Triumfi jashtë fushës

20 Qershor 2016 - 08:31 - Lumir Abdixhiku      

Për një fitore tjetër të shqiptarëve

-1-

Si adhurues i kahershëm futbolli, deri pak javë më pare, do ta kisha cilësuar veten si me përvojë në përjetimin e ndjenjave që sporti të jep. Nga humbjet e thella, fitoret e mëdha, e deri tek përfundimet e fundit – herë në njërën e anën tjetër – të gjitha i kam parë. Kam ndier gëzime bashkidentifikuese me një grup ndjekësish pas topi, siç dhe kam ndier edhe turpërime njëtrajtësisht të mëdha. Kam besuar, deri pak javë më parë, se kam parë gjithçka në futboll.

Dhe atëherë erdhi Shqipëria në Kampionat Evropian.

-2-

Disa gjëra jetohen, s’tregohen. E ndjenja që unë e shumë bashkëqytetarë të mi mund ta kemi pasur këto ditë, nuk tregohet dot. Çfarë tregohet, megjithatë, është arsyeja prapa një vlimi të tillë kolektiv. Prapa rrugëve të zbrazëta, shtëpive të mbushura plot, kafeneve e shesheve me përcjellës edhe më plot, qëndron një histori e përpjekjes shumëvjeçare për shpërthim e njohje të identitetit shqiptar nëpër botë – si të barabartë me të tjerët. Futbolli, ishte pra, veç një skenë ku ky shpërthim kishte për të ndodhur.

Dhe për këtë shpërthim, në futboll këtë herë, ishin mbledhur bashkë djemtë më të mirë që shqiptarët kishin pasur ndonjëherë në këtë sport. Nëpër botë madje. Kur e mendon për pak, s’ka asgjë më sublime sesa e gjithë ajo përpjekje e familjeve e prindërve – në radhë të parë mërgimtarë – që një ditë fëmijët e tyre, edhe kur nuk dinë mirë shqip, të përfundojnë në përfaqësim të një ëndrre që kanë ndjekur ata e shumë para tyre.

Në të vërtetë, vetëm falë një mobilizimi të tillë kolektiv, gjithëshqiptar, Shqipëria ishte transformuar në pak vjet nga një skuadër mediokër në një kualifikuese evropiane. Nga një identitet i ndërlidhur me territorin politik të Shqipërisë, në një përfaqësuese të Kosovës, të shqiptarëve të tjerë në Ballkan e diasporë.

Së këndejmi, secila paraqitje e shqiptarëve, në fushë e jashtë saj, është shpërblim për përpjekjen gjithëshoqërore tonën për të dalë – për herë të parë – në arenën ndërkombëtare. Kjo dalje s’ka se si të sjellë humbje më. Pamjet e tifozëve, loja e futbollistëve, diskutimi ndërkombëtar për ne veçse kanë shënuar triumfin tonë më të rëndësishëm.

-3-

Perceptimi i parë, i mirë, i krijuar në botë – rrjedhimisht dhe fitorja jonë e parë – ishte ushqyer nga tifozët tanë; pjesëmarrës nëpër qytete të shumta franceze. Përderisa netët e tjera ndërlidheshin me përplasje e rrahje masive në mes të huliganëve evropianë, ndeshjet me prezencën e Shqipërisë ndërlidheshin me festë. Një paraqitje e tillë e shqiptarëve rrugëve të Evropës godet drejt imazhin jo pak herë të paragjykuar për ne.

Perceptimi i dytë, ai sportiv, se pavarësisht rezultateve, Kombëtarja e shqiptarët s'kanë për t’u parë kurrë si më parë. Nga një ekip i parëndësishëm ne po shihemi si një ekip serioz, me lojë të mirë e të mençur, por, siç ndodh jo rrallë, e pa fat. Në dy përballje madje. Të parën me dhjetë lojtarë, të dytën në kohë shtesë; dhe kundër vendasit e favoritit sivjet. Për dallim nga idhnakët tanë që mezi presin të godasin, mediume prestigjioze, trajnerë e njohës futbolli botërorë natën pas përballjes me Francën kishin vetëm fjalë të mira për Shqipërinë. Mos të harrojmë, është veçse hera e parë që po marrim pjesë në një garë si kjo. Na kanë parashikuar si të parëndësishëm madje, sot po tregojnë respekt.

Perceptimi i tretë, dhe jo më pak i rëndësishëm, ndërlidhet me ndjenjën e së mundshmes; me të drejtë të mburrjes që na japin djemtë tanë, është e paçmim. Imagjinoni për pak ndikimin që ky përfaqësim do të ketë te mijëra fëmijë tanë; tek ata që nuk kanë më arsye të mësojnë për inferioritet. Shembujt e sukseseve e të arritjeve po prodhohen edhe nga shqiptarët.

-4-

Pjesën e rezultateve sportive, për çfarë shumë sportdashës mund të kenë të drejtë në kërkim, qëllimisht ua lash të tjerëve. Fola vetëm për rrugëtimin e nisur vite më parë për të arritur këtu.

Dhe, për të mirë ose të keq, ky rrugëtim nuk do të jetë më i gjatë se kaq. Njohja ndërkombëtare e Kosovës do të krijojë një shtëpi të re për kosovarët që natyrshëm, për aq sa janë shtet më vete, do të kërkojnë mirënjohje ndërkombëtare për veten.

Një ndarje e tillë, një komb e dy kombëtare, natyrisht se s’do të jetë përjashtues për tjetrin. Për gjithë të shkuarën e përbashkët, Shqipëria do të mbetet përfaqësimi më i afërt i mundshëm i shumë shqiptarëve – përfshirë dhe atyre nga Kosova. Për gjithë të ardhmen që dy shtetet i pret – të ndarë e të pavarur nga tjetri siç janë e do të jenë – Kosova do të nisë rrugëtimin e saj vetë.

Dhe për Kosovën, njëtrajtësisht, do të mblidhen djemtë më të mirë që vendi ka – brenda e jashtë. Do të bëjnë një rrugëtim të ri, që herët apo vonë, e më shumë herët sesa vonë, do të mbushin stadiumet evropiane me imazhin e Republikës; shtëpitë tona me një nevojë të re shpërthimi. Që t’i tregojmë dhe botës se Kosova e qytetarët e saj janë po aq të barabartë.

[email protected] 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...