“Trepça”

26 Janar 2015 - 09:15 - Lumir Abdixhiku      

Të gjitha pretendimet e Qeverisë së Serbisë për hise në “Trepçë”, janë ligjërisht po aq jovalide sa edhe pretendimet e saj për gjithë Kosovën. Pra ligjërisht, dhe me legjitimitet të pranuar ndërkombëtarisht, Serbia ka zero gjasë të trashëgojë diçka nga pasuria e Kosovës, përfshirë edhe “Trepçën”, pra. Kjo natyrisht nuk do të thotë se ne duhet të qëndrojmë në rehati – sidomos kur nuk ushtrojmë sovranitet mbi Veriun

“Trepça”, me siguri mbetet aseti më kompleks i mundshëm me të cilin është ballafaquar Kosova ndonjëherë. Ky kompleksitet buron fillimisht nga rëndësia historike e kombinatit metalurgjik në veri të Kosovës dhe për gjithë potencialin zhvillimor që ai mban për të ardhmen. “Trepça” – me gjithë pasurinë e saj – mbetet aseti më i rëndësishëm ekonomik yni. Kompleksiteti i asetit shtohet edhe nga vetë natyra e manaxhimit biznesor të tij përgjatë këtyre pesëmbëdhjetë viteve të fundit, menaxhim i përcjellë kryesisht me neglizhencë të pashpjegueshme institucionale. Natyra komplekse biznesore e “Trepçës” rëndohet edhe nga pretendimet e kredidhënësve që – me apo pa të drejtë – rëndojnë fotografinë e mundësive borxhpaguese. Dhe për të mos mjaftuar gjithë këto, gjysma e asetit të “Trepçës” është jashtë kontrollit institucional të Republikës së Kosovës; kontrollohet pra nga institucionet ende paralele në veri.

Pra adresimi i problemit të “Trepçës” nuk ka qenë asnjëherë i lehtë; e mbi të gjitha ka qenë tërësisht i pamundur për të marrë udhë në një vikend të vetëm – sa ishte edhe koha e promovimit qeveritar për të dhënë zgjidhje. Ky promovim u ngatërrua keq e rëndë kur fotografia e transferimit pronësor nga një ndërmarrje shoqërore në atë publike u duk e zymtë dhe me plot borxhe. Kështu, nëpërmjet një menaxhimi skandaloz të situatës publike, me shumë oportunitet për nacionalistët në Serbi, një nismë për dhënie të zgjidhjes për “Trepçën” reversoi në disfatë e indinjatë gjithëqytetare këndej.

Është pra fatkeqësi gjithënacionale që problemi i transferimit nuk ishte adresuar shumë më parë. Sa për rikujtim, Agjencia Kosovare e Privatizimit, institucion i themeluar e menaxhuar nga Kuvendi i Republikës, ka kohë që ka vendosur një moratorium rreth ndërmarrjes shoqërore të “Trepçës”. Ky moratorium do të skadonte më 2 shkurt të këtij viti; si refleksion ndaj një ultimatumi për zgjidhje të lëshuar nga Dhoma e Veçantë e Gjykatë Supreme të Kosovës – e cila pra kërkonte një zgjidhje – në të kundërtën do të likuidonte (falimentonte asetin). Procesi i likuidimit do të mund të nënkuptonte jo vetëm largimin nga puna të 5.000 shqiptarëve e 3.000 serbëve atje, por edhe blerjen e “Trepçës” nga likuidatorët – të cilët me të gjitha ligjet aplikabile në vend (dhe ato ndërkombëtare) mund të kenë e jenë nga gjithandej e gjithkush; përfshirë edhe dikë si vetë Qeveria e Serbisë. Njëtrajtësisht, nëpërmjet procesit të privatizimit nga AKP-ja, investitori final mund të jetë i papërcaktuar nga preferencat tona. Pra edhe me likuidim, edhe me privatizim të ndërmarrjes shoqërore, “Trepça” mund të përfundonte tek dikush me interesa të kundërta të Kosovës.
Por, për të dhënë e kuptuar mirë gjendjen e tanishme të asetit dhe alternativat e manaxhimit të tij, dua të ndërtoj për lexuesit disa premisa të përgjithshme që mund të japin një qartësim minor në këtë drejtim.

Premisa e parë – dhe më e rëndësishmja – mbetet ajo e së drejtës trashëguese të pronës që ndodhet në Kosovë. Nuk ka asnjë dyshim – dhe për këtë të mbesim të sigurt – që e gjithë pasuria e Kosovës, ligjërisht, i takon vetëm Kosovës. Kjo e drejtë ndërkombëtare na është garantuar me vet Pakon e Ahtisaarit, në nenet 8.3 e 8.4 si dhe në Aneksin 7 të pakos. Rrjedhimisht, secili shtet që njeh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, njeh dhe gjithë pasurinë që ndodhet në Kosovë si pasuri të popullit të saj. Ky fakt – i njohur ndërkombëtarisht pra – ka gjasë të kontestohet aq sa ka gjasë të kontestohet vetë pavarësia e Republikës së Kosovës. E drejta mbi pronën madje është njohur edhe nga mekanizmi administrues i Kombeve të Bashkuara që ishte vendosur menjëherë pas luftës në Kosovë, e i cili – duke njohur trashëgiminë e pronës së Kosovës tek populli i Kosovës – kishte ndarë atë në dy grupe, në pronën publike (ku bënin pjesë kryesisht shërbimet publike) aksionare e së cilës do të mbeste Qeveria e Kosovës, dhe në pronën shoqërore, për të cilën përgjegjëse do të mbetej një trup mirëbesimi i cili përfundimisht do të shndërrohej në AKP (“Trepça” bën pjesë në këtë të fundit). Në të dyja rastet pra, trashëgimtar i pakontestuar mbetej populli i Kosovës.

Në këtë vijë lind dhe premisa e dytë. Të gjitha pretendimet e Qeverisë së Serbisë për hise në Trepçë, janë ligjërisht po aq jovalide sa edhe pretendimet e saj për gjithë Kosovën. Pra, ligjërisht, dhe me legjitimitet të pranuar ndërkombëtarisht, Serbia ka zero gjasë të trashëgojë diçka nga pasuria e Kosovës, përfshirë edhe “Trepçën”, pra. Kjo natyrisht nuk do të thotë se ne duhet të qëndrojmë në rehati – sidomos kur nuk ushtrojmë sovranitet mbi Veriun – përkundrazi, duhet të alarmojmë gjithë miqtë tanë për ndërhyrje politike në sistemin tonë politik; si të gjitha të tjerat të deritanishmet. Mbi të gjitha, në asnjë rrethanë, nuk duhet që veprimet e qeverisë sonë të ndërlidhen me veprimet propaganduese e joligjore të Serbisë.

Ka një parim universal në transferimin pronësor të pasurisë; ajo – pasuria pra – transferohet me gjithë detyrimet, me borxhet, pra; dhe kjo bën premisën e tretë të diskutimit tim mbi “Trepçën” . Transferimi pronësor i “Trepçës” – nga një ndërmarrje shoqërore nën administrimin e një fondi mirëbesimi që sot mban emrin AKP, në një ndërmarrje publike e administruar nga vetë Qeveria e Republikës – nënkupton e mirëkupton ndërlidhshmërinë e borxheve me pasurinë e të pasurisë me borxhe.

Republika e re e Kosovës, e shpallur dhe krijuar më 2008, ka pranuar të gjitha borxhet e pasurisë së trashëguar – përderisa ato borxhe mund të dokumentohen në ndërlidhshmëri dhe ekskluzivisht me vetë pasurinë. Sepse detyrimet e borxhet e saj kanë pasur karakter të garancisë e njohjes ndërkombëtare. Mbi këto borxhe (të dokumentuara) janë krijuar edhe asetet që ne i kemi trashëguar postpavarësisë. Pra ne nuk mund të pretendojmë trashëgiminë e një aseti, duke e shkëputur asetin nga borxhet e tij. Thënë ndryshe, një kredi e marrë nga “Trepça” (nga një sistem politik i njohur ndërkombëtarisht), prej një institucioni kredidhënës ndërkombëtar (nga të njëjtit që marrim borxhe edhe sot), e i investuar në asete të cilat i trashëgojmë tani – një kredi e tillë pra – është borxh i pakontestuar i ndërmarrjes dhe secilit pronar e trashëgimtar të saj. Ne, ndërsa, mund të kontestojmë dhe refuzojmë secilin borxh që plotëson kriterin e diskriminimit – pra të gjitha borxhet e marra gjatë regjimit të Milosheviqit dhe të përdorura për qëllime krejt të tjera nga qëllimi fillestar i marrjes së borxhit. Kjo e drejtë na është garantuar sërish edhe me ligjet e para të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë por edhe me vet Pakon e Ahtisaarit.

Sipas prezantimeve qeveritare, llogaritet që “Trepça” ka mbi 1.4 miliardë kërkesa për borxhe; një pjesë e madhe e të cilave ndërlidhen edhe me vetë punëtorët e saj. Një pjesë tjetër mund dhe të dokumentohet si jo valide, sidomos kur pretendimet për borxhe vijnë nga fondet Milosheviqiane; por gjithsesi, është fakt i pakontestuar se nuk ka as edhe një vlerësim të vetëm mbi vërtetësinë e këtyre borxheve. Për këtë natyrisht duhet drejtuar përgjegjësinë në AKP dhe në vetë institucionet e Kosovës të cilët nuk kanë bërë e dhënë as edhe më të voglin angazhim për të përfunduar një evidentim të tillë. Institucionet, sepse tash e sa vite e kanë lënë AKP-në pa bord e pa strukturë udhëheqëse, e AKP-në sepse kur ka pasur një të tillë nuk ka përfunduar as aktin më të domosdoshëm rreth “Trepçës” – pra verifikimin e kërkesave të deponuara tek ta – për borxhe.

Në këto rrethana Kosovës i kishin mbetur dy alternativa, e para që “Trepça” të shndërrohet në ndërmarrje publike. Shndërrimi në ndërmarrje publike – me ligj të veçantë – do të kthente pasurinë në pronësi të Qeverisë, por njëtrajtësisht do të nënkuptonte edhe marrjen përsipër të të gjitha borxheve të ndërlidhura me “Trepçën” . Në këtë logjikë, Kosova brenda natës mund t’i shtonte vetes – në skenarin më të zi – rreth 1.4 miliardë euro borxh të njohur ndërkombëtarisht. Propozimi – për transferim në ndërmarrje publike dhe më pas llogaritje të borxheve nuk ishte i ri, ishte propozim i qeverisjes së kaluar. Personalisht nuk do t’i rekomandoja asnjë qeverie marrjen e një vendimi të tillë pa ditur saktësinë dhe vërtetësinë e këtyre borxheve. Pra natyrshëm, për t’iu shmangur secilit rrezik për hiperborxhe dhe bllokim financiar të shtetit – do të verifikoja ato e më pas do të mendoja zgjidhjen. Secili qatip mediatik amator që me hamendje e me rrahje gjoksi pretendon vërtetësinë e këtyre borxheve, pa asnjë procedurë verifikuese arbitrazhi vendor apo ndërkombëtar – pra hesapon me kutrum – nuk e ka as më të voglën ide për natyrën e problemit. Këto punë nuk shkojnë me emocione. Borxhet mund të dalin dhe zero, siç dhe mund të dalin 1.4 miliardë; për këto gjithsesi duhet procedurë.

Alternativa e dytë (gjithmonë për t’iu shmangur falimentimit) mbetej që të gjenden forma të mençura ristrukturimi e riorganizimi, alternativa e ide ligjore që do t’i mundësonin Kosovës pasjen e një fotografie të qartë të secilit skenar të mundshëm. Pra na duhet gjithsesi një strategji dhe një trajtim i veçantë për të zgjidhur një herë e mirë problemin më kompleks të mundshëm; atë të “Trepçës”.

Defekti i politikëbërjes sonë ishte në formën dhe mënyrën e prezantimit të kësaj alternative. Sikur e njëjta të jepej fillimisht, si ide e parë pra, kam përshtypjen se do të pranohej nga të gjithë. Në fund të fundit, e njëjta nuk ndryshonte asgjë nga e djeshmja, e pardjeshmja e deri tek pesëmbëdhjetë vite më parë. Kjo natyrshëm në vete dhe mbetet problem. Nuk merr asnjë arsyetim vonesa për zgjidhje të asetit më të rëndësishëm strategjik e ekonomik tonin. Por gjithsesi, kërkesa për një strategji të veçantë dhe ligj të veçantë – për transformim në ndërmarrje publike – mbetet për mendimin tim plotësisht valide.

Dhe në këtë problematikë u krijua disfata më e turpshme politike për Kosovën; pretendimi i Serbisë se kishte përcaktuar agjendën sovrane të Republikës sonë. Madje jo vetëm aq, kishte vendosur që çështjet pronësore – si “pasuri të Serbisë” – t’i trajtonte në Bruksel.

Nëse një pretendim i tillë do të ishte i vërtetë, atëherë Kosova për herë të parë do të regresonte institucionalisht e me sovranitet që nga shpallja e pavarësisë. Do të ishte akt i paprecedent, i pafalshëm dhe në çdo rrethanë armiqësor ndaj Kosovës – thjesht do të ishte antikushtetues. Sepse, për të qenë një pasuri e paluajtshme në Kosovë pasuri e Serbisë, do të duhej që Kosova të ishte Serbi. Këtë ide fashiste ka kohë që e kemi zgjidhur – këtë e dimë. Për diskutimet në Bruksel ndërsa, nëse duhet të diskutojmë për diçka, atëherë do të diskutojmë jo për pronën që na e njeh e gjithë bota që ka njohur shtetësinë e Kosovës, por do të diskutojmë për suksesionin (hisen) në pasurinë e ish-Jugosllavisë, për fondet e plaçkitura pensionale nga Qeveria e Serbisë, dhe mbi të gjitha, për dëmet e luftës – për miliarda euro dëme të bëra para vitit 1999 në Kosovë.

Institucionet e Kosovës kanë vendosur para vetes një moratorium të ri të trajtimit të problemit të “Trepçës”, i cili moratorium mund të zgjasë rreth 18 muaj të plotë. Në këtë periudhë institucionet tona do të duhet të funksionalizojnë fillimisht AKP-në, pra ta bëjnë me Bord e me strukturë udhëheqëse, e më pas duhet t’i mbledhin mendjet më të mira ekonomike, biznesore e ligjore – veçanërisht ligjore – për të gjetur një zgjidhje adekuate.
Në gjithë këtë rrugë, ne duhet të ngremë zërin kundër secilit pretendim territorial dhe të pasurisë së Kosovës nga fqinjët e Kosovës; sidomos kur këto pasuri na janë garantuar ndërkombëtarisht gjithherë.

Në fund fare, duhet pasur jashtëzakonisht kujdes ndaj një neni në ligjin e ri, i cili specifikon konsultimet me komunat veriore për fatin e pasurisë nacionale. Si në ikje, por e thënë në plotni, ky nen do të ishte sërish pengesë serioze e trajtimit të pasurisë së Kosovës. Pasuria nacionale e Kosovës nuk është pasuri komunale. Kur privatizojmë PTK-në nuk pyesim Komunën e Prishtinës e banorët e saj veçse PTK gjendet në Prishtinë; kur privatizojmë KEK-un nuk merremi me banorët në Obiliqit; e kur koncesionojmë Aeroportin nuk marrim aprovim në Lipjan. Njëtrajtësisht, nuk do të duhej të merrnin e as të mendonim të merrnim ndonjë pëlqim e ide nga veriorët për pasurinë nacionale të Kosovës. Sepse, siç na është garantuar me vetë shtetësinë, pasuria e Kosovës nuk është e një pjese të Kosovës, është e gjithë popullit të saj.

[email protected]

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...