Tendenca për suspendimin e Kushtetutës

9 Maj 2014 - 11:48 - Halil Matoshi      

Mekanizmi i shumicës së dyfishtë në Kuvendin e Kosovës është kategori kushtetuese dhe mund të negociohet vetëm si amendamentim i Kushtetutës, dhe në një të ardhme edhe ndryshimit të saj, por nuk mund të fshihet me një lëvizje dore të dy liderëve politikë, sidomos jo me pallavrat e Isës dhe Hashimit…

Një kinse marrëveshje mes liderëve politikë të PDK-së dhe LDK-së, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, u avullua ende pa e marrë dheun, sepse ishte thjesht një tendencë për zgjidhje jokushtetuese. Ata dy provuan dhe u koritën, duke synuar që me një mashtrim të përkorë të zhvishnin komunitetet joshumicë nga vetoja për çështjet që prekin interesat e tyre vitale etnike dhe politike.
Thaçi e Mustafa në përpjekjen e tyre të padenjë, ranë në popullizëm kushtetues – duke u tallur me përgjegjësitë e tyre shtetërore, e me synimin që t’i realizojnë qëllimet e tyre në politikat ditore, pra të shkojnë në zgjedhje të parakohshme sipas qejfit të tyre.

Është e kuptueshme pse i ngutet Thaçit, mirëpo është krejtësisht i pakuptueshëm turri i Mustafës në këtë kontekst.
Kryeministrit të vendit dhe liderit të PDK-së (që është në pushtet në koalicion me AKR-në e Pacollit) i ngutet që të shkojë në zgjedhje, sepse tash e tre muaj është në vlug të fushatës parazgjedhore - duke shfrytëzuar dendësisht resurset shtetërore - ende pa u shpallur zgjedhjet dhe ende pa u shpërbërë kjo legjislaturë e Kuvendit të Kosovës.
Së pari, nëse zgjedhjet do të shtyheshin për në vjeshtë, Thaçit do t’i duhej t’ia fillonte fushatës nga e para, sepse të gjitha premtimet dhe vendimet që nga rritja e pagave e deri te shndërrimi i FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës (FAK) do të harroheshin dhe ai do të detyrohej të futej në një rrugë të panjohur për promovimin e vetes, ngase resurset shtetërore tashmë i ka shteruar pikë për pikë.

Duke ia parathënë shtetit që e udhëheq bankrotin.
Së dyti, Thaçi është i vetëdijshëm se në Kuvendin e Kosovës, koalicioni qeverisës, përkatësisht shumica parlamentare është tkurrur deri në masën sa tutje nuk mund të marrë asnjë vendim legal për vendin, prandaj i duhet të shpikë makinacione të ndryshme politike secilën ditë, për ta mbajtur pushtetin personal duke e rrënuar parlamentarizmin në vend.
Në dy vjetët e kaluar Kuvendi i Kosovës e kritikonte Qeverinë për ndikim mbi Kuvendin, i cili thuajse ishte shndërruar në dikaster qeveritar (ministria për popullin!?) kurse së voni, Thaçi në vazhdimësi po e kritikon Kuvendin e Kosovës si të paaftë për të marrë vendime madhore për vendin, siç është rasti me votimin e Ligjit për FAK-un.

Së treti, Thaçi duke dashur që t’ia përshkruajë vetes krijimin e ushtrisë kosovare (të bëjë histori!) u ngatërrua në hapat politikë, sepse nuk e negocioi këtë hap as me partitë opozitare LDK dhe VV, por as me partitë politike të komuniteteve joshumicë.
Dhe doli se zgjatja edhe për një mandat e vendeve të rezervuara për komunitetet joshumicë u bë “mollë sherri” mes liderëve politikë të shumicës, ngase LDK-ja ndërmori një veprim të pamenduar dhe të papërgjegjshëm politik tek u tha “jo” vendeve të rezervuara edhe për një mandat, duke e promovuar atë në publik si “Patriotic Act.” Mirëpo në thelb ky akt që ka një bazë kushtetuese, ashiqare cenon unitetin e institucioneve të shtetit dhe unitetin e shoqërisë së brishtë kosovare.
Një kinse marrëveshje e ngutshme që s’u ka hije burrave të shteteve, si Thaçi dhe Mustafa, u lansua në publik si çudira shpëtimtare – pa e analizuar mirë anën kushtetuese-juridike të saj, dhe reperkusionet politike, ngase ajo direkt po e suspendonte Kushtetutën e Republikës.

Dhe synimi për t’ua hequr me një ligj special komuniteteve joshumicë votën e kualifikuar dhe për ta zgjidhur kështu me “pallavra” ngërçin rreth krijimit të FAK-ut, që brenda ditës u bë arrë e fortë në dhëmbët e këtyre dy liderëve.
Që prej se janë në politikë, këta dy burra nuk kanë bërë shkarje më të marrë se kjo, duke u dëshmuar politikanë me staturë minore dhe të papërgjegjshëm para shoqërisë, para shtetit dhe kombit.
Për secilin ndryshim në të, akti më i lartë juridik në vend kërkon, pos votës së dy të tretave të të gjithë deputetëve, edhe votën e dy të tretës së të gjithë deputetëve që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë.
Me një manir të pamend liderët kosovarë u përpoqën që të bëjnë puç kushtetues me synimin që komuniteteve joshumicë t’ua heqin këtë mundësi që shumica shqiptare e cilëson si bllokuese, kurse komunitetet joshumicë si mekanizëm kushtetues të mbrojtjes së qenies së tyre. Dhe si rrjedhojë të votohej FAK-u nga dy të tretat e Kuvendit – duke e paraqitur si çështje që nuk paskësh të bëjë me interesat vitale të komuniteteve joshumicë në Kosovë!?

Mendjelehtësi e padurueshme.
Dhe në këtë humnerë taktike, me naivitet infantil ranë edhe shumica e medieve kosovare si dhe vet Zonja Jahjaga, e cila, si gjithherë nuk pati kurajon që ta mbrojë kushtetutshmërinë që po përdhosej me një kinse-marrëveshje politike mes dy vetave kësaj herë fundësisht hajgarexhinj.
Zonja të cilën Kushtetuta e ngarkon që ta mbrojë unitetin e popullit, sakaq po bëhej pjesë e një pazari të ri politik, pa e ditur se në fund ajo do të shërbente vetëm si monedhë për kusuritje.
Mbase Hashimi dhe Isa të veshur me pushtet pas zgjedhjeve të reja të parakohshme, do ta rehatonin Jahjagën në ndonjë agjenci të pavarur, për të drejtat e njeriut ose të bënin nga ajo Avokaten e Popullit!?
Në këtë kontekst, kur u këndellen njerëzit që marrin vesh në konstitucion, e panë me sy hendekun ku po e shpinin vendin këta dy liderë dhe i dhanë vlerësimet e tyre se kjo paraqiste suspendim të Kushtetutës, në emër të amendamentimit të saj, për ç’gjë është instaluar mekanizmi i votës së dyfishtë.
Kështu shteti po mbahet pezull dhe buzë ambisit nga rivaliteti i dy partive relevante politike (PDK e LDK) në betejën e tyre për ta monopolizuar patriotizmin dhe për të bërë histori.
Porse historia nuk bëhet brenda një dite dhe jo duke e suspenduar Kushtetutën.

Dhe të themi pa ekuivoke: Habit në këso maniresh hezi i partisë që veten e cilëson institucionale, pra LDK-ja.
Tashti vendi edhe mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme (duke e shtyrë shndërrimin e FSK-së në Forcën Mbrojtëse për kohëra më të qeta, që druaj se do të vijnë shpejt) të cilat nuk do të prodhojnë asgjë të mirë për qytetarët kosovarë.
Sepse mu këta liderë politikë, së pari po e mbajnë peng reformën zgjedhore, e cila u bllokua me kast dhe mosmiratimi i saj do ta bllokojë Kosovën në secilën nismë integruese.
Së dyti, këta dy liderë politikë po shfaqin tendenca të dominimit të skenës politike – përmes nacionalizmit dhe popullizmit që synon t’ua marrë të drejtat një herë të arrira – komuniteteve joshumicë, duke e shtyrë vendin në dezintegrim dhe kaos, në kohën kur së paku Thaçi mburrej se ka bërë një marrëveshje historike me ish-kryeministrin e Serbisë, Ivica Daqiç, për integrimin e serbëve kosovarë në institucionet e shtetit të ri.
Vërtet është tepër intrigues fakti se çfarë do të thoshin një të nesërme Hashimi dhe Isa, nëse komunitetet joshumicë, përkatësisht serbët kosovarë, do t’i braktisnin institucionet e shtetit dhe të barrikadoheshin në Graçanicë, Shterpcë apo Kllokot?

Ky do të ishte lajmi më i keq, pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kur ka indice se edhe serbët e Kosovës veriore po integroheshin ngadalë në shtetin e tyre – në Kosovë.
Kontekstualizimi me Ukrainën do të vlonte në mediet botërore dhe “Akti patriotik” i Hashimit dhe Isës do të ishte fatal për shtetin kosovar.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...