Gjashtëmbëdhjetë ditë

4 Janar 2016 - 08:14 - Lumir Abdixhiku      

Republika, siç do duhej të ishte nga nesër

 

Në ditën e parë të punës të vitit të ri, partitë politike kosovare ishin ulur në tavolinë. Uljes i kishin paraprirë dy procese. I pari ishte interpretimi i Gjykatës Kushtetuese që i parashihte si kundër kushtetuese disa nga parimet e marrëveshjes; rrjedhimisht kërkonte me domosdoshmëri ridefinimin e tyre gjatë hartimit të statutit. Paralel me interpretimin e Kushtetueses, palët kishin kërkuar mendim edhe nga Komisioni i Venecias. Vetëm një përputhje e dy mendimeve do t’i jepte validitet të plotë interpretimit përfundimtar; në të kundërtën, do të shkohej në zgjedhje – kosovarët do të vendosnin vetë. Në të dytin, Qeveria kishte shkarkuar Komisionin për Demarkacion; në krye të tij kishte lënë vend hapur për një kandidat koordinimi prej opozite. Pas uljes, palët ishin marrë vesh – lehtë – rreth përplasjeve.

Në ditën e dytë të punës së vitit të ri, Qeveria e Kosovës kishte dalë publikisht me qëndrim ridizajnues të platformës negociuese me Serbinë. Kishte marrë vendim se nga tash e tutje, bisedimet do të bëheshin nga një grup i përbashkët e gjithëpërfshirës kosovar. Gjithçka e arrirë me unitet në procesin dialogues të Vjenës, mund të vazhdohej e konkretizohej sërish dhe vetëm me unitet në Bruksel. Grupi i ri negociues, do të ndërtonte një agjendë të re dialogu. Në rendet e para të kësaj agjende nuk do të ishte më riorganizimi i brendshëm i Kosovës nga një pëlqyeshmëri e Serbisë, por zgjidhja e problemeve dyshtetërore në fushën e të zhdukurve, pensioneve, dëmeve të luftës, e qëndrimeve politike përballë njëri-tjetrit. Kosova do të shfrytëzonte përfundimisht ngutjen dhe domosdoshmërinë e Serbisë për anëtarësim në BE, e nuk do të shërbente më si platformë koncesionimi për ecjen e saj – do të bëhej e kundërta; s’kishte çfarë të humbiste më.

Në ditën e tretë të punës së vitit të ri, Parlamenti i Kosovës kishte nxjerrë vendim reciprociteti në relacion me Serbinë. Nga atëherë e tutje, secili refuzim i pasaportave të Kosovës do të trajtohet me refuzim. Secili kërkim-ndryshim i targave të veturave do të merrte të njëjtin trajtim. Secili ndalim për vizitë i politikanëve kosovarë atje, do të ishte ndalim për politikanë serbë këndej. Kosova, në asnjë rrethanë nuk do të pranonte trajtim gjysmak të shtetësisë së saj; sidomos jo nga një shtet që pretendon aneksimin e zhbërjen e saj.

Në ditën e katërt të punës së vitit të ri, një fond investiv për veriun ishte krijuar. Fondi do të menaxhohej nga serbët lokal dhe do të shërbente për riintegrimin aktual të veriut. Një pjesë e madhe e mjeteve ndërkombëtare që vinin në Kosovë, do të derdheshin po ashtu andej. Pjesë e aktivizimit ekonomik të veriut ishte edhe ringritja e “Trepçës” dhe zhvillimi i zonave turistike rreth liqenit të Gazivodës. Banorët lokalë, për herë të parë pas gjashtëmbëdhjetë viteve, do të merrnin përfitimet e para financiare të një shteti të ri – të presupozuar si i tyre. Rezistenca e grupeve të vogla kriminale-biznesore, të udhëhequra nga një shtet i huaj e cenues i sovranitetit të Republikës, do të trajtohej nga forcat e sigurisë të Kosovës; që megjithatë kishin kapacitet të amortizojnë lehtë grupe të tilla.

Në ditën e pestë të punës së vitit të ri, Qeveria e Kosovës kishte dalë me plan njëmujor për përmbushjen e tetë kritereve teknike të liberalizimit të vizave. Të gjitha agjencitë, organizatat, institucionet legjislative e ekzekutive të ndërlidhura me tetë kriteret në fjalë, kishin marrë memo të zgjatjes së orarit të punës – deri në përmbushjen e kritereve. Lëvizja e lirë e qytetarëve kosovarë do të bëhej domosdo gjatë gjysmës së parë të vitit të ri.

Në ditën e gjashtë të punës së vitit të ri, Kosova do të kishte përfunduar negociatat për themelimin e Gjykatës Speciale. Secili pretendim për gjykim të krimeve të luftës ndaj viktimave civile këndej, do të merrte trajtim meritor. Në të njëjtën ditë, ndërsa, Kosova do të niste ngritjen e padive ndaj kriminelëve serbë në Kosovë; ndaj individëve e strukturave militare që sot ende vazhdojnë të ushtrojnë funksione publike në Serbi.

Në ditën e shtatë të punës së vitit të ri, një Gjykatë e re Speciale do të bëhej këndej; ajo e luftimit të krimit korruptiv e ekonomik në vend. Profilet e larta të politikanëve kosovarë, ministrave e zëvendësve të tyre pa dallim – kushërinjve, hallave, tezeve e dajave që bëjnë për ta biznes, do të trajtoheshin një nga një. Arsyeshmëria e pasurisë do të ishte pjesë esenciale e rasteve të tilla. Pas përfundimit të procesit, amnistia nacionale do të merrte vend. Kosovarët, për herë të fundit, do të deklaronin – pa pasojë dhe shpjegim – pasuritë e tyre në xhirollogaritë bankare. Amnistia do të shërbente për një nisje të re, për krijim dhe investim të një kapitali të fshehur kaherë – që në të kundërtën vazhdon të ikë e do të ikë përherë nga këndej.

Në ditën e tetë të punës së vitit të ri, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për bërjen e Ushtrisë. Secili partner i koalicionit që do të refuzonte votimin e një elementi kushtetues e republikan të Kosovës, do të përjashtohej nga partneriteti; do të zëvendësohej me tjetrin. Një akt kundër interesave të Republikës nuk mund të buronte nga institucionet e Republikës. Pëlqyeshmëria për bërjen e ushtrisë, në rast të mosmarrjes së votave minoritare, do të sigurohej nëpërmjet referendumit. Ushtria do të bëhej përfundimisht këtë vit.

Në ditën e nëntë të punës të vitit të ri, Qeveria e Kosovës kishte vendosur shkurtimin; shkurtimin e vetes. Të njëzet e një ministritë, me dyzet e kusur zëvendësministra, aq shoferë, asistentë e ku me ditë çka tjetër nuk do të ishin më. Në vend të tyre do të krijoheshin vetëm dhjetë. Ndër të tjerash, Ministria e Shtetit dhe Punëve të Jashtme do të bashkonte Ministrinë e Integrimeve, të Diasporës dhe të Jashtme. Të tri ministritë që merreshin deri dje paradoksalisht ndaras me punë të jashtme, përfundimisht do të bëheshin një. Ministria e Ekonomisë dhe Zhvillimit, do t’i bënte bashkë katër të tjera, atë të Tregtisë dhe Industrisë, Bujqësisë e Zhvillimit Rural, Infrastrukturës, dhe vetë Zhvillimit Ekonomik. Një sistem i tërë kompleks, më i madhi në Evropë e më i komplikuari ndonjëherë, do të thjeshtohej.

Në ditën e dhjetë të punës së vitit të ri, Parlamenti i Kosovës kishte nxjerrë një rezolutë në të cilën kërkohej themelimi i Fondit Shëndetësor të Kosovës. Fondi, i cili do të themelohej nga huazimi i parave të privatizimit, do të shërbente për ringritjen, mirëthemelimin dhe dhënien e shërbimeve shëndetësore – falas – për të gjithë qytetarët e Kosovës. Të dyqind milionët e parë – aq sa duheshin për të nisur këtë fond – do të përcilleshin me kontribuuim të të punësuarve; nga një e dhjeta e të ardhurave të secilit. Kosovarëve më të varfër në rajon – nëse asgjë tjetër – do t’iu jepej një kujdes shëndetësor i denjë. Radhëve të pafundme të pritjes, kërkimeve të lëmoshave për shërim e jetë, milionave të derdhurave jashtë përvjet, do t’u vinte fundi.

Në ditën e njëmbëdhjetë të punës së vitit të ri, ishte marrë vendim për verifikimin dhe kualifikimin e mësimdhënësve fillorë, të mesëm e të lartë në vend; reforma nacionale në arsim i thoshin. Fabrika e paditurisë në Kosovë, konsumuese e miliona eurove përvjet, prodhues i analfabetëve të papërdorshëm e të papunë, do të bëhej subjekt inspektimi e vlerësimi nacional. Mosplotësuesit e kritereve do të detyroheshin të merrnin një pensionim të parakohshëm; vendet e tyre do të mbusheshin me mësimdhënës të rinj. Zyrtarët publikë me nga tre deri në pesë vende pune, e që rëndom del të jetë një vend dhe në universitet, do të largoheshin në grup; plot 800 sish.

Në ditën e dymbëdhjetë të punës së vitit të ri, ishte marrë vendimi për themelimin e Policisë Financiare të Kosovës. Një trupë e re me dy mijë inspektorë të rinj e të reja do të përbente forcën e ardhshme të formalitetit financiar në vend. Të punësuarit e rinj do të kujdeseshin që evazioni fiskal dhe informaliteti i fuqisë punëtore të mos ishte më. Të gjashtëdhjetë mijë bizneset aktive në vend do të ishin pjesë e inspektimeve e vështrimeve të përhershme të tyre. Të hyrat shtesë të gjeneruara nga kjo forcë, mjete të rritjes buxhetore në vend, do të shërbenin për rritjen e shërbimeve publike në vend.

Në ditën e trembëdhjetë të punës së vitit të ri, paralelisht me nisjen e luftës antikorrupsion ndaj strukturave paralele e kriminale në vend, ishte marrë vendim për kalim në prokurim elektronik. Të gjithë tenderët, kontratat e fondet publike tash e tutje do të kalonin nëpërmjet një procesi transparent dhe mbi të gjitha të pamanipulueshëm. Bizneset me rekorde korruptive e të manipulimit, do të përjashtoheshin nga proceset konkurruese të ardhshme. E prioritet në shpenzimin e parasë publike në vend do të kishin produktet vendore.

Në ditën e katërmbëdhjetë të punës së vitit të ri, paketa e re investuese do të aprovohej. Në të, lehtësimet e lirimet doganore e tatimore do të parashiheshin për secilin investim të ri; të brendshëm, të jashtëm, nga diaspora – pa dallim. Kohë e lirë tatimi për shumë vjet për secilin që investon e krijon punë në Kosovë.

Në ditën e pesëmbëdhjetë të punës së vitit të ri, do të themelohej fondi investiv, një platformë që do të barazonte secilin investim-kontribut privat me një euro publike; një bashkëdyzim i secilës para që ndonjë biznes kosovar apo i huaj mendon ta shkrijë në Kosovë me paratë e taksapaguesve kosovarë. Biznesmenë të brendshëm, individë nga diaspora e donatorë të tjerë do të do merrnin pjesë në një fond të tillë. Paratë nga aty do të investoheshin me prioritet në miniera, në telekom e në hidrocentrale; në të gjitha asetet që mban sot ky vend.

Në ditën e gjashtëmbëdhjetë të punës së vitit të ri, do të kuptohej se ishte bërë më shumë për gjashtëmbëdhjetë ditë se sa çfarë ishte bërë për gjashtëmbëdhjetë vjet rresht – që nga çlirimi i vendit e këndej. Do të kuptohej se dita e shtatëmbëdhjetë do të ishte më e lehtë, më e drejtë, më e këndshme, më meritore për urim.

[email protected]

 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...