Me shkrim kundër kalbëzimit

12 Qershor 2015 - 08:18 - Halil Matoshi      

Libri i Veton Surroit “Ambasadori i Melkizedekut” nis aty ku ishte mbyllur libri paraprak i këtij autori, “Këmbët e gjarprit”, dhe përfundon aty ku do të nisë inercia, besimi se një ditë në vendet tona do të arrijë ambasadori i Melkizedekut dhe çdo gjë do të jetë OK… Një libër alarm kundër vdirjes, sëmundjes që e ka kapluar shoqërinë kosovare

A i kujtohet sot dikujt konferenca e shtypit e dr. Ibrahim Rugovës më 24 mars 1998, kur ai u shpallte gazetarëve se një shtet – dominion - kinse një ishull i Paqësorit, e kishte njohur Republikën e Kosovës?

Atyre që u kujtohet sigurisht që do të rezonojnë ndryshe-ndryshe; kundërshtarët ideologjikë të Rugovës do të thonë se ishte një mashtrues dhe sharlatan politik, ndërsa adhuruesit do të thonë se ai ka përdorur një simbolikë të fuqishme për ta bërë atë sensibilizimin e famshëm të opinionit botëror pro kauzës kosovare, mirëpo pakkujt do t’i shkojë ndër mend se kështu veprojnë e rezonojnë të gjithë popujt e shtypur e të mbetur jashtë kompozicionit të trenit historik, jo vetëm Rugova dhe populli i tij.

Ata shndërrohen në besëtytë dhe kanë nevojë për besëtytni, sepse nuk i besojnë më asgjëje racionale, nuk i besojnë më as forcës së tyre - ata vuajnë nga pamundësia - por u besojnë mrekullive që vijnë nga qielli, dhe shih ti, si për t’u përmbushur ideja deri në shkallë besëtyte se shpërputhja kognitive mund të shndërrohet në përputhje kognitive, shpëtimi u erdhi nga qielli pikërisht më 24 mars, një vit pas tregimit me ambasador …!?

Dhe gazetarët, në mungesë të informacioneve (interneti dhe Google ende nuk njiheshin në Kosovë) do të kërkonin burime alternative për ta gjetur e definuar ”këtë shtet”, që ja, na e paskësh njohur Republikën tonë, që dridhej hekurt nën represionin shtetëror të Serbisë, por që mbahej në mënyrë fabulative nga “shpërputhja kognitive” e kosovarëve, përkatësisht e liderit të tyre Ibrahim Rugova, i cili, papandehur e kishte ”zbuluar” Melkizedekun, deri atëherë të panjohur për njerëzit e tij.

Nëse dr. Rugova në manualet e gardës së tij e kishte emrin e koduar “Afërdita”, kurse shtëpia e tij quhej “Rezidenca” e baraka e ish-Shoqatës së shkrimtarëve quhej “Presidenca”, nëse Melkizedeku e kishte njohur Kosovën dhe pritej vendosja e marrëdhënieve bilaterale, sipas “psikosomatikës së frymës së kohës”, atëherë kjo nuk ka një shpjegim racional pos përmes “shpërputhjes kognitive” që d.m.th. bashkëjetesë e dy realiteteve të kundërta në përmasa religjioziteti (p.sh. vuajtja në këtë botë = dalje n’dritë në botën e përtejme.)

Autori mbështetet tek psikologu social amerikan Leon Festinger, i cili bashkëjetesën e këtyre dy realiteteve brenda të së njëjtës e cilëson “shpërputhje kognitive” apo disonancë kognitive, që d.m.th. dy a më shumë njohuri që nuk përputhen me njëra-tjetrën dhe kjo mospërputhje krijon bezdi.

Festinger në librin e tij “When prophecy fails” (Kur dështojnë profecitë), të shkruar në bashkautorësi me dy psikologë të tjerë socialë, më 1956, përshkruan fatin e dy lëvizjeve mesianike (hebraike dhe krishtere) në shekullin XVII përmes relacionit me një sekt bashkëkohor në SHBA, që besonte se po afrohej përmbytja e madhe biblike.

Nga pesë konditat e Festingerit, që janë të nevojshme për ta kuptuar konceptin e “shpërputhjes kognitive”, tre i përkasin besimit.

Sipas Surroit, e para, ai që merr pjesë në lëvizje (autori nuk harron ta përfshijë edhe veten në këtë lëvizje) ka besim të thellë (dhe jo analizë racionale), së dyti, ka investuar diçka nga vetja në lëvizje, dhe, së treti, është pjesë e një grupi, pra i përket një bashkësie besimtarësh.

Dhe lëvizja e kosovarëve për pavarësi e liri atëbotë ishte një besim i patundur (njerëzit shkruanin libra e tekste historie për “këtë të vërtetë të pakontestueshme”, për këtë realitet, paguanin taksa dhe ishin në gjendje të përballonin torturë e burgime për këtë kauzë);

“Ditën kur Kosovën e njohu Dominioni i Malkizedekut, në formë diskrete ndodhi zëvendësimi i besimeve. Ishte tashmë e qartë, në mospërputhjen kognitive se Kosova e okupuar ishte realiteti brutal, me praninë represive të pushtetit serb dhe se as që bëhej fjalë për një Kosovë të pavarur që e ka luksin e të dërguarit të ambasadorit të vet në një ishull Paqësori që nuk mund të gjendet as në hartë. “ (Fq. 23.)

Festingeri, sipas autorit, këtë proces e quan krijim të përputhjes cognitive, pra kur afrohen dy realitetet, ai i besimit me atë të faktit!?

Dhe “bezdia” e mospërputhjes kognitive e “prodhoi” luftën.

Kurse realiteti i pasluftës, kur dikush duhej të vishej me petkun e pushtetit nga grupi i entuziastëve marksistë – leninistë (dikur LPK) krijoi kakistokracinë (sundimin e qytetarëve më të ligj), që njëra për hesape të pushtetit personal (pasurimin nga zyrat publike) e tjetra nga halli krijuan dy modele në Kosovë, të parët atë të “Kosovapetrolit” (kompani e tjetërsuar e naftës) e të dytët modelin e Krushës së Vogël (atë të shkatërrimit nga lufta, varrezave masive dhe mbijetesës së grave të veja.)

Shkrimi Vetonit konsiston në storiet nga historia e afërt kosovare, por ajo, sipas modelit literor - kur gjithçka lidhet me gjithçka tjetër - depërton thellë deri në antikitet, për të gjetur mostra e analogji historike, rezon sociologjik, filozofik e teologjik, që tregimi i tij personal të marrë edhe karakterin erudit.

Dhe, sipas këtij modeli, gjithnjë personazhi qendror i stories i takon bashkëkohësisë sonë, pra është një kosovare a kosovar tipik që e njohim nga fqinjësia, ose që është njeriu ynë, së paku që e jetojmë dramën e tij të bashkëkohësisë…

Për autorin, nëse ish-presidenti kukull i Jugosllavisë së shkurtër, një shqiptar me origjinë nga Zhuja e Kamenicës, ish-partizan, analfabet, ishte katapultuar si president i radhës (e që i takonte Kosovës sipas modelit federal), kur asnjë shqiptar nuk e dëshironte këtë post, cilësohej “shqiptar i ndershëm” (sepse vetëm me t’u shfaqur në televizor fyente shqiptarët normalë), atëherë dalja nga zarfi e një presidenteje të Kosovës, në liri, që më shumë kalon kohë në ‘ooops’ të lajmeve qendrore të një televizioni kombëtar sesa duke lexuar, shkruar apo menduar për shtetbërjen, është një analogji, një gjetje për ta përshkruar modelin e kontrollit të shoqërisë nga një hegjemon për interesa vetjake, kushdo qoftë ai dhe në akëcilën kohë.

Dhe analogjia e Atifete Jahjagës me Bajramoviqin, që pinte birrë të lirë serbe e hante meze të konservuar që njihej në treg si “narezak”, ulur mbi një “gajbe” para një dyqani në një ambient grotesk fshatar, nuk ka lidhje me intencën e autorit për ta fyer presidenten e vendit, porse këtë analogji e kishin krijuar vetë ambasadori Chris Dell (që e nxori emrin e saj nga zarfi, pa ndonjë konsultë me politikëbërësit kosovarë), kurse zyrtarë amerikanë dhe një pjesë e medias, kosovaren e parë po e paraqisnin si “myslimane të ndershme”, për t’ua përplasur fytyrës islamikëve imazhin e një gruaje moderne myslimane, me kostum e aksesor me shije dhe që flet anglisht, pa ditur të formulojë në të shkruar e ta artikulojë në të folme, pa gabime, qoftë edhe një fjali të vetme shqipe …

Pra modeli jugosllav i “shqiptarit të ndershëm” tashti është strukturuar si model amerikan i “myslimanit të ndershëm”!

Ky shkrim është një ese brilant politik dhe historik, që i bë të zëshme akuzat e qytetarisë kosovare ndaj një kaste njerëzish që veten e proklamuan e pastaj edhe e imponuan si çlirimtarë, për t’u shndërruar shpejt – pjesa më e madhe e tyre – në armiq të lirisë.

Ky libër është një digë kundër padrejtësisë shoqërore, si një hajmali kundër aplikuesve të ligjit të xhunglës - organizatorëve të linçit publik – dhe së fundi si një kryq mbrojtës kur je përpara shtrigave - me i tutë kakistokratët e vrasësit serialë gjithandej në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Surroi më tutje me gjuhë sarkastike por të saktë emërton të keqen dhe bartësit e saj me saktësinë e fakteve duke argumentuar se raporti i qytetarit pa mbrojtje me një pushtet të mbrojtur nga një Kushtetutë që ka dy nivele interpretimi (një për brenda e një për jashtë, shqip & serbisht vs anglisht) është po ashtu fabulativ;

E interpretimin rëndom e bën njeriu i afërt (i zapuem) i pushtetit.

Kjo Kushtetutë e interpretuar nga prizmi populist merret me retrovizorin e një kombibusi misterioz, nëse pushtetari që del në anën e kundërt të aksit rrugor dhe aksidenton për vdekje një të ri ka mundur ta shohë rrezikun në atë retrovizor ose jo – thjesht Kushtetuesja vihet në shërbim të amnestimit të një ngasësi të papërgjegjshëm - i cili shndërrohet në vrasës rrugësh, të pandëshkuar.

Më tutje autori shkruan për ikjen nga e ardhmja e sigurt e kosovarëve, konspiracionet qeveritare për ta blerë paqen sociale, për të fuqishmit që ndonëse të dënuar nga gjykata pinë kafe në sheshin qendror, kërcënojnë qytetarët e gazetarët dhe shpotisin drejtësinë ndërkombëtare e vendore;

Për shqiptarin me stil revolucionarësh të shekullit 20, që në emër të një kauze kinse fetare e për të cilën nuk ka fare ide, mësyn ta çlirojë Mosulin nga qytetarët e vet, (do të thosha se këndvështrimi i Surroit për islamin politik dhe fanatizmin fetar është interesant dhe mjaft i thellë, e që, sipas tij, i vetmi islam evropian është ai tradicional shqiptar, komb me karakter mbifetar) etj.

Libri “Ambasadori i Melkizedekut” i Surroit është mendim me zë kundër heshtjes dhe kundër shurdhërisë shoqërore, që ngre një kauzë: E vërteta dhe e drejta duhet të triumfojnë mbi vetitë egërshane të njerëzve me shumë fuqi e pa asnjë trohë dijeje;

Kundër linçit dhe kalbëzimit shoqëror…

I shkruar me një gjuhë shpesh sarkastike por të saktë, libri më i ri i Surroit është alarm për kosovarët që ose të korrigjohen, ta ndreqin raportin e tyre me të vërtetën dhe me të drejtën duke i tejkaluar cenet, pasionet dhe egërsitë e tyre, aq sa kjo është e mundshme, ose do të thyejnë qafen në skllavëri…

Libri alarm?

Po si të përdoret ky udhëzues për ta rizgjuar një shoqëri të përgjumur e që po e vuan vdirjen shpirtërore, vogëlsinë shpirtërore?

Si ide që rrëfen udhën përtej apo si digë që i vihet të keqes, ankthit, depresionit, vdirjes, pra sëmundjes shoqërore (që Nietzsche e quan kalbëzim)?

Kemi artin për të mos vdekur nga e vërteta - thotë gjermani Fredrich Nietzsche.

Kemi librin për të mos u sëmurë nga e vërteta zyrtare - thotë publicist kosovar Surroi.

P.S.

Libri “Ambasadori i Melkizedekut”, botuar nga Botimet KOHA, 2015, është një libër bestseller për rrethanat kosovare, që, sipas zyrtarëve të panairit të librit “Prishtina 2015”, qe libri më i shitur (3 mijë kopje.)
Për Surroin, shkrimi është kambanë alarmi (ngjashëm me “Për kë bien kambanat” të Hemingwayt) jo vetëm shpëlarje goje sipas modelit “fola dhe shpëtova shpirtin”, ngase, aty ku është betonuar kultura e mosndëshkimit dhe aty ku raporti me të vërtetën është utilitar dhe diablok (kriminelët tanë janë të mirë e të tyret të këqij), aty lulëzon mizoria dhe shtetngrënia, por aty ku digjen ide e libra, aty shpërthen linçi publik dhe inkuizicioni (libri “Këmbët e gjarprit” i Surroit ishte djegur në Ferizaj dhe Deçan, së bashku me gazetën “KOHA Ditore”).

© KOHA

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...