Kryeministri i kapur

12 Dhjetor 2014 - 09:00 - Halil Matoshi      

Realisht kjo është Qeveria “Thaçi 3” e krijuar nga mbetjet e Qeverisë “Thaçi 1 dhe 2” dhe me faqe të lame nga LDK-ja e drejtuar nga Isa Mustafa. Kosova po shndërrohet në gërdhajë nga modeli kleptokratik qeverisës i instaluar nga HTH, me përvojë të gjatë në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Porse e padurueshme deri në trajtën e vet kërcitëse është hipokrizia e Isa Mustafës, nominalisht kryeministër, që në Kuvend gënjente se do ta instalonte qeverisjen e duarve të pastra. Çka mund të na thotë për Ferid Aganin ose për Lutfi Zharkun dhe çfarë ai thoshte për të më 2010?

Isa Mustafa mundësoi që njerëz të nëntokës (pjesëtarë të SHIK-ut) të vishen me pushtet shtetëror, kurse për ministra ai zgjodhi kryesisht njerëzit e dëshmuar për paaftësi dhe heshtje para kriminalizimit të tërë sistemit.

Pra Mustafa si legjitimues i Qeverisë “Thaçi 3” zgjodhi për ministra edhe Ferid Aganin, që është nën hetime për korrupsion, si dhe Lutfi Zharkun, ish-ministër i Tregtisë dhe i Industrisë në Qeverinë “Thaçi 1”, i lidhur me biznesin e çimentos dhe mjegullën e “SharrCemit”, të cilin vetë Mustafa më 2010, sa ishte prefekt i Prishtinës, e akuzonte për korrupsion.

Telenovela e “Bllokut” u mbyll pa lavdishëm, duke qitur në pah karaktere arrogante e egocentrike, lakmitare e poltroniste, me t’u hapur perdja e një maskarade të turpshme në Kuvendin e Kosovës, në të cilin kryetari i porsazgjedhur nuk lejoi debat parlamentar për kabinetin qeverisës, porse ai nuk mundi t’u jepte zgjidhje çështjeve të brendshme pa ndihmën dhe përzierjen e Gjuriqit nga Qeveria e Serbisë.

Gjithçka nisi mbrapsht.

Një ditë para seancës HTH dhe Isa Mustafa nënshkruan një marrëveshje përderisa emrat e tyre dhe stema e Republikës së Kosovës ishin të kthyera mbrapsht.
Por kush mërzitet tutje për këtë Republikë që ka rënë në duar hajdutësh dhe dridhet e shtrënguar si me darë nën trysninë e fanatikëve të të gjitha llojeve e profileve.

Kosova fitoi tre kryeministra faktikë dhe një Qeveri me emra kryesisht të njohur nga Qeveria “Thaçi 1 dhe 2”, Mustafa si shef i pjesës së LDK-së në Qeveri, HTH si shef i pjesës së PDK-së, plus i të gjithë të tjerëve dhe Aleksandër Vuçiq si shef i ministrave serbë-kosovarë.

Qeveria e re dominohet nga emra te të cilët HTH ka besim edhe nëse këta vijnë nga LDK–ja (Skënder Hyseni, Lutfi Zharku, Haki Demolli dhe një i deleguar i Lutfi Hazirit në Qeverinë e vendit nga Spitali Rajonal i Gjilanit, Imet Rrahmani, njeriu që e tallte mundësinë e koalicionit me PDK-në, të cilën e akuzonte se e ka katandisur vendin në pashpresë dhe se po bëhej bërllog n’bërllog, si dhe emra të dyshuar për korrupsion (Lutfi Zharku, vëllai i të cilit njihet si magnat i çimentos dhe financues i fushatave të LDK-së) ose të tillë që janë duke u hetuar për korrupsion si Ferid Agani.

Mirëpo, kabineti “Mustafa” në Qeverinë “Thaçi 3” u mbajt i fshehtë deri në fund, për t’i kursyer nga debati parlamentar të besuarit e HTH dhe ata pak të besuar të Mustafës, si Abdullah Hoti, Kujtim Shala (kundërshtar i koalicionit), si dhe Himete Bajrami (gruaja që në vazhdimësi ka akuzuar PDK-në për krim e korrupsion!?)
HTH mjeshtërisht i iku llogaridhënies për keqqeverisjen në dy mandate, ai u shit shtrenjtë në KS të OKB-së si “njeriu i paqes në rajon”, tashti zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm në Qeverinë e ndërtuar nga ai vetë, por të legjitimuar nga LDK-ja, e cila ia lau faqet PDK-së dhe SHIK-ut, po kjo LDK që veten e sheh si parti institucionaliste dhe shtetndërtuese, porse e shfaqur në publik në rolin e viktimës që nga themelimi i saj, pra partia e Ibrahim Rugovës, katapultoi në pushtet Thaçin e rënë përfundimisht dhe njeriun e avanskenës, Kadri Veseli, i cili pa LDK-në zor se do ta shijonte karrigen e të parit të Kuvendit ndonjëherë; Po kjo LDK, e cila ka akuzuar në vazhdimësi SHIK-un dhe Kadri Veselin jo vetëm për shantazh e krim të organizuar, por edhe për një seri vrasjesh politike të bashkëpunëtorëve të parë të Rugovës, iu bë patericë e pushtetit kësaj kaste injorantësh të fuqishëm dhe kleptokratësh të modelit “La Famiglia” (edhe Mustafa u betua se do t’i shërbejë familjes!?) nga vëllazëria “Pronto”.

Arti i së mundshmes e ngjiti HTH në majat e pushtetit, sërish, si mashtrues perfekt dhe sërish - edhe në mandatin e tretë - si njeriun kyç të politikës kosovare, miti pa të cilin, nesër, vështirë se do të agonte dielli!
Po ashtu, HTH u shit shtrenjtë edhe te partia e tij, frenat e së cilës po i rrëshqitnin nga duart, duke qenë “i ndjekur” nga hija e të dytëve, fillimisht nga Jakup Krasniqi e pastaj edhe nga Fatmir Limaj (të cilëve ua punoi pas shpinës) dhe së fundi nga Kadri Veseli, të cilin e ngriti në majë, natyrisht me bekimin e “rugovistëve” kundër të cilëve kishin luftuar me të gjitha mjetet, prej se dinë diçka për veten e tyre!?

Veseli do t’i mbetet borxh HTH tërë jetën, sepse ai vetëm me “background-in” e tij si spiun zor se do të ngrihej në politikanin e dytë më të rëndësishëm në PDK dhe për këtë borxh HTH e dinte se në Kuvend dhe në publik ishte Veseli ai që do të ishte shënjestra e parë në të cilën do të thyheshin shtizat e opozitës parlamentare dhe të medies jo gjithherë koherente, dhe pikërisht kjo ndodhi, kur fokusi kritik dhe demonizues ra te Veseli, këtë herë krejtësisht i pafajshëm, për t’iu bërë mburojë HTH, i cili pothuajse u harrua, po ashtu edhe bëmat e tij – shihni ku e ka sjellë vendin – thoshte tash ministri Rrahmani, pra në katastrofë, sipas Ismet Beqirit!

Konstrukti politik i HTH sipas teorisë së lojërave doli i fituar edhe nga fakti se ai e projektoi “të keqin” te Veseli, rreth emrit të të cilit u shkarkua mllefi joracional i publikut dhe e tërë oponenca, duke harruar njeriun më të fuqishëm në vend, për të cilin aktualisht i shpushtetizuari, Enver Hoxhaj, në odat e tij të marra, thoshte se është i lumtur që jeton në epokën e tij!?

Kryeministri i ri, Isa Mustafa, në një përmbledhje të përgjithësuar të një kinse programi qeverisës e përmendi nja shtatë a tetë herë sundimin e ligjit dhe “duart e pastra”, prandaj ai dëshmoi se është hipokrit, ai përket në shkollën e vjetër të politikanit demagog dhe mbi të gjitha pos që është lakmitar nuk shfaq asnjë ide të re e të mençur para publikut, sepse ai në kabinetin e tij qeverisës përmendi plot doktorë (edhe shefi i Kuvendit po doktoronte në Lubjanë!?) ndër ta edhe ndonjë të mençur!!!

Përderisa HTH mbante lidhjen me Vuqiçin në Beograd, rreth hidhërimeve të Listës Srpska, këtë e dinte mirë “shefi i shefave”, Grabovci, kurse në anën tjetër Mustafa nuk ia kishte idenë se çfarë po ndodhte dhe s’dinte ç‘t’u thoshte as gazetarëve as njerëzve të tij. Akomodimi i kësaj liste në Qeveri, po ashtu i përshkruhet HTH, i cili u dëshmua shumë më i fuqishëm dhe më pragmatik se Mustafa, që tërë kohën e dinte se po bënte një marri të madhe, por që për këtë, ai e kishte sërish një mallkim, si dikur ndaj bashkëfshatarëve të tij në Prapashticë, por këtë herë për deputetët e LDK-së që dëshmuan integritet, duke mos e votuar as kabinetin e tij qeverisës.
Isa Mustafa në ekspoze përmendi pra sundimin e ligjit, por jo edhe kapjen e shtetit, që e kishte formulë të përditshme sa ishte me bllokun; Ai s’u zu më me SHIK-un, që iu pati bërë obsesion gjatë ngritjes së tij në majat e LDK-së dhe gjatë dy mandateve në krye të Prishtinës;

Ai as që u lodh të thoshte ndonjë fjalë se si u bë që gjysma e pasurisë kombëtare të Kosovës është blerë nga njerëzit e HTH, në dy mandatet e tij qeverisëse dhe si u bë që Kosova të jetë e para në Evropë për nga mjerimi dhe e nënta në botë; Ai po ashtu i futi veshët n’lesh, përderisa Kosova po shpopullohet para syve të tij të turbulluar nga pushteti personal!?

Mustafa lejoi të kapej nga HTH dhe regjimi i tij.
Por ai s’ka të drejtë ta mashtrojë publikun me “rend dhe ligj” përderisa nën drejtimin e tij të Qeverisë, nuk hidhet dritë mbi vrasjet politike dhe mbi privatizimin kriminal të pasurive kombëtare!
Dhe ai s’ka të drejtë ta mashtrojë publikun për avancimin e gruas kosovare përderisa në Qeveri e ka vetëm një grua, kurse kjo Qeveri është më glomaze sesa ajo e Gjermanisë së bashkuar!?

Dhe ai, jo sidomos, nuk ka të drejtë të flasë për imazhin e Republikës jashtë, derisa e ka legjitimuar organizatën më misterioze të nëntokës kosovare (SHIK) sipas të gjitha raporteve investiguese të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, pra edhe nga inteligjenca e KFOR-it, përkatësisht e NATO-s – me demek – me SHIK-un dhe HTH zëvendës të tij dhe ministër i Jashtëm, ose me të dyshuar të tillë që ende janë nën hetime për korrupsion, ai synuaka t’ia ndreqë imazhin Kosovës!?

Ruana Zot, Republika dhe imazhi i saj në botë, më mirë do të ishte të mbetej deri në fund e nënshtruar nën diktatin e HTH sesa të krekoset Isa Mustafa se ka për ta ndrequr!
Mustafa foli edhe për lirinë e shprehjes, madje, kurse vetë e ka hedhur firmën në një letër me HTH, ku realisht ndalohet të bërit opozitë në Kuvend, duke ua imponuar të zgjedhurve të popullit diktatin, që të mos guxojnë të votojnë mocionin e mosbesimit për Qeverinë, derisa Kushtetuta ua garanton atyre se nuk i nënshtrohen asnjë mandati tjetër!

HTH dhe Mustafa ia dhanë Kosovës edhe një goditje, që dhemb deri në palcë, ata janë mallkimi i këtij vendi që e shihni, nuk po mund të çohet në këmbë!?
Ndonëse seanca konstituive e Kuvendit nisi me një lutje islame të Veselit “inshallah” dhe u mbyll po ashtu me “inshallah” të Fatmir Limajt e Gëzim Kelmendit, me të njëjtën lutje me të cilën bien e ngrihen në burg dhjetëra eksponentë të islamit politik në vend, nga kjo të rezulton se nënvetëdija e Veselit & Co që mburren me perëndimorizimin e tyre, është e strukturuar si islami.
Ata janë fanatikë.

Mirëpo, derisa dikush mund të akuzohet për atë që e ka bërë (e për këtë janë organet e sundimit të ligjit, përkatësisht të drejtësisë) askush nuk mund të akuzohet për diçka që mund (ka gjasa) ta bëjë.
Pra nga këto kondita nuk mund të akuzohen as Kadri Veseli dhe as Isa Mustafa. Nëse i pari i ka punët paq me të kaluarën dhe nëse i dyti, po ashtu është paq me ato 70 dosjet e famshme!?

Ata të dy duhet të na thonë përditë se çfarë po bëjnë me pushtetet e tyre, ndonëse në demokraci ato janë të ndara, por koalicioni PDK-LDK i ka futur të gjitha në pak palë duar; ata duhet ta hetojnë SHIK-un dhe Veseli vetë duhet të propozojë një komision parlamentar për këtë hetim; ata duhet ta zbardhin privatizimin (zhvatjen) nëse jo rastin e ish-shefit të kësaj agjencie, Asanaj, që e vetëvranë; ata të dy duhet të na thonë përse Agani nuk u pezullua së paku deri në përfundim të hetimeve ndaj tij, e për t’i lehtësuar ato; kurse Mustafa duhet ta thotë ndonjë fjalë përse e kishte akuzuar Zharkun për korrupsion lidhur me pompën e benzinës “BingoBenz” në kryeqytet; ata duhet të na bindin se ia kanë besuar ligjit lirinë e kosovarëve dhe po ata duhet t’i frenojnë fanatizmat dhe ta promovojnë lirinë e shprehjes (edhe për deputetët e Kuvendit), si dhe të ndalin varganin e të rinjve që po ikin nga ky vend si djalli nga temjani!?

Dhe ne, disa nga kritikët e shoqërisë kosovare, do të vazhdojmë të shikojmë drejt humnerës zyrtarisht edhe katër vjet (të vetëdijshëm se humnera do të nisë të shikojë nga ne!?), por jam i sigurt se do ta mbijetojmë këtë zvetënim moral, këtë patologji që po e rrënon përditë Republikën, këtë regjim pa etikë pushteti dhe këtë kohë të shurdhërisë dhe memecërisë shoqërore.

Do ta mbijetojmë edhe këtë stërkeqje të LDK-së, duke parë fillimin e fundit të saj – LDK-së së traumatizuar dhe skajshmërisht të dogmatizuar e fodulle - për ta parë në horizont një lidership të ri - pra edhe një LDK moderne, të mendësisë performative të shekullit 21 dhe jashtë klisheve etnonacionaliste dhe egocentriste.
LDK-ja e Isa Mustafës po shkon pa lavdishëm në histori, së bashku me mykun dogmatik dhe traumën e saj joracionale e të pashpjegueshme.
Ja që megjithatë mund të shpjegohet vetëm nëpërmjet Sindromës së Stokholmit!
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...