21 Tetor 2016 - 08:11 - Halil Matoshi
Kollarja me qëndisma ortodokse i rrinte vërtet bukur Edi Ramës në Beograd.
Porse prapa simbolit ortodoks fshihej tendenca bizantine e të bërit politikë, për t’i dëshmuar epërsi homologut të tij serb, Vuçiq.
Ky simbol ishte një ogur i zi për kosovarët (kjo s’ka lidhje me besimin ortodoks, që është besim edhe i shqiptarëve), sepse Rama jo vetëm që foli në emër të Kosovës, porse ai e ka cenuar rëndë sovranitetin e saj.
Më fjalëfortë e më punëpakë se kryeministri serb, Rama përpiqej ta mundte me arrogancë.
Kosova e shpërfillur nga të gjithë liderët shtetërorë shqiptarë, që nga Ahmet Zogu (që erdhi në pushtet me ndihmën e serbëve) e Enver Hoxha (që nuk donte bashkim me Kosovën, sepse reaksioni antikomunist atje – sipas tij - ishte i fortë dhe se kosovarët ishin të paqeverisshëm) deri te Fatos Nano (që në Kretë i thoshte fashistit Milosheviq se angazhohej që kryeqyteti i kosovarëve të jetë Beogradi, për çka edhe mori refuzimin (jo vetëm estetik!) të Ibrahim Rugovës); Sali Berisha që thërriste kundër Rugovës e për një modus vivendi në Kosovë, deri te thyerja e embargos së OKB-së ndaj serbëve të Bosnjës përmes furnizimit me derivate nafte për makinerinë e tyre të luftës dhe deri tek Edi Rama, i cili, duke e hetuar se liderët kosovarë janë goxha tutkunë (pa përvojë u tha Arta Dade, sic!) dhe të shumtën frikacakë, e që në aspekte folklorike marrin flakë lehtë, u turr kah piedestali për “t’u rritur” në “babë” të të gjithë shqiptarëve, me intencën e tij fallocentrike, duke miratuar retorikat e Beogradit zyrtar për autostradën Nish - Prishtinë - Durrës (duke e anashkaluar Kosovën si entitet juridik-politik dhe subjekt i së drejtës ndërkombëtare në mes, që njëherësh është skandal më i madh se ai i Kretës!?)
Rama flet kot për fqinjësi të mirë me Serbinë, sepse realisht Shqipëria që nga vitit 1912 kurrë më s’e ka pasur fqinj.
Porse pas verës së vitit 1999 Kosova është e lirë, kurse pas 17 shkurtit 2008 ajo e arriti shtetin kombëtar dhe sovranitetin e saj, duke e shpërbërë çfarëdo ideje të “përkufizimit paqësor me Shqipërinë”, që është themeli i Memorandumit 2 të hartuar nga intelektualët e proveniencës fashiste serbe, Ljubomir Tadiq (baba i Borisit) dhe Dobrica Qosiq.
Së këndejmi Kosova si gjeografi e demografi, si etnitet dhe tash edhe si entitet po anashkalohet nga Rama, pikërisht sipas dëshirave serbiane.
Të mbrosh shtetin e pavarur dhe identitetin kosovar nga mësymjet e Memorandumit 2 të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, kjo është çështja…
Është patriotizëm kushtetues dhe guxim qytetar edhe nëse e bën këtë Enver Hoxhaj, ministër në disa mandate të një Qeverie të keqe.
Edhe nëse në funksion të mbrojtjes së këtij identiteti shkruan Petrit Selimi, po ashtu njeri i afërt i Hashim Thaçit.
Në kohën kur edhe kryeministri, edhe bujku e deri te dy parti politike në Kosovë, VV-ja dhe Lëvizja për Bashkim, e mohojnë kombin kosovar, të cilin po ashtu po e mohojnë vetëm disa serbë, si Tadiq & Daçiq dhe disa opinionistë e liderë mendjeshkretë në Tiranë, është përgjegjësi e secilit shqiptar të Kosovës.
Kosova e pavarme është produkt i nacionalizmit defensiv, por koherent shqiptar, i kryengritjeve të parreshtuna që nga vitet e largëta 1908 – 1910 e deri te dekada e shtetkrijimit dhe kombndërtimit 1990-1999.
Pra Kosova ka luftuar për idenë e lirisë së saj plot një shekull.
Rezistenca në jodhunë, e prirë nga Ibrahim Rugova, dhe alternativa kosovare, e kthyen nga vetja jo vetëm vëmendjen e demokracive perëndimore, por e bënë për vete humanitetin, duke u dhënë goditjen përfundimtare armiqve të lirisë.
Duke e çliruar atdheun e kosovarëve.
Kosovari sot është patrioti modern kushtetues dhe jo ai arkaik i shekujve 19-20, që sot rishfaqet në trajtën e deklaratave bajate politike të etnonacionalistëve të rinj.
Që të gjithë liderët shqiptarë, nga pavarësia kombëtare shqiptare (1912) e këtej ishin dhe janë inferiorë ndaj liderëve serbë dhe jugosllavë.
Që të gjithë i kanë hangër “foret” serbe!
Njëjtë ka vepruar Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha, njëjtë Sali Berisha, Fatos Nano e Edi Rama…, krejt duke i fyer “minorët” kosovarë me pezhorativin “petritselimët”.
Porse ky i fundit, Rama, po do edhe të mbahet mend në histori.
Dhe çartet e bërtet nga frika se mos do të mbahet mend në histori edhe Petrit Selimi apo akëcili zyrtar politik kosovar!?
Pse i gjuhen në qafë historianët Esat Pashë Toptanit, kur as ai nuk ka shkuar më larg se këta të tjerët?
Rama ekscentrik i shpërfilli tërë kosovarët, kur përdori shprehjen “petritselimët” (përmes saj donte të thoshte minorët, hiqët…), por edhe i kapërdiu ato që Vuçiq ia tha ndërsy, për autostradën, që sipas retorikave të këtyre dy burrave (Rama e Vuçiq) shkon nga Nishi në Durrës.
Tue e fshi Kosovën sovrane nga harta e rrugëve që lidhkan Beogradin e Tiranën!?
Kur në televizionin e socialistëve të Edi Ramës u shfaq një titull poshtërues për Kosovën pas disfatës në një lojë me top me Kroacinë, në të cilin jepej mesazhi se Kosova nuk është për më mirë sesa të “saldohet” në humbëtirat e kohës.
Nga kjo hetohej ashiqare se pranimi i Kosovës në UEFA ia ktheu asaj kundër edhe një pjesë të madhe të mendësisë fallocentriste shqiptare. Kjo ashiqare dëshmon se shqiptarët në Republikën e Shqipërisë vuajnë nga kompleksi i të mosbërit gjë për sivëllezërit e tyre kosovarë në epokat më mizore që ranë mbi ta dhe tash kur Kosovën e çliroi NATO-ja e duan për vete.
“Krahinë e Shqipërisë” i thonë Kosovës shtet të pavarur, entitet juridik-politik dhe subjekt i së drejtës ndërkombëtare.
Derisa serbët i thonë “Krahina jugore e Serbisë”.
Papritmas Kosova u shndërrua në njëfarë Jerusalemi metaforik mes serbësh dhe shqiptarësh.
E nuk është.
Është thjesht një vend në glob, që së voni me ndihmën e amerikanëve e ka fituar lirinë kombëtare dhe po përpiqet me u ngritë në këmbë, kur të gjithë po ia kafshojnë shpirtin..
Thjesht disa nga liderët politikë dhe opinionistët e Tiranës janë zënë nga ankthi i zhburrnimit, sepse Kosova del që paska “atësi” tjetër.
Këtë e tha një zyrtar i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, që synon ta drejtojë Republikën e Kosovës, e i cili ishte përzënë nga ky shtet për shkelje ligjore, në fakt ai ishte damkosur si element subversiv.
Pra, kulmin në qortim, përkatësisht në poshtnim të Kosovës e mbërrin padyshim Boiken Abazi, zyrtari i lartë i VV-së, i afërt me Partinë Socialiste të Edi Ramës, nëpërmjet një statusi në “Facebook”, i cili, tërthortë, të gjithë kosovarët që i japin besnikëri e lojalitet shtetit të tyre të lirë, Kosovës, i cilësoi si “pjellë” të Serbisë, përkatësisht ai po thoshte se kosovarët e kanë babë Serbinë.
“Ideja e ndryshimit të psikologjisë kolektive në Kosovë nga “Nëna Shqipëri” te krijimi i një nëne të re, pra “Nëna Kosovë”, që lind “kombin” kosovar, e anashkalon faktin se “Nëna Kosovë” ka për “babë” Serbinë, që e ka krijuar idenë e kësaj “nëne” të re nëpër dekada përmes ndarjes së Kosovës nga Shqipëria dhe (për)dhunimit sistematik kolonialist”, ka shkruar ai.
Për të shtuar më pas edhe një mallkim ndaj poezisë së Ali Podrimjes, që në një mënyrë po përdoret si një nomos i ri për dashurinë ndaj atdheut, si një himn i pakënduem, por i thënë hapur dhe me goxha krenari, që vetëm para pak kohësh ndrydhej, nuk thuhej zëshëm, sepse “Nana Shqipëri” ishte ajo që e absorbonte tërë dashurinë e kosovarëve.
Dhe tash, në Tiranë, të pamësuar me idetë progresiste dhe transformuese të botës, të një bote në lëvizje, që po ndryshon përditë, nuk po mund ta durojnë Kosovën si emër atdheu, as si emërtim prindëror, pra as si nënë dhe edhe më hiç si babë të dikujt.
Nëse dikush e quan nënë Kosovën, atëherë sipas mendësisë anadollake të sheqerosur me komunizëm, alla Boikençe, na dilka që kosovarët babë u dashka ta kenë Serbinë.
Kosovarët - këta tradhtarë të kombit! që dashkan të ndërtojnë një identitet të tyrin, për të mos qenë të nënshtruar…
Pse e dashkan atdheun e tyre (edhe ashtu të leckosur), këngët dhe poetët e tyre.
Madje edhe sportistët e tyre. Kurse sa për Kombëtaren e Kosovës në futboll, ra ajo e integristët shqiptarë (këndej dhe andej gardhit), që jetojnë ditët e tyre më të mira të fundshekullit 19 dhe fillimshekullit 20, e humbën fare durimin: “Shkërdhatat, ata vijnë në Shqipëri vetëm kur e kanë punën pisk”.
“Kur s’kanë ku të shkojnë.” Këtë e tha njëri nga njohësit pak më seriozë të rrethanave kosovare, Mero Baze!
As ky nuk e përballoi tundimin se kosovarët po krijojnë botën e tyre, po e realizojnë andrrën e tyre për të qenë të lirë e të pavarur, pavarësisht një Qeverie të keqe, shtypëse!
Liderët shqiptarë nga kompleksi i pamundësisë që ta ndihmojnë (lexo: shpëtojnë Kosovën dhe njerëzit e saj kur e kishin ngushtë) duan ta shfaqin tërë agresionin ndaj saj si etër të këqij, që s’kanë pasë as fuqi, as vullnet dhe as dije për ta dashur një fëmijë të brishtë…
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, si burrë shteti, ka të drejtë kur të dojë ai dhe diplomacia shqiptare të takojë Vuçiqin dhe këdo tjetër, në Beograd, në Tiranë dhe kudo tjetër.
Dhe e ka të drejtën që ia ka dhënë sovrani (qytetarët e Republikës së Shqipërisë) të flasë për raporte bilaterale mes dy kombeve, por edhe për pakicën shqiptare nën Serbi (Luginë të Preshevës).
Mirëpo ata që bazohen në një postulat që ende shkruhet në Kushtetutën e Shqipërisë se ky shtet duhet të përkujdeset për shqiptarët jashtë juridiksionit, se Shqipëria edhe sot duhet përkujdesur për kosovarët, se e kanë obligim kushtetues, janë ose naivë, ose të marrë.
Preambula e Kushtetutës shqiptare është shkruar në kohën kur shqiptarët e Kosovës trajtoheshin pakicë kombëtare pa të drejta, pra qytetarë të rendit të tretë.
Dhe ata sot nuk janë të tillë. Ata sot kanë në pronësi shtetin e tyre kombëtar, që i obligon të përkujdesen për pakicat etnike, që janë shtetas të Republikës së Kosovës.
Natyrisht që Rama e ka të drejtën me folë për Kosovën (se duhet njohur nga Serbia, se “Trepça” është pasuri e qytetarëve të saj etj. Këto gjëra nuk janë heroike, sepse i thuhen Vuçiqit dhe zyrtarëve tjerë serbë përditë nga secili diplomat apo shtetare e shtetar perëndimor), porse nuk e ka të drejtën të flasë në emër të kosovarëve, nuk ka të drejtë të negociojë ose të marrë vendime për Kosovën, sepse ajo është shtet sovran dhe ka një Qeveri të ligjshme. Pra kosovarët nuk janë më ata të preambulës së Kushtetutës shqiptare, diku në vitet 60-70 të shekullit të kaluar, ku i shohin kosovarët ende shumë opinionistë dhe politikanë shqiptarë.
Kosovari nuk është më një pakicë etnike.
Kosovarët nuk janë më etnitet (pakicë nën Jugosllavi e Serbi), por entitet juridik-politik (subjekt i së drejtës ndërkombëtare), komb i aftë me ndërtu institucione sovrane shtetërore dhe me hy në marrëdhënie me kombet tjera (komb i njohur nga 110 kombe të botës.)
Blendi Fevziu i entuziazmuar nga serbët - si një mulla, u mban “ders” kosovarëve, ai tue përdorë keqqeverisjen dhe përfshirjen në krim të organizuar të disa liderëve politikë kosovarë po u thotë kosovarëve: Hiqni dorë nga shteti!
Mos e duani jetën dhe lirinë për vete dhe në vete - duajeni tërësinë shqiptare!
Shteti kosovar – sipas tij – është në duar të elitave, prandaj vërsuluni mbi të, se nuk u duhet gjë!?
Pra, ai porosit nga Tirana që vetë kosovarët ta shpërbëjnë Kosovën, duke mos i dhënë asaj besnikëri e lojalitet, sepse është një "krahinë e Shqipërisë", së këndejmi deshi të thoshte: Tashti që është e çliruar nga NATO-ja, Tirana e qeveris më mirë!
Dhe një Kujtim Babaramo foli. A jeni – u tha ai kosovarëve me Cicat e Cecës a me Nënë Terezën?
Pyetje e një të paushqyeri mirë as fizikisht, as shpirtërisht.
Ekzistojnë dëshmi (e kam pasë shkruar një shkrim më 2007) se si së bashku me gazetat e Tiranës bizneset estradeske shpërndanin asokohësh nëpër tërë Shqipërinë CD me këngët e Ceca Veliçkoviqit – Arkanit, kur ajo dhe burri i saj shihshin me përbuzje e neveri në Kosovë.
Thuajse Qeveria shqiptare po ka sjellje nordike ndaj parimeve të demokracisë dhe lirisë, karshi pasurive kombëtare, përballë korrupsionit dhe mirëqenies qytetare!???
Fevziu si një përfitues i shkathët situatash dhe pa kurrnjë lloj informacioni për Kosovën dhe rrugën e saj njëshekullore deri në liri e pavarësi kombëtare tash na shfaqet edhe si pjesëtar i njëfarë imperializmi të vonuar shqiptar dhe etnonacionalisti pa shije.
Opinionistët mendjeshkretë të Tiranës, njëjtë si Tadiq e Daçiq, po mendojnë se nuk ka kosovarë (rrjedhimisht as shtet kosovar), porse vetëm shqiptarë të Kosovës, pa tradita shtetndërtuese, pa kulturë e gjuhë (sic!) së këndejmi pa të ardhme!?
I vetmi politikan shqiptar që e hetoi sherrin e madh të Ramës në Beograd ishte padyshim Pandeli Majko.
Ai vardisjet e Ramës ndaj ikonave të serbizmit si Bregoviq, Kusturica e Andriq (tre zëra fashistë në raport me shqiptarët dhe veçmas Kosovën), si dhe anashkalimin e Kosovës në muhabetet e tij me Vuçiqin i shihet me drojë se mos dëmtohej qëndrimi në këmbe të veta e Kosovës sovrane.
Po ashtu edhe një diplomat shqiptar, Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB, u shfaq racional në një shkrim rreth vizitës dhe deklaratave pompoze të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd dhe në Nish.
Sipas Neshos, nëpërmjet retorikës për Kosovën, Rama kërkonte të ngrinte atë që nuk e ka: staturën e liderit të shqiptarëve në Ballkan. Nesho ka thënë se Rama me sjelljen e tij është duke i ndihmuar Vuçiqit. Sipas Neshos, përgjigjja e ministrit Enver Hoxhaj ishte e fortë dhe e drejtë.
Kur mendjet shqiptare (dhe të disa kosovarëve integrista të brumosur me idetë e Leninit të kthjellen do të shohin dëmin kolosal që Rama i ka bërë Kosovës shtet në Beograd.
Nesër është vonë!
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...