mirëthemeluar, me përvojë, emër e me establishment të njohur mbarësisht, pra do të duhej të njihej si investim i lehtë për t’u bërë dhe me kthim shumë “Dokufesti” do të duhej, në frymën e të bërit biznes, të shihej si mundësi e mirë e investimit publik; për ta ngritur atë në nivel tjetër – dhe më të lartë, dhe më përfitues për Prizrenin e Kosovën.

Në të vërtetë, të gjithë shembujt e tjerë të investimeve e nismave private në kulturë, do të duhej të ishin modele të mira të investimeve publike. Këto të fundit marrin arsyetim, sepse injektohen në ngjarje që jo vetëm kanë vetëqëndrueshmëri financiare, por përbëjnë mundësi të përfitimeve dhe për të tjerët; sidomos për tërheqjen e turistëve të huaj e të pakët që vizitojnë vendin tonë. Është kthim i madh për pak investim.

-2-

Dhe krahas bërjes së kulturës biznes, përfitues për shumë natyrisht, Kosova ka mundësi dhe shndërrimin e sportit në resurs të tillë. Ecja e fundit e ekipit futbollistik nga Korça, Skënderbeu, pra, për në Ligën e Kampionëve – dhe gjithë kompensimet e marra si njohje për përparim, japin modelin tipik të një zhvillimi potencial që gjeneron kthim. Dhe kthimi natyrisht se ka rëndësi. Është parakusht edhe i vazhdimit, por edhe i rritjes së bizneseve që kërkojnë shumë investim.

Për dallim nga ngjarjet kulturore, këto sportive kanë interes madje dhe më të madh në Kosovë. Ato ndiqen dhe bëhen nga të rinj e të reja nga rrugicat e vogla e deri te fushat publike e private. Ato, pra, kanë probabilitet më të lartë të suksesit, sepse kanë edhe konsumatorë – nëpërmjet ndjekjes dhe shikueshmërisë, por edhe “lëndë të parë”, sportistë pra – nëpërmjet vetëpjesëmarrjes. Dhe për dallim nga shumë industri të tjera, ato jo vetëm se shërbejnë si marketing i mirë nacional, por edhe përbëjnë edhe një formë brilante të eksporteve – të shitjes së lojtarëve, ndër të tjerash.

Kosova është në prag të pranimit ndërkombëtar për në garat evropiane, por nuk ka qenë kurrë më larg nga të qenit gati për të. Nga mungesa e terreneve e deri tek mungesa e shkollave sportive, nga strukturat udhëheqëse joenergjetike e deri tek mungesa e iniciativave publike, Kosova shumë lehtë mund të humbasë shanse të shumta për të shndërruar dhe sportin në biznes.

E modelet e sukseseve të tilla biznesore, që po ndërtohen së fundmi edhe në Shqipëri, kanë qenë të mirëthemeluara e mirëfunksionalizuara nëpër gjithë rajonin; me kulmim në Kroaci. Ekipet e futbollit, ndër sportet e tjera natyrisht, nga Zagrebi, kanë krijuar e shitur lojtarë me vlera sa 10% e gjithë eksportit të sotshëm kosovar – për secilin vit. Modelet e suksesit i kemi afër pra. Ato kërkojnë vetëm replikim.

-3-

Sporti, pra, merr kuptim biznesi në Kosovë me ecjen e shtetit në mekanizmat ndërkombëtarë, dhe kështu rritjes së shpërblimit e mundësisë së kthimit të investimeve proporcionalisht. Njëtrajtësisht, ngjarjet kulturore marrin kuptim biznesi në Kosovë, me rritjen e qëndrueshmërisë së tyre, domosdo nëpërmjet ndërkombëtarizimit eventual. Është mëkat mosshfrytëzimi i mundësive si këto.

Në të dyja rastet, politikat tona publike nuk ofrojnë as para si mbështetjen direkte, por as lehtësime politikash, si mbështetje alternative – të themi të politikave fiskale Ne nuk krijojmë as ambient që stimulon bizneset e nismat si këto, e as nuk japim mjete për t’i mbështetur ato.

E pasiviteti si ky, pak a shumë përshkruan edhe gjithë politikëbërjen ekonomike në Kosovë tash e sa vjet. Pra, ne nuk kemi qenë asnjëherë në gjendje të krijojmë politika ekonomike e probiznesore përtej shablloneve gjenerale, të uniformitetit e gjeneralizimit. Ne nuk kemi qenë asnjëherë në gjendje të reagojmë me kohë përballë rasteve që kanë shpërfaqur mundësi shndritje gjithandej.

Në vend të kësaj, ne kemi zgjedhur të zakonshmen. Kemi financuar me shabllon gjithandej gjithçka, gjithmonë më shumë për kotizmat e publikes dhe luksit të saj; apo dhe ngjarjeve inekzistente të miqve nga politika, por asnjëherë të nismave e mundësive me profitabilitet multiplikatori të lartë.

[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...