Thoni jo – kakistokracisë së PDK-së

23 Maj 2014 - 08:57 - Halil Matoshi      

Skenarist e regjisor, aktor dhe montazher, zërues dhe grimer i zgjedhjeve të 8 qershorit është kryeministri në largim Hashim Thaçi. Por ai, megjithatë, është në panik. Ka hyrë në lojën e tij “hazarde” për të korrur një “fitore të Pirros” ose për të humbur krejt dhe përfundimisht. Ai pretendon që edhe për një mandat ta gremisë vendin në humnerë, duke sunduar përmes grupeve paramilitare të PDK-së, përkatësisht duke e vendosur një regjim kakistokratik – një qeveri nën kontrollin e qytetarëve më të këqij të mundshëm

Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i gueriljes kosovare (UÇK), së fundi kryetar i Kuvendit të Kosovës për dy mandate dhe sekretar i PDK-së, dhe bashkëthemelues i Nismës për Kosovën, po thotë se qysh herët PDK-ja ka filluar me kast të zhvishet nga krahu i luftës, ndërsa, sipas tij, kulmin e ka arritur me aderimet e fundit.
Në thelb, në krye të PDK-së dhe të shtetit të Kosovës nuk është ngjitur asnjë nga luftëtarët trima e fisnik të UÇK-së, por kryesisht falangistët e Hashim Thaçit e të Kadri Veselit, që tregtuan idealin e lirisë.

Madje, shumica e luftëtarëve me ndërgjegje qytetare e atdhetare janë lënë në harresë.
Deri më tani në Kosovë 45 ushtarë të ish- UÇK-së kanë kryer vetëvrasje.
Ndër faktorët kryesorë që i kanë shtyrë në vetëvrasje janë gjendja dhe statusi i tyre i mjerë, papunësia dhe varfëria nën qeverisjen e Hashim Thaçit, ish-drejtor politik i UÇK-së!
Kontributi dhe vlera e tyre e madhe gjatë luftës nuk u njohën nga vetë rrahagjoksët, të cilët kinse e kanë drejtuar luftën çlirimtare, sepse atyre u duheshin poltronë e pakurrizorë si çifti i Enver Hoxhajt, që i thurte oda shefit të tij në zgjedhjet e kaluara.
Prandaj ish-luftëtarët trima që nuk e kanë përlyer obligimin e tyre qytetar dhe atdhetar me para të pista nga tregtia e SHIK-ut me narkotikë e trafikim me qenie njerëzore, do t’i thonë jo Hashim Thaçit!

Në PDK-në “e re” e me “mision të ri”, krahas Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Adem Grabovcit nga dosja “Pronto” do të forcohen repartet e SHIK-ut (që inteligjenca e NATO-s i vë në lidhje me veprimtari kriminale, vrasje, kërcënim, frikësim të oponentëve politikë nga LDK-ja), por aty do të jetë edhe Muharrem Xhemajli, ish-kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, i njohur për kërcënimet permanente që u bënte gazetarëve në Prishtinë për t’i frikësuar ata.
E aty këmbëkryq me ta do të jenë edhe “civilët” hipokritë Ardian Arifaj dhe Ramadan Ilazi, si dhe kryeredaktorja e fletushkës prishtinase “Kosova sot”, Margarita Kadriu.

Ajo, prej një punëdhënëseje egërshane - që sipas koleges Arbana Xharra ia ka hedhur punëtorit të saj dorën e prerë nga makineritë e shtypshkrimit në kontejner bërlloku - po shitet në televizor si luftëtare e denjë për shtet ligjor, si lidere e të drejtave qytetare, si “engjëll mbrojtës” i kosovarëve.
Prandaj kolegët gazetarë duhet t’i thonë jo PDK-së.

Punëtorët hallexhinj si Lulëzim Rexha, të cilit i ishte këputur dora më 2004 në shtypshkronjë – pronë e Margarita Kadriut, tashti nënkryetare e PDK-së – i ishte mohuar kompensimi, do t’u thonë jo duarprerësve përreth Hashim Thaçit.
Ardian Arifaj e Ramadan Ilazi duhet ta shijojnë humbjen e PDK-së për të menduar esëll dhe vërtet si civilë.
Ardiani dhe Dani ose nuk kanë qenë të sinqertë me publikun kur e kanë kritikuar qeverisjen e Thaçit, ose nuk janë të sinqertë tani, kur i thurin atij oda lavdie.

Duket se nuk kanë qenë njerëz me ndërgjegje as atëherë e as sot.
Thoni vetes tri herë në ditë: “Unë jam një njeri me ndërgjegje” dhe keni për të parë mrekullinë – ju nuk do ta votoni PDK-në!
Prandaj, pjesëtarët e shoqërisë civile kosovare të irrituar e të indinjuar, duke i parë këta dy ish-kolegë të tyre se deri ku mund të të shpënë servilizmi dhe lakmia, duhet t’i thonë jo PDK-së!
Thaçi nuk është humanist, por është një pragmatist i rryer, njeri pa emocion dhe pa profesion. Mos t’i shkojë mendja askujt se Thaçi po bëhet një tjetër njeri.
Ai është i pandryshueshëm.
Ngutja për të shkuar në zgjedhje të parakohshme është ashiqare intencë për të mos ndryshuar asgjë në mendësinë politike.
Për ta konservuar kakistokracinë. Mos e votoni një qeveri të përbërë nga qytetarët më të këqij!
Pra, ai dëshiron ta ruajë pushtetin e tij personal dhe privilegjet për falangistët e tij.

Thaçi nuk e mbajti premtimin se nga lista do të “qërohen” ata që kanë rënë ndesh me ligjin, ose që janë duke u hetuar.
Ai ndonëse nuk i futi në listë Ramadan Mujën ose Xhabir Zharkun, i rigrupoi repartet shikiste dhe personat që po hetohen për krime lufte ose korrupsion e krim të organizuar.
Prandaj qytetari i edukuar i Kosovës do t’i thotë jo kësaj liste paramilitarësh e falangistësh që fshihen pas akronimit PDK!
Vota për PDK-në, sefte d.m.th. rrokullisje me konsensus e shoqërisë kosovare në humnerë.

Vota për PDK-në d.m.th. goditje përfundimtare ndaj lirisë së Kosovës.
Në tërë këtë situatë PDK – ja ashiqare është në panik.
Ajo, së pari është tronditur nga fraksioni Limaj&Krasniqi, që themeluan Nismën... ; së dyti lideri i saj Thaçi e kupton situatën brenda PDK-së më mirë se askush dhe ai e di që segmente të partisë së tij janë kriminalizuar, (ish-milicia falngiste) dhe shumë koka do të bien gjatë proceseve të mundimshme në të cilat po hyn vendi. Gjykata Speciale për krime të luftës po u rri mbi kokë si “shpata e Demokleut”, dhe së treti aderimet e reja i kanë acaruar “ujqit e vjetër” të PDK-së, dhe pas zgjedhjeve kësaj partie mund t’i kanosen edhe tronditje të reja.
Prandaj Hashim Thaçi ka vendosur të ecë vetëm drejt fundit të tij politik.

Me këtë qasje prej tebdili ai sikur po dëshiron t’i japë trupit elektoral mesazhin se nuk është më ai Hashimi i UÇK-së, as ai Hashimi që e ka katandisur vendin në mjerim social, ekonomik, moral, por një tjetër, ai Hashimi evropian me një “Mision të ri”.
Kjo moto e Thaçit për zgjedhjet e reja, megjithatë, nga lëvizja “Vetëvendosje” u shndërrua në “Milioni i ri”, jo vetëm për arsyen se Thaçi kudo që po shkon po premton miliona euro - si të ishte Kosova një luginë e silikonit - por edhe për faktin se VV-ja ia përshkruan kryeministrit dhe njerëzve të tij milionomaninë, pra vjedhjen e milionave nga pasuria kombëtare e kosovarëve.
Në këtë fushatë të tij, kryeministri Thaçi ka tejkaluar edhe veten, duke premtuar miliarda euro (1.5 miliardë për “Fondin e punësimit”) në shkëmbim të votës së qytetarëve, rritje të përvitshme nga 25 % të pagave për mësuesit e profesorët, shkollim pa pagesë etj.
Humbja e PDK-së do të ishte përfundimtare edhe për Hashim Thaçin.

Paratë e kosovarëve ai po i trajton si të ishin të “rançit” të tij në Brojë dhe ia ka mësyrë që edhe një mandat t’i bëjë ato “rrush e kumbulla”.
Prandaj kosovarët për t’i ruajtur paratë e tyre duhet t’i thonë jo Thaçit dhe PDK-së.
Çfarëdo koalicioni të LDK-së me PDK-në për ta ndarë pushtetin pas zgjedhjeve duhet t’i thuhet jo nga elektorati i LDK-së, sepse kështu do ta “konservonte” PDK-në në pushtet dhe do ta shpëtonte Thaçin nga “vdekja politike”.
Zëdhënësi i PDK-së, njëherësh ministër për bujqësi në qeverinë “Thaçi 2”, Blerand Stavileci, para disa ditësh aderimet e fundit në partinë e tij dhe te rivali kryesor politik – LDK, i ka krahasuar me dy ekipe të futbollit, nga La liga spanjolle, Barcelonës dhe Osasunas.
Ai në vlugun e tij prej pionieri shamikuq nuk sheh se realiteti në partinë e tij është i hidhur, çoroditës.

PDK-në me aderuesit e rinj dhe me largimin e disa ish-themeluesve (fraksioni Limaj& Krasniqi) po e pret fati i skuadrës “Hysi” nga Podujeva, që luante top në Merdar (buzë kufirit me Serbinë).
Derisa “glaugranët” katalunas të “Barcelonës” vazhdojnë ta mbajë primatin e ekipit më të mirë në botë, klubi futbollistik kosovar “Hysi”, me pronar Hysen Sadikun, (të afërt me PDK-në) në verën e vitit 2011 ishte shpallur kampion i Raiffeisen Superligës së Kosovës, ndërsa papritmas ekipi është shuar në shkurt të vitit 2014.
Fati i “Hysit” po e pret PDK-në!
Mos investoni pra në ekipin e degraduar e pa frymë sportiviteti, lëreni atë ta shijojë humbjen!
Prandaj, më 8 qershor duhet t’i thuhet masivisht jo, kësaj partie falangiste. Falangë është fjalë greke që do të thotë trupë, formacion i lashtë ushtarak-taktik, në të cilin ushtarët formojnë një grup të ngjeshur të disa rreshtave.
Për koincidencë në gjuhën sllovake përdoret termi ‘falanga šík.‘
Thoni jo PDK-së!

Votoni natyrisht njerëz të mirë që trurin nuk e kanë në muskuj dhe që kanë një vepër e emër të mirë në sfond. Votoni gratë dhe burrat e rinj, të edukuar mirë e me integritet, të pajisur me etikë pushteti, që janë patriotë ligjorë, fqinjë të mirë, që na thonë mirëmëngjesi e na buzëqeshin me dashamirësi kur na takojnë.
Mos i votoni ata që u trajtojnë me fodullëk, si të mundur në luftë.
Bëjani një hair Kosovës – thoni pra jo PDK-së.
Vetëm kështu ju e keni përmbushur obligimin qytetar.
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...