19 Maj 2014 - 08:52 - Lumir Abdixhiku
-1-
Janë zgjedhjet, lexues. E me zgjedhje, në zgjedhje e nga to, burojnë edhe çudirat me ngjyra plot. Kështu është Kosova sot; në të vërtetë, kështu ka qenë tash e sa kohë. Por në vend të zhbërjes së të bërave të pabërave, ky vend po bën edhe më shumë të pabëra. Sikurse nuk ngopet me anomalitë që bën në vazhdimësi. Sikurse nuk ka marre, konsideratë e vetërespekt për të vetat që i bën; por që – pra – nuk do të duhej t’i bënte; në asnjë rrethanë, për asnjë çmim; asnjëherë; as atëherë kur ka zgjedhje.
Është kohë e çudirave, lexues. Aderimet, prurjet, ikjet ulën poshtë shumë pazarin. Servilizmi dhe nevoja për përkëdhelje partiake po merr formë të vlerës së pranueshme; sikurse nuk i bëhet vonë kujt pse servilon. Ky transferim vlerash ka zhvlerësuar gjithçka gjithandej; sa që më askush nuk habitet nga një antivlerë – dhe ky, kam përshtypjen, është suksesi më i madh i antisuksesit nga mbizotërimi i antivlerave ndaj vlerave. Kur gjithçka është e pranueshme, të pavlerët marrin terren; siç dhe ndodh tani. Nëse ka pasur një strategji të dikujt për të topitur risitë dhe grumbullimet partiake, e ka arritur me plot kuptim.
-2-
Është kohë e çudirave, lexues. Mund të kem pritur gjithçka, gjithandej, por pjesëmarrjen e institucioneve biznesore – pra të atyre organizmave që përfaqësojnë vetë bizneset kosovare – në një promovim paraelektoral partiak – siç ishte ai i PDK-së – këtë nuk e kam pritur asnjëherë. Për më tepër lavdet glorifikuese e supervlerësuese për një kandidat, përveçse ishin të turpshme, përbënin edhe kulmin e hiopokrizisë.
Asociacionet e bizneseve nuk janë biznese, të cilët në fund të fundit kanë legjitimitet të financojnë dhe të anojnë për parti politike, por janë institucione të pavarura e përfaqësuese të bizneseve. E si përfaqësues të të gjitha bizneseve apartiake, ato nuk duhet të ushqejnë servilitetin partiak që po ngjiz gjithandej; nuk kanë të drejtë dhe nuk bëjnë mirë. Sepse mediet, institucionet e pavarura e publike, përfshirë dhe asociacionet e bizneseve, e kanë obligim – jo zgjedhje – paanshëmrinë gjatë fushatave elektorale. Favorizimet partiake në fund të fundit vetëm se zhbëjnë reputacionin e tyre; nëse do të mbetet diçka për t'u zhbërë. Ndërkaq thirrjet e çjerrjet glorifikuese gjatë fjalimeve të tyre më gërditin në lukth për faktin se ky vend u jep hapësirë shprehje-mendjesh edhe atyre që marrin titullin “doctor honoris causa” nga një tyxhar indian.
Kapja e bizneseve është e trishtueshme; politizimi i tyre është ngufatës, varësia jonë në të tillë është tragjedi. Ky partiakizëm enorm i bizneseve, kam përshtypjen, se nuk bëhet për qejf të tyre – bëhet nga halli, nga shantazhi dhe nga frika e sanksionimit. Sepse pushteti, lexues, është sot faktor i ekzistencës ose jo i bizneseve. Jo me politikat të tij – siç do të duhej të ishte normalisht – por me paratë dhe fondet që ai ndanë, për kë të dojë si të dojë. Prandaj dhe i kap për hundësh secilin që guxon të mendojë për biznes e për krijim vlere.
-3-
Është kohë e çudirave, lexues. Pas dy mandatave keqqeverisjeje, hajnie, zhvlerësimi e regresi, kryeministrit i bie në mend të krijojë ekonominë – punën pra; atë për të cilën hallexhinjtë kosovarë kishin nevojë tash e dy mandate – së paku. Dhe kështu, “misioni i ri” – që megjithatë u interpretua me brilancë si “milioni i ri” – fillon të premtojë punë. Pale çfarë pune se; plot 200.000 vende të reja në katër vjet. Paradoksalisht numri i njëjtë – veçse me shumë më pak finesë e stil – u replikua edhe nga AAK-ja.
Premtimi për 200.000 vende të reja punë për vetëm katër vjet mandat, kalon secilën çudi paraelektorale, secilin kuptim ekonomik dhe secilën tendencë talljeje publike; është i pakapërcyeshëm kur vjen puna tek bërja e hajgares publike. Sa për rikujtim, për të krijuar 200.000 vende të reja pune për vetëm katër vjet, përkatësisht nga 50.000 vende të reja pune çdo vit, Kosova duhet të ketë – minimalisht – rritje ekonomike vjetore prej 20%; apo shtatë herë më shumë se sa ka pasur gjatë dy mandateve të shkuara nën qeverisjen e po të njëjtit kryeministër.
A e dini cili shtet ka pasur rritje ekonomike prej 20% në katër vjet rend, në gjithë historinë e njerëzimit? Asnjëri; hiç, kurrë, asnjëherë. As atëherë kur kanë zbuluar naftë, as atëherë kur kanë shkuar në Hënë e as atëherë kur kanë thyer imagjinatën e arritjeve teknologjike; asnjëherë hiç. Pra, për ta bërë një tallje të tillë realitet, kryeministri në largim jo vetëm se duhet të shtatëfishojë performancën e tanishme të tij dhe të Kosovës, por duhet të thyejë secilin rekord ekonomik botëror të vënë ndonjëherë nga ndonjë shtet.
Hallexhinjtë mund edhe t’i besojnë; ngase janë të shkretët në hall; porse nuk i kuptoj ekspertët partiakë, individët me pak kredibilitet dhe gjithë të tjerët që kanë guxim të bëjnë këso hesapesh patetike në Kosovën e vitit 2014. Në secilin shtet tjetër evropian një deklarim i tillë do të shndërrohej në antitallje publike; në një skeç komik – nga komikët për komikët; në Kosovën e vitit 2014 talljet si këto duartrokiten me mburrje.
-4-
Futja në grackë të premtimeve – kam përshtypjen – se është menduar shumë më mirë se çfarë perceptohet rëndom. Sepse, nëpërmjet premtimeve e superpremtimeve me apo pa bazë, devalvohet secili premtim tjetër opozitar; në sy të votuesve të gjitha premtimet – edhe nëse janë të mira – do të shihen njëjtë. Përveçse devalvohen alternativat opozitare, superpremtimet e kanë efektin e shtyrjes së partive për të bërë garë. Pra kur partia në pushtet thotë se do t’i rrisë pagat për 25% çdo vit, del një parti tjetër opozitare që nga halli se s’i t’i mundë idetë, premton edhe më çmendurisht – pagë prej 1000 eurove. Kur partia në pushtet i premton 200.000 vende pune; del një parti tjetër opozitare që sërish nga halli premton njëjtë; edhe ne plot 200.000 – në mos më shumë. Kur partia në pushtet premton anëtarësim në BE dhe në NATO për katër vjet; del një parti tjetër opozitare që premton dhe Kombe të Bashkuara. Kështu të gjithë bëhen pjesë e një shfaqjeje komike ku asgjë më nuk merret seriozisht; pra të gjithë bëhen të njëjtë.
E bërja e të gjithëve njëjtë është favorizuese vetëm për një individ, kryeministrin e tanishëm, i cili është mësuar të notojë mirë shumë në një ambient çmendurish e deliresh euforike.
Prandaj, nëse ka pasur ndonjë skenarë për të devalvuar prurjet, ka dhënë sukses; nëse ka pasur ndonjë skenar për të devalvuar idetë dhe premtimet; ka dhënë sukses; nëse ka pasur ndonjë skenar për t’i shpërfaqur të gjithë njëjtë, ka pasur sukses. Sepse sot, prurjet, premtimet e superpremtimet po japin vetëm çudira.
[email protected]
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...