Letrat e Panamasë

11 Prill 2016 - 08:30 - Lumir Abdixhiku      

Mbi skandalin më të madh financiar të bërë publik ndonjëherë

-1-

“Panamapapers” apo letrat nga Panamaja shpërthyen këtë javë. Një në skandalet më të mëdha financiare kishte rrjedhur nga një burim i panjohur te gazeta gjermane “Suddeutsche Zeitung” – e cila kishte angazhuar më pas mbi 100 media me mbi 400 gazetarë në plot 80 shtete. Grupe investigative nga “The Guardian”, BBC, WDR, “Le Monde”, “El Confidencial”, “La Nacion”, NDR – e shumë të tjera, kishin kaluar plot një vit në shfletimin dhe investigimin e dokumenteve të pranuara; ishin plot 12 milionë dokumente të tilla. Për të kuptuar madhësinë e dokumenteve në fjalë, publikuesit i kishin krahasuar ato me skandalin e famshëm të kabllogrameve diplomatike të “Wikileaks”. Pra, përderisa në skandalin “Wikileaks” kishin rrjedhur dokumente në madhësi prej 1.7 gigabajt, në këtë të “Panamapapers” dokumentet zinin një hapësirë prej plot 2.6 terabajt. “Wikileaks” pra bënte vetëm 0,0007% të dokumenteve të “Panamapapers”.

Materiale pra kishte përplot; e vetmja mënyrë për shfletimin, hetimin dhe publikimin e tyre ishte në organizimin e një iniciative globale investigative – të mediumeve më të fuqishme botërore. Kjo iniciativë kishte përfunduar raundin e parë këtë javë.

Mashtrimet e para publike përfshinin emra nga Vladimir Putin te kryeministri i Islandës, nga presidenti i Ukrainës deri te regjimet e Lindjes, nga zyrtarët e FIFA-s deri te Lionel Messi e Michel Platini. Lista e emrave të përfshirë në skandale financiare ishte enorme. Mbi 40 zyrtarë të lartë të qeverive nëpër botë ishin në lidhje – vetë apo nëpërmjet miqve e familjarëve të vet – me shmangien e taksave, themelimin e kompanive “offshore”, fshehjen e pasurive e shpëlarjen e parave.

-2-

“Panamapapers” përmbante regjistra transaksionesh të një kompanie të themeluar në Panama nga një emigrant gjerman me emrin Jurgen Mossack. “Mossack Fronseca”, siç dhe ishte emri i kompanisë, kishte rreth 214.000 klientë – të gjitha kompani “offshore”.

Kompanitë “offshore” janë pjesë përbërëse e parajsave fiskale – e vendeve që nuk kanë kontrolle mbi kapitalin, origjinën apo destinacionin e tij. Panamaja ishte një vend i tillë për tri arsye kryesore. E para, në Panama është fare e lehtë të regjistrosh një biznes edhe po nuk je banor i vendit. Një të drejtë të tillë pak vende nëpër botë e bëjnë. E dyta, regjistrimi i biznesit në Panama nuk kërkon informacione mbi pronarët e biznesit – pra është fare lehtë të regjistrosh një biznes duke ruajtur privatësinë e duke mos bërë publik asnjë detaj mbi pronësinë. Shumë vende nëpër botë verifikojnë e kalojnë nëpër procedura strikte të vërtetimit të pronarit dhe – mbi të gjitha – burimit të kapitalit; Panama – dhe shumë vende përreth saj nuk e bëjnë një gjë të tillë. Dhe e treta, në Panama, regjimet fiskale – pra normat e taksave – janë jashtëzakonisht të ulëta. Ky fakt bënte që i gjithë procesi të ishte edhe diskret, edhe i lehtë, por edhe i lirë.

Në gjithë këtë proces, firmat ligjore, sikurse “Mossack Fronseca”, luanin një rol qenësor. Në të vërtetë, ishin firmat ligjore që bënin themelimin e kompanive “offshore”, dhe ishin vetëm firmat ligjore ato që kishin informacione të plota mbi fondet, transaksionet dhe investitorët. Baza e të dhënave të një të tille kishte rrjedhur këtë herë.

-3-

Logjika e skemës ishte fare e thjeshtë. Një individ që kishte fonde të dhëna – të pista ose jo këtë herë ka pak rëndësi – kontaktonte një firmë ligjore si “Mossack Fronseca” në Panama. E njëjta më pas themelonte një kompani në emër të këtij individi, informacionet e të cilit nuk kishte pse t’i bënte publike – sepse ligji atje nuk kërkonte një gjë të tillë, dhe kalonte gjithë fondet e dhëna në emër të saj. Kjo kompani, më pas investonte lirshëm nëpër botë – përfshirë madje edhe në vendin e origjinës nga ku individi kishte nxjerrë fondet në fillim. Investimet e bëra ishin dhënë si të jashtme. Një cikël i tillë shpërlante paratë. Investimi nga një kompani e regjistruar në Panama ishte tërësisht ligjor, ani pse mjetet jo domosdo ishin të tilla.

Por të mos harrojmë, jo të gjitha kompanitë “offshore” merreshin me aktivitete joligjore. Shumë kompani e qytetarë nëpër botë, për shërbimet e veta angazhojnë kompani që operojnë në parajsa fiskale – sikurse kjo e Panamasë – jo për të fshehur paratë, por për të paguar më pak taksa. E pagesa më e ulët e taksave është plotësisht ligjore. Pra ka një dallim substancial në mes të “tax avoidance” (në shqip “shmangja e taksave”) dhe “tax evasion” (në shqip “evazioni fiskal”). Shmangja e taksave, për dallim nga evazioni fiskal, është një veprim legal që përfshin gjetjen e vrimave ligjore për operacione biznesore që ulin obligimet e tatimeve. Evazioni fiskal është fshehje e detyrimeve fiskale përkundër obligimit ligjor për t’i paguar ato. Ani pse në definicion e vepër të dy termet kanë dallime të theksuara, në pasoja ato janë të njëjta; më pak kontribut buxhetor në qeveritë respektive.

Motivet e shfrytëzimit të Panamasë pra ishin të ndryshme. Për kryeministrin e Islandës, për shembull, ato ndërlidheshin me shmangien e taksave – jo me shpëlarjen e parave. Skandali, megjithatë, e kishte ndërlidhur atë me fshehje të pasurisë. Një kompani në emër të gruas së tij – ani pse e regjistruar në Panama – nuk ishte deklaruar nga ai. Për këtë ishte detyruar të jepte dorëheqjen.

Për presidentin e Rusisë, Putin, skandali përbënte përveç fshehjes së pasurisë edhe shpëlarje të parave. Ani pse emri i tij nuk ishte gjetur në asnjë dokument të dhënë, ishin emrat e familjarëve dhe miqve të ngushtë të tij, që gjendeshin gjithandej. Kështu, kumari i vajzës së tij, shoku i afërm i gjithë fëmijërisë së tij, një muzikant i rëndomë, pa asnjë përvojë biznesore, kishte plot 2 miliardë asete të regjistruara në Panama. Një pjesë e këtyre aseteve ishte investuar më pas në Rusi – në qendra të skjimit, në qendra tregtare, rafineri e biznese të tjera.

-4-

Skandalet domosdo do të prekin edhe Ballkanin. Në Ballkan, si në pjesën më të madhe të Evropës Lindore, pasurimi i shpejtë e korruptues i politikanëve e biznesmenëve të ndërlidhur me politikën kërkon domosdo një proces shpëlarës – e që domosdo ka ndodhur këndej.

“Panamapapers” mund edhe të mos i shfaqë të gjithë. Në fund të ditës, bëhet fjalë për dokumentet e vetëm një firme ligjore – të “Mossack Fronseca”. Në Panama ka me qindra e mijëra firma ligjore të tilla, dokumentet e të cilave natyrisht se mbahen sekret. Por, mbi të gjitha, një skemë e tillë operimi, për shumë aksidentalë të korruptuar tanë mund të jetë edhe e komplikuar. Skemat e këtyre tanëve duhet të jenë më të thjeshta. Në Kosovën me kontroll financiar e regjistrues të dobët, të njëjtat para janë investuar herë në pasuri të paluajtshme (brenda e jashtë) e herë në biznese që sot janë ndër më të mëdhatë në vend.

Për percepcionin publik, kosovarët nuk kanë nevojë t’i presin skandalet ndërkombëtare. Mjaftojnë t’u shohësh shtëpitë, vilat, tokat, xhipat e pasuritë tjera gjithandej – të bëra shpejt e lehtë. Për procesime gjyqësore – natyrisht – duhen dokumente të tilla. Ato mund edhe të mos bëhen publike asnjëherë, por skandali i Panamasë gjithsesi ka treguar se asnjë fshehtësi nuk mund të rrijë e tillë përherë.

[email protected] 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...