Brazuca

30 Qershor 2014 - 08:34 - Lumir Abdixhiku      

Mbi futbollin si biznes, sport e pasion

-1-

Kam dashur gjithmonë të shkruaj një kolumne për futbollin, sepse atë e kam përjetuar po aq sa shkrimin e edhe më shumë se sa profesionin tim, ekonominë. Nuk besoj se do të më zihet për të madhe nga lexuesit provimi i devijimit nga rrjedha standarde e shkrimeve të mëparshme; besoj se më lejohet një aksident si ky – një herë në katër vjet fundja.

Sepse nuk do t’i falja vetes injorimin e një pasioni të ngjizur plot njëzet vjet më parë; me dy golat e Massaro-s, një të Savicevic-it e një të Desailly-s – në atë që dikur do të bëhej substanca e vikendeve të mia për njëzet vjet rresht, anën kuq e zi të Milanos, Ac Milan. Tash kur kujtoj në retrospektivë vikendet me “teletext” të RaiDuo-s, me përmbledhjet e “Laolas” në DSF, e – kur u bë mirë – edhe transmetimet e drejtpërdrejta me komentime shqip, kuptoj edhe madhështinë që futbolli ngjall tek të tjerët.

Dhe këtë madhështi, nuk e dyshoj, futbolli arriti ta ngjallë edhe nëpërmjet Kampionatit Botëror të sivjetmë, me gjithë devijimet e diskutimeve socio-ekonomike mbi arsyen ose jo të shpenzimeve miliardëshe nga një vend që ende ballafaqohet me varfëri, megjithatë jep një pasqyrë të këndshme për vendin organizator, Brazilin. Sepse, siç dhe ndodh rëndom me ngjarje të tilla, post-Kampionatit vendi do të vazhdojë të jetë atraktiv për turistë, vizitorë e futbolldashës; stadiumet e ndërtuara do të shërbejnë si inpute të shkëlqyeshme revitalizuese për kampionatin lokal – sidomos kur futbolli është më shumë se sport, pra është industri; ndërkaq imazhi i reflektuar nëpër botë do të jetojë për një kohë të gjatë. Pra, padyshim se ka e do të ketë garë për organizime kampionatesh nga supervende, sepse është një investim që ia vlen – sepse kthehet, dhe kthehet shumë mirë madje.

-2-

Dhe ana më e këndshme e Kampionatit, këtë herë për ne – del të jetë superperformanca e shqiptarëve atje. Fatkeqësisht jo me përfaqësueset potenciale të Shqipërisë e Kosovës, por fatmirësisht – më mirë se sa hiç, me shqiptarë të diasporës në reprezentacione evropiane. Përderisa Shqipëria e Kosova të ndërtojnë suksesin e vendeve të regjionit, ne do të duhet të mbështesim emocionet tona tek ato pak elemente individuale që si vend e komb i dërgojmë nëpërmjet të tjerëve; të larguarve nga këtu, të strehuar atje.

E këtë javë Zvicra foli shqip! Mbas shumë përpjekjesh të mundimshme e të dhimbshme të shqiptarëve emigrantë nëpër Evropë, kualifikimi me gola shqiptarësh ishte fotografia më e mirë që dikush për vete e për ne mund të ndërtonte sot. Shqiptarët në diasporë - nëpërmjet Shaqirit me shokë - më në fund i dhanë mirënjohje shtetit që u dha mundësi kur kishin nevojë, e faqebardhësi atdheut prej nga ata e prindërit e tyre vijnë. Këta shqiptarë përbëjnë forcën ambasadore më substanciale të mundshme që një vend mund ta prodhojë jashtë.
Natyrisht se do të doja që në vend të Zvicrës të shihja Përfaqësuesen e Kosovës apo të Shqipërisë; që këto dy përfaqësuese të kenë individualistë të talentuar si këta, por ja që nuk i ka, prandaj dhe përfaqësueset tona shikojnë kampionatet nga komforti shtëpiak. Natyrisht se do të doja që këta individë të talentuar të luanin për përfaqësueset tona – pa e ndarë mendjen për cilën, për Kosovën apo për Shqipërinë – por ja që ata janë formuar, shkolluar e mbështetur nga një vend tjetër që u dha mundësi, edukim e përfaqësim si të mos ishin të huaj. Prandaj dhe kthimi i favorit merr kuptim, për më tepër kur me këtë kthim emri Kosovë përmendej nëpër botë gjithandej.

Në Kosovë, ndërkaq, paraqitjet e Zvicrës u pritën me plot entuziazëm. Zërat kritikues e ultrapatetikë po zhbëhen secilën ditë e më shumë. Do të shuhen eventualisht të gjithë; për të kuptuar se paraqitjet e tilla janë veçse përfituese për vendin tonë. Sepse, një, dërgojmë mesazh jashtë më ndryshe nga lajmet e deritanishme të hajnive, therjeve e prerjeve në fyt; dhe dy, sepse dërgojmë mesazh brenda se ky vend ka brumë për sportistë profesionistë që arrijnë majat e botës. Pra, nëse këta individë shqiptarë, me një sistem të sofistikuar sportiv evropian, arrijnë të bëhen superprofesionistë, atëherë e tëra çfarë duhet ky vend të bëjë për sportistët e tjerë që i ka këtu është ndërtimi i strukturave të sofistikuara që brumin e futbollit kosovar e shndërrojnë në shpërthim profesional. Ky vend i vogël yni, duhet të shohë seriozisht futbollin si industri dhe jo vetëm sport. Nga futbolli ky vend mund të sigurojë eksport milionësh – siç dhe bëjnë vendet e rajonit, Kroacia, Mali i Zi (i vogël), Serbia e Bosnja.

-3-

Në anën tjetër Bosnja përfaqëson një tregim tjetër – shumë të veçante madje – në këtë kampionat. Siç dhe u përshkrua me mjeshtëri nga gazetat perëndimore, ekipi boshnjak është i ndërtuar sot nga “fëmijët e luftës”; pra nga individë që i kanë mbijetuar luftës si fëmijë, janë rritur në transicion si të rinj, e kanë shpërthyer si profesionistë kur janë rritur. Ata sot dëshmojnë me shumë mjeshtëri e simpati, se si një vend – nëpërmjet sportit – arrin të ngrihet mbi gërmadhat e neveritshme që i ka bërë vetë dikur, e të shtyhet jaka-jak një ditë me Argjentinën e Messit diku në Botëror.

Bosnja mund të ketë një mijë e një probleme politike e funksionale sot si shtet – me Bosnjën politike mund të mburret rrallëkush; por rimëkëmbja e tillë nëpërmjet sportit është shembull që vlen të ndiqet nga secili vend tjetër në rajon, veçanërisht nga Kosova.

Do të doja shumë që një ditë “fëmijët e luftës” së Kosovës të bartin himnin dhe flamurin e shtetit të tyre në Botëror, për të dëshmuar kështu se si vend e si shtet kemi kaluar secilën pengesë ekonomike, sportive e veçanërisht politike – gjithsesi të gjitha të padrejta. Do të doja shumë që një ditë “fëmijët e luftës” së Kosovës të simbolizojnë bërjen e shtetit, siç e kemi menduar gjithnjë.

-4-

Ky Kampionat do të mbahet në mend për shumëçka; në të Messi ka një gjasë shtesë për të vulosur veten si më të mirin e të gjitha kohërave; brazilianët për të mbajtur rekordin e fituesve të pakontestueshëm; gjermanët e holandezët për të treguar se janë gjithmonë favoritë – pavarësisht kohës, vendit apo klimës; e ekipet si Belgjika apo Zvicra për të rrënuar bastet eventuale me superparaqitje.

Por them dhe ne ta mbajmë në mend si pasion për të dërguar Kosovën në një shfaqje që e sheh gjithkush. Them të ndërtojmë një kulturë sportive që nga arsimimi fillor, të zbulojmë talente e të prodhojmë sportistë që do të na bëjnë një ditë të ndihemi krenarë, që na japin një imazh më ndryshe se sa barrikadat e veriut, krimi institucional apo mafia e kanabisit.


abdixhiku@facebook.com

©KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...