Pushteti është grotesk – opozita po e komprometon kauzën e vet!

27 Nëntor 2015 - 08:21 - Halil Matoshi      

Në sfondin e përplasjes pushtet-opozitë, duket se po rikthehet ideja e neglizhimit të themelimit të Gjykatës Speciale, përkatësisht “negociimit” të drejtësisë me bashkësinë ndërkombëtare. Këtë e tha edhe ambasadorja gjermane në Kosovë.

Përplasja politike në Kosovë ka filluar që në momentin kur të dyja palët, pushteti dhe opozita, po rrëshqisnin në emotivitet, pra politikanët e të dy taborëve nuk ishin në krye të detyrës. Ideja e VV-së dhe e opozitës që ta komprometojnë Kryeministrin e vendit në Kuvend (Donika Kadaj i tha Kadri Veselit ndër sy: "S'kemi asgjë me ty, por me Isën", kurse Glauk Konjufca e pranoi se "qëllimi ynë ishte ta poshtërojmë Kryeministrin", e Veseli i bërtiti sigurimit të Kryeministrit pse po e mbronin: "Kush ju tha me hy, dilni jashtë..." Dhe për shumë opinionistë kjo situatë shihej si një "aleancë e fshehtë" e forcave kundër rendit legal në Kosovë - të cilin - obligohen me Kushtetutë që ta mbrojnë edhe deputetët, edhe Qeveria me mekanizmat legalistë, po edhe Presidentja e vendit.

E në sfondin e përplasjes duket se rikthehet ideja e neglizhimit të Gjykatës Speciale, përkatësisht “negociimit” të drejtësisë me bashkësinë ndërkombëtare.
Këtë e tha edhe ambasadorja gjermane në Kosovë.

Ajo u tha liderëve kosovarë hapur që të pushojnë së menduari se aleatët e Kosovës nuk marrin vesh asgjë nga lojërat e disa kosovarëve të llastuar me pushtet e të prirë për hakmarrje!?

Nëse dikush ju thotë se Serbia është e përkëdhelura e BE-së, mos u trishtoni nga kjo, sepse ajo është në fazën e trajtimit me karota, ndërsa Kosova ha dajak!
BE-së dhe Perëndimit i intereson joshja e Serbisë në orbitën e saj për ta tërhequr nga orbita ruse e tek pastaj Kosova mund të shpresojë se do t’i ndalet dajaku…

Përndryshe të rrahesh me opozitën në rrugë, e në anën tjetër të zmbrapsesh para barrikadave në rrugë të serbëve lokalë, është e padenjë dhe dëshmon fytyrën groteske të kësaj Qeverie, të cilën është në rrugë të mirë që ta rehabilitojë opozita e dhunshme dhe joracionale…

Përderisa “çështja e Asociacionit” është dërguar nga ana e Presidentes Atifete Jahjaga në Gjykatën Kushtetuese për të “gjykuar” nëse parimet e përgjithshme janë në përputhje me Kushtetutën ose jo, me këtë Qeveria e Kosovës ka blerë kohë, mirëpo jo edhe zhbllokimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër opozita mban qëndrim të rreptë kundër Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se ajo është kapur së bashku me institucionet tjera nga koalicioni PDK-LDK , prandaj për opozitën vazhdon të mbetet në lojë vetëm opsioni i tërheqjes së nënshkrimit nga Marrëveshja dhe mosdakordimi me Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Pra kemi të bëjmë me një pozicionim diametralisht të kundërt të palëve, pa shpresë se mund të ulen për ndonjë marrëveshje kompromisi.

Partitë opozitare kanë paralajmëruar protestë më 28 nëntor, që i bie të jetë festa e shqiptarëve sipas kalendarit memorial të festave zyrtare të shtetit!
Po kundër kujt dhe çkahit po manifestojnë kështu shqiptarët?

Të kërkosh reciprocitet me Serbinë, ky është kurthi i parë në të cilin mund të bien kosovarët, sepse Serbia pikërisht me shkurtime të drejtash dhe diskriminim, deri në përmasat e tentim gjenocidit, e ka humbur të drejtën për ta qeverisur Kosovën, prandaj ideja e luftës kundër “Bashkësisë” është thjesht kundër frymës së Kushtetutës së vendit, njëherësh le të kuptohet në sy të botës se shqiptarët në ditën e tyre (festa e flamurit) janë ngritur kundër serbëve kosovarë, me të cilët duhet vazhduar të qëndrohet së bashku në shtetin unik, në Republikën e Kosovës!?

Kjo datë është zgjedhur si simbolikë, që të përfshijë emocionalisht sa më shumë njerëz në protestën e ligjshme të opozitës, nëse ajo do të jetë paqësore, siç edhe është paralajmëruar nga liderët opozitarë.

Megjithatë opozita ka përçuar një sinjal pozitiv duke u deklaruar kundër dhunës në protestën e radhës.

Dhe kjo jep shpresë që megjithatë po tejkalohet sindroma e ciklit të dhunës për t’i lënë hapësirë zgjidhjes politike.

Nëse është i tillë, pra problem politik!?

E drejta e protestës nuk mund t’i mohohet askujt në një demokraci, mirëpo, në këtë momentum politik, duket se qytetarët nuk janë të interesuar që të përplasen për “kauzën’ e opozitës, duke qëndruar neutralë, si ndaj saj ashtu edhe karshi pushtetit.

Duhet të pritet megjithatë protesta për të parë se në çfarë përmasash njerëzit “i besojnë kauzës” së opozitës dhe nëse rreth 200 mijë nënshkrues të peticionit do të jenë të interesuar që të shtyhet kjo agjendë apo ata kanë qenë nën ndikimin e inercionit dhe të përfshirë nga emotiviteti i të qenit kundër ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë, ashtu siç e paraqet çështjen opozita!

Duhet pritur së këndejmi “verdiktin” e Gjykatës Kushtetuese , eventualisht çështja të dërgohet për një shqyrtim dhe të merret një këshillë nga Komisioni i Venecias, e tek pasi të jenë harxhuar këto mjete të ligjshme, opozita duhet të mendojë hapat tjerë.

Në anën tjetër, për sa i përket demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, Kuvendi ende nuk e ka ratifikuar këtë marrëveshje dhe gjasat janë të mira që kjo marrëveshje të korrigjohet, përkatësisht të mos ratifikohet në Kuvend, pa një rivlerësim ekzakt, nëse vërtet qëndrojnë pretendimet e opozitës ose jo.
Qeveria e Kosovës do të duhej që në nismë të këtij procesi ta emëronte një komision ad hoc në Kuvend (të përbërë nga opozita dhe pesë ekspertë nga shoqëria civile, sipas draftpropozimit të deputetëve Vjosa Osmani dhe Ilir Deda) për ta vlerësuar punën e komisionit shtetëror dhe nëse vërtet hasen gabime që shkojnë në favor të tezës së ngritur nga opozita, Qeveria duhet ta shkarkojë komisionin dhe ta thërrasë në përgjegjësi, për ta rinegociuar një marrëveshje të re me shtetin fqinj.

Rrethanat janë të tensionuara dhe mund të ndodhë gjithçka, mirëpo besohet se opozita e ka krijuar tashmë percepcionin se veprimet e dhunshme komprometojnë në thelb vetë kauzat e opozitës, duke e legjitimuar koalicionin qeverisës, në sy të ndërkombëtarëve dhe sidomos në sytë e publikut kosovar.
Absolutisht është e pakuptimtë thirrja e seancave pa u pasë pajtuar më parë me opozitën dhe kjo e bën këtë pushtet joracional dhe mujshor, që nuk di të ndërtojë konsensus politik dhe nuk di ta trajtojë opozitën si pjesë të sovranitetit të popullit.

Një kitsch-fotografi e Sallës së Kuvendit e vendosur në një ambient tjetër të Kuvendit e dëshmon më së miri vlerën e këtij pushteti të shndërruar në kitsch!
Madje një pushtet grotesk!

Në këtë rast kësaj gjendjeje të përplasjes i kanë kontribuuar edhe pushteti (Qeveria), por edhe opozita.

Të parët duke u bazuar me arrogancë tek fuqia e numrave në Kuvend dhe duke mos bashkëpunuar me opozitën për të ndërtuar një konsensus të gjerë politik për sa u përket temave të mëdha të karakterit nacional, kurse të dytët kanë rrëshqitur në dhunë, gjë që i bën më pak të besueshme kauzat e tyre…
Ashiqare që asnjëri nga liderët e partive politike qoftë nga pushteti po edhe nga opozita nuk kanë dëshmuar pjekuri politike në menaxhimin e situatave të tilla konfliktore në shoqëri, sepse ka munguar gatishmëria për kompromis politik dhe etikë publike.

Draftpropozimi i deputetëve Osmani dhe Deda ofron një bazë të mirë për t’i ulur tensionet dhe për ta drejtuar vendin dhe shoqërinë nga një gjendje turbulence në normalitet.

Ky është një dokument i hartuar me shumë kujdes dhe elokuencë politike, që nuk merr anë dhe nuk paragjykon asnjë nga çështjet për të cilat opozita po përplaset me pushtetin.

Pra duhet t’i jepet një shans kompromisit politik përmes një tryeze ndërpartiake.

Natyrisht që kostoja do të jetë e lartë nëse Kosova rishtas hyn në ngërç institucional, si në vonesat e miratimit të ligjeve ashtu edhe në imazh ndërkombëtar.
Kosova u qortua edhe në Këshillin e Sigurimit nga aleatët e saj, por edhe ambasadori rus në OKB, Vitalij Churkin – “Mister Njet” (Zotëria Jo) mezi priti që ta sulmojë Kosovën si vend të paqëndrueshëm.

Nëse gjërat shkojnë në drejtimin e duhur dhe Qeveria thërret në negociata opozitën, qoftë edhe me ndërmjetësimin e ambasadorëve të Quintit, epilogu mund të jetë rishqyrtimi i demarkacionit me Malin e Zi dhe pezullimi për tre – gjashtë muaj, p.sh. të dekretit qeveritar për themelimin e AKS-së, derisa të shterohen mjetet politike dhe juridike të shqyrtimit të këtyre dy vendimeve qeveritare.

Porse shteti duhet të funksionojë dhe nëse opozita nuk lejon punën në Kuvend edhe në të ardhmen shteti obligohet ta përdorë "dhunën legjitime."
Natyrisht që Kosova është në krizë të thellë që nga ngërçi gjashtëmuajsh i vitit të kaluar e deri te kjo e mosfunksionimit demokratik të institucioneve, për garantimin e funksionimit demokratik të të cilave është përgjegjëse Presidentja.

Dhe nëse gjërat shkojnë keq, ashtu siç edhe kanë nisur, atëherë Kosova de facto hyn në vitin e dytë të “ngërçit” politik dhe institucional, prandaj Presidentja e vendit do të detyrohej që ta shpërbënte Kuvendin dhe të shpallte zgjedhjet e jashtëzakonshme sipas ligjit.

Për ta shmangur dështimin e shtetit.

Porse, sa do të jenë zgjedhjet e jashtëzakonshme “medikamenti” i duhur për kurimin e politikës së sëmurë kosovare, kjo mbetet të shihet.

Kjo elitë politike thjesht është e paftë për ta mbajtur unik këtë komb dhe këtë shoqëri, sepse është ngritur në majat e pushtetit përmes prodhimit të krizave (sidomos nga ana e PDK-së me partnerët), përçarjeve dhe “mbulimit” të mungesës së ideve kalorësiake politike me një kitsch patriotizëm, që shpenzon shumë energji e potenciale nacionale kot dhe prodhon vetëm konflikte.

Sepse patriotizmi është në burimin e vet etimologjik, faza e parë e nacionalizmit etnik, që e ka rrënuar Evropën dhe e ka gjunjëzuar Ballkanin - disa herë në shekullin e kaluar - duke e mbajtur peng e në varfëri qytetarin e manipuluar!

 

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...