6 Nëntor 2015 - 08:11 - Halil Matoshi
Me këtë hov shihet ashiqare se organizata politike që së fundi veten po e identifikon ilustrativisht si lëvizje “VeVe”, po lyp me gjetë qime n’ve…
Mirëpo për shoqërinë kosovare kundërshtimi i çfarëdo nisme pro integrimeve euroatlantike nga ana e opozitës përjetohet si shpallje lufte kundër demokracisë perëndimore, kundër ShBA-së dhe BE-së…E kjo e shpie në histori këtë opozitë që MSA-në tentoi ta përdorte edhe si një kauzë, por që në thelb ishte krejtësisht false…
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në, si marrëveshja e parë ndërkombëtare e Republikës së Kosovës dhe marrëveshja e parë kontraktuale e saj me Bashkimin Evropian, pati përpjekje të dështuara nga opozita që të paraqitet si e ndryshme nga MSA-të që BE-ja i ka nënshkruar me shtetet e pavarura, e rrjedhimisht si e pavlerë!?
Mirëpo, askush nga opozitarët nuk e tha përse BE-ja nuk ka nënshkruar një marrëveshje të tillë (sado të ndryshme nga shtetet e pavarura, me Republika Srpska-n në Bosnjë dhe Hercegovinë.)
Fusnota (*) ose denominimi i emrit kushtetues të shtetit është i balancuar, sepse dëshmon karakterin sui generis të një shteti që po e kërkon hisen e vet në të drejtën ndërkombëtare.
Pos që ky përcaktim nuk paragjykon qëndrimin ndaj statusit dhe është në përputhje me Rezolutën 1244/1999, është në përputhje edhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Prandaj secili që e di “verdiktin” e GJND-së, nuk do të vepronte si opozita kosovare, e cila nuk po i lexon dhe interpreton drejt para publikut dokumentet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me Kosovën.
Sepse po të lexoheshin dhe interpretoheshin drejt këto vendime e marrëveshje ndërkombëtare, atëherë manipulimi me masat popullore do të ishte i vështirë ose i pamundshëm.
Prandaj opozita kauzat e saj po i ngrit me sherr!
Në thelb, duke u nisur që nga pyetja fatale e Serbisë para GJND-së, e cila mund të thuhet se i dha të drejtë Kosovës, e deri tek MSA-ja, Lëvizja Vetëvendosje u bë lexim ‘relativizues’, duke e relativizuar kështu jo vetëm të drejtën e shumicës për të marrë vendime për shtetin, porse po e relativizon edhe të drejtën e njerëzve “jovetëvendosës” për të qenë të lirë!?
Para GJND-së Serbia nuk e ka shtruar pyetjen se a ka apo jo Kosova të drejtë të jetë shtet i pavarur, porse pyetja ishte: “A është Deklarata e njëanshme e Pavarësisë së institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës në pajtim me të drejtën ndërkombëtare?”, dhe derisa Kina, megjithëse e rreshtuar me argumentet e Serbisë, përfaqësuesja e saj, Su Hankin, ka pranuar se “e drejta ndërkombëtare nuk e ndalon dhe as nuk e sanksionon çështjen e secesionit”, dhe kjo, objektivisht pyetjen e shtruar nga Serbia para GJND-së e bëri të paobjekt. Sepse siç u argumentua nga ekspertët e vendeve që e kanë njohur Kosovën,
Deklaratën e Pavarësisë nuk e kanë shpallur IPVQ-të dhe as vetëm Kuvendi i Kosovës, por përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës, duke përfshirë kryetarin e vendit, kryeministrin, kryetarin e Kuvendit, si dhe përfaqësuesit e pakicave, pos serbëve kosovarë, që dëshmon se Deklaratën e ka shpallur dhe miratuar një trup politik i zgjedhur, jashtë kornizës së rregullt të Kuvendit.
Përderisa kinezja Su Hankin pati thënë se “vetëvendosja mund të miratohet në rastet e kolonive dhe okupimeve të jashtme dhe jo në raste të pjesëve integrale dhe multietnike të një shteti sovran, siç është rasti me Kosovën”, ajo harroi se shteti sovran ishte Federata jugosllave, që Kroacia e cilësoi madje si konfederatë dhe se në atë shtet pjesë përbërëse dhe bartëse e atij sovraniteti ka qenë edhe Kosova.
Në këtë rast doli të vlente ajo që e thotë juristi Marc Weller se Kosova është një vetëvendosje jashtë kontekstit kolonial, një vetëvendosje zhdëmtuese, pasi që shteti amë Serbia (ama juridike) i ka shkelur masivisht të drejtat e njeriut deri në përmasa të tentativës së gjenocidit, duke e humbur të drejtën e administrimit në Kosovë.
Prandaj, në këtë kontekst, të mos e votosh ratifikimin e MSA-së në Kuvend dhe të pretendosh të marrësh votën popullore për ta qeverisur më mirë Republikën, paraqet nonsens politik.
Kjo i bie sikur të thuash: Nuk e respektojmë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për Kosovën, sepse ai ‘verdikt’ vetëm i është përgjigjur pyetjes së Serbisë, se a kanë pasur të drejtë institucionet vetëqeverisëse të Kosovës që ta shpallin pavarësinë e saj? dhe kësisoj nuk e bën të ligjshme pavarësinë e Kosovës si entitet në të drejtën ndërkombëtare.
Pra, në këtë rast opozita (VV-ja) e shpiku edhe një kauzë false vetëm e vetëm me e manipulue publikun...
Rasti i Kosovës, sipas “arkitektit” të shtetësisë së saj, Marti Ahtisaari, është sui generis (vetëvendosje zhdëmtuese jashtë kontekstit kolonial), pra nuk është bërë shtet vetëm nga një lëvizje kombëtare kundër kolonializmit dhe si rezultat i një lufte çlirimtare të shqiptarëve kosovarë, por ka ardhur si reagim i Perëndimit bazuar në vlerat e përbashkëta, ndaj shkeljeve masive të të drejtave të njeriut në Kosovë, deri në përmasat e gjenocidit në tentativë, nga ana e Serbisë.
Pra, shtetësia e Kosovës është projekt ndërkombëtar që buron nga Kapitulli VII i Kartës së OKB-së dhe është vërtet pavarësi Sui generis; prandaj ashiqare të gjitha marrëveshjet dhe dokumentet kosovare që prekin thelbin e kësaj shtetësie janë të përpiluara në këso konditash: Sui generis!
Sepse, shtetit amë (amë juridike) të Kosovës, Serbisë, nga NATO-ja i është marrë një territor, i cili fillimisht është vendosur nën një protektorat të OKB-së, për t’i dhënë pastaj pavarësi kombëtare si zhdëmtim për dëmet e shkaktuara nga Qeveria e Beogradit.
Prandaj edhe MSA-ja për Kosovën është dokument që dallon nga vendet e tjera, e që do të thotë së është Marrëveshje Sui generis dhe denominimi vlen vetëm për pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur, por jo edhe për 23 shtete të tjera që e kanë bërë këtë, dhe kjo qartë shpjegohet në Marrëveshjen e MSA-së.
Kur dihet se organizatat mbinacionale si BE-ja nuk njohin shtete, sepse akti i njohjes u përket shteteve veç e veç, të cilat me këtë akt shprehin një vullnet politik, së këndejmi del se 23 shtete të BE-së nuk janë neutrale ndaj statusit të Kosovës, por neutraliteti kërkohet për shkak të pesëshes që ende nuk e ka njohur pavarësinë e saj.
Neni 2 i MSA-së thotë: “Asnjë nga termat, formulimet apo përkufizimet e përdorura në këtë Marrëveshje, duke përfshirë anekset dhe protokollet e saj, nuk përbëjnë njohje të Kosovës nga BE-ja, si një shtet i pavarur apo nuk paraqesin njohje individuale nga shtetet anëtare për Kosovën, nëse ato nuk e kanë ndërmarrë një hap të tillë”, porse kur e kemi parasysh se BE-ja nuk njeh shtete të pavarura, por kjo është në vullnetin dhe në të drejtën e shteteve të veçanta, del se kur të gjitha shtetet anëtare ta njohin Kosovën, fusnota fshihet me automatizëm.
Prandaj opozita duhet t’i thotë gjërat në burimin e tyre etimologjik (juridiko-politik) e mos t’i konfuzionojë qytetarët, të cilët, sipas gjasave, pandehen për injorantë në këto fusha.
Në anën tjetër, kur e kemi parasysh hapjen e Kapitullit 35 të negociatave BE- Serbi, vërehet qartazi se edhe parimet themeltare të Asociacionit të komunave me shumicë serbe relativizohen skajshmënisht.
Madje, edhe sa u përket të drejtave autonome për serbët në arsim e shëndetësi, Asociacioni do t’u përmbahet ligjeve të Kosovës, pra do t’i drejtohet Prishtinës zyrtare.
Në këtë vazhdë, viza nga Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s për Asamblenë e Përgjithshme mund ta bëjë Kosovën me emër në këtë mekanizëm të OKB-së.
Në anën tjetër, nënshkrimi i MSA-së Kosovën e vë në binarët që pashmangshëm shpijnë në BE.
Orientimi i Kosovës së pavarme nga Perëndimi është historik dhe definitiv…
Me MSA-në Kosova arrin njëherësh tri efekte drejt afirmimit të shtetësisë së saj në marrëdhëniet ndërkombëtare, si entitet i pavarur, sipas ligjit ndërkombëtar.
E para, MSA-ja është marrëveshje ndërkombëtare që nënshkruhet me shtete (e theksuam më parë se një të tillë nuk e ka Republika Srpska), pra kjo është marrëveshje kontraktuale BE- Kosovë.
Së dyti, me MSA-në për Kosovën janë pajtuar të gjitha shtetet anëtarë të BE-së, përfshirë pesë shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Edhe pse me fusnotë (denominim - referimin e mosparagjykimit të statusit politik) ajo e trajton Kosovën si subjekt që ka atributin shtetëror, që të marrë dhe të japë të drejta dhe obligime në rrafshin ndërkombëtar.
Së treti, MSA-ja përfundimisht dialogun Prishtinë-Beograd e shndërron në dialog Kosovë-Serbi. Pra një dialog mes palësh të barabarta.
Mirëpo, këto nuk janë suksese të qeverive kosovare, por të kombit kosovar dhe aleatëve të tij të përjetshëm - kombeve të fuqishme demokratike!
Opozita, së këndejmi, nën drejtimin e VV-së nuk e bllokoi seancën për ratifikimin e MSA-së, sepse kjo do t’i hakmerrej fuqishëm nga shoqëria kosovare, e cila është shumë e lidhur emocionalisht me Perëndimin, e sidomos ShBA-në, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe.
Mirëpo ajo nuk e votoi ratifikimin pa dhënë ndonjë shpjegim bindës për publikun, pos inateve joracionale.
Një situatë e tillë paraqet ‘time-out’ për Qeverinë (shumicën parlamentare në Kuvend) dhe një humbje të lehtë të argumentit se Kuvendi duhet bllokuar për shkak të Asociacionit, ngase MSA-ja që nuk u pengua, pikërisht e obligon Kosovën që të zotohet se do t'i zbatojë marrëveshjet me Serbinë.
Për kundërshtarët e MSA-së (kundërshtimi si paradigmë), argument se Kosova nuk është trajtuar si shtet i barabartë bie, ngase sipas Neni 13 të MSA-së, Kosova dhe Serbia bëhen palë të barabarta në bisedime.
Neni 13 në mënyrë eksplicite e detyron Kosovën që:
1. Dialogu politik dhe dialogu për politika, sipas nevojës, kontribuojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë: Dhe pika 3: (a): të zbatojë në mirëbesim të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog me Serbinë;
Glauk Konjufca i VV-së i bën një interpretim personal (partiak) MSA-së, duke mos e kuptuar “frymën e ligjit” në dokumentet ndërkombëtare, si p.sh. Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që sipas tij (dhe disa zyrtarëve serbë) e sheh Kosovën si "autonomi në kuadër të Serbisë”!?
Porse GJND-ja thotë se Rezoluta 1244 ka karakter neutral ndaj statusit të Kosovës, dhe nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar e si rrjedhojë as akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
E meqë është kështu, Deklarata e Pavarësisë e Kosovës nuk shkeli as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.
Prandaj angazhimi për afirmimin e Kosovës së pavarur në planin ndërkombëtar nuk është mbajtje krahu Qeverisë, siç pandeh opozita, por është të mbash anën e lirisë!
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...