24 Korrik 2015 - 08:22 - Halil Matoshi
Këto ditë kur po mbaheshin provimet pranuese në Universitetin Publik të Prishtinës, përmes një fotografie ku fokusoheshin çantat e zdërhalla në livadhin (oborrin) e Fakultetit Filozofik jepej pamja surreale e shkollës kosovare.
Kryesisht ishin ato çanta vajzash që ia kishin mësyrë këtij universiteti për ngritjen e tyre arsimore.
Nuk thuhet me fjalë ajo pamje e shëmtuar, e pështirë…
Ishte vërtet një "masakër çantash"!?
Dhe “konfiskimi” bëhej në të parë, për shkak të korrektësisë së provimit, thjesht që të parandalohej kopjimi,veçanërisht nga interNet-i, përmes teknologjive informative si Iphon-i, ose Tablet-i!?
Po atëherë çfarë i duhej botës H-Tech-u?
Nëse Steve Jobs nuk ia dhuroi njerëzimit këto mrekulli për të shpejtuar marrjen e informacioneve për çdo gjë dhe ngritjen e cilësisë së tij, atëherë pse e bëri?
Për hajgare!???
Njëjtë siç e kanë rimenduar komunikimin dhe shpërndarjen e informacionit në përmasa globale Gates & Jobs, në të njëjtat kondita duhet të rimendohet edhe shkolla, pra edukimi.
Avancimi i teknologjisë së lartë e ka ndryshuar tërësisht mënyrën e të jetuarit, cilësinë e jetesës pra edhe mënyrën e të menduarit, sjelljes duke i dhënë hov interaktivitetit të njeriut në një botë në lëvizje.
Për ta mprehur ende mendjen njerëzore, pra për ta avancuar shkollën dhe edukimin qytetar.
Dhe e kam fjalën ekskluzivisht për dijet humanistike.
E përse të mos lejohen studentët që të marrin informacionet e duhura në interNet (një student nuk ka nevojë sot që t’i dijë të gjitha përmendsh, sepse ka ikur koha e të mësuarit përmendësh të poemës së Naim Frashërit “Bagëti dhe bujqësia”), por ata, studentët, duhej të sprovoheshin se si operonin me informacionet, duke u dhënë për detyrë që të shkruajnë ese, për t’ua dhënë mundësinë që të nxjerrin konkludime, të analizojnë faktet: Thjesht, do të duhej që të vrojtoheshin nëse i shquan mendimi kritik dhe nëse kanë fare një mendim të tyrin autonom për çdo gjë, apo ndjekin mësimet uniforme dhe kolektiviste, nga prindërit e hallit, mësuesit etnonacionalistë, media sociale, ku vijnë në shprehje “legjionet e imbecilëve” (Umberto Ecco), nga të interpretuemit albanocenstrist të botës apo nga interpretimi ideologjik i historisë.
Studentët e dijeve humanistike pra, do të duhej të sfidoheshin në testin e racizmit dhe të drejtave të njeriut, edukimit qytetar dhe demokratik, liberalizimit të tregjeve, lirisë akademike dhe individualizmit…
Ngase në secilin universitetet normal, studentët mësojnë të kenë ide bazike vetjake mbi krijimin e botës (kreacionizmi & darvinizmi) dhe t’i shprehin lirisht mendimet e tyre mbi politikën, fenë, ideologjitë dhe që ato të jenë konkurruese, duke kultivuar praktikat e dialogut dhe debatit shoqëror dhe për të provuar të definohen problemet e një shoqërie e për t’i diskutuar mes vete dhe me profesorët mundësitë e zgjidhjeve…
Para se ndonjë shakaxhi (ose më parë ndonjë mësues depresiv i epokës komuniste, kur shkolla është vrojtuar si levë e regjimit (edukimi ideologjik) në dekadën e dytë të shekullit 21, t’ua hidhte çantat në livadh, për të mos kopjuar, studentëve, të cilët, një ditë do të qeverisin Kosovën (do të menaxhojnë dijet dhe shoqërinë) ndonjë njeri serioz, autor i zoti i kësaj sfere, është dashur të jetë më kreativ në përpilimin e testeve dhe testimit të dijes, pikërisht duke ua dhënë studentëve mundësinë e përdorimit të interNet-it!?
Porse, në Kosovë, ashiqare që për diçka të tillë nuk ka as guxim as vullnet, sepse ky model do t’i linte pa punë mijëra e mijëra mësues dogmatikë dhe tërë ushtrinë e pambarim të të doktoruarve të pasluftës së Kosovës, duke abuzuar me sfondin e luftës çlirimtare dhe me postet publike.
Kjo është shkolla e Hashim Thaçit dhe e ministrave të tij që i thurin ode shefit të tyre, si “pishtar drite” me gjuhën më të varfër të realizmit socialist të epokës së Enver Hoxhës (origjinalit) në përpjekje e sipër për ta rikthyer në skenë kultin e personalitetit, ngjashëm me shkollën e Koresë Veriore.
Ky është mjerimi i shkollës kosovare, ku qytetëzave (kasabave) me mentalitet rural dhe me sagat pastorale të tyre, para se punë e zhvillim, ende pa e arritë një minimum industrializimi e demokratizimi, një minimum kulture qytetare e modernizimi, në këmbim të votës “u jepen” universitete publike!???
Kjo qasje është fundësisht papërgjegjshmëni dhe pykë që e çan një entitet juridik dhe politik që është shteti.
Pra e bën atë të dështuar.
Ndërsa, nëse mbështetemi tek ajo pamje bizare në “livadhin” e ‘filozofikut’, politika e mjerë kosovare (dhe ministri Arsim Bajrami) duhet të bindet se shkolla nuk është kazermë ushtarake, dhe as kuesturë policore, ku sekuestrohen gjërat personale dhe teknologjitë e avancuara (të ndaluara si armët p.sh. sipas perceptimit të pushtetit), pra edhe nesseseri-i i vajzave, porse universiteti është hapësira publike ku ngjizet mendimi shoqëror, ku krijohet e stërhollohet mendimi i lirë, domosdoshmënisht edhe liria individuale dhe ajo akademike, ku krijohen individualitete të forta e jo “njeriu i masave”;
Ku ushtrohet kreativiteti e jo ngurtësia dhe uniformiteti “spartan”; ku shmanget “gjenealogjia e pushtetit disiplinor” dhe ofrohet “kënaqësia e shpalosjes së dijes, kënaqësia që vjen nga e vërteta e kënaqësisë…” (Shih: Michel Foucault; “Vullneti për dije”; Dukagjini, Pejë, 2008, fq.99.)
Sipas një hulumtimi të Preportr me autor Jetlir Buja, (http://preportr.com/sq/I-Report/Shkenc-Politik-Analfabetizm-424), në UP kolegjialiteti mungon, sepse studimi nuk ekziston.
“UP-ja i ka 80 departamente por vetëm 6 revista shkencore. Asnjëra nga to nuk ka arritë që të fitojë kod ndërkombëtar. Kjo mjafton për të treguar se në UP pothuajse nuk bëhet shkencë. (…)
Le të kujtojmë po ashtu edhe revistat ‘shkencore’ ku publikuan shumë profesorë të UP-së, madje edhe ish-rektori, rektori aktual dhe personazhi fiktiv, Filan Fisteku.”
UP-ja është universiteti me rangim vajtues në relacion me universitetet e rajonit (duke përjashtuar Shqipërinë) e të mos flasim në konkurrencë me universitetet botërore.
Pra nga 193 kombet e botës, UP-ja rangohet në pozitën e 4987, që i bie përafërsisht se secili vend i kudondodhshëm në glob i ka mbi 20 universitete ma kredibile se ai Prishtinës!?
Universitetin Publik të Kosovës e ka përfshirë ryshfeti (deri në 4 mijë euro arrin shifra për t’u regjistruar në ndonjërin nga fakultetet; Shih: J.Buja); amoraliteti dhe gjuha seksiste (alarmon një profesoreshë e këtij universiteti), plagjiatura (shoqëria kosovare e heshti skandalin e profesorëve që i kishin publikuar punimet në revista fiktive), ndërsa komisioni i propaganduar nga Rektorati për rishikimin e tezave të doktoratës po ashtu s’u bë kurrë i gjallë).
Aty, fëmijët e kosovarëve shkojnë të paditur dhe dalin analfabetë funksionalë, që t’u shërbejnë kastave, liderëve partiakë dhe të futen në administratën me trup glomaz e me kokë të vogël si dinozaurët, ose “të futen” në vetë institucionet e shtetit si dëshmi e gjallë përse ky shtet është buzë dështimit, si më i korruptuari dhe më i kriminalizuari në Evropë.
Studentë naivë të një shoqërie megalomane po në errësirën e miteve e përrallave me princër e heroizma, mësyjnë shkencat politike duke menduar se është shkolla për t’u bërë politikan, “ekonomiku u asocion në paratë, ndërsa juridiku në avokatët” (J.Buja).
E po, çfarë ka në të për t’u krenuar?
Jo, ky është barometri i një shoqërie që po marroset, pra është për ta qajtur me zë! Kur kemi parasysh se çfarë gare intrigash e denoncimesh politike-patriotike bëhet mes studentëve kandidatë për ato organizatat famëkëqija kinsestudentore, që janë organizata bazë të partive politike kosovare, por edhe në garën për mekanizmat universitarë, të krijohet përshtypja se këtu e ka gjenezën lufta e paskrupullt dhe e pistë e kosovarëve për pushtet - mu në këtë Universitet - me mentalitet mujshor deri në armiqësi!?
Këtu fabrikohen armiqtë, këtu denigrohen miqtë e vërtetë; këtu njerëzit e ideve të mëdha hidhen tek pluhuri e ata që merren me intriga për të tjerët, ngrihen tek retë!???
Sipas autorit Patrice Canivez, roli i shkollës në demokraci është që të edukojë qytetarë aktivë.
Shkolla nuk e ka për detyrë të bëjë “patriotë”, aq më pak “t’i ushtrojë ata për luftë politike, për luftë për pushtet, për manovrime partiake” (Patrice Canivez “Të edukohet qytetari”, Dukagjini, Pejë, 2004; Fq. 197. )
Përderisa universitetet e Shqipërisë qëndrojnë njëjtë ose më poshtë në hierarkinë e dijes botërore, Kosova (ministri Bajrami) nget në Tiranë dhe bën marrëveshje bashkëpunimi në fushë të arsimit, për patriotizëm fals, e si dëshmi se ky vend merr gjithnjë yrneqet më të liga, më të paqëndrueshme, jo vetëm në dije e arte, po edhe në politikëbërje, ekonomi e siguri…
Suksesi finlandez në edukim bazohet në arsimin fillestar, prej shtatë në gjashtëmbëdhjetë vjeç, moshë kjo e cila shërben për të marrë edukim humanistik dhe qytetar, të njohësh veten dhe të tjerët, familjen dhe komunitetin, shtetin dhe kombin, fqinjët dhe raportet në këtë botë të komplikuar, vlerat perëndimore dhe vlerat e përbashkëta evropiane, dhe veçanërisht edukim për mundësitë e barabarta në shoqëri.
Pra një fëmijë finlandez i nënshtrohet një testi provues për të parën herë me gjashtëmbëdhjetë vjetët e tij, kur nxjerr në pah pasionet e tij, aftësitë dhe interesimet.
Porse, mësuesi finlandez paguhet rreth 30 mijë dollarë amerikanë në vit (2008), ndërsa në Kosovë mësuesia është profesioni më i përbuzur, dhe më së paku i paguar (rreth 5.000 dollarë në vit), përderisa mbi 3.000 euro arrijnë të fitojnë profesorët në shkollimin universitar në vendin më të varfër evropian si Kosova!?
Në Universitetin e Helsinkit kishin konkurruar 2.400 kandidatë për programin master të mësimdhënies për vetëm 120 vende të lira.
Ndërsa doktori finlandez i shkencës, Sahlberg, edukator dhe autor, kishte një pyetje për të gjithë studentët e pranishëm në një ligjëratë të tij (2011) në Manhatten: “Cili prej jush dëshiron të bëhet mësues?’
Prej pesëmbëdhjetëve, vetëm dy ngritën dorën, madje njëri nga ta, i mëdyshur!?
Sipas një vendimi qeveritar finlandez, që në vitet ’70 të gjithë mësuesit duhej të kishin kualifikim postdiplomik, kurse Kosova deri së voni kur u hap Fakulteti i Mësuesisë i ka pasur mësuesit gjithandej me shkollë të mesme, përkatësisht me të ashtuquajturat “shkolla të larta pedagogjike”, si relikte klasike të komunizmit.
Në Kosovë ndërkaq, në universitetet publike po ligjërohet me të madhe etnonacionalizmi (përfshi të gjitha idetë albanocentriste), idetë shtetomëdha të shekullit 19 dhe gjysmës së parë të shekullit 20; hapur u jepet mbështetje grupacioneve të dhunshme parapolitike dhe paraushtarake, si dhe partive kauzirevolucionare, atyre me sfond luftarak dhe mendësisë kuazipatriotike; aty ligjërohet si të sulmohen deri në zhbërje kundërshtarët politikë dhe fqinjët; thjesht aty “mësohet” urrejtja dhe ksenofobia.
Porse nuk është kjo shkolla që i duhet shoqërisë kosovare, që është ende në stadin e një shoqërie jopolitike, ndonëse me pavarësi kombëtare dhe shtetit ende të papërfunduar kosovar (pa afirmim të subjektivitetet të vet në OKB) dhe as tregut të lirë të punës.
Kosova, së këndejmi, pos punëtorëve të kualifikuar dhe mësuesve e ekspertëve të shkencave ekzakte dhe teknologjisë, nuk ka fare nevojë për historianë e letrarë me shkollë (!???), sociologë e politikologë, të proveniencës albanocentriste.
”Shkolla gjithashtu duhet t’ua mundësojë qytetarëve që në bazë të kritereve racionale të refuzojnë çdo politikë arbitrare dhe të dhunshme dhe t’i kundërvihen asaj me idenë e drejtësisë.” (Canivez, libri i cituar; Fq.198.)
I lini studentët që të zgjedhin lirisht.
Ata duhet ta ndërtojnë veten si individë të lirë në një shoqëri të lirë…
Sepse ideja e shkollës është synimi i lirisë.
Mbrojtja e saj.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...