12 Shkurt 2016 - 08:17 - Halil Matoshi
Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, nuk mund të ketë sukses për ta nxjerrë vendin nga baltaku, sepse ajo thjesht dhe qartë i ka shërbyer pushtetit të PDK-së dhe Hashim Thaçit gati për dy mandate rresht.
Së këndejmi besueshmënia e saj, po edhe lidershipi, janë për t’u vajtuar.
Vendimi i Ramush Haradinajt që të shkojë në takimin e thirrur nga ajo, së bashku me pushtetin, sefte ka dhënë sinjale se po shkëputet nga logjika e dhunës dhe revolucionit, duke shënuar një shkëputje brilante nga blloku opozitar, NISMA dhe VV.
Mirëpo, ai për këmbim duhet të marrë diçka, së paku një mirënjohje qytetare.
Dhe sot, secila grua apo burrë nga të dyja anët e barrikadës, që del nga logjika e bunkerit meriton respekt!
E këtë duket se nuk mund ta bëjë Hashim Thaçi inatçi as vartësit e tij (kurrë mos e harroni faktin se këtij njeriu gjatë dy mandateve qeverisëse, 12 kryetarë komunash i kanë dalë ndoresh – kryesisht njerëz të fuqishëm të luftës – duke dalë në anën tjetër të ligjit.
Ata janë hetuar, bastisur, dënuar ose edhe janë shmangur nga drejtësia!
Dhe këtë shmangie nga logjika e barrikadave mund ta bëjë (është besim më i gjerë qytetar se duhet ta bëjë!?) Isa Mustafa dhe LDK-ja.
Nëse po i kërkohet ky flijim nga shumë anë, nëse e ndien se tërheqja e tij mund t’i japë vendit një zgjidhje paqësore, ai duhet të gjejë forcën morale dhe patriotizmin qytetar që ta bëjë, për ta pasur nesër ndërgjegjen e pastër.
Së këndejmi, Mustafa dhe LDK-ja do ta merrnin primatin e institucionalizimit dhe kjo, mbase, do ta nxirrte atë dhe partinë e tij të fituar nga ky ballafaqim!?
E nëse nuk ka sens për patriotizëm qytetar sot, nesër nuk mund të thotë se situata i doli jashtë kontrollit ose e gjeti n’zgabim!
Gjërat janë të qarta.
Opozita e anashkaluar dhe e frustruar ka ndërtuar dy kauza të paqëndrueshme dhe në thelb etnonacionaliste për t’i mobilizuar më lehtë turmat kundër ish-armiqve të dikurshëm sllavë, për ta kamufluar kështu gogolin e quajtur Gjykatë Speciale, kauzë kjo e vërtetë rreth së cilës janë të përbashkuar të gjitha palët, pos një pjese të LDK-së!?
Ashiqare, opozita është bashkuar jo rreth koncepteve dhe mendësisë së re qeverisëse, por rreth idesë së përmbysjes së Qeverisë për ta neglizhuar, përkatësisht për ta shmangur ose negociuar drejtësinë ndërkombëtare.
Kjo opozitë del se ishte bashkë vetëm rreth dy kauzave të famshme, Asociacionit dhe demarkacionit, të cilat janë shtyrë përpara për ta mobilizuar nacionalizmin etnik shqiptar kundër atij serb, dhe asnjëherë nuk ka qenë unike rreth një koncepti të ri qeverisës.
Dhe sot dikush po thotë se Haradinaj ka tradhtuar opozitën.
Këtë e thonë ata që fabrikojnë armiq dhe nxisin përplasje për të krijuar rrethana të tensionuara në vend – ndoshta për ta shpënë vendin buzë luftës civile – për t’u ofruar te Perëndimi si faktorë që mund ta rikthejnë paqen brenda pak orësh, e si këmbim për të marrë zotimin se do t’u hiqet ose do t’u shtyhet aktakuza aktorëve të hetimit ndërkombëtar.
Nuk bëhet fjalë për kurrfarë tradhtie të Haradinajt pra, porse, ashiqare, ka dallime konceptuale mes AAK-së së Haradinajt dhe VV-së së Kurtit dhe NISMA-s së Limajt.
Vendimi i Haradinajt për t’iu përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentes lidhet edhe me atë se çfarë ka ndodhur para 16 vjetësh, por edhe me profilin e tij pragmatist.
Haradinaj është luftëtar dhe ai e di më së miri se si është bërë lufta për Kosovën dhe si është çliruar ajo.
Së pari, Haradinaj nuk besohet se do të provokojë përplasje me ShBA-në dhe me Perëndimin, gjë që VV-ja nuk po i përton, dhe, së dyti, ai nuk dëshiron përplasje brenda shoqërisë kosovare, përndryshe lufta e tij dhe e familjes së tij nuk do të kishin kuptim.
Partitë e bllokut opozitar Vetëvendosje, AAK dhe Nisma duket sheshit se i kanë braktisur kauzat fillestare dhe po kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, ndërsa Haradinaj po ngulmon që mandati i presidentit të vendit t’i lihet popullit, pra ai po kërkon që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli që të mos bëhet pjesë e pazareve politike.
Por për këtë duhet një marrëveshje paraprake për ta ndryshuar nenin 86 të Kushtetutës.
Sfidimi i Thaçit nga LDK-ja duket mision i pamundur, me gjithë disponimin e disa deputetëve që t’i thonë “jo” atij për ta marrë fronin e të parit të Republikës!?
Mirëpo, LDK-ja nuk ka shumë opsione para vetes.
Ajo mund ta veshë sërish Thaçin me pushtet (ta bëjë kryetar të Qeverisë e jo të Kosovës!), kurse pas një ose dy muajve të vijë një kryetar tjetër në PDK dhe “t’ua marrë” çelësat e zyrave të Qeverisë LDK-istëve!?
Ta prishin koalicionin!
Atëherë ky lidership i LDK-së do të binte në derexhe të vetëvrasjes politike!
Isa Mustafa me ata që e rrethojnë do të shkojnë në shtëpi, e Thaçi, me të cilin ky lidership i LDK-së duket se e ka lidhur fatin, do ta shijojë pushtetin për pesë vjet.
Natyrisht nëse nuk do të ketë probleme me drejtësinë ndërkombëtare!?
Dhe kjo e fundit është pjesa më e dhimbshme e tregimit.
Nëse Kosova do ta jepte kryetarin e shtetit për krime të supozuara lufte, kjo i bie se në Kosovë nuk banon ndërgjegjja qytetare dhe do ta ketë domethënien e një barazimi me Serbinë e kohës së fashizmit milosheviqian.
Ata që do ta ngrenë dorën për Thaçin kryetar, kjo mynxyrë mund t’i përcjellë si hije, një jetë njeriu!
Prandaj duhet të rezistojnë sot, nëse nuk e duan poshtërimin nesër!
Në anën tjetër, duket se opozita nuk do të garojë në zgjedhje me një listë unike, sepse konceptualisht është e ndarë.
Lëvizja Vetëvendosje, që mësyn jo vetëm ndërrimin e pushtetit, por edhe të sistemit politik dhe rendit kushtetues, pra nuk do të hynte në asnjë variant në një listë unike me ata që i percepton si të ngjashëm me pushtetin aktual, ngase trysnia mbi idetë bazë të VV-së do të ishte aq e madhe, sa kjo lëvizje do t’u ngjante partnerëve të saj, e jo vetvetes.
Opozitarët sot i ka bashkuar intenca antiqeveri, porse, në thelb, nuk i kanë synimet e njëjta.
AAK-ja dhe Nisma, pretendojnë thjesht pushtetin, pa reformim të shoqërisë dhe etikës së pushtetit, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje synon revolucionin shoqëror.
Tashmë po bëhet e qartë se vetëm një listë e bashkuar opozitare do të mund të fitojë zgjedhjet, mirëpo kjo mund të shpjerë tek integrimi në një listë zgjedhore i PDK-së dhe LDK-së, për t’i ruajtur pozicionet dhe privilegjet në shoqërinë kosovare.
E kjo do t’u siguronte pushtet kreut të LDK-së, por do ta shpinte në histori partinë e Ibrahim Rugovës.
AAK-ja dhe VV-ja kanë dallime të thella konceptuale dhe ideologjike edhe sa u përket dinamikave të pushtetit.
VV-ja qëndron në kursin e ndryshimit të shoqërisë, ndërsa AAK-ja pretendon që ta marrë pushtetin, për ta ndryshuar etikën e pushtetit, pa i prekur institucionet e shtetit, përkatësisht duke respektuar Kushtetutën dhe rendin simbolik të saj!
Në këtë aspekt AAK-ja, ndonëse nacionaliste, është më institucionaliste.
Lista eventuale e përbashkët e opozitës nuk do të nxirrte humbës e as fitues, por eventualisht do të detyronte Vetëvendosjen të moderohet në kushtet e demokracisë liberale.
Dallimet mes këtyre dy subjekteve (AAK dhe VV) janë edhe të rrafshit të raporteve të Kosovës me faktorin ndërkombëtar, përkatësisht me Perëndimin, e veçmas me ShBA-në.
VV-ja insiston që të rishqyrtohen këto raporte përfshirë edhe kundërshtimin e neoliberalizmit, kurse AAK-ja mësyn konservimin e këtyre raporteve, duke ruajtur marrëdhënie të ngushta dhe të paqortueshme, sidomos me ShBA-në!
Prandaj përgjigjja pozitive e Haradinajt për dialog me pushtetin shihet si lëvizje për të parandaluar çfarëdo përplasjeje eventuale në mes të shoqërisë kosovare, por edhe të vet opozitës me Perëndimin, gjë që do të ishte fatale për Republikën.
Përfundimisht, Kosovës i duhet marrëveshje politike mes grupeve rivale, nëse dëshirohet shmangia e konfliktit civil.
E çelës për çfarëdo marrëveshjeje është pajtimi për zgjedhje të parakohshme në vjeshtën e sivjetme, ose në pranverën e vitit 2017, me zotimin e palëve për njohje të rezultatit zgjedhor.
Fundja zgjedhjet janë i vetmi mjet i ligjshëm dhe demokratik për t’i dhënë vendit zgjidhje, për arsye të krizës së legjitimitetit..
Ndërkohë, një Qeveri e shpëtimit kombëtar do t’i kryente zotimet ndërkombëtare të shtetit kosovar.
Nëse për këso lëvizjesh impresive nuk do të gjenden njerëz të arsyeshëm, atëherë besohet se do të ndërhyjë NATO-ja dhe shkopi do të fërgëllojë mbi krerët kosovarë, sepse një gjë dihet: Perëndimi (ShBA-ja, Britania dhe Gjermania…) nuk do ta lejojnë dështimin e projektit më të madh europerëndimor pas Luftës së Dytë Botërore.
Dështimi i shtetit kosovar do të ishte ikje e Perëndimit nga treva qendrore e Ballkanit!
Dhe rikthimi rus…
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...