13 Janar 2017 - 08:21 - Halil Matoshi
Është tashmë leksion shkollor thënia e Winston Churchillit se qëllimi i diplomacisë është që kundërshtari të vihet në pozitë të pafavorshme, të keqe, në raport me Fuqitë e Mëdha.
Këtë mësymje Serbia po e realizon shumë suksesshëm derisa nga Prishtina ka vetëm reaksione zhurmaxhinjsh dhe shpesh shtihane, por jo edhe politika pararendëse që Serbinë do ta mbanin në pozicion të keq (çfarë ishte një kohë të gjatë) karshi shteteve të rëndësishme (Fuqive të Mëdha.)
Në këtë kontekst Serbia përmes fletarrestimeve ndaj ish- guerilëve të UÇK-së të deponuara në Interpol mësyn që Kosovën nga viktima ta shndërrojë në agresor, duke i relativizuar (dhe barazuar!?) krimet e saj në katër luftëra, në sytë dhe vëmendjen e të tjerëve, dhe kjo është një ndër pikat thelbësore të Memorandumit 2 të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve (SANU), për çka kam shkruar dhe folur në disa raste, porse pakkush ka qenë i vëmendshëm të reflektojë rreth kësaj, në këtë kakofoni tipike kosovare.
Dhe ja, Serbia e ka vënë Kosovën në pozitë shumë të keqe në raport me një shtet mik, Francën, flamuri i të cilit po përdhoset nëpër Kosovë dhe jashtë, thuajse Kosova sapo ka dalë nga një luftë e përgjakshme me “trekolorët”!?
Dhe për mbamendjen fare të shkurtër në Kosovë askujt nuk po i kujtohet kur presidenti francez, Nicola Sarkozy, në një shkollë fillore të Parisit rrotulloi globin gjeografik dhe u tha fëmijëve se është krijuar një shtet i ri, të cilin Franca e njeh (sepse kishte marrë pjesë me trupa në çlirimin e tij), atëbotë kosovarëve u ndritnin sytë!?
E tash çfarë po ndodh, sa mosmirënjohës e bukëpërmbysës që janë disa allçakë mendjeshkretë?
Secili kosovar qe ngrihet kundër Francës apo secilit shtet perëndimor dhe rendit të tyre simbolik, është ngritur njëherësh kundër vlerave të përbashkëta evropiane, pra edhe kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës, që ishte rezultat i po atyre vlerave të përbashkëta, të drejtave të njeriut dhe lirive universale të tij.
Dhe ai që turret kundër këtyre vlerave do të jetojë me damkën e turpit sa të jetë jeta.
Ngritja e shqiptarit kosovar kundër Francës ose vlerave që manifeston ajo, është armiqësia më e madhe dhe e hapur kundër atdheut të kosovarëve!
Thjesht, është ta bësh punën e Serbisë në Kosovë!
Shqiptarët në politikë kanë vetëm turre e huqe, (përplasje me kokë për muri!?) por jo konsistencë e urti, si dhe veprime të menduara mirë e të studiuara gjatë.
Kanë vetëm reaksione, por jo strategji.
Kanë vetëm fjalë boshe (folklor arkaik), por jo përmbajtje.
Serbia është tjetërqysh në këtë tregim, ajo sado që kosovarëve u duket e ulët, provokuese dhe grackë, ka gjithmonë strategji edhe kur është në pyetje provokimi i reaksionit të pamasë ose naiv, po edhe grackat. Shqiptarët kosovarë nuk kanë strategji të përpunuara si të mbahen politikat nacionale serbe “në listën e zezë” të shteteve të lira e demokratike, si vazhduese të fashizmit milosheviqian, së paku si të mbahen nën fre, porse me turret e marra, ata pavetëdijshëm i ndihmojnë këto qasje të politikave serbe, duke ia dhënë Serbisë informatën që e kërkon: Serbia sa herë do t’i shfaqë shqiptarët sy bote të dhunshëm e të pabesë, të paemancipuar dhe pa ide për drejtësi e humanitet, e nis ndonjë autobus me civilë serbë pelegrinë në drejtim të Gjakovës ose të ndonjë vendi ku shqiptarët masivisht kanë qenë viktima, ose nxit ndonjë parullë a incident përreth mureve të faltoreve ortodokse serbe në Kosovë, e sigurt në reaksionin e tyre, pikërisht çfarë e do Beogradi zyrtar!
Dhe si etalon matës, politika serbe e ka marsin famëkeq të vitit 2004.
Shqiptarët kosovarë kishin në vitet ’90 dhe gjatë luftës madje një strategji, e ajo ishte demaskimi i së vërtetës zyrtare serbe se në Kosovë po i mbronte civilët, pa dallim etnie, përderisa civilët shqiptarë ndiqeshin kurdo dhe kudo pa e gëzuar të drejtën për jetë, vetëm nën pretekstin se ishin shqiptarë etnikë dhe se kishin kërkuar të drejtat e tyre të ligjshme.
Pra, asokohe shqiptarët e mbanin Serbinë veçanërisht në raport me Fuqitë e Mëdha të fajshme, agresore dhe kriminale, sipas konditave të Churchilit.
Tash Kosova ka krijuar shtet dhe njerëzit paguhen për të krijuar strategji, por asnjë veprim strategjik i Kosovës nuk po shihet në horizont.
Strategjia e vetme e politikanëve në Kosovë është qysh me kriju një trohë pushtet personal dhe ndikim shoqëror që u siguron mirëqenie atyre dhe farefisit.
Madje ata nuk kanë asnjë ide origjinale, “strategjitë” rëndom i krijojnë sipas masës serbe (sepse shqiptarët e Kosovës dinakërinë serbe në të bërit politikë e kanë shndërruar në mit, fiksion…!?) dhe ndonëse të fituar, ata pavetëdijshëm i bëjnë favore Serbisë, duke ia krijuar disi do rrethana prej viktime.
Politika e jashtme kosovare nuk ka asnjë studim se çfarë qasjeje duhet të ketë Kosova ndaj Serbisë apo edhe ndaj Shqipërisë madje, ndaj fqinjëve veç e veç dhe ndaj organizatave ndërkombëtare!?
Politika e jashtme kosovare së këndejmi vegjeton duke qenë se krijohet nëpër kafene dhe “shtabe” parapolitike (në bazë të qëndrimeve të ngurta historike dhe të ngjyrosura fort me folkloristikën gjeopolitike tipike shqiptare!?
Pse paraburgimi i Haradinajt në Francë është i paligjshëm?
Një shtet sovran mund të kërkojë ekstradimin e një shtetasi të vet nëse ka bërë krimet e pretenduara në shtetin e vet dhe ka ikur në një shtet të tretë, përkatësisht secili shtet ka të drejtë të kërkojë ekstradimin e një shtetasi të huaj nëse ai krimet e pretenduara i ka kryer në shtetin që e kërkon ekstradimin.
Së pari, për Haradinajn, pas pavarësimit të Kosovës dhe njohjes edhe nga shteti francez, nuk mund të jetë valid një fletarrestim i Serbisë, por vetëm një fletarrestim ndërkombëtar i Kosovës, përkatësisht - nëse kërkohet aq saktësi ligjore – nga UNMIK-u, porse as drejtësia kosovare dhe as UNMIK-u nuk kanë një vendim gjyqi për ta kërkuar ekstradimin e tij, edhe pse, sipas fletarrestimit serb, Haradinaj pretendohet t’i ketë kryer krimet që i vihen në barrë në territorin e Kosovës.
Aktualisht fletarrestimet e Kosovës procedohen në Interpol nën autoritetin e UNMIK-ut.
Mirëpo kjo nuk mund të konsiderohet si pengesë për aktivizimin e mekanizmave proceduralë për shpalljen e fletarrestimeve të brendshme për ndjekje penale kundrejt krimeve të luftës.
Së dyti, Serbia dhe Mali i Zi - entitet juridik-politik- nuk ekziston më si subjekt i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse nga ai shtet kanë dalë tri shtete sovrane: Serbia, Mali i Zi dhe Kosova.
Që të tria të njohura nga shteti francez.
Pra, paraburgimi i Haradinajt në Francë, derisa Serbia të kërkojë zyrtarisht ekstradimin e tij (gjë që e ka bërë të martën) është precedent ndërkombëtar dhe sigurisht se do të hyjë në analet e drejtësisë ndërkombëtare si shkelje e procedurave penale!
Së treti, Serbia i ka bërë kërkesë Francës për ekstradim vetëm për ta dëmtuar individualisht Haradinajn dhe që ta vërë në pozicion të keq Kosovën karshi shteteve të tjera, eventualisht të krijojë tensione në Kosovë, porse Haradinaj nuk mund të ekstradohet kurrë në Serbi, në rrethana normale juridike.
Avokatja e Haradinajt, Rudina Jasini, tha se është e rëndësishme të diskutohet nëse ky ndalim nga autoritetet franceze është bërë mbi bazën e disa zbulimeve të reja (pa e ditur se për çfarë zbulimesh të reja mund të bëhet fjalë), apo është bërë tërësisht mbi bazën e urdhrit të arrestit të lëshuar në vitin 2004.
Nëse Haradinaj gjykohet mbi fletarrestimin e lëshuar nga Serbia në vitin 2004, ai do të kthehet shpejt në shtëpi…
Por nëse do të gjykohet mbi bazën “e disa të dhënave të tjera” - për të cilat avokatja thotë se “ne nuk mund të kemi dijeni” - atëherë mbetet për t’u parë se çfarë do të vlerësohet në seancën dëgjimore të enjten nga gjykata franceze.
Sllovenët më 2015 e patën ndaluar Haradinajn me të njëjtin pretekst, porse pasi ndoqën procedurat e rregullta ligjore e liruan!
Serbia po sillet ashiqare me armiqësi dhe e papërgjegjshme ndaj Kosovës- ndonëse është në një proces paqeje me shtetin e ri – ndonëse për këtë nuk ka marr asnjë lloj vërejtjeje nga Brukseli zyrtar!?
Beogradi në këtë rast, edhe pse e di se nuk nxjerr gjë nga kërkesa absurde për ekstradimin e Haradinajt, mësyn që kjo “krizë” të reflektojë brenda në Kosovë, eventualisht që opozita të ngrihet kundër Qeverisë dhe shoqëria kosovare të shkojë drejt përplasjes civile!?
Në anën tjetër, në politikën kosovare pa ide dhe vizion “rasti Haradinaj” ka nisur të ndikojë raportet pushtet-opozitë edhe ashtu të tensionuara.
Thirrja e ministrit të Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj, që Franca ta lironte menjëherë Ramush Haradinajn është thjesht papjekuri diplomatike, sepse me këtë po i jepet leksion ballkanik një shteti perëndimor që sundimin e ligjit e ka kthyer në kult. Pra, kjo ishte vetëm edhe një dëshmi se drejtësia në Kosovë është e ndikuar nga politika, gjë që francezët as që mund ta kuptojnë…
Në anën tjetër, ministri i Jashtëm serb, ish-zëdhënësi i Milosheviqit, Ivica Daçiq, megjithëqë e di kaçikun e vet, ai, duke folur për shanset që Haradinaj të ekstradohet nga Franca në Serbi, megjithatë ka thënë se nuk ka ndonjë mënyrë për të ndikuar në një vend tjetër për ta bërë atë që Beogradi mendon se duhet bërë, porse "kjo nuk do t'u japë atyre qetësi".
Nëse e dekonstruktojmë gjuhën e zyrtarëve politikë kosovarë karshi Serbisë, mund të kuptohet qartë sensi reaktiv i kosovarëve, porse shihet se ata flasin disa fraza të lodhëta e të mësuara përmendësh nga folklori dhe letërsia orale, si frazat e Hoxhajt se “deklaratat e Daçiqit janë të papranueshme dhe si të tilla të paqëndrueshme”.
Ose më tej “deklaratat e tilla janë nxitëse dhe tendencioze, të cilat i kontribuojnë destabilizimit dhe prishjes së procesit të normalizimit të marrëdhënieve”.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, beson se drejtësia franceze nuk do të manipulohet nga fletarrestimet serbe, demek ky opsion lihet si mundësi!?.
Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Dhurata Hoxha, gjatë fjalimit të saj në Kuvend, ka thënë se arrestimi i Haradinajt ka prapavijë politike, “arrestimi i tij është pa bazë juridike, por dhe totalisht arrestim politik.”
Zyrtari i LDK-së, Ismet Beqiri, apelon që të mos bien “nën grackën e Serbisë, kurse shefi i tij partiak, kryeministri Mustafa, e thotë një fjali edhe më pa lidhje. “Haradinaj është shquar për orientimin e tij proevropian, prandaj nuk shohim asnjë arsye që ai të mbahet edhe më tutje i arrestuar”, thua se ai gjendet në arrest për bindjet e tij politike pro ose kundërevropiane, e jo në bazë të një fletarrestimi të shtetit serb kundër tij, për krime lufte…
Kështu fjalët si: provokim, grackë, manipulim, arrestim politik etj., janë vetëm shprehje mosdijeje dhe pafuqie.
Por çfarë po do Serbia dhe çfarë strategjie duhet të ndërtojë Kosova përballë mësymjeve serbe?
Me fletarrestimet kundër guerilëve të UÇK-së që datojnë nga 1998 dhe që janë plotësuar në vitin 2004, Serbia mësyn realizimin e Memorandumit 2 të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë (SANU), kundrejt Kosovës, dhe kjo është politika nacionale serbe, pra nuk është as provokim, as grackë, pos strategji e studiuar mirë dhe politika kondicionale që Serbia i mendon se janë frytdhënëse për realizimin e objektivave shtetërore të saj, karshi fqinjëve, BE-së dhe rreshtimit të saj dihotomik me BE-në dhe me Rusinë.
1. Të zvogëlohet përgjegjësia e Serbisë për kryerjen e krimeve dhe shkatërrimit, dhe përmes aktakuzave, fletarrestimeve dhe proceseve gjyqësore të montuara kundër shtetasve të Bosnjës, Kroacisë dhe Kosovës të vihet në pozitë të barabartë me shtetet përreth.
(…)
3. Shtetet fqinje, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia dhe Kosova, të vihen në pozitë që të heqin dorë nga akuzat e paralajmëruara para gjykatave ndërkombëtare.
Është pak e besueshme që Serbia do të bëjë kërkesë zyrtare për ekstradimin e Ramush Haradinajt, porse qëllimin strategjik e ka mbërri.
Po cilat ishin politikat kombëtare të Kosovës në raport me Serbinë?
S’ka të tilla!
Në Prishtinë gjithçka bëhet ad hoc dhe si reaksion e jo si paravajtje.
Çka po do Serbia dhe çka duhet të bëjë Kosova?
Strategjia e dukshme e Serbisë nuk është më të bëjë agresion të hapur ndaj Kosovës, porse ajo synon që punën e saj ta kryejnë vetë shqiptarët, duke i vënë ata para shumë dilemave e çështjeve të hapura - duke u hapur shumë telashe njëherësh - si fletarrestimet në Interpol, tërheqja e Lista Srpskas nga Kuvendi dhe Qeveria, muri që teknikisht ndan qytetin e Mitrovicës, presioni rreth Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, që ajo të konstituohet mbi Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe objektivat e veta po i mbërrin, ndonëse jo në masë shumë të lartë, porse mjaftueshëm për ta defunksionalizuar shtetin kosovar, duke investuar në pakënaqësi joracionale të opozitës kosovare, destabilizim permanent të shtetit kosovar, përplasje të brendshme, shtet jofunksional, derisa të arrihet mësymja finale, ajo e shpërbërjes së shoqërisë dhe dështimit të shtetit kosovar!
Në këtë situatë Qeveria e Kosovës duhet ta rimendojë e riformatojë dialogun me Serbinë (dhe mbi të gjitha ta bëjë transparent) duke kërkuar me urgjencë nga Brukseli që në rend të ditës në dialogun Prishtinë – Beograd të vihen:
1. Fletarrestimet politike të Serbisë – që shteti serb ose t’i anulojë dhe t’i tërheqë nga Interpoli - ose në të kundërtën dialogu më s’ka kuptim dhe Kosova reciprokisht të shpallë fletarrestim të brendshëm për presidentin Nikoliq, kryeministrin Vuçiq, Ivica Daqiçin, Drecunin…, e shumë liderë të tjerë serbë që kanë qenë pjesë e establishmentit fashist në kohën e Milosheviqit…
Raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunaçek, ka përsëritur thirrjet që Serbia t’i tërheqë fletarrestimet e vjetruara dhe ka thënë se Ligji për Juridiksion, i cili i jep Serbisë mundësi të akuzojë personat nga e gjithë ish-Jugosllavia është shumë problematik.
Lunaçek u shpreh po ashtu se Serbia nuk ka juridiksion ndaj Kosovës.
2. Dialogu të kushtëzohet me heqjen e Kosovës nga preambula e Kushtetutës së Serbisë (që Serbia të bllokohet në Kapitullin 35.)
Kurse hapi tjetër që Kosova duhet ta ndërmarrë është që Serbisë t’i hapë sa më shumë telashe në dialog, duke insistuar që në agjendë të vihen: 1. Të pagjeturit e luftës, 2. Reparacionet (dëmet) e luftës; 3. Pensionet e plaçkitura nga Kosova; 4. Padia kundër Serbisë për krime lufte dhe intenca gjenocidale në gjykatat ndërkombëtare, kudo ku është e mundshme; 5. Lugina e Preshevës dhe diskriminimi i hapur i shqiptarëve atje etj.
Në politikë nuk ka aleanca të përhershme, ka vetëm interesa të përhershme dhe ta vësh kundërshtarin në pozicion të keq karshi komunitetit ndërkombëtar nuk është turp, por mjeshtri (art negociator), vetëm mos me ditë dhe mos me pyet është turp…
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...