Ftesë për debat demokratik me kosovarët myslimanë (2)

22 Gusht 2015 - 09:20 - Halil Matoshi      

Sipas historianit gjerman, Georg Stadtmüller, njohës i mirë i historisë së shqiptarëve, (1909 – 1985; ishte profesor në München), shkaqet e përhapjes relativisht të shpejtë të islamit në Siujdhesën Ballkanike - para së gjithash në Bosnjë dhe Shqipëri – nuk ishin religjioze, por të llojit juridik dhe ekonomik.

Sipas rregullave të së drejtës fetare (Fikh) i takonte çdo myslimani të shtresës së lartë sunduese politike të Perandorisë Osmane, përderisa të gjithë jomyslimanët ishin të përjashtuar plotësisht nga të drejtat politike.

Kalimi në islam kuptohej njëkohësisht edhe si ngritje në shtresën e lartë politike, që gëzonin privilegje të ndryshme. Shtresa e ulët jomyslimane – të ashtuquajturit „Rajah“ – ishte gati pa të drejta dhe ishin të detyruar të paguanin tatim (đizja) të lartë për frymë të popullsisë.

Sipas këtij autori, islami ka ngulur këmbë në shumë vende të Siujdhesës Ballkanike, fillimisht në Bosnjë dhe Hercegovinë. Atje menjëherë pas okupimit turk të vendit (1463) një pjesë e madhe e popullsisë ka kaluar në islam – para se gjithash aristokracia.

Pastaj islamizimi prej shek. XVI përfshinte edhe krahinat tjera ballkanike. Atje pjesërisht ndikuan kushtet tjera psikologjike. (...) Në ujdhesën e Kretës është bërë një islamizim në mënyrë të ngjashme si në Shqipëri: pas okupimit turk (1669) bëhej një kalim masiv në islam, një pjesë si pasojë e shtypjes turke, dhe pjesa tjetër nga arsyet e njohura ekonomike.

Vlen të theksohet një këndvështrim shumë specifik dhe interesant i Stadtmuller-it për raportin e grekëve në njërën anë dhe të shqiptarëve në anën tjetër ndaj islamit.

”Përderisa greku më parë jepte lirinë se besimin, te shqiptarët mesatarisht ishte e kundërta. Shqiptari është i gatshëm të paguante lirinë nga shtypja politike me çmimin e besimit të trashëguar. Kjo bindje ka gjetur shprehjen e saj në proverbin e njohur shqiptar „ku është shpata, është feja“.

Ky vlerësim tepër i vërtetë shqiptar i lirisë nacionale, sociale dhe personale ka lehtësuar „turqizmin“.

Islamizimi ka arritur përmasa më të mëdha në Shqipëri, ku ai fuqimisht përfshihej që nga fillimi i shek. XVI.”

Historiani gjerman vjen në përfundim se deri në mbarim të shek. XVI kalimet në islam kanë mbetur ende të kufizuara në renegata të vetme dhe ato familjare.

Popullatën fshatare të Shqipërisë në atë kohë islamizmi ende nuk e kishte përfshirë.

Ky autor sjell dëshmi se në vitin 1577 Shqipëria Veriore dhe ajo Qendrore ishte krejt katolike.

Hierarkia katolike e vendit duket se ka qëndruar edhe më tutje në shtrirjen e vjetër. Argjipeshkvijtë dhe priftërinjtë vërtet kanë vuajtur nën jotolerancën turke.

Mirëpo t’i rikthehemi realitetit të sotshëm kosovar, ku rreth 90 % e popullsisë vendase pretendohet të jetë e përkatësisë fetare islame (edhe pse nuk përjashtohet rreziku se me këso shifrash manipulohet nga kleri islam, për efekte propagandistike, ndonëse sipas statistikave të BIK-ut, këtë komunitet tepër larg më të vogël e dëshmojnë shifrat e praktikuesve të islamit, pra ata që kanë librezë anëtarësie në BIK.

Në anën tjetër shteti kosovar e ka të drejtën legjitime (dhunën legjitime në duar, ndonëse miku im Behluli, pronari i një lokali ikonë në Prishtinë, thotë se “dajaku ka rënë në duar të gabuara”) për ta mbrojtur brishtësinë e vet, për sa i përket sigurisë, po në rend të parë shteti duhet t’i mbrojë qytetarët dhe t’u garantojë atyre lirinë, pra edhe liri fetare e të drejta civile, por duke u thënë përfundimisht jo “pareve të përgjakura” që dikush i fut në sy të shtetit (rendit fiskal dhe auditit) kinse si ndihmë humanitare për të varfrit në Kosovë.

Shteti modern nuk ka nevojë për lëmoshën e besimtarëve!

Madje për asnjë lloj lëmoshe, as për ato kategoritë e storieve “Edhe unë jam Kosovë”.

Shteti pra duhet t’ua vërë drynin pa pardon, shoqatave që vijnë nga vende kaotike e jodemokratike dhe që frymëzojnë pasionet fashiste në emër të një Zoti.

Kosovës nuk i duhet një Zot dashakeq e mizor - ndëshkues – por një Zot plot dashuri, mëshirë e falje,

Një Zot jondëshkues.

Sepse ky vend e ky komb, mjaft gjatë janë ndëshkuar nga shumë zota të qiellit e të tokës.

Të luftës e të paqes.

Në Kosovë tjetri nuk duhet të jetë armiku, po vetja në tjetrin, dashamirës e solidarë.

“Unë kurrë nuk do të pajtohem me atë që do ta thoni – po unë do të luftoj deri në vdekje që ju ta thoni atë lirisht”, thoshte Voltaire.

Policia duhet ta kryejë punën e vet profesionalisht e pa u ndikue nga politika, vetëm me ata qytetarë që bien ndesh me ligjet, kurse shoqëria duhet të flasë me të gjithë ata të rinj që kanë bërë kinse ‘jihad’ e në fakt kanë mund të bëjnë krime monstruoze, e së voni edhe duke rënë ndesh me ligjin që sanksionon pjesëmarrjen e kosovarëve në luftërat e huaja dhe për hesape të organizatave terroriste në Irak, Siri e gjetiu, pra me “aventurierët” që kanë mund ose mund t’i cenojnë interesat e atdheut të tyre të origjinës, Kosovës;

Pra Kosovës i duhet një dialog urgjent me këta qytetarë për kushtet e riintegrimit në shoqëri, përmes besnikërisë dhe lojalitetit ndaj Republikës.

Porse atyre duhet dhënë shkollë të mirë e punë, e jo vetëm dajak dhe etiketa, si “terroristë” dhe “armiq të egër të shqiptarësisë”, me lehtësi të padurueshme…

Debati nuk bën të paragjykohet duke i cilësuar për armiq ende pa e vërtetuar një gjykatë e rregullt armiqësinë e tyre të supozuar.
Për çfarëdo debati demokratik duhen argumente, argumente, argumente, por dhe dije, dije dhe vetëm dije dhe jo vetëm tolerancë e detyruar, por dashamirësi.

Për dialog dhe pajtim duhet durim dhe mbi të gjitha duhet shmangur stereotipet për tjetrin si armik.

Natyrisht se nuk pretendohet të arrihet pajtimi përfundimtar i islamit me demokracinë perëndimore (sepse dallojnë për nga mënyra e jetesës), por mund të arrihet mospengimi i njërit synim nga synimi tjetër.

Të nisemi që me natë, me fenerë e me llambadarë, me pisha të ndezura e në pik’ dite, që ta gjurmojmë të vërtetën, ta arrijmë dijen dhe përzdritjen, me durim e pa inat, sikur që miku ynë i letrave, kritiku e politikani Ibrahim Rugova e thoshte shpesh lutjen: "Zot, falna dijen"!

Liria e shprehjes dhe e shtypit shkon vetëm krahas dhe me përgjegjësinë, pra liria pozitive e publikimit p.sh. të ofendimit të fesë ose profetit që perceptohet rival, në Kosovë, duhet të zëvendësohet me lirinë negative – të mospublikimit, kur ajo helmon, lëndon shpirtrat e njerëzve ose kur ndez pasionet e urrejtjes dhe mund të pasohet edhe me humbjen e jetëve njerëzore.

Jeta e njeriut – mbrojtja e saj – të drejtat e njeriut – garantimi i tyre – liria dhe liritë civile – sigurimi i tyre - duhet të jetë flamuri i vetëm i kosovarëve

Shoqëria civile, teologët ekumenë dhe bashkësitë fetare nën patronazhin e ndonjë institucioni moral në këtë vend të nemun - por me njerëz të mrekullueshëm - duhet të nisë një dialog me “armikun”, duke mos e pranuar “luftën” me të.

Duhet zmbrapsur përplasja (vetëm para 20 vjetësh askush nuk i besonte Samuel Huntingtonit se qytetërimet po hynin në epokën e përplasjeve mes vete) dhe fragmentarizmi brenda shoqërisë kosovare sot duke e shquar solidarësinë qytetare e jo dallimet mes besimeve e shenjtorëve; duhet rilidhë në një trup unik - si shtet-komb shekullar - që nuk ndërhyn në punët e besimeve fetare, por që ndihmon ato në arritjen e synimeve për lumturi shpirti e përzdritje mendjeje.

Kosova nuk është në luftë.

Edhe kjo është shumë OK.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...