Udhëzime për retushimin e kujtesës

5 Dhjetor 2014 - 08:44 - Halil Matoshi      

Dikur Josif Stalini ka fshirë me retush fotografitë ku shiheshin ish-shokët e tij (Buharini e Trocki), të cilët, ndërkohë, i kishte mënjanuar edhe fizikisht (revolucioni i ha fëmijët e vet!); pastaj Enver Hoxha, diktatori shqiptar, duke synuar të vinte monopol mbi historinë, po mënjanonte nga fotografitë në grup të gjithë shokët e partisë ose të klerit a opozitës, që ndërkohë i kishte vrarë, spastruar, internuar... Dhe tashti po këtë mani e bën “neoliberali” Hashim Thaçi, duke retushuar fotografitë dhe duke retushuar edhe pikëpamjet e pararendësve të tij, bashkëkohanikëve ose edhe të kundërshtarëve të mëvonshëm të tij, siç ndodhi me retushimin e një fotografie nga Rambouillet, nga e cila ai “fshiu” Rexhep Qosjen e Veton Surroin...

Kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përkujtuar presidentin e ndjerë të vendit, Ibrahim Rugova, në ditëlindjen e tij të ’70-të me një postim në “Facebook”.

“Sot shënojmë ditëlindjen e presidentit të ndjerë, dr .Ibrahim Rugova. Kosova Republikë, e pavarur dhe demokratike, e orientuar thellësisht kah komuniteti euroatlantik, ka qenë synim i presidentit të parë, me të cilin kam pasur bashkëpunim në momentet pivotale të historisë sonë të re. Familja e tij dhe populli i Kosovës sot janë krenarë për punën e tij të palodhshme për liri dhe pavarësi. HTH”

Menjëherë ka pasuar reagimi i Qosjes, i cili, n’dash besoni, n’dash mo’ e ka cilësuar HTH stalinist dhe falsifikator!?
“Sot e lexova urimin që kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi, shpalli në faqen e tij në ‘Facebook’, me rastin e përvjetorit të lindjes së ish-kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, me përkushtim të veçantë e me ndjenja sentimentale thekson bashkëpunimin e tij “pivotal” me Ibrahim Rugovën. Di shumë, ndoshta çdo gjë, për këtë bashkëpunim “pivotal” mes tyre prej Konferencës së Rambujesë e deri në vdekjen e parakohshme të Ibrahim Rugovës.
Është e zakonshme në botën e qytetëruar që urimet për ditëlindje, si dhe ngushëllimet për vdekje të jenë të sinqerta.

Vetëkuptohet se nuk do ta bëja këtë reagim për urimin e kryeministrit në detyrë, Hashim Thaçi, me rastin e përvjetorit të lindjes së Ibrahim Rugovës, sikur ky urim të mos ishte përcjellë me një falsifikat: me shkurtimin e fotografisë nga nënshkrimi i Marrëveshjes shqiptaro-serbe në Rambuje, prej së cilës, në mënyrë staliniste, jo vetëm në këtë rast, janë hequr fotografia e Rexhep Qosjes dhe e Veton Surroit.

A e këtillë duhet të jetë demokracia jonë?
A e këtillë duhet të jetë historia jonë?
Le të gjykojnë lexuesit. Mua s’më duhen fotografitë!
Mua dhe krejt popullit shqiptar i duhen sot më tepër se kurrë përgjegjshmëri shtetërore dhe ndershmëri politike, demokratike dhe historike, që aq tmerrshëm po i mungojnë Kosovës në këtë kohë” – ka shkruar Qosja.

Mungesa në podiumet e ngritura të shumë figurave të protestës së 8 dhjetorit është vënë re edhe kur Sali Berisha ishte kryeministër dhe kjo është dëshmia se udhëzues për retushimin e kujtesës është stalinizmi, përkatësisht enverizmi, ndaj së cilës ideologji nuk mbeten imunë as pasardhësit, deri te kosovari HTH.
Në shkurt të vitit 1948, në një çast historik për Boheminë, udhëheqësi komunist, Klement Gottwald, del në ballkonin e një pallati barok në Pragë për të folur përpara qindra qytetarëve që mbushnin sheshin e Qytetit të Vjetër.

Gottwald rrethohej prej miqve të vet dhe shih pranë tij qëndronte shoku Clementis. Binte dëborë dhe bënte ftohtë. Gottwald nuk kishte kapele dhe Clementis, dhembshurisht, heq beretën e tij prej peliçeje dhe ia vë mikut. Mbi atë ballkon nisi historia e Çekosllovakisë komuniste.

Propaganda shpërndau me mijëra fotografi të ballkonit prej ku Gottwald, i rrethuar nga miqtë, i fliste popullit. Në afishe, në librat e shkollës dhe në muze të gjithë fëmijët e panë atë fotografi. Disa vjet më vonë Clementis u akuzua për tradhti. Seksioni i propagandës e fshiu nga historia dhe natyrisht edhe nga të gjitha fotografitë.

Që prej asaj dite, Gottwald qëndron i vetëm në ballkon. Atje ku më parë qëndronte Clementis sot është muri i pallatit. Nga Clementis-i ka mbetur vetëm bereta mbi kokën e Gottwald-it.
Kështu nis – sipas autores Ilirjana Stringa - një nga romanet e shkrimtarit disident çek Milan Kundera (perifrazimi dhe citimet janë marrë nga Milan Kundera, Il libro del riso e dell’oblio, Adelphi, 1980). Situata që rrëfehet më sipër është pa dyshim një dejà vù për shqiptarët, këtej dhe andej kufirit.

Sipas Stringas, diku më poshtë Kundera na kujton edhe se “lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës” kinse për të na bërë të qartë ç'kërcënim me vdekje është harresa.
Është e njohur një fotografi e retushuar e diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, i cili si përfaqësues i Gjirokastrës kishte mbajtur një fjalim para Bashkisë së Shkodrës, më 1936, me rastin e rivarrimit të Muqo Qullit dhe Çerçiz Topullit. Në origjinal Enveri duhej të ishte vetë i dhjeti, i rrethuar me politikanë ruajalistë, me hoxhallarë e priftërinj, kurse sipas versionit zyrtar të kësaj fotografie ai është fill i vetëm.

Pastaj u retushua fotografia, ku Enver Hoxha shihej me zëvendëskryeministrin Koçi Xoxe, duke vendosur kurorë mbi varrin e Leninit në Moskë, më 1947.
Më 1949 Xoxe pushkatohet dhe zhduket edhe nga fotografia.
Më 1982 ishte retushuar edhe një foto e diktatorit në mesin e drejtuesve të tjerë të partisë, si: Mehmet Shehu, Fiqret Shehu dhe Kadri Hazbiu, i pari zyrtarisht i vetëvrarë “në një gjendje krize nervore”, kurse të dytët të ekzekutuar pas një gjyqi farsë, që ua organizoi diktatori.

Në Kosovë, një fotografi që është përdorur nga kundërshtarët e tij (ish-LPK-ja dhe guerilja UÇK) me vite të tëra për ta denigruar ish-presidentin e parë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën, është ajo e një takimi të këtij të fundit me Slobodan Milosheviqin në Beograd.

Për atë fotografi, militantë të LDK-së ngulnin këmbë se është fotomontazh, pra falsifikim, kurse militantë kryesisht të PDK-së e shpërndanin gjithandej, për demonizimin e tij.
Pastaj doli një fotografi e Hashim Thaçit në krah të Adem Jasharit.

Militantët e LDK-së betoheshin se ishte fals, sepse HTH kurrë nuk ishte takuar me Adem Jasharin, mirëpo pala tjetër jepte argumentet se fotografia ishte e vërtetë.

Së fundi, pas ribashkimit të PDK-së me LDK-në (sepse qenë divorcuar më 2010), HTH përdorte Beogradin (apo qoftë vetëm një fotografi të Rugovës me ish- presidentin serb) për ta shantazhuar rivalin e tij politik, kurse Tiranën e përdorte për përfitime politike (i ka mënjanuar fotografitë me Berishën dhe i përdor vetëm ato me Ramën!?) dhe kjo luftë me simbole, përkatësisht kjo luftë me fotografi shpreh mësymjen e paskrupullt të liderëve shqiptarë për ta monopolizuar historinë.
Kjo luftë me fotografi vërtet i shpreh vetë ata, kompleksin e vlerës më të ulët se një pararendës ose pasardhës, shpreh thjesht intencën për vrasjen e kundërshtarit politik, qoftë edhe përmes gjuhës së trupit – në Parlament – kur i shënjuari me gisht është rivali, kurse shënjuesi është gjahtari parak e gishti është shtiza e antikitetit.

Hashim Thaçi në “Facebook” e kishte përkujtuar “mikun dhe bashkëpunëtorin e tij” në punët pivotale (SIC!) Ibrahim Rugova, mirëpo ky gjest pragmatist politik ia çoi flokët thikë përpjetë Rexhep Qosjes, sipas disa opinionistëve shqiptarë: sekretarit të organizatës bazë të Partisë së Punës të Shqipërisë diku në një lagje të Tiranës (p.sh. Kashar, Sharrë apo Zogu i Zi, kjo fare s’ka rëndësi.)

Rexhep Qosja, letrari vuthjan, e ka zët Rugovën që nga dalja e Adem Demaçit nga burgu e veçanërisht që nga dalja publike e UÇK-së.
Pastaj kur një ditë në Prishtinë u ngrit shtatorja e Rugovës, Qosja s’u përmbajt pa e cilësuar Rugovën tradhtar e kolaboracionist.
A nuk e shquante me këtë rast kompleksi i vlerës më të ulët?
A frikësohej vërtet Qosja se po “nxirret” arbitrarisht nga historia, se nuk do të kujtohej kush t’ia ngrinte një shtatore, se nuk do të hynte në një këngë folklori, se...!?

Porse vetë Rugova për së gjalli thoshte se me hy në kangë është gati një mallkim, sepse kënga duhet ruajtur të mos vritet!
Rexhep Qosja sederli, meqë kishte marrë shumë mirënjohje publike nga regjimi i HTH, ishte ftuar rregullisht në “Coctaille”-t e HTH me ndërkombëtarët, si dhe i ishin dhuruar mbi 200 mijë euro nga taksat për ribotimin e kompletit të veprës së tij, për një kohë të gjatë kishte heshtur.

Kundërshtarët e tij pandehnin se HTH e ka blerë me para paqen e përjetshme me akademikun.
Porse, nuk doli kështu.
Qosja shpërtheu kundër HTH jo gjithaq pas fjalëve të mirëdashjes për Rugovën të këtij të fundit, sa për faktin se kur kishte pikasur se një fotografi zyrtare e nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambouillet-së ishte retushuar nga HTH, duke mënjanuar fytyrën e Qosjes dhe Veton Surroit.

Jo, vërtet me këtë rast HTH i ka mënjanuar edhe të tjerët nga delegacioni i shqiptarëve kosovarë në Kështjellë.
Ndër ta edhe Blerim Shalën, me të cilin bashkëpunoi ngushtë gjatë dialogut me Beogradin në Bruksel, por që u ndanë, pasi që HTH ia lëshoi “fronin” Isa Mustafës, apo u bë sikur...
HTH e di se historia e Kosovës nuk mbaron me të, por ai me arrogancën që e shquan mësyn që për së gjalli ta dominojë atë dhe insiston që të zërë sa më shumë hapësirë brenda asaj kornize historike, një pesëmbëdhjetëvjetësh, që vërtet e ka dominuar, me meritë ose pa të.

E ka dominuar duke luajtur kryesisht fshehtas, në mënyrë klandestine, me simbole e fotografi, duke luajtur me gjuhën e trupit dhe të mendjes.
Dhe gjithqysh falë jorezistencës dhe jokonsistencës së intelektualëve kosovarë.
HTH e di se historia e Kosovës nuk ka për t’u shkruar sipas diktatit të tij, por atij aq i bën.

Ai është politikan i gjallë.
Pragmatist që s’ka hequr dorë nga loja.
Prandaj i ka mashtruar dhe vazhdon t’i mashtrojë të gjithë, akëcilin që i del përballë ose i rri në krah...
Tradhtia është postulat kanonik dhe s’ka të bëjë fare me realpolitikën.

“Besoja ligjit lirinë” – thotë një varg nga himni amerikan.
Pra mos ia beso askujt atë personalisht!
HTH është statujë e gjallë, që na thotë diçka për kohët e metarrëfimeve (qofshin edhe metanarrativa të tmerrshme e të mistershme.)
Është statujë e ftohtë, por e gjallë që herë pas here mendon!

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...