Ku është opozita

24 Mars 2014 - 10:35 - Lumir Abdixhiku      

Në kohën kur partia në pushtet ka marrë hov me premtime e dhurata paraelektorale, partitë opozitare nuk duken të jenë askund

-1-

Merreni tregimin kështu: një kryeministër i rrahur nga dy mandate, i rënduar me skandale që prekin atë dhe pothuajse secilin rreth tij, i ngjyrosur me afera kriminale të plaçkitjeve publike në emër të privatizimit, i njohur me regres enorm ekonomik, i ditur me imazh të tmerrshëm e trishtues ndaj të huajve, i ardhur me marrëveshje sakatuese me Serbinë, i goditur me ndarje të partisë – dhe çka jo tjetër – vazhdon të sillet e të bëhet sërish favorit për zgjedhjet e verës apo vjeshtës; varësisht se kur do ai t’i mbajë ato.

Viziton shkolla, minatorë, nxënës e tifozë, premton paga, pensione, mëditje e para gjithandej, paralajmëron ushtri, stadium e rrugë plot, krijon zona ekonomike të lira e nënshkruan kontrata kolektive për sektorin privat – të gjitha në më pak se një muaj; pa llogaritur “xhokerët” tjerë që i mban nën mëngë, diçka si për shembull “nisja e autoudhës për në Shkup”. Të bëjnë të mendosh se është në opozitë. Në fakt, nuk është. Ky njeri ka konsumuar në formën më të zezë të mundshme dy mandate pushteti, por vazhdon të jetë në kërkim të të tretit me më shumë energji, me më shumë blof e me më shumë improvizime populliste që megjithatë ndezin; ndezin si ato “fabrikat e kërpudhave”, “investitorët japonezë” e “30 mijë vendet e punës” të premtuara në Mitrovicë nga një i paditur për të gjorët. Do të ndezin sa herë që ka dëshpërim – sepse në kërkim të shpëtimit e pasurimit të shpejtë, të shkretët e të gjorët janë në gjendje të pranojnë secilin premtim. U lulëzon të nesërmen si në film; ani pse e nesërmja me premtuesit naivë ka për t’i zhytur ata e gjithë të tjerët pas tyre në më tepër regres, në më tepër hajni, në më tepër izolim e në më tepër serbizim.

Premtimet janë për t’u dhënë, e popullizmat janë për t’u bërë. Mbarë jo, korrekt aspak, mirë hiç, por bëhen nga të gjithë, potencialisht do t’i bënin të gjithë. Kërkimi i votës megjithatë mbërthen popullizëm të përzier me ide; i mbari do të kishte më shumë ide, por gjithsesi të ngjyer me popullizëm. Por kundërshtimi i popullzimit bëhet gjithnjë e më i vështirë; sidomos nëse nuk di të përdorësh argumente po aq populliste. T’i argumentosh dikujt se për pagat e marra në fund të katërvjetëshit është dashur të japin gjithë ekonominë, është vështirë; se për ushtrinë e nisur në fund të mandatit duhet të japin vendet e rezervuara e integritetin shtetëror, është po ashtu vështirë; se për rrugën e Shkupit super të kushtueshme duhet të japin shëndetin, dijen e biznesin, është edhe më vështirë. Por e vështirja dhe e pamundura është mu punë e opozitës; sepse rrëzimi i një partie e grupi politik që menaxhon shtetin, me 1.6 miliardë buxhet – miliarda të tjera fonde, borxhe e kredi – me zaptim institucional, propagandë mediatike e parastrukturë kriminale nuk ka qenë asnjëherë lehtë; ka qenë gjithnjë vështirë. Po prandaj dhe ekziston opozita; që të zgjidhë të pazgjidhshmen e vështirë.

-2-

“Legjenda” thotë se kryeministri – që tani kërkon mandatin e tretë – ta ketë menduar mbarë e mirë ikjen pas këtyre zgjedhjeve. Sepse secili rreth tij e pranë tij kishte kuptuar se e bëra e gjertanishme – me gjithë të zezat e krijuara – nuk kishte gjasë për të gjetur amnisti tek kosovarët. I thoshin se kriminaliteti pushtetar ishte i paamnistueshëm, se regresi ekonomik ishte i patjetërsueshëm, se disfata integruese e dialoguese ishte e pakamuflueshme, se ndarja partiake ishte e papërballueshme; sepse të gjitha do t’i faturoheshin atij dhe pushtetit të tij.

Për më tepër, skandalet e pritura e në shpërthim e sipër për krime ekonomike prej EULEX-it që do t’i marrin gjerë e gjatë udhëheqës më në zë partiakë, bashkë me një disfatë tjetër nacionale rreth Tribunalit që do t’i largojnë atij muskujt e tjerë të partisë, ata të vjetrit – ka kohë që kanë frikësuar e çorientuar secilin në rrethin e tij. Aq shumë i kanë çorientuar saqë ka kohë që tenderët qeveritarë janë bërë të parëndësishëm për ta. Kujtoj se ka pothuajse gjashtë muaj që prokurimi publik në vend është i paralizuar (për shkak të paralizimit të OSHP-së). Në momentin e parë që këta kanë humbur interesin për pare, mu në atë moment, duhet të ketë ndodhur diçka më e madhe, shumë më e madhe se sa tenderët që i duan këta aq shumë.

Kryeministri pra do ta kishte kuptuar shpejt e lehtë nevojën për largim, sikur përballë të mos i shfaqej një komfort i pashpjegueshëm, i paarsyeshëm po u shpjegua, dhe i padurueshëm po u arsyetua e u shpjegua, i opozitës – veçanërisht partisë më të madhe opozitare, pra LDK-së. Me të kuptuar komfortin dhe potencialin real të fitores së tretë të zgjedhjeve, kryeministri kishte ngritur apetitet në nivelin tjetër; shansin e tretë. Kishte secilin parametër të mundshëm në dorë për të dhënë premtime – kush mërzitej se çfarë prodhojnë ato, do të jetë gjithsesi hera e fundit që garon politikisht. Kishte përkrahjen pragmatike ndërkombëtare që e shohin atë të vetmin me energji për të kontrolluar secilin “defekt” të brendshëm në misionin e një stabiliteti rajonal (madje për nofkën “delivery guy” apo “djaloshi dorëzues” që kryeministri ynë mban tek diplomatët, kanë dhënë kontribut edhe partitë opozitare që i kanë lejuar atij komfortin e përfundimit të punëve sa herë që është dashur). Pa llogaritur këtu nevojën për kthim borxhi që diplomatët ndërkombëtarë konsiderojnë që ia kanë atij pas raundeve negative me Serbinë që kanë prekur imazhin e tij brenda; kryeministri kishte parë dhe nevojën për mbijetesë nëpërmjet pushtetit, aq kohë sa potencialisht i duhet për të dalë (e ikur) “i pastër” katër vite nga tash. Një kombinim në mes të komfortit opozitar, mundësive populliste dhe përkrahjeve të mikrodiplomatëve ndërkombëtarë jepte gjithsesi gjasa të mira suksesi.

-3-

Në polin tjetër politik, të opozitës, tek LDK-ja, duket se pritja është rezultat i një komforti të pranuar – gabimisht – nga rezultati i zgjedhjeve lokale, i kombinuar me mungesë totale të energjisë kreative për të kundërshtuar pozitën për secilën ide – në masën saqë opozitëbërja rrumbullakohet rreth disa paraqitjeve të vdekura të konferencave për shtyp; bashkë me një servilizëm të pashoq të individëve të ricikluar tash e sa vjet, të cilët – sipas “legjendës” – poshtërojnë veten në masën sa nëpër takime partiake pyesin liderin e partisë se “mos i narthin këmbët”.

LDK-ja duket se ka harruar disa premisa të rrjedhjes së zgjedhjeve, të cilat, po nuk u adresuan, do ta mbajnë sigurt partinë larg vendit të parë. Premisa e parë ka të bëjë me faktin se LDK-ja duket se ka harruar se zgjedhjet lokale nuk e kanë vendosur atë si të parën; hiç se hiç si fituese të garantuar. Ende pa dalë në pah “xhokerët” e kryeministrit, që megjithatë do të bëjnë nam popullist, PDK-ja megjithatë kishte mbetur si e para në zgjedhjet lokale; me “xhokerët” popullistë në lojë ajo do të amortizojë gjithsesi trendin e rënies që dukej në horizont tash e sa kohë. Amortizimi i rënies së PDK-së mund të befasojë lirshëm strategjinë e LDK-së e cila si duket është orientuar jo drejt rritjes së partisë, por drejt pritjes për rënie të kundërshtarit. Kjo rënie mund të jetë lehtësisht e pamjaftueshme për LDK-në.

Premisa e dytë ka të bëjë me faktin se LDK-ja harron se po përballet me një oponencë tjetër, lëvizjen “Vetëvendosje!” e cila me përkushtimin e saj për të dëshmuar duart e pastra në politikëbërje do t’i godasë ata – si oponencë reale të tyre – me aq forcë sa mundet nëpërmjet shpërfaqjes së të gjitha skandaleve komunale të 14 viteve të shkuara në Prishtinë, të bëra nga individë që i di e njeh i gjithë shehri, por që nuk janë amortizuar asnjëherë nga partia. Këto skandale dhe kjo goditje do të shpërthejnë pak para zgjedhjeve; dhe ato kanë për të prekur pozicionin e LDK-së dukshëm për aq kohë sa kjo e fundit nuk distancohet dhe nuk përjashton krimbërësit e vet. Përderisa pretendon se ka radhë të pastra – e që nuk i ka – do të marrë vetëm veten në qafë. Goditje antikriminale LDK-ja do të marrë edhe nga EULEX-i, që duket se më në fund po bën punën që është dashur të bëjë kaherë. Në LDK ka shumë ish-pushtetarë e individë të tjerë që kanë fjetur me krimin gjerë e gjatë; e të cilët në vend se të largohen nga partia janë mbajtur e kamufluar diku mes gjithë të tjerëve. Kostoja e kamuflimit do të paguhet megjithatë nga të gjithë – kurdo që antikrimi të shpërthejë.

Premisa e tretë ka të bëjë me mungesën totale të ideve nga kjo parti; mungesë kjo që mund të arsyetojë mosangazhimin e hershëm për alternativëdhënie nga LDK-ja. Njerëzit e rendit të parë nuk duken askund me ofertë – oferta politike/qeverisëse mbetet në mirëbesim teorik të një mirësie njerëzore, por nuk është askund në letër; është jokonkrete. E oponenca politike me mikrofon para dy-tri kamerave është kaherë oponencë pa takt e pa shije. Kjo parti tani për tani duket se nuk ka sy e shije për zgjidhje dhe zgjedhje. Shto kësaj dhe shterjen e individëve të po atij rendi të parë, të konsumuar e stërkonsumuar nga praktika qeverisëse që shembull s’ke pse i merr, dhe ke një pasqyrë të përafërt të arsyeshmërisë së mosangazhimit eventual që shihet sot tek LDK-ja. Secili që ka pritur fytyrë të re të LDK-së në zgjedhje nacionale do të dëshpërohet me prezencën e individëve të njëjtë e të topitur, të cilët përndryshe kanë bërë kryeministrin e tanishëm të duket superzgjidhje kur ata vetë ishin në pozitë.

Këta individë, servilë e jo servilë këmbësh, gjithsesi zaptues të partisë, preferojnë secilin tjetër t’u vijë pas, por assesi të kanalizojnë energjitë e reja që ata t’u shkojnë pas. Madje, ato pak fytyra të reja që janë në parti, janë rrumbullakuar nga të vjetrit vetëm rreth mikrofonave mediaë – dhe të rinjtë dalin vetëm atëherë kur të vjetrit nuk dinë e nuk kanë çfarë të thonë, përndryshe as që kanë ndonjë gjasë. Prepotenca politike e të tillëve do të shfaqë më shumë aversion e neveri se sa shenjë simpatie. Në fund të fundit secili mund të presë për ciklin tjetër – të gjeneratës së re – e cila, siç erdh në Prishtinë, Gjakovë e Pejë do të vijë edhe në qendër; herëdo kurdo.

Nëse LDK-ja pret që gjithë fushatën ta bëjë pak para zgjedhjeve, rrezikon të humbasë mu si humbi Prishtinën. Sepse përndjekja e ideve të “kujdestarëve të këmbëve” që frikësojnë secilin votues racionalë – në atë masë saqë kryeministrin më të keq të historisë sonë e shohin si alternativë të vetme të pjekur – do të dërgojë partinë në rënie të parikuperueshme, eventualisht (më së shumti) në një koalicion me vetë “djallin” për të shpëtuar veten; gjithsesi duke djegur partinë në më pak se katër vjet.

-4-

Lëvizja “Vetëvendosje!”, në anën tjetër, mund të futet në zgjedhje nacionale e “hendikepuar” nga angazhimi në kryeqytet. Disa nga individët kryesorë të saj as që do të marrin pjesë në garën nacionale, duke lënë qendrën kështu bukur të zbrazët. Plotësimi i saj do të varet tërësisht nga angazhimi i VV-së për t’u transformuar e hapur shumë. Pavarësisht hapjes ose jo, ky “hendikep’ i angazhimit në kryeqytet, kam përshtypjen, parandalon VV-në të aktivizohet në potencë të plotë në qendër.

Por përtej zgjerimit (në pushtet) që megjithatë shkakton cektësi (në njerëz), VV paralizon veten edhe me polarizimin apriori që bën në relacion me opozitën tjetër. Qëndrimi i përgjithshëm i VV-së se ajo nuk bën koalicione me asnjë parti përderisa ajo nuk del vetë e para, e shpërfaq atë – në terme reale – para votuesve si alternativë me potencial të mirë, por jo të mjaftueshëm për të rrëzuar këtë qeverisje. Pra polarizimi i VV-së (pavarësisht se a është i drejtë apo jo) e projekton atë me gjasa më të vogla për një fitore potenciale (ndonëse praktika e Prishtinës deri më tani ka rrënuar secilën logjikë parashikuese si kjo). Pavarësisht kësaj, në një rrethanë normale, votuesit natyrshëm do të shkonin tek alternativa më reale për ndryshim (siç kishte ndodhur me vetë fitoren e tyre në Prishtinë madje), e që del të jetë partia në rend, pra LDK.

Thënë ndryshe, do të duhej një forcë enorme e futur në “Lëvizje” që ta bëjë atë të “lëvizë” e kështu të marrë pushtetin; pra të kalojë “rendin e LDK-së”. Natyrisht se ky rend i LDK-së (që nuk është i përjetshëm) mund të zëvendësohet pas këtyre zgjedhjeve me qeverisjen pozitive që VV do të tregojë në Prishtinë – e them pozitive me shumë siguri, meqë në VV janë aq të mençur sa të kuptojnë se gjasë si kjo e Prishtinës nuk mund të kenë sërish po e ngatërruan sot. Ky shembull i qeverisjes së mirë, bashkë me goditjet ndaj oponencës reale të tyre, LDK-së, mund t’i vërë ata si alternativë kryesore qeverisëse pas katër viteve të ardhshme – në çdo rrethanë të mundshme. Në çdo rrethanë meqë, po doli e para PDK-ja e shkoi vetë, LDK-ja nuk ka gjasa të ngrihet në këmbë për një kohë të gjatë; po doli e para PDK-ja e shkoi me LDK-në, kjo e fundit (dhe e para) kanë më së shumti katër vjet në këtë martesë të brishtë.

Një relacion i tillë i forcave, kam përshtypjen, nuk jep energji e motiv shumë në VV për të treguar se cili është kandidati i ardhshëm për kryeministër nga ta. Fakti se nuk dalin me një të tillë i bën ata të paradorëzohen qysh tash për qeverisje, por jo për një garë afatgjatë. Ata kanë secilin parakusht të triumfojnë eventualisht pas këtyre zgjedhjeve. Prandaj dhe kjo oponencë e tyre, në kohën që kryeministri kamuflon dështimet me popullizëm, nuk duket në pah tash – sikur prezervohet për më vonë, kur të marrin rend.

Pavarësisht të gjithave, tani për tani, duket se të gjithë në opozitë kanë lënë t’i hapin letrat për në fund; prandaj dhe nuk janë – tash për tash – askund.

abdixhiku@facebook.com
© KOHA.net
 

 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...