8 Qershor 2015 - 08:32 - Lumir Abdixhiku
-1-
Sa herë që ngremë diskutim mbi pasurimin politik në këtë vend, me referim automatik e ndërlidhim atë me deklarimin e pasurisë. Dhe dy keqkuptime ndodhin rëndom sa herë që pasuria e zyrtarëve publikë bëhet publike. I pari keqkuptim, i bërë nga vetë deklaruesit, rrumbullakon deklarimin si formë të legjitimimit të pasurisë së deklaruesit; shpeshherë i marrë si i qenë dhe nga lexuesi. Thuajse deklarimi bën dhe arsyetimin e pasurisë. Nuk e bën. Për fatin tonë të keq, në mungesë të një policie financiare që monitoron, kontrollon dhe natyrisht guxon të merret me rrjedhën e pasurisë së të tillëve, formularët vullnetarë të vetë deklarimit, si forma më e pasofistikuar e primitive e arsyetimit të pasurisë, mbetet alternativë e vetme e leximit. Një formë tipike e vetëgjyqësisë, një kërkesë e praktikë e zakonshme tek ne në vijimësi.
I dyti ndërsa, bëhet nga lexuesit, kureshtarë për të gjykuar shumë (jo për të kërkuar llogaridhënie), që fillojnë të ndërtojnë në refleksion padurueshmëri ndaj atyre që kanë. Pra këtu futen të gjithë në një thes. Në të vërtetë, mëkati i të pasurit në një shoqëri semi-evropiane e semi-orientale, gjithmonë post-komuniste, është më i rëndi. Këndej ai që ka, ndërlidhet domosdo me krim, pandershmëri e hajni. Madje kemi krijuar një togfjalësh të mirëkuptuar tani, ofendues gjithsesi, ‘milionerët kriminelë’. Ai që nuk ka ndërsa, patjetër është i ndershëm. Në vendet tjera të botës, dhe këtë ta themi pa hile, mospasja nuk është garanci për taksapaguesin; përkundrazi.
E kur zotësia përjashton ndershmërinë, dhe kjo nuk do të thotë që mospasja përjashton zotësinë, atëherë do ta kemi vështirë të ndërtojmë modelin e një kosovari në mirëqenie. Në vend të tij, do të krijojmë modelin e një kosovari në varësi të përjetshme, fare produktiv, në pritje për mëshirë. Nuk bëhet kështu.
-2-
Problemi i vërtetë nuk është tek identifikimi e kriminalizimi me automatizëm i atyre që kanë, apo dhe atyre që bëjnë. Le të kenë e le të bëjnë; ku të kemi e bëjmë të gjithë. Problemi është, megjithatë, tek identifikimi i politikanëve që kanë e bëjnë shumë – jashtëzakonisht shumë – derisa janë në politikë. Sepse, ka diçka tmerrësisht të gabuar me rritjen eksponenciale të pasurisë së individëve që angazhim e të hyrë të vetme kanë pagën publike. Është e pamundur, është e vështirë. Ka një hile në krijimin e perandorive të tilla – që ngadalë e si në pahir i deklarojnë publike; për të kërkuar pra legjitimin. Dhe kujdes, po flasim vetëm për pjesën e vetëdeklaruar tani. Pjesët e fshehura të tyre në apartamentet e blera në Venë, Dubai e New York me siguri s’kemi për t’i marrë vesh kurrë.
Deklarimi i sivjetshëm i pasurisë nuk ishte më ndryshe. Në Kosovën e stagnimit, të rritjes modeste ekonomike, të papunësisë, migrimit e ngufatjes shoqërore, përfshirë dhe atë të sektorit privat – rritjen e vetme të pasurisë po e shënojnë politikanët tanë (natyrisht jo të gjithë); që merren pra vetëm me politikë.
E sado që luksi e rahatia publike mund të jetë një burim i rritjes së tillë, sepse marrin shumë për të dhënë pak, eksponencialiteti i shpërfaqur në vetë deklarime të tilla tregon shumë. Tregon pra për një sistem paralel beneficionesh, i akumuluar me siguri edhe më shumë larg rrethit të tyre (për t’iu shmangur vetë deklarimit gjithsesi), që në gjuhën më të zakonshme të mundshme i thonë korrupsion.
Në këtë logjikë, milionerët e një vendi janë paradoksalisht politikanë, e varfanjakët e tij – borxhlinjtë e mjerë – janë bizneset. Dhe një vend e sistem që politikanët i bën milionerë e bizneset fukara, nuk e ka gjatë.
-3-
Sinqerisht nuk do të kisha asnjë problem që gjykatësit, prokurorët, taksambledhësit e ekzekutuesit e tjerë të kenë paga të majme, super të majme madje. Në të vërtetë, për një ekzekutues të mirë, të shkolluar, të guximshëm e të ndershëm shumë, paga e madhe dhe sigurimi i mirëqenies së tij dhe familjes së tij, është një shpërblim modest – një investim – për kthimet që do t’i merrnim si shoqëri. Le ta krijojë pra një pasuri të mirë nga shërbimet që i bën publikut. Një hap më tutje se idealizmi e atdhedashuria që mund ta ketë kultivuar në vazhdimësi.
Në të vërtetë, nuk do të kisha asnjë kundërshtim as për paga të mëdha për një ministër Republike, këshilltar të tij, sikur – natyrisht – të tillët të ishin më të mirët të mundshëm në fushat që drejtojnë. Së paku, si taksapagues, do të kisha siguri e garanci se angazhimi i tij do të kompensohej mjaftueshëm për të mos nxitur më shumë lakmi. Së paku, pasuria e mirëqenia e tij do të kishte dhe një rrjedhë logjike – një burim logjik.
Siç është tani, portofolio e investimit të taksave të mia jep produktin më të keq. Paguaj – si taksapagues pra – zakonisht një militant partiak, të paditur në skajshmëri, me pagë, luks e keqpërdorime gjithandej, dhe në fund, deklarimi i pasurisë së tij më hap një mijë e një dyer dyshime tjera për keqpërdorime shtesë. Diçka pra nuk shkon me këtë ecuri. As ai i kënaqur me të ligjshmen e tij, unë edhe më i pakënaqur me të paligjshmen e tij – përfundimisht të gjithë në pakënaqësi.
Natyrisht të sotshmit nuk kanë kufi. Edhe po t’u bëje pagat një milion, këta janë aq të pangishëm saqë do të kërkonin milionin e dytë; të tretë e të njëqindtë. Pra për korrupsionin e krimin e të tillëve – dhe zgjidhjet siç duhet shmangur vendin nga ta – kanë folur të gjithë. Është e thjeshtë, hajni luftohet me guxim; pa kompromis, dhe mbi të gjitha, hajni nuk luftohet nga një hajn i dytë. Problemi është, megjithatë, se çfarë të bëjmë me të tjerët që vijnë më pas – jo domosdo në një rreth ministror e politik, por në një sistem të tërë që duhet të bëjë rend e drejtësi, zhvillim e mirëqenie. Çfarë të bëjmë, eventualisht, me një gjeneratë që vjen pas tyre; që potencialisht mund të jetë e ndershme, e mbarë, e mençur dhe aktive? Sa është publikja pa korrupsion atraktiv për të tillët?
-4-
Sot, përjashto kompensimin relativ për të paditurit, publikja (kujdes e vendimmarrjes e ndryshimit pra – jo gjithë shërbimit pa përjashtim) pa përfitime anash është zero atraktive. Vështirësitë në gjetjen e njerëzve – adekuatë e kompetentë pra – përballë një mundësie që ata mund të kenë, në vend e jashtë tij, janë të rëndomta. Në të vërtetë, sot shumë pak pozita paguhen mjaftueshëm për individë adekuatë – përjashto pagesën e majme për njerëz të paditur; në terma relativë ata fitojnë shumë. Mbi të gjitha, rritja e pagave në gjithë sektorin publik, pra pa përjashtim për të gjithë, ka shkaktuar efekt zero në atraktivitet në vendet ku duhet. Kështu, me ato pak para tonat ne kemi shpërblyer të gjithë njëtrajtësisht (për të marrë vota natyrisht), përderisa kemi trajtuar me indiferencë pozicionet kyç që mund të bëjnë ndryshim, e që ndoshta duan më tepër kompensim.
Natyrisht se transformimi i publikes kërkon shumë më shumë se sa transformimi financiar, pra pagesa të mira për njerëz të ditur – në vend të pagesave të mira për njerëz të paditur. Kërkon, në të vërtetë, transformimin e mënyrës se si publikja dhe shërbimi publik konceptohet sot nga, fatkeqësisht, të gjithë; si plaçkë pra.
Vjen një parti, bie tjetra. Vijnë njerëzit e partisë së re, ikën të së vjetrës. Dhe sërish. Derisa ta kuptojnë të gjithë, veçanërisht dizajnuesit e parë të një modeli të tillë, se nuk mund të ketë vend e përfitime për të gjithë. Militantë, njerëz badihavgjinj – paguhen pak a shumë nuk ka rëndësi, janë humbje të gjitha. Paguaj sa të duash këta, nuk kanë për të bërë ndryshim. Qe 16 vjet në trajnime për të mos ditur përfundimisht asgjë. Të pandreqshëm, të pazëvendësueshëm, me shefa dhe më të ligj që ndërtojnë sisteme paralele uzurpimi, zaptimi e pasurimi të shpejtë.
Pra publikja duhet të transformohet në një model që ndërthur idealizmin e vullnetin për të bërë mirë me kompensimin që bën të fortë jotemptimin për plaçkë. Mbi të gjitha, ajo duhet të jetë atraktive për njerëz kompetent që tregojnë efiçencë, marrin mjaft e kthejnë shumë. Përfundimisht, ajo bëhet e hapur dhe e qartë edhe ndaj krijimit të mirëqenies – pa marre e fshehje rrjedhimisht.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...