4 Korrik 2014 - 08:51 - Halil Matoshi
Mirë se erdhët në vendin e një mijë e një mrekullive (të rreme natyrisht!) të PDK-së dhe Hashim Thaçit, të cilit 31 % e qytetarëve ia kanë besuar atij dhe njerëzve përreth tij pushtetin politik.
Kështu – thonë ka folur sovrani – duke ua mohuar të drejtën 69 % të qytetarëve tjerë që të thonë fjalën e vet sovrane!?
Dhe pikërisht kjo e folme e paqartë, në disa aspekte nebuloze e sovranit e çoi vendin në krizë politike dhe institucionale.
Por duke qenë se Gjykata Kushtetuese e ka marrë tashmë vendimin për t’iu përgjigjur presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, në pyetjet e saj infantile, të gjitha përfundimet do të respektohen, ngase Kosova ka krijuar një traditë të respektimit ndaj verdikteve të Kushtetueses dhe interpretimet ende janë të hapura, duke ia kaluar “sovranitetin” vendimmarrës në këtë aspekt Presidentes.
Ashiqare është dhënë një verdikt ‘kompromisi’ që e fut në zjarr presidenten Jahjaga, duke u dhënë shpresa të dy taborëve të barrikaduar rreth krijimit të Qeverisë së vendit, pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014.
Pra vendimi anon nga interpretimi i tretë, jo nga ai PDK-ist as nga ai opozitar, por që në rrethanat kosovare, duket më normal.
Sipas këtij verdikti presidentja e propozon kandidatin e partisë fituese të zgjedhjeve për mandatar dhe ai nëse nuk kalon në raundin e parë, mandatari duhej t’i kalohet partisë ose koalicionit të dytë, (jodomosdoshmërisht dhe këtu qëndron jokonsistenca e verdiktit të Gjykatës Kushtetuese!?) që në këtë rast është blloku LDK e Isa Mustafës, AAK e Ramush Haradinajt dhe Nisma e Fatmir Limajt & Jakup Krasniqit, me premtimin se do ta mbështesë edhe lëvizja “Vetëvendosje” e Albin Kurtit, që i kanë të siguruara 61 vota. Mirëpo nuk përjashtohet mundësia që presidentja në këtë rast ta ushtrojë detyrën e vet duke u mbështetur tek kompetencat e saj (sipas kapitullit 5 të Kushtetutës) si bartëse e unitetit të popullit, pra vendimi i saj në këtë aspekt është sovran dhe vendimtar.
Presidentja jo domosdo duhet t’ia kalojë mandatarin partisë/koalicionit të dytë, pra sipas verdiktit të Kushtetueses presidentja mund ta propozojë për mandatar dy herë partinë/koalicionin e parë (fituesin e zgjedhjeve), vetëm se herën e dytë duhet të propozohet mandatar tjetër.
Kushtetuta është një akt juridik i shkruar nga njerëzit që flasin një gjuhë, pra një materie gjuhësore e përbërë nga fjalët. Gjatë shkrimit të një teksti njeriu mund të gabojë dhe pastaj përpjekja e të tjerëve që ta racionalizojnë tekstin e shkruar gabim janë punë Sizifi, sepse në një tekst të kodifikuar me shpërputhje dhe kolizione nenesh e paragrafësh si dhe me gabime logjike, racionalizimi është ‘mission impossible’.
Ku konsiston pra linguistika në nenet kontestuese 95, pika 1 dhe 4. me kapitullin 5 (Kompetencat e Presidentit – nuk është menduar se mund të pasojë një Presidente – pra edhe kjo mund të kontestohet!?), neni 84, pika 14 dhe cili nen ka përparësi në këtë rast?
Neni 95, Zgjedhja e Qeverisë, kërkon shumicën në Kuvend (atë që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend), është folje në kohën e shkuar dhe kjo mund të interpretohet se u referohet zgjedhjeve dhe jo situatës pas zgjedhjeve, mirëpo, nëse lexohet drejt aty thuhet se “ partia ose koalicioni që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend, pra nëse vihet theksi te “e nevojshme” menjëherë pason pyetja: Cila është shumica e nevojshme?
A është kjo 31% apo 51 %!?
Shpjegimet e mëtejme janë të padobishme. Pra në këso ngërçesh gjuhësore mund të gjenden interpretime utilitare (pragmatike), por jo sqarime të plota.
Prandaj këto dy nene kushtetuese duhet të amendamentohen dhe të ndryshohen, sepse krijojnë shumë zhurmë, por edhe humor kushtetues.
Në rrethanat politike që gjendet vendi, Hashim Thaçi nuk mund t'i tubojë 51% përkatësisht 61 vota në Kuvend për ta krijuar Qeverinë, mirëpo në këtë proces që po zvarritet pafundësisht dhe ku, interpretët mujshorë PDK-ist të Kushtetutës po dalin të jenë të fuqishëm, duket se do të provohen të gjitha makinacionet dhe kombinatorikat e "blerjes" së 4-5 deputetëve.
Megjithatë duket se kësaj here ai nuk ia del dot.
Mbetet shpresa se ky është fundi i tij politik.
Ndërkohë Hashim Thaçi, i quajtur dikur “Gjarpri” nuk rri duarkryq.
Ai me organizatën e tij klandestine SHIK shpërndan dezinformata, krijon situata që i rrinë më afër fantashkencës se sa realitetit në një shoqëri.
Ai herë e hedh idenë (duke e qitur në gojën e zyrtarëve të Brukselit!?) për një “Qeveri teknike gjithëpërfshirëse”, herë u thotë kosovarëve se ai në raundin e dytë do ta propozojë një “të pavarur” sipas masës së PDK-së për mandatar, ndërsa një ditë flet vetë si kryeministër, ndonëse nuk është, se si e ka nisë edhe një mrekulli: autostradën Prishtinë-Shkup, e të nesërmen e “shet” edhe mrekullinë tjetër: katërfishimin e investimeve të huaja në Kosovë!
Dhe llafologjia e tij çudibërëse në ‘facebook’ është intensifikuar pikërisht në kohën kur Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) ka publikuar ”Statistikat e tregtisë së jashtme” për muajin maj 2014 që tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për muajin maj 2014 prej 204,9 milionë eurosh krahasuar me deficitin prej 186,4 milionë eurosh me periudhën e njëjtë të vitit 2013.
Sipas këtij raporti eksporti mbulon importin vetëm 10.4%.
Eksporti i mallrave në muajin maj 2014 kishte vlerën 23,6 milionë euro, ndërsa importi 228,6 milionë euro. Ndërsa eksporti shënon një rënie prej -12.9%, importi u rrit për 7.0% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2013.
Në anën tjetër, derisa trendi botëror i kësaj vere, futbolli i qiti në pah Luis Suarezin dhe Hajvalinë, ndonjë zyrtar në Bruksel (që është vetja e dytë e ndonjë redaktori portalesh kosovare), por edhe eurodeputetja gjermane Doris Pack, u gjetën krejtësisht jashtë këtij trendi. Habit e folmja e Dorisit, një mike dhe njohëse e mirë e Kosovës, e cila, ndonëse e ka zët lëvizjen “Vetëvendosje” ia rreh shpinën Thaçit.
Ajo tha se në situatën në të cilën ndodhet tani Kosova, koalicioni LDK - PDK do të ishte zgjidhja më e mirë për Kosovën.
“Mendoj se në situatën në të cilën tani ndodhet Kosova kjo do të ishte zgjidhja më e mirë. Ky është vetëm mendimi im dhe nuk i jap vetes të drejtë të jap këshilla nga Gjermania. Ky koalicion i LDK-së tani, me parti që dëshiron krejt diçka tjetër në kundërshtim me qëndrimin e Bashkimit Evropian, mendoj se nuk do ta bëjë Kosovën të lumtur”.
Ideja për një koalicion të tillë e ringjall drojën nga kafshimi i sërishëm i “Gjarprit” dhe ia kalon shumëfish aktit të kafshimit të uruguaianit Luis Suarez, të cilin duhej lënë të qetë, lë të kruajë dhëmbët, qoftë edhe në fanellën e Hajvalisë...
Për Suarezin thanë se është i çmendur.
Thanë se mania e tij është kanibale, përderisa Giorgio Chiellini u dëshmua njeri i madh dhe sportist i vërtetë, duke shprehur keqardhje për dënimin e tij.
Porse Suarez duke e qetësuar kruarjen e dhëmbëve në dorën apo qafen e ndonjë lojtari, i shkakton dhimbje të përkohshme, ndërsa kafshimi që po i bëhet Kosovës, për hir të ruajtjes së stabilitetit politik me çdo kusht, nuk e dëmton vetëm një njeri, por një shoqëri të tërë, madje për disa breza.
Duke qenë se Kosova nuk është pranuar nga FIFA dhe UEFA, liderëve të klubit të futbollit “Hajvalia” u lindi ideja që t’ia bëjnë Suarezit një ofertë, jo gjithaq joshëse për sulmuesin uruguaian, por dinjitoze për rrethanat kosovare.
Hajvalia ofroi kontratë katërmuajshe prej 30 mijë eurosh për kartelën e futbollistit dhe pagë mujore prej 1.500 eurove për të, për ta sfiduar një sistem rregullash të politikës ndërkombëtare që vlejtkan edhe për sportin, për lojën e futbollit.
Nëse Suarez nuk mund të luajë top për katër muaj në vendet që janë nën juridiksionin e FIFA-s dhe UEFA-s atëherë ai për të mos e harruar zanatin mund të luajë në një vend ku këso rregullash nuk vlejnë, jo për shkak të kosovarëve, por për arsye se fuqia politike ka vendosur që të rinjtë dhe të rejat kosovare nuk paskëshin të drejtë të luajnë!?
Hajvalia, katundi afër Prishtinës, i njohur dikur si vend ftonjsh dhe xeherore, e së voni si vendbanim i Behgjet Pacollit, ku milioneri që ka punuar me Kremlinin i ka ngritur një mori vilash luksoze, mysafir i shpeshtë i të cilave është Hashim Thaçi, synon që në shenjë proteste përse Kosova nuk njihet nga FIFA dhe UEFA, ta sjellë sulmuesin e kombëtares uruguaiane në ekipin e Superligës kosovare.
Fundja, para se të angazhohej që ta mbante Thaçin në pushtet, po të angazhohej Doris Pack që Kosova të bëhej anëtare e organizmave që rregullojnë lojërat sportive, lojërat me fatet e njerëzve do të përfundonin dhe në Kosovë do të niste epoka në të cilën akëcili do ta ndërtonte fatin e vet ashtu siç dëshiron.
Së paku do të kishte më pak tensione politike dhe më shumë bukë e lojëra.
Por jo ajo, Dorisi, ka vendosur që t’i bëhet patericë pushtetit të Hashim Thaçit dhe PDK-së, që dhembjet nga kafshimi i “Gjarprit” për kosovarët të jenë të shumëfishta dhe për shumë breza.
Nëse pushteti kakistokratik i Thaçit konsolidohet rishtas, aq të mëdha do të jenë dhembjet saqë kafshimi i Suarezit do të dukej hajgare.
Dhe aq i bën dikujt në Bruksel a Berlin se qytetarët kosovarë (pos klientelës dhe rrjetit të PDK-së që e ka kapur shtetin) po e vuajnë kafshimin e “Gjarprit”, sepse atyre u intereson stabiliteti.
E stabiliteti mund t’i përshkruhet edhe gjendjes “Koma”.
Hajvalia kësisoj u bë trend botëror, duke u dëshmuar shumë gjeneroze madje dhe humane në cinizmin e saj, përballë FIFA-s dhe UEFA-s dhe rregullave të tyre diskriminuese dhe ekskluzivisht politike që manifestojnë vullnetet e të fuqishmëve në dëm të të dobëtëve.
Në anën tjetër, po qe se, për ta shpëtuar shpushtetizimin e një kreature kriminale në Kosovë, u dashka që me çdo kusht të ndërtohet një amalgamë qeverisëses (Qeveri teknike gjithëpërfshirëse ose që LDK-ja t’i bëhet patericë Thaçit) atëherë duhet përshëndetur oferta e Hajvalisë për Suarezin, siç duhet përshëndetur krijimi i një lëvizjeje të madhe të rezistencës përreth Lëvizjes Vetëvendosje, ku do të tuboheshin pos qytetarëve që ndihen me shpirt të kafshuar nga trendi i vasalitetit të klasës politike aktuale në Kosovë edhe pjesa joopurtune dhe jokonformiste e anëtarësive të partive politike kosovare, shoqëria civile, media dhe bota akademike, për ta përmbysur një regjim të tillë që i ka venitur shpresat e kosovarëve për të qenë të lumtur dhe që po i shuan përditë edhe ato pak fije shprese, se një ditë qytetarët do të vendosin vetë për fatet e tyre dhe të vendit të tyre.
Për t’u mbrojtur nga kafshimi i fuqive politike që po i bëjnë shoqërisë kosovare, Gjarpri dhe mbështetësit e tij.
Prandaj oferta nga Hajvalia për Suarezin është një akt disidence ndaj kësaj fuqie joracionale politike (në FIFA dhe UEFA), kurse ofertës së Packut për një koalicion PDK-LDK për ta mbajtur politikisht të gjallë Hashim Thaçin duhet kundërvënë me një “jo”, faleminderit. Në anën tjetër shoqëria kosovare do të duhej të zgjohej nga kjo përgjumje dhe të ndërtojë një lëvizje klasike të rezistencës që do të ishte është akti më patriotik dhe më i ligjshëm i kosovarëve, përballë një degjenerimi të tillë të një procesi të ligjshëm elektoral, në një vend nominalisht demokratik dhe mbi të gjitha në një vend sovran.
Në këtë aspekt, kafshimet e Suarezit duken reminishenca fëmijërie dhe nuk dëmtojnë kë, prandaj në Hajvali është i mirëseardhur.
Thyerja eventuale e “besëlidhjes” mes LDK-së, AAK-së dhe Nismës për Kosovën, që inicialisht e morën bekimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe hyrja në aranzhmane shpëtimtare për një regjim të kriminalizuar, së pari do ta ridëshmonte faktin se Kosova është një shtet i kapur nga një organizatë paramilitare dhe parapolitike dhe se ky vend po lëngon nën tutelën e një regjimi të partisë-shtet.
Ngase sipas zyrtarëve të PDK-së betimi se “nuk ka Qeveri pa PDK-në” (Enver Hoxhaj në dy raste) është serioz dhe merr përmasat e një kërcënimi ndaj shtetit në njërën anë (do ta prishim, sikur thonë!?) dhe të një shantazhi ndaj një shoqërie të tërë (do ta shohin se kush jemi ne, sikur hungërijnë ndër dhëmbë!?)
Më e logjikshme së këndejmi është që të shkohet automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme sesa të bëhen eksperimente të tilla, të cilat do ta mbajnë në pushtet një regjim, i cili në secilin vend normal, jo që do të mbështetej, por shumica e njerëzve që e kanë instaluar atë do të përfundonin në burg dhe do të përgjigjeshin para një gjykate për tradhti të lartë kombëtare!
Dhe së treti, vetëm PDK-së i konvenojnë surrogate qeverisjeje, si qeveri teknike ose gjithëpërfshirëse, ku gjithqysh SHIK-u është në sfond dhe tërheq penjtë, ndërkaq që gjendet ndonjë tip që bindet se gomari fluturon (siç shprehej Faik Konica) dhe i bëhet argat djallit.
Në këtë mësymje PDK-ja e di se kjo mënyrë e qeverisjes edhe ashtu është jetëshkurtër, por ndërkohë ajo shpreson se blloku opozitar kundër “Qeverisë Thaçi III” prishet, qoftë nga besëpremja qoftë nga lakmia, duke i shtyrë ndërkohë “pykat” çarëse mes tyre dhe ajo, PDK të rikthehet sërish në pushtet, jo pse ajo ka koherencë politike dhe demokratike, porse llogarit në gomarllëqet e partive kosovare të shkapërderdhura dhe në faktin se në Kosovën shtet ende mungon leva që e mban në këmbë atë: shoqëria politike!
Porse ajo që duhej ta irritonte secilin qytetar të edukuar të këtij vendi është mbështetja që mund t’i japë dikush nga ndërkombëtarët “Gjarprit”.
Vetëm një burokraci joinventive ndërkombëtare, që s’është as protektor as pushtues klasik në Kosovë, kërkon karaktere tinëzare për të qenë vetë komode përballë stabilitetit politik të Kosovës dhe për të pasur arsye të flitet për storie suksesi, duke ua lënë pushtetin politik pak palë duarve vasale e me vetëdije të krimbur e për ta përjetësuar mendësinë neokolonialiste - për ta kafshuar një shoqëri të tërë – prandaj kjo është e papranueshme, sepse nëse do të pranohej gjerësisht një ide e tillë, Kosova duhet të përshëndetet nga demokracia dhe ta mirëpresë regjimin autoritar, gjysmëfashist, vetëm që s’do t’u prishte punë “miqve tanë”!?
Pra u bë mirë që Hajvalia i tha po Suarezit dhe jo “Gjarprit.”
Së këndejmi në vendin ku, për të arritur të realizosh të drejtat civile dhe të njeriut, të marrësh një punë, që të bësh karrierë, që të krijosh ndonjë vlerë ose duhet të bëhesh spiunë i partisë-shtet ose më mirë paraqitu vullnetar për në burg ose çmendinë (por as në këto dy institucione nuk të marrin kollaj, sepse edhe për to vendos partia-shtet);
Në kësi vendi mos thuaj se ke jetuar, sepse ti je turpëruar. Prandaj ngrihu e mendo;
Vendi ku Hashim Thaçi dhe SHIK-u valorizojnë, selektojnë dhe vendosin për hierarkinë e vlerave, materiale dhe shpirtërore, historike dhe politike, është thjesht edhe burg, edhe çmendinë dyzash...
Prandaj edhe me Suarezin ma zi s’ka ku shkon.
©KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...