Të bastisen RTK, BIK dhe KMDLNj...

25 Korrik 2014 - 09:00 - Halil Matoshi      

Dallimi mes terroristësh verbalë si Mufail Limani, Behxhet Shala dhe Naim Tërnava dhe atyre të vërtetë është fare i vogël, ose i papërfillshëm. Sepse terrorizmi klasik buron në gjuhë. Prandaj Prokuroria duhet të japë urdhër për bastisje...

RTK-ja përfundimisht po prezantohet rrejshëm, prandaj paraja publike e ndarë nga Kuvendi i Kosovës duhet t’i merret centëm-cent!?
Ky televizion nuk është më servis publik, porse ka rrëshqitur me letra në televizion partiak të PDK-së.
Prandaj për financimin e tij duhet të kujdeset partia.

Kur vitin e kaluar shpërtheu një luftë e vogël mes KMDLNj-së dhe BIK-ut (të dyshuar që të dy për keqpërdorim financash e korrupsion) kur të dytë akuzonin njëri-tjetrin se e kanë humbur kredibilitetin e mirëfilltë për çka janë krijuar dhe ekzistojnë, që të dytë sikur e humbën paanësinë, hirësinë dhe “shenjtërinë” e tyre të proklamuar.
Prandaj nuk është sakrilegj bastisja e tyre...
Këto tri “institucione” janë tërësisht jotransparente (jo vetëm për financat e tyre) dhe ekziston mundësia (dyshimi i bazuar) të merren me veprimtari të dyshimtë.

Aty mund të strehohen ata që prezantohen rrejshëm si gazetarë, si humanistë dhe hoxhallarë, e në thelb bëjnë punë spiunësh dhe ideatorësh të akteve terroriste të të gjitha profileve.
Dallimi mes terroristësh verbalë si Mufail Limani, Behxhet Shala dhe Naim Tërnava dhe atyre të vërtetë është fare i vogël, ose i papërfillshëm.
Sepse terrorizmi klasik buron në gjuhë...

Prandaj prokuroria duhet të japë urdhër për bastisje...
Radiotelevizioni Publik i Kosovës, RTK, ndonëse në webin zyrtar të Kuvendit gjendet informacioni se Isa Mustafa është kryetar Kuvendi, ka lëshuar një urdhër-qarkore tipike totalitariste për gazetarët (në shërbim të partisë-shtet) që Mustafa të cilësohet si kryetar i kontestuar i Kuvendit. Prandaj, Kuvendi i Kosovës me të nisur punimet duhet ta penalizojë këtë servis personal të HTH, duke ia marrë paratë që i janë dhënë nga taksat e qytetarëve të vendit, sepse është prezantuar rrejshëm, si servis publik, ndërsa sy bote po i mbron interesat e partisë-shtet, PDK-së, dhe këtu konsiston “terrorizmi verbal” i Mufail Limanit, i cili gjatë dhe shpesh di t’i trajtojë të tjerët si revolucionarë dhe shtetngrënës.

Myftiu Naim Tërnava, hoxha i afërt me linjën e ashpër të PDK-së, po mbijeton pa u trazuar për asgjë (as për deklarime ekstremiste as për jodeklarim financash) falë rekrutimit të votuesve për Hashim Thaçin.
Ndërsa i treti, një palo-burrë, lideri i kinse - të drejtave të njeriut Behxhet Shala (ruana zo’ nga mbrojtja e tij!?) po ashtu, u ka mbijetuar gjatë bastisjeve, duke qenë se që nga fillimet e hershme ka rekrutuar njerëz për shërbimet sekrete të PDK-së.
Madje ka qenë edhe këshilltar qeveritar dhe e mbiquan veten si politikbërës...
I pari e mori goditjen e parë këto ditë, kur nuk i erdhi ftesa nga Ambasada amerikane në Prishtinë, e cila kishte shtruar një iftar për imamët e moderuar kosovarë, porse pritet shpejt që të demaskohet tërë veprimtaria e tij antishtet.

Ndërsa i dyti përfundimisht u largua nga “misioni i tij prej humanisti“ duke iu ulur në prehër kujt tjetër pos HTH, edhe pse shumë më përpara e kishte ftilluar veprimtarinë e tij prej kafshuesi të shpirtrave njerëzorë, madje duke “ekzekutuar” njerëz që nuk mendojnë si ai në faqe gazetash.
Pra që tre këta burra (Limani, Shala e Tërnava) e kanë gjetur shpëtimin, jo në idetë liberale e demokratike të modernitetit, i pari, as në parajsën markist-leniniste në tokë, i dyti as në idenë e xhenetit, i treti, por thjesht duke iu ulur në prehër kryeministrit kosovar në largim HTH dhe duke e mashtruar publikun.

Këso profilesh janë të dëmshme edhe për vetë gazetarinë, humanitetin dhe fenë, pra nuk u shërbejnë ideve fillestare të lirisë – ata marrin liri.!
Marrin dhe para të majme dhe japin dokrra, shpesh të dozuara me helm...
Po çfarë instance është RTK-ja për të vlerësuar që t’i kundërvihet cilësori “i kontestuar” një zyrtari të lartë politik. Servisi publik duhet të raportojë, të hetojë nëse është vërtet i kontestueshëm dhe përse, mirëpo nuk e ka të drejtën që ta cilësojë atë “të kontestuar”, sepse këtë ende nuk e ka thënë asnjë instancë në shtet, as Gjykata Kushtetuese madje, pos “Drejtorisë politike” të PDK-së.
Ky të jetë televizion publik!?

Po çfarë bre!?
Mbase një ditë ish-kolegu Limani do të na thotë se ka qenë i shtrënguar dhe i detyruar, se nuk mbijetonte dot, se...
Porse apologjia e tij do të jetë si rëndom e vonuar...
Mijëra shpirtra tashmë janë viktima të kafshimit të tij dhe të televizionit që ai drejton.
Dëmi është i pariparueshëm.
Prandaj Prokuroria e Shtetit duhet të urdhërojë bastisjen e RTK-së edhe për jotransparencë të shpenzimit të parasë publike, për gjuhë që përkufizohet si terrorizëm verbal dhe mbi të gjitha për prezantim të rrejshëm.

Po a i lejohet KMDLNj-së që të marrë anë duke mbrojtur uzurpatorët e pushtetit dhe të shtetit, si në rastin e Flora Brovinës, të cilën HTH e kishte lidhur fort me zinxhirët partiakë - për ulësen dhe mikrofonin e Kuvendit të Kosovës, që me të gdhirë dita e seancës konstituive.
KMDLNj-ja duhej ta bënte përgjegjëse një deputete që cenoi rëndë rendin demokratik duke e shpërfillur shumicën në Kuvend dhe e cila sipas Kushtetutës nuk duhej t’i nënshtrohej asnjë ndikimi apo mandati tjetër. Ajo duke i dëshmuar lojalitet ekstrem partisë së saj PDK-së kishte rënë në trans dhe as s’dinte ç‘fliste dhe as ç‘bënte.
Thjesht, luante si marionetë në duart e HTH.

Kurse KMDLNj-ja ashiqare rren publikun se FB-ja na qenkësh penguar nga të tjerët për ta bërë punën e saj!
Dhe në anën tjetër, çfarë paanësie e shquan këtë këshill të drejtash njerëzore për ta mbrojtur HTH, kinse po u diskriminuaka nga media dhe opozita politike dhe si mund të mbrohet një politikan që duke ngarendur pas pushtetit personal ka rrëshqitur thellë në autoritarizëm dhe kapje të shtetit përmes strukturave të tij parapolitike si SHIK-u, që filialet e veta i ka edhe në RTK, KMDLNj dhe BIK!?
Kosova - sipas këtij këshilli - ka nevojë të ngutshme për ndriçimin e të gjitha krimeve, krimeve të luftës dhe kundër njerëzimit, krime të motivuara etnikisht, krimeve që për pasojë kanë pasur vrasjen, zhdukjen apo eliminimin e kundërshtarëve politikë, si dhe krimin që po e shkatërron Kosovën, si korrupsioni dhe krimi i organizuar.
E saktë!

Përderisa KMDLNj-ja ashiqare i bishtnon një fakti: ta lëmë manash hetimin e supozuar për krime lufte sipas raportit zyrtar të KE-së dhe të ndalemi tek fjalët e fundit të KMDLNj-së për “krimin që po e shkatërron Kosovën” dhe t’i pyesim: A është rritur apo zvogëluar ky krim (korrupsioni dhe krimi i organizuar) gjatë dy mandateve të HTH!?

Këtë duhet t’ia thotë publikut KMDLNj-ja.
Dhe cila është ajo instancë supreme (rolin e së cilës e kanë marrë KMDLNj-ja dhe BSH-ja) që vlerëson analistët duke i vënë nën thonjëza!?
Kush ia ka dhënë këtë mandat?
Askush, së këndejmi KMDLNj-ja e ka shkelur statutin e vet dhe të gjitha katet themeltare.
Prandaj, pos RTK-së duhet bastisur edhe dy çerdhet tjera të konspiracionit, KMDLNj-ja dhe BIK-u.

Madje ky i fundit edhe për cenim brutal të konstitucionit rreth dymijëvjeçar shpirtëror (kulturor) të Kosovës.
Dhe kastile duhet bastisur që të tria këto zyra të PDK-së, për jotransparencë shpenzimesh, pra për abuzim me paranë publike, për nxitje të ekstremizmave, politikë e fetarë, pra për terrorizëm verbal dhe prezantim të rrejshëm para publikut...

Në këtë vend ku janë të lirë të ekzekutojnë njerëz në TV e gazeta, si dhe nëpër xhamia, njerëz si këta të tre as djegia e librave nuk është ndonjë befasi.
Dhe ata që spiunojnë, mashtrojnë e rrejnë publikun për pushtet personal apo për një grusht monedha që ua lëshon HTH në grusht, ata me lehtësi të padurueshme djegin edhe njerëz.
Ndaj tyre cok është e ligjshme rezistenca...

©KOHA.net

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...