Për gomarët dhe gomarllëqet

28 Nëntor 2014 - 09:29 - Halil Matoshi      

“Hajna të superligës dhe të ligës së dytë”, “hajna pulash” e hajna të të gjitha llojeve e formateve; “jugosllavë” e “zhugosllavë”, tradhtarë e patriotë, besëprerë e t’prerë n’besë, pervers e maniakë seksualë, këta janë vetëm disa nga margaritarët që e shquajnë, që ia bëjnë kartën e identitetit shoqërisë së çorientuar dhe “të kalbëzuar” kosovare

"Ajo që na shquan neve është se pësimet nuk na bëhen mësime. E harrojmë të shkuarën me një frazë të ndyrë “ç’i gris t’ëmën”, dhe biem prapë në grackat e para.

Me këtë mentalitet nuk do të mund kurrë të bënim një shtet serioz.

Sa kohë që ne besojmë edhe kur na thonë se fluturon gomari, le të mos presim ngritjen tonë sociale dhe politike" – shkruante Faik Konica gati këtu e një shekull më parë.

Po përse përplasen skajshmërisht në debatet publike përfaqësues të elitës kosovare?
Në thelb, debati është vetë demokracia, por mjerisht në Kosovë nuk ka kulturë debati. Madje në debatet ndërshqiptare vërehet një ngatërrim nocionesh dhe konceptesh themeltare, pra kryesisht debati mes shqiptarësh është mujshor, dhe gjithnjë i varfër...

Për shumë çështje madhore për një shoqëri politike në Kosovë ende askush s’guxon të flasë edhe nëse akëcili e ka ndonjë mendim të vetin për diçka, sepse pason fushata e linçimit publik, prandaj njerëzit këtu kanë drojë të flasin.

Shquhet dosido argumenti i forcës dhe jo forca e argumentit, sepse në debatet shoqërore në Kosovë mbizotëron mendimi uniform, të vërtetat e gatshme dhe “hyjnizimi” i disa të vërtetave të kësobotshme, në rend të parë për sa u përket nocioneve etni e komb, simbole e figura kombëtare, atdhe e shtet etj.

Në rend të parë fitili ndizet nga përballja e dy shkollave, asaj absolutiste-totalitariste (neokomuniste) dhe shkollës liberale.
Absolutistët i kanë të vërtetat e gatshme, neokomunistët angazhohen për të mbrojtur shkollën staliniste për sa u përket formacioneve shoqërore, etnisë, kombit, shtetit, klasës.
Ato “të vërteta” janë të paqortueshme, gati sakrale, teokratike të përtokëzuara!

Është një kategori “debatuesish” ende-jo-njerëz, që Nietzsche i cilësonte si “Bisha me fytyra të mërdhezura”, të cilët mësyjnë dominimin përmes konvergjimit me injorancën, me turmat.
Dhe gjykimi sipas ligjësive të turmave në një debat publik është vrasës i debatit, pra injoranca ia shtron udhën fanatizmit.
Nëse fyerjet raciste hyjnë në debat, aty edhe merr fund debati dhe debati i mirëfilltë në Kosovë as që ka nisur ende.
Ka vetëm disa përpjekje të pasuksesshme...

Shqiptarët i marrin shumicën e çështjeve të debatueshme shumë afër zemre, ata janë emotivë e jo racionalë dhe emotiviziteti i tyre e mbulon secilën të vërtetë me britma e pështyma, me lot e sharje.

Dhe kryesisht “komentojnë” përmes sharjeve injorantët, të paditurit mujshor, analfabetët funksionalë që i rekruton pushteti për t’i shërbyer...

Dhe analfabetët funksionalë janë ata që e mbysin rëndom debatin, ata janë më të rrezikshmit, sepse janë në shumicë.
Injoranca është fuqi – sepse është shumicë!

Kosova po edhe Shqipëria janë ambiente tepër të vështira për t’i dhënë udhë një debati të mirëfilltë, që shpie tek ndonjë konsensus, tek ndonjë e vërtetë e re, e pathënë apo tek përafrimi i qëndrimeve të palëve rreth një çështjeje të caktuar, ngase këto dy vende sapo kanë dalë nga honet e errëta të komunizmit, përkatësisht fashizmit serb, ku nuk ka ekzistuar asnjë formë e debatit pos duartrokitësve të paguar, porse edhe atyre vullnetarë... Po ashtu në këtë vështirësi bën pjesë edhe injoranca e hetuar lehtë, si dhe karakteristika tipike shqiptare: mujshia!
Natyrisht se fyerjet dhe racizmat nisin aty ku përfundojnë argumentet.

Më ndodhi p.sh. në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës me fashistë si Spartak Ngjela e Sokol Balla.

Në momentin kur atyre u shteruan argumentet edhe ashtu fare të ligshta, ata më akuzuan për gegnishten time, përçmuan dialektin me të cilin unë shprehem dhe kjo për mua është thjesht racizëm gjuhësor!

Gjatë krizës gjashtëmuajshe institucionale liderët e grupeve rivale nuk shiheshin fare mes vete (së paku jo ditën dhe në zyrat publike) prandaj edhe goditjet e ulëta ndërmjet tyre ishin më pak agresive.

Mirëpo me t’u arrirë “koalicioni i ëndrrave” (PDK me LDK) ndërmjet oponentëve shpërtheu racizmi gjeografik e ideologjik.
Rasti i Gani Kocit, një zëvendësministër i Hashim Thaçit, ishte më emblematiku. Siç vërente kolegia Blerina Rogova - Gaxha, në një kolumne të saj në “Zëri”, "të zinjtë" në dioptrinë raciste të Gani Kocit të PDK-së dhe bashkëmendimtarëve ishin Albini i Malit t’Zi dhe “Billi” alias Bilall Sherifi i Tetovës, por në këtë rast ka edhe "apatridë" (të paatdhe) si Avni Arifi, të cilit ia sugjeron avionin e parë për ta lëshuar Kosovën!?

Ndoshta agjencinë "Jat" (Jugoslovenski aerotransport)!?

“Një racizëm ideologjik, ngase sipas kulturës së dominimit, të dominuarit nuk janë vetëm opozitë, por armiq, që duhet përzënë nga shteti, duhet deportuar...” – shkruante Blerina.

Dikur i gatshëm të pështyjë nga larg si gjithnjë Xhemail Ahmeti, një “kujdestar i devotshëm” mbi racizmin, këtë herë heshti, sepse ai që shqiptoi këto fjali raciste, me gjasë nuk i duket atraktiv për t’u sharë me të!?

Ose ia ka drojën fuqisë së tij politike!?
Dhe interpretimi i tretë: Ndodh që as kujdestari i devotshëm nuk kujdestaron gjithnjë, sepse mund t’i jetë rënduar koka nga pija, për çka ai akuzon të tjerët me lehtësi të padurueshme!?

Duke e pasur parasysh se Koci flet nga pozitat e njeriut të veshur me pushtet – pra prezanton gjuhën e pushtetit - rrezikshmëria për kontaminim është shumë më e lartë sesa kur mund ta shqiptojë ndonjë fjali më pak ose më shumë ngjyrime raciste akëcili individ tjetër, jashtë pushtetit.

Në këtë masturbim më së largu ka shkuar megjithatë Gold AG, i cili nga prizmi i islamit politik e kinse me rep-këngën e tij “Shqiptar 2” shan shumë figura publike kosovare dhe mbledh miliona klikime në internet – pra i shet sharjet me para - sepse shumë shqiptarë kokshkretë i kanë për zemër sharjet më të pështira...

Dhe kënaqen tek dëgjojnë, sepse sharja i shpreh vetë ata – identitetin e tyre mjeran.

"Do qen që po lehin mundohen me bo fore, m'keni dhon inspirim me ju korr tash gjys ore", ka shkruar Gold AG në “Facebook”, duke i emëruar me emra e mbiemra “...do qen që po lehin...”, kurse Prokuroria e shtetit bën sehir!?.

Përderisa Gold AG pati fyer në “Shqiptar 1” pos shumë figurave politike edhe deputeten Alma Lama, kjo e fundit e ka paditur “reperin” në gjykatë.

Ndryshe Gold AG qe arrestuar pas videoklipit “Shqiptar 1”, ku ai ka fyer këngëtarë e politikanë, në mesin e të cilëve edhe presidenten Atifete Jahjaga.

D.m.th. shteti kishte vepruar vetëm kur është fyer kreu i tij, kurse për fyerjet e të tjerëve shteti nuk reagon fare.

Në anën tjetër, një grup që e quan veten ‘joreligjiozët shqiptarë” e kanë quajtur reperin Gold Ag gomar."Ju prezantojmë gomarin Gold AG", thuhet në një postim të tyre.

"Ju prezantojmë gomarin Gold AG! Idhullin e serbëve dhe të fantazmave otomane.
Disa detaje ekstra për ata qe s'e kanë dëgjuar "këngën" e tij të re: “Ky gomar e ka quajtur kurvë deputeten shqiptare Alma Lama, ka ofenduar Ismail Kadarenë dhe ateistët. Ky gomar njëjtëson shqiptarët me kulturat e prapambetura arabo-islamike", shkruan në këtë postim.

Meqë jam gjetur edhe vetë në tekstin e këngës së tij “Shqiptar 2”, dëshiroj të deklaroj se Alma Lama e ka marrë fort me siklet këtë gomarllëk!?

Nuk mund ta hedhësh në gjyq një injorant!

Sepse nuk mund të gjykohet një gomar!

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...