18 Maj 2015 - 08:52 - Lumir Abdixhiku
-1-
Konflikti i ri në Maqedoni – për aq pak kohë sa zgjati – shpërfaqi lehtësisht gjithë fragjilitetin e akullit mbi të cilin ecë me hapa të rëndë i gjithë Ballkani. Secili ballafaqim, në secilin qytet ballkanik, mund të nisë – lehtësisht pra – një zinxhirë reagimesh gjithandej, fundi i të cilave mund të jetë i trishtë.
Në të vërtetë, në tre-katër vjetët e fundit, janë forcat nacionaliste e radikale, kryesisht rreth shteteve që rrethojnë të dyja shtetet shqiptare, që kanë marrë primatin politik dhe me këtë kanë vënë një bar të ri diskutimi – turbonacionalizmin. Habitshëm, por jo më pak arsyeshëm, janë shqiptarët që në vazhdimësi kanë treguar tolerancë e inferioritet ndaj një diskursi të tillë; më shumë këta të Kosovës e më pak ata në Shqipëri, të cilët megjithatë së fundmi kanë futur veten në një balon etnik e të madhësisë – Shqipërisë së Madhe, siç kanë nisur t’i thonë andej – pa kuptuar ndoshta dhe mirë kuptimin vetërrënues të saj. Shqiptarët, në përgjithësi pra, kanë mbajtur qëndrime liberale përballë secilit lunatik politik ballkanas që ka shpërfaqur publikisht apo privatisht ide e koncepte antishqiptare, nga Dodiku i Srpskas, tek Nikoliqi i Serbisë e vet Gruevski i Maqedonisë – secili më i huqur se tjetri.
Ka një arsye të shëndoshë prapa tolerancës shqiptare. Ajo ndërlidhet me idenë se sot shqiptarët kanë për të humbur më shumë se secili popull tjetër ballkanas po u futën në vallen turbonacionale e të konfliktit, prandaj dhe mbesim të kujdesshëm. Jo se kemi alamet shtetesh të zhvilluara, se kemi ekonomi, ushtri e supremaci rajonale, humbja e të cilave do të na ngjallte frikë. Nuk e kemi asnjërën. Ç’është e vërteta, jemi në llum e zi kur bëhet fjalë për çështjet tona; e kemi bërë paçavure secilën mundësi tonën për shtet e zhvillim. Por ama, për habinë më të madhe tonën, ne megjithatë kemi aleanca e forca që lundrojnë në lumenjtë tanë – më mirë të them ne tek të tyret – për dallim pra prej rajonit që shikon çdo ditë e më shumë drejt Moskës. Dhe mbi këto aleanca e bashkëlundrime, të rastësishme ose jo, ne kemi shfaqur hezitim për të shpërthyer me eskalim. Sepse ndiejmë frikë se mund t’i humbasim të gjitha, për t’u kthyer në kohë kur s’i kishim asnjërën.
-2-
Kjo maturi jona, megjithatë, është bërë në kosto të kompromisit të veshëleshësisë ndaj të gjitha ballafaqimeve të shqiptarëve që jetojnë jashtë dy shteteve me shumicë shqiptare. Ata, në të gjithë parametrat e mundshëm, mbesin në mëshirën e regjimeve më jodemokratike në Evropë. Përballë këtyre regjimeve, në rastin më të zakonshëm pra, këto dy shtete tonat zakonisht nuk kanë folur gjë, e kur kanë folur ia kanë futur kot së koti me deklarata bashkimi e supremacie nga ndonjë ballkon turistik, herë në Ulqin e herë në Sarandë. Të dyja qeveritë janë mërzitur më së paku për hallin e shqiptarëve në Maqedoni e atyre në Luginë. Nuk janë mërzitur as me lekë, as me nota proteste e as me gjuhë alarmi për regjimet e çuditshme në shtete si këto.
E tëra u është lënë përfaqësimeve vetjake – kryesisht në Maqedoni, partiakë të ndarë – sikurse në rastet e tjera të shqiptarëve – në një mijë e kusur parti. Këtë herë, megjithatë, me aleanca me dreqin e të birin e tij, diktatorë në bërje, rrënues të demokracisë, kriminelë të zakonshëm e të përgjuar skandalozë e pa marre. Sinqerisht, ende nuk arrij të kuptoj lehtësinë me të cilën partitë shqiptare kanë ndarë shqiptarët e interesat minimale qytetare atje për një copë pushtet.
Në pamundësi të adresimit të problemeve bazike të shqiptarëve atje, nga vendi i punës e deri tek mirëqenia e të qenit shqiptarë, qytetarët e atjeshëm kanë pasur gjithnjë agjendën e papajtueshmërisë. Çfarë mund të presë njeriu nga një qeveri që një etni të tërë – taksapaguesit e vet, i quan “egërsira”? Të pret përkujdesje, mbrojtje e barazi nga mëshira e vetërregullimi? Është fare e lehtë për ne këndej (ani pse me plot telashe të kapësve, hajnave e kriminelëve gjithandej) të luajmë në baste të sigurta e durimi. Për shqiptarët atje, që ende përpjekjen e kanë rreth trajtimit të barabartë me etnitë tjera, papajtueshmëria – dhe rrjedhimisht ndërmarrja – ka qenë natyrale tërësisht.
Pra motivi i papajtueshmërisë ka qenë i rrahur kaherë, por pavarësisht arsyeve për papajtueshmëri, ajo nuk nënkuptonte asnjëherë luftë e konflikt. Mund të kuptonte protestë e organizim ndoshta, ngritje e kryengritje për rrëzim të regjimit dhe marrjen e të drejtave kushtetuese që shqiptarët kanë atje, por ama në secilën rrethanë të mundshme – marrë gjithmonë forcat e aleancave strategjike që përcaktojnë fate këndej – konflikti i armatosur ishte jashtë letrave.
-3-
Prandaj ky konflikt nuk buroi andej, u importua – dhe importimi i konfliktit të armatosur, në këtë kohë pra, ishte gjëja më naive e mundshme, u pagua shtrenjtë. Dhe përderisa imagjinata e teorive të konspiracionit e tradhtive fluturon herë andej e herë këndej pandërprerë, unë shpreh rezerva – për shkak të paditurisë së plotë rreth ngjarjes – të përflitjes së motiveve të disa shqiptarëve me armë e uniformë në dorë, që në fund u rrethuan dhe u vranë në një rreth civilësh. Vrasja e tyre humb secilin rezon të gjetjes së motivit të manipulimit, siç pretendojnë paradoksalisht disa, sidomos kur ajo bëhet ndaj individëve që luftën për të drejtat e lirinë shqiptarëve e kanë në rezymetë që mbajnë.
Nuk shpreh asnjë rezervë për idenë e tyre të konfliktit, të cilën e refuzoj apriori, siç dhe u refuzua nga shqiptarët atje. Po të ishte ndryshe, ky konflikt e kjo sakrificë do të ngjiste një zinxhirë reagimesh po ashtu të armatosura, siç dhe kishte ngjarë në vitin 2001. Por nuk kishte bazë, ishte jonatyrale pra.
Nuk shpreh asnjë rezervë as për shfrytëzimin e mundësisë nga regjimi i Gruevskit, i cili në kohë të krizës më të rëndë të joqëndrueshmërisë përdori një xhoker kasaphane në mes të vendbanimeve shqiptare – për të larguar me sukses shumë vëmendjen e publikut atje. Dhe kështu, një problem qeverisës e shndërroi në problem etnik. Shqiptarët u shënuan edhe një herë.
Dhe në fund, nuk shpreh asnjë rezervë e konsideratë për partitë shqiptare që vazhdojnë të qëndrojnë në qeverisje me një regjim të tillë. Të paskrupullt në skajshmëri. Dëmtuesit e vërtetë të interesave shqiptare atje janë pikërisht në qeveri.
-4-
Në fund të ditës, derisa secili jep versionin e vet, shqiptarët në Maqedoni kanë një listë problemesh që megjithatë duhet t’i adresojnë shpejt.
E para, dhe më e rëndësishmja, është që të distancohen idetë që provojnë luftën. Lufta e shqiptarëve, sot pra, do të bëhej pa mbështetje ndërkombëtare – dhe mbi të gjitha, pa mbështetjen e shteteve shqiptare e qytetarëve të tyre. E mosmbështetja do ta bënte palën tjetër të lirë drejt kasaphanës së mëtutjeshme – janë të etur e kanë nevojë shumë për të.
E dyta, shqiptarët e Maqedonisë duhet të distancohen nga partitë e tanishme që servilojnë me pushtetin. Përderisa elita e tanishme politike bën martesë herë me diktatorë e herë me agjentë sekretë, asnjë ditë e mirë s’ka për t’u parë në horizont.
Në vend të tyre, e treta pra, shqiptarët duhet të ndërtojnë aleanca qytetarësh me ata pak maqedonas që mendojnë njëjtë si ta – kundër regjimit pra. Kur të kenë pastruar fillimisht shtëpitë e tyre nga politikanë të paskrupullt e të patakt, ata mund të pastrojnë gjithë sistemin mazhoritar atje. Kur të pastrojnë më pas regjimin, mund të fillojnë shtrimin e kërkesave kushtetuese e shtetformuese që megjithatë duhet t’i kenë.
Së katërti, duke parë veshëleshësinë e ftohtësinë me të cilën liderët e atjeshëm i jepen problemit të shqiptarëve në Maqedoni, është e udhës që liderët e tjerë shqiptarë, në Kosovë e Shqipëri, të ngrijnë të gjitha marrëdhëniet e relacionet e dyanshme, për të nisur kështu një rol të ri ndihmese për shqiptarët atje.
Në të gjitha rastet, indiferenca dhe mosreagimi është zgjidhja më joadekuate që mund të krijojmë këtë herë. Dhe kjo Maqedoni, e shqiptarëve të pabarabartë si etni, e politikanëve të patakt e pa përgjegjësi, e regjimeve diktatoriale e konspirative, nuk mund të jetë më. Një Maqedoni e re duhet të nisë.
[email protected]
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...