5 Shtator 2014 - 09:21 - Halil Matoshi
Pse shumica e qytetarëve (e popullit) flasin me zemërim: “Mbaruam” ose “Kështu nuk shkon ma” dhe pse atdheu i kosovarëve është kaq i mjerë dhe kosovarët kaq të dëshpëruar - nëse do ta dini – lexoni librat e tyre shkollorë, lekturat socrealiste dhe interpretimet e tyre për historinë e vet dhe asaj botërore!
1 shtatori sipas një diskursi socrealist del të
jetë festë e dijes, por sa të dëshpëruar do të jenë
ata që do të vetëdijesohen se shkolla kosovare është vetëm një rrenë e pushtetit dhe s’i vyen askujt si e tillë!?
E po në varganin e këtyre rrenave mësues e nxënës të shoqëruar nga politikanë korruptues
shpifnin duke festuar 7 marsin si Ditën e mësuesit, ngase argumentet po thakan
(profesori David Lukaj) se shkolla e parë s’është hapur më 7 mars dhe jo në Korçë, më
1887, porse gjetkë, në Kurbin më 1641, dhe kishte 12 xhakoj – nxënës që mësonin
gramatikën e shqipes, poezinë dhe muzikën.
Sefte në këtë shkrim po i ndaj me lexuesit dy tregime që flasin për dy qytetërime të ndryshme.
Në shtetin e organizuar si Zvicra, i riu Shkëlzen Tahiri, me prejardhje nga Shahiqi i Dardanës që ka shkuar atje si 12-vjeçar, prej pesë vjetësh drejton firmën “Sprenger Werkzeugbau AG në Margarethen (TG)”, ku prodhohen vegla precize për industri, ndërsa paralelisht bën punën e punëtorit dhe të drejtorit.
Në shtetin e dështuar si Kosova, i riu A.K. nga një zonë e Drenicës ka mbaruar fakultetin e pedagogjisë dhe punon si taksist në një kompani kosovare. “Familja ime nuk është me Thaçin, prandaj mua nuk më dhanë një punë.”
E në Qeverinë që do të duhej të ishte edhe e A.K. janë punësuar me nepotizëm rreth 60%, prej të cilëve 100% në baza partiake, e nga të cilët 40 % janë me shkollë të mesme dhe fillore!?
Dhe këto tregime do të duhej të vlenin që secili qytetar (jo vetëm gazetarët) ta pyeste kryeministrin kosovar: “Përse kryeministër, kosovarët vetëm në vendin që e udhëhiqni ju mbesin të mjerë”?
Shkolla kosovare nuk prodhon njerëz të ditur, por partizanë të Hashim Thaçit, e së fundi, kur këtij po i shterojnë burimet materiale dhe frymëzuese (UÇK-iste!?) shumë nga studentët e universiteteve të tij si fabrika votash nëpër kasabatë kosovare po i bashkëngjiten xhihadit.
Keni kërkuar - shikoni!
Bash si në serialin e famshëm të Art Backerit “You asked for it”!
Shkolla kosovare nuk prodhon mendje, por cok analfabetë funksionalë, që ashiqare i duhen pushtetit për t’i sunduar më lehtë masat, të cilave që më parë duhet shpëlarë trurin.
Fëmijët kosovarë nuk shkojnë në shkollë për të mësuar për veten dhe të tjerët, për familjen dhe komunitetin, për botën që i rrethon, për shoqërinë, shkencën dhe artet…
Por në vend të kësaj atyre u jepen leksione të marra mitike nacionalromantike për “nepatriotët, çlirimtarët” dhe “luftërat tona të lavdishme”, dhe “ata-tradhtarët” dhe “komplotet e tyre kundër nesh dhe kombit tonë”.
Atyre u thuhet se shteti kosovar është kot – na duhet bashkimi kombëtar!
Atyre u thuhet se flamuri kosovar është vetëm i shtetit – ne kemi atë kombëtar!
Njashtu dhe himnin!
Atyre u thuhet se shqiptarët janë populli më i lashtë dhe më i zgjedhur, ata kanë traditë dhe kulturë.
E në anën tjetër s’të sheh syri tjetër pos mjerim!?
Kanë identitet – u thuhet - porse kanë edhe shumë armiq.
Thuaja të gjithë.
Madje edhe amerikanët – nëse e sheh nga prizmi i shkollës paralele kosovare – asaj të islamit politik!?
Qe sa poshtë ka ra shkolla kosovare!
E filozofët e HTH-së, doktorët e pasluftës dhe sidomos historianët e shkollës së Agim Zogajt thonë: “S’ka si unë - s’ka si ne - s’ka si HTH”!
Një kombinim perfekt i nacionalsocializmit enverian dhe liberalsocializmit titoist e ka kapluar shkollën kosovare, në të cilën banon injoranca – ky armik nr.1. i kosovarëve - armiku nr.1. ngase është shumicë!?
Shkolla kosovare jep interpretime ideologjike të historisë, interpretime odash (folklorike) për traditën dhe kulturën e lashtë dhe të madhe shqiptare, për luftëra të humbura varg e vijë dhe për heronj të shpikur e norma të shpifura, morale, kombëtare e fetare.
Kurse interpretimi faktik (i argumentuar) thua se është shpallur herezi!
Sepse ky pushtet (kjo kastë kakistokratike qeverisëse dhe kulturore) e ka siguruar monopolin për të vërtetën zyrtare përmes legjendës së Adem Jasharit.
Në shekullin XXI dhe në këtë botë në lëvizje, Kosova në vend që të përgatisë qytetarë të botës dhe ekspertë për zyrat në Bruksel, prodhon militantë partiakë, që në shkëmbim të votës ia ofrojnë karrierën e zyrtarit të lartë për fotokopje!?.
Shkolla kosovare duke qenë e falimentuar nga Qeveria Thaçi në këtë dynja, po “prodhon” ‘shehitë’ për dynjanë tjetër, njerëz morbidë që nuk duan të jetojnë, pra njerëz që janë të bërë për t’iu bashkëngjitur ISIS-it…
Që në tetor 2010, ministri i atëhershëm i Arsimit, Enver Hoxhaj, (që njihet edhe si biograf folklorik i shefit të tij HTH) tek e kishte vizituar me ambasadorin britanik në Prishtinë, Andy Sparkes, shkollën fillore “Xhemail Mustafa”, kishte deklaruar se që nga viti vijues (2011) gjuha angleze do të jetë obliguese nga klasa e parë.
“Gjuha angleze është një mjet i fuqishëm që lidh Republikën e Kosovës me të gjitha vendet e botës, e cila flitet në çdo cep të botës dhe është një gjuhë që duhet të flitet në çdo cep të Republikës së Kosovës.
Prandaj kemi vendosur që mësimi i gjuhës angleze të jetë obligues nga klasa e parë në vitin e ardhshëm. Sivjet kemi filluar ta pilotojmë idenë nga klasa e parë, prandaj shpërndarja e revistës është edhe një mjet i mirë i pilotimit të kësaj ideje të mirë”.
Mirëpo ç‘u duhet anglishtja p.sh. fëmijëve të një shkolle që mban emrin e Xhemail Mustafës, pa u shpjeguar atyre paraprakisht se përse shkolla e tyre e mban këtë emër, e jo ta zëmë të HTh!? (parafrazim i E.Robellit.)
“Korniza e re e Kurrikulës së Kosovës paraqet vizionin për zhvillimin dhe zbatimin e një kurrikule, që synon mbi të gjitha arsim cilësor, (...) e ka në qendër të vëmendjes së saj vetë nxënësin, duke integruar dhe pasqyruar vlerat dhe parimet thelbësore të të drejtave të njeriut, të bashkëjetesës, të drejtës shoqërore dhe të gjithëpërfshirjes në sistemin arsimor”, pati thënë Hoxhaj asokohe, gjatë prezantimit të kornizës së re të kurrikulës së Kosovës, e cila kurrë nuk u ndryshua.
Jemi në fillimvitin shkollor 2014/15 dhe asgjë nga këto nuk është bërë. Vetëm janë prodhuar më shumë gënjeshtra nga Qeveria Thaçi (dhe Hoxhaj natyrisht) dhe më shumë xhihadistë për trupat e ISIS-it dhe kalifit rrenacak El – Bagdad (një spiun i dëshmuar i Mosadit izraelit.)
Pra, sot e asaj dite “parimeve thelbësore të të drejtave të njeriut, të bashkëjetesës, të drejtës shoqërore...” fëmijët nëpër shkollat kosovare i qasen ose me thika e kallasha, ose duke ëndërruar që një ditë të shkojnë në tokën e shenjtë të Shammit për me ra shehit...
Së pari nuk u rekomanduaka që anglishtja të mësohet prej klasës së parë!?.
Drejtorë të shkollave ku është bërë pilotimi thonë se rezultatet po flasin se mësimi i kësaj gjuhe nga klasa e parë po u sjell vështirësi nxënësve, me gjithë rezultatet brilante në histori p.sh. leksionet e së cilës që të gjitha ngjajnë në 300 spartakët e Leonidhës në Betejën e Termopileve!!!
Sipas një studimi amerikan, Finlanda është njëshi i kësaj bote sa i përket arsimimit të fëmijëve dhe edukimit të përjetshëm te të rriturve.
Në Finlandë edukimi me cilësi të lartë që nga çerdhja-kopshti konsiderohet kritik për zhvillimin e aftësive të bashkëpunimit dhe komunikimit të nevojshëm për të përgatitur fëmijët e vegjël për arsim gjatë gjithë jetës, si dhe të mësuarit formal të leximit dhe matematikës, i cili në Finlandë fillon në moshën shtatëvjeçare, në mënyrë që të mos u prishet fëmijëria e tyre.
Nga mosha shtatëvjeçare deri në 16-vjeçare fëmija nuk notohet, ai mëson për veten, tjetrin, komunitetin, civilizimin, të drejtat e fëmijës dhe ato të njeriut, gjuhë të huaja, lexime popullore e matematikë dhe veçmas për muzikën.
Në Finlandë muzika është një domosdoshmëri e jetës.
Vetëm muzika e cilësisë më të lartë është e mirë për fëmijët.
Dhe mbani vesh: Arsimi muzikor duhet të fillojë nëntë muaj para lindjes së fëmijës!?
Dhe duhet të jetë një pjesë e arsimit të përgjithshëm për të gjithë.
Veshi, syri, dora dhe zemra, të gjithë duhet të jenë të trajnuar së bashku.
Arsimi finlandez që në fëmijërinë e hershme ashiqare e vë në pah respektimin e individualitetit të secilit fëmijë (e jo njësive kombëtare apo fetare) dhe shansin e çdo fëmije për t’u zhvilluar si person unik.
Edukimi i hershëm finlandez gjithashtu i orienton fëmijët në zhvillimin e aftësive sociale dhe interaktive, (debatim dhe negocim të të gjitha vlerave), të inkurajojë ata që t’i kushtojnë vëmendje për nevojat dhe interesat e njerëzve të tjerë, që të kujdesen për të tjerët, dhe që të ketë një qëndrim pozitiv ndaj njerëzve të tjerë, kulturat e tjera, dhe mjedise të ndryshme.
“Qëllimi është që fëmijëve t’u ofrohet mundësia që kur të rriten të kujdesen për veten e tyre, që të jenë të aftë për të marrë vendime të përgjegjshme, për të marrë pjesë në mënyrë produktive në shoqëri si qytetarë aktivë dhe të kujdesen për njerëz të tjerë që do të kenë nevojë për ndihmën e tyre".(Shih: Anneli Niikko, "Finnish Daycare” -Information Age Publishing Inc., 2006), 141.)
Jo vetëm në Finlandë, por në të gjitha vendet nordike gjuha e folur që në fëmijërinë e hershme i përshtatet qytetërimit.
Një fëmijë nordik mëson njëherë e mirë që veçimi nuk shkon, porse identifikimi mund të bëhet jo më cilësor racial, pra jo me ngjyrën e lëkurës, por me ngjyrën e veshjeve!
Një nxënës nordik nuk të thotë kurrë John – ai zijoshi - është shoku im i klasës, por gjithnjë të thotë: “John, ai djali me xhemper të jeshilët është shoku im i klasës”!
Ndërsa jo vetëm fëmijët, por edhe vetë mësuesit e tyre dhe politikanët e rangut më të lartë i dëgjon tek thonë: “I zi si magjup” ose “Me buzët si çerep”!?
Derisa shkolla finlandeze (në Helsinki) u jep fëmijëve pushim vjetor kur këtë e kërkojnë disa prindër për t’i përshtatur pushimet e fëmijëve me kohën kur biletat e udhëtimeve janë më të lira, fëmijët kosovarë ende nuk guxojnë të shkojnë as të dajat e tyre pa nënën!?
Duke i lënë fëmijët pengje të gjuhës shqipe (versionit enverist të saj), kosovaret dhe kosovarët e rinj do ta jetojnë diqysh një jetë të vetme dhe në vetmi të thellë, në frikë paranojike nga tjetri/tjetra, duke mos e pranuar hapjen, të renë, as si ide dhe as si përmbajtje.
Mësuesve dhe politikanëve do t’iu duket kjo qasje shumë arbitrare dhe antikombëtare, natyrisht!
Dhe mësimi i anglishtes nga klasa e parë – po thënkan ekspertët kosovarë nuk po dhënka rezultate dhe pilot-projekti në dhjetë shkollat kosovare u dashka anuluar!?
Por, duke kaluar nga eksperimentet në jetën e përditshme, njeriu kupton që për të manovruar në Babelin modern (globalizmi, apo selia e BE-së p.sh.) duhet të dish dy apo më shumë gjuhë, dhe nuk ka shpëtim, mbi të gjitha duhet me e ditë anglishten.
Kështu ka menduar në fakt Letizia Quaranta, një nënë e re poliglote, italiania e cila është rikthyer në Itali pas disa udhëtimesh jashtë dhe ka vendosur që jo vetëm të rrisë me më shumë se dy gjuhë të birin, por edhe ta ndajë këtë eksperiment me këdo që është i interesuar t’u mësojë fëmijëve gjuhë të huaja që në djep.
Fëmijë që do të jenë qytetarë të botës.
Ajo ka krijuar një blog dhe një faqe interneti të suksesshëm, “Bilingue per gioco”, ku përmes një kursi të quajtur posaçërisht “Learn with mummy”, (mëso me nënën) u mësohet të vegjëlve anglishtja që në djep.
Dhe nuk thuhet kot se nëse njeh shumë gjuhë jeton shumë jetë.
Të rinjtë kosovarë sot, ata që i kanë mundësitë materiale, qe një dekadë bredhin nëpër botë për të studiuar të paktën një vit në një universitet të huaj dhe për ta mësuar të vetmin leksion: se këtu dhe kështu nuk jetohet - kur kthehen në shtëpi janë plotësisht të vetëdijesuar që - sapo të marrin diplomën duhet të largohen nga “shtëpia”, sepse ajo s’e mban pikën, pikon dhunë e urrejtje, varfëri e dëshpërim...
Duke debatuar për gjuhët e huaja një lexues shkruante në FB se kurset e gjuhëve të huaja kanë një problem, janë njëkohësisht kurse gjuhe dhe civilizimi, ndërkohë që duhen përshtatur me civilizim shqiptar!?
P.sh. tek mësimi i fjalës aksident, teksti duhet të jetë pak a shumë kështu: John dhe Steve u aksidentuan. John doli nga makina dhe i tha Stevet "O ta q... nanën, ku i ke sytë?".
Steve ia ktheu: "Prit pak se ta kallxoj unë ty aksidentin" dhe shkoi te makina e mori çelësin anglez.
Mirëpo John tashmë kishte nxjerrë nga nënulësja e veturës kallashin e tij...Etj., etj.
Prandaj mësimi i gjuhëve të huaja po thënkan ekspertët e krisur kosovarë po ndikuaka në humbjen e identitetit dhe tipareve kombëtare, duke humbur nëpër lloj-lloj metodash mësimi gjuhësh të huaja.
Përfundimisht nëse doni ta kuptoni pse shkolla kosovare është një tragjedi dhe turp kombëtar, shihni të rinjtë kosovarë tek shkojnë në luftëra pa kauzë (xhihad.)
Pikërisht shkolla kosovare prodhon analfabetë funksionalë, sepse ta shpif me të qenët e saj kombëtariste dhe patriotike!?
A u duket edhe kjo arbitraritet?
Ndoshta edhe është, porse kosovarët me këso shkolle - paçka se u bën shtet dhe komb - nuk po bëhen dot shoqëri politike (kujto Branko Mërxhanin) dhe është pikërisht shkolla që po e fundos këtë vend në dëshpërim dhe mjerim, shpirtëror dhe material.
©KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...