Tribunali, ushtria dhe vendet e rezervuara

19 Prill 2014 - 09:22 - Halil Matoshi      

Me gjithë politikat dezintegruese të Albin Kurtit dhe të disa serbëve kosovarë ekstremistë, Kosova vazhdon të mbetet ndër shtetet më stabile në rajonin e trazuar, që është shumë afër rikthimit të konflikteve etnike të viteve ’90. Aneksimi i Krimesë nga Federata Ruse dhe dhuna etnike që ka shpërthyer në lindje të Ukrainës, si dhe mundësia që ky fitil të shpërthejë edhe në Moldavi, ia ndjellin të keqen Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë. Po Kosova ku është në këtë skenar krimean?

Në debatin se a duhet apo jo t’u zgjatet jeta edhe për një mandat vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë, ka shumë nacionalizëm patetik e pak racionalitet, shumë mujshi ballaknike e pak përpjekje për vlerat e përbashkëta evropiane.

Pra, nuk ka fare drejtpeshim të interesave kombëtare dhe ka shumë retorika të zjarrta, por asnjë arsyetim kredibil që justifikon shkëmbimin e diçkaje që nuk e dëmton as sistemin politik të vendit dhe as parlamentarizmin, për diçka tjetër, që i shërben sigurisë së vendit, imazhit shumetnik (si begati kombëtare) dhe mbi të gjitha që e stolis politikën kosovare me filozofinë e të dhënit (të sa më shumë të drejtave e lirive e jo tkurrjes së tyre).

Një vëzhgues aktiv i politikës nuk mund t’i kuptojë retorikat nacionaliste të një partie që vlen si qytetare - LDK, kur është fjala për interesat madhore kombëtare (me interesa kombëtare e kuptoj gjithnjë integritetin dhe stabilitetin e shtetit kosovar) kur është fjala për zgjatjen edhe për një mandat e vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë; derisa mund të ketë pak mirëkuptim për lëvizjen “Vetëvendosje” në këtë rast.

Lëvizja e Albin Kurtit është ngritur dhe ka hyrë në Kuvend pikërisht mbi postulatet nacionaliste, (kombëtariste) duke qenë e brumosur me idetë ultra-majtiste dhe maoiste për luftën (përplasjen) si burim të pushtetit faktik dhe për zgjidhjen e çështjes kombëtare të kombinuara me popullizëm klasik në politikë, në paqe.

Prandaj, nëse kosovarët kanë nisur të mendojnë politikisht, jo me zemër por me tru, lëvizja e Kurtit mund ta rrezikojë kalimin e pragut elektoral prej 5% në zgjedhjet e sivjetshme.

Dhe atëherë do të lindë rreziku i ri: Ata militantë më besnikë dhe idealistë të pashpresë mund të marrin karakteristika e ngjyrime të “Brigadave të Kuqe” në Itali ose “Rote Armee Fraktion” – Baader Meinhof, në Gjermani (1970)!?

Së këndejmi, këto dy parti (LDK dhe VV) duhet të dëshmojnë para publikut se interesat madhore të shtetit nuk do të cenohen në emër të interesave partikulare, tejet dytësore dhe inatçore.

Sepse PDK-ja dhe Hashim Thaçi duhen rrëzuar jo duke e dëmtuar interesin nacional dhe shtetëror, por pikërisht duke i mbrojtur këto interesa.

Opozita duhet ta dijë se kjo Qeveri e keqe bie jo duke e ulur më poshtë prestigjin e shtetit, por duke e ngritur atë në piedestal sa më të lartë!

Më këtë rast, pos manipulimeve me publikun rreth metarrëfimeve të shekujve të 19-të – të 20-të, dua t’ia përmend anën manipulative të argumentit të fundit Albin Kurtit, rreth “Jo-së” për Gjykatën Speciale të krimeve të pretenduara të luftës së UÇK-së.

“Duhet themeluar Tribunal për krime të luftës kundër Serbisë e jo kundër Kosovës”, tha Kurti me plot vetëbesim.

Ndërsa realiteti është se kundrejt Serbisë – si agresore e luftërave në ish-Jugosllavi të viteve ’90 është krijuar ICTY (Tribunali i Hagës) me kushtin që vendet respektive të krijojnë Gjykata speciale kombëtare për procedimin dhe ndjekjen e krimeve të mbetura të luftës, gjë që Zagrebi, Sarajeva dhe Beogradi e pranuan pa bërë shumë zhurmë. Argumenti i parë: Serbia është trajtuar si shtet që e ka humbur të drejtën morale të qeverisë me shqiptarët për arsye të shkeljes masive të të drejtave të njeriut, duke i dhënë Kosovës “vetëvendosje zhdëmtuese” - jashtë kontekstit kolonial.

Argumenti i dytë: Për krimet e luftës në të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi, serbët janë dënuar në Tribunalin e Hagës dhe nga gjykatat speciale për krime lufte në tri kryeqytetet ndërluftuese (pos Prishtinës) me gjithsej 12.900 vjet burg, (e dhënë jozyrtare por e nxjerrë nga raportet e mediave), prej të cilëve, vetëm për krimet ndaj shqiptarëve me rreth 600 vjet burg.

Të përmendim vetëm rastet më të bujshme që Gjykata Speciale e Serbisë për krime lufte i ka proceduar. Pjesëtarëve të “Skorpionëve” u janë shqiptuar 95 vjet burgim për krimin në Podujevë kur kishin vrarë 14 anëtarë të familjes Bogujevci.
Serbët që vranë 49 shqiptarë në Therandë janë dënuar me 48 vjet burgim.

“Çakallët” serbë për masakrat në Qyshk e Lybeniq të Pejës janë dënuar me 106 vjet burgim, etj.

Argumenti i tretë: Albin Kurti nuk mërzitet për viktimat civile të luftës, edhe pse të dhënat sugjerojnë se rreth 900 civilë serbë janë të zhdukur në luftën e Kosovës. Në Kosovë janë rrëmbyer 470 civilë pas 12 qershorit 1999 (pas hyrjes së KFOR-it) prej të cilëve 375 serbë e romë dhe 95 shqiptarë.

Pra, a duhet që shteti serioz të merret edhe me viktimat joshqiptare të luftës dhe jo ekskluzivisht me viktimat tona, a duhet pra, që ky shtet të merret edhe me kriminelët eventual tanët, apo ata gjithnjë janë “kriminelë të mirë”, ndërkaq serbët janë gjithmonë demonët!?
Thjesht, nëse sipas së drejtës ndërkombëtare, shteti për t’u njohur si i tillë duhet të jetë i aftë të hyjë në marrëdhënie bilaterale dhe multilaterale me të tjerët, atëherë a ka ky shtet edhe obligimin, para bashkësisë ndërkombëtare që t’i gjejë varret e civilëve serbë të rrëmbyer e vrarë gjatë konfliktit në Kosovë?

Kush do t’i gjejë “frigoriferët tanë” me viktimat serbe të luftës?

Batajnicën dhe Rashkën tonë?

Në anën tjetër, Tribunali ose Gjykata e veçantë për krimet e pretenduara të luftës së UÇK-së, në rrafshin e së drejtës humanitare, nëse vërtetohen disa nga pretendimet e raportit të Martyt është satisfaksion juridik për viktimat eventuale, kurse nëse nuk vërtetohen është satisfaksion moral për akterët eventualë, të cilët nuk do të jetojnë me barrën e njollosjeve hipotetike.

Argumenti i katërt: Në raportin e senatorit zviceran Dick Marty përmenden disa figura që kanë drejtuar luftën në Kosovë, e për të cilët Kurti dhe lëvizja e tij thonë se janë hajdutë, se duhet përmbysur nga pushteti, se duhet arrestuar...

Në ndërkohë, Kurti bie në kundërthënie duke i paragjykuar pafajësinë e pjesëtarëve të UÇK-së, në emër të mbrojtjes së luftës së drejtë çlirimtare.

Por këtu e tradhton ngutja dhe popullizmi, sepse askush, pos ndonjë serbi të krisur ose ndonjë evropiani shtihan të së djathtës ekstreme nuk e ka stigmatizuar Kosovën dhe lirinë e saj në përgjithësi dhe jo as UÇK-në, madje as Marty.
Por Klint Williamson heton individë që në emër të luftës për liri kombëtare kanë mund të abuzojnë me të drejtën humanitare dhe që kanë mund të bien ndesh me konventat e luftës.

Në raportin e tij 27-faqesh të kërkuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, Marty thotë edhe këtë: “UÇK-ja ishte një ushtri guerile që luftoi trimërisht për ta mbrojtur të drejtën e popullit të vet për të jetuar i lirë në Kosovë.”

Porse Kurtit i është errësuar mendja dhe është kurthuar në emotivitet, duke thënë gjëra me tahmin e në shërbim të makinerisë manipulative të masave të gjera, në vend se ta shfrytëzojë intelektin e tij për të menduar racionalisht, pra në vend se të ndërtojë profilin e tij prej politikani të shkathët dhe me prirje humane, ai ka rrëshqitur në etnonacionalizëm.

Po jetojmë në një botë mizore në të cilën ka edhe ide të mbara dhe humane, por edhe njerëz të mirë e paqësor.
Duke qenë se qarqe armiqësore ndaj Kosovës mezi presin të zënë vëng, për t’iu hedhur në qafë shtetit të ri, (në kontekst të konflikteve etnike në Krime dhe në lindje të Ukrainës), atëherë kosovarët duhet të investojnë krejt çka kanë në stabilitet politik dhe në integrime kombëtare (brenda Kosovës), duke i shmangur lojërat me zjarrin dhe dezintegrimin.

Kosova nuk mund të jetë shtet integral dhe demokratik – jo kurrë duke i trajtuar qytetarët joshqiptarë të këtij shteti me përçmim e “të padenjë” për të qenë të lirë e të lumtur në Kosovë, për arsye historike, se Serbia i ka munduar një shekull shqiptarët!?

Duke qenë se Serbia ende përzihet në Bosnjë për të nxjerrë atje ndonjë leverdi për shkak të humbjes së Kosovës, objektivisht mund të thuhet se Bosnjë-Hercegovina është më e rrezikuara dhe më jostabile në Ballkan. Pra, është më afër skenarit krimean.
Duke qenë se FYROM ka probleme serioze me Greqinë rreth emrit dhe Bullgarinë rreth identitetit kombëtar dhe duke qenë se politikat e Shkupit zyrtar karshi pakicës së madhe shqiptare shpesh kanë rrëshqitur në klerofashizëm, atëherë edhe ky shtet mund t’i vuajë pasojat e Ukrainës evropiane.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara, James Clapper, gjatë një dëgjimi para Komisionit të Posaçëm në Senatin e Shteteve të Bashkuara për kërcënimet mbi sigurinë në botë në vitin 2014, ka përmendur edhe Ballkanin Perëndimor.

Duke radhitur ndasitë e vazhdueshme etnike në Ballkan në kuadrin e sfidave me të cilat do të përballet siguria globale këtë vit, Clapper ka veçuar Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë. "Sa më gjatë që rruga e Maqedonisë për anëtarësimin në BE dhe NATO të mbetet e bllokuar për shkak të mosmarrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit si dhe të marrëdhënieve të dobëta dypalëshe me Bullgarinë, aq më i madh është rreziku që tensionet etnike të rriten. Në Bosnjë-Hercegovinë, interpretimet e ndryshme të kornizës politike, të bazuara në Marrëveshjen e Daytonit në vitin 1995, dhe përpjekjet e liderëve boshnjakë, kroatë dhe serbë për të mbajtur kontrollin mbi ndikimin politik dhe etnik do të dëmtojnë institucionet qendrore të BH-së", thuhet në raportin e Clapperit.

Prandaj, Kosova ndonëse ka arritur që ta ruajë stabilitetin e brendshëm dhe ka arritur që përmes bisedimeve me Serbinë të mos i rikthejë retorikat e konfliktit, nuk është krejtësisht e painfluencuar nga sindroma e Ukrainës, aq më tepër kur edhe disa forca politike shqiptare, pos ekstremistëve serbë në veri të vendit, u mëshojnë fort politikave dezintegruese dhe tezave të ndarjes etnike.

E tash çfarë duhet bërë me Ligjin për zgjedhjet dhe me Ligjin për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK), kur serbët kosovarë në Kuvendin e Kosovës duan një këmbim.
Sipas nenit 144, ndryshimet kushtetuese mund të bëhen me miratimin e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, duke përfshirë edhe 2/3-at e të gjithë deputetëve që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për komunitetet joshumicë.

Në këtë aspekt ndryshimet kushtetuese nuk mund të kalojnë nëse ato pakësojnë ndonjë të drejtë vitale apo liri të përcaktuar me nenin 2 të Kushtetutës, të drejtat e përgjithshme të njeriut, liritë fondamentale dhe të drejtat e komuniteteve nga kapitulli 3 i saj.
Nëse arrihet një marrëveshje e re me subjektet politike serbe, kjo e hap udhën që Kuvendi i Kosovës, pos që me lehtësi e kalon Ligjin për FAK-un, nesër mund ta amendamentojë nenin 143 në një të ardhme, për t’ia shkurtuar fuqinë Pakos së Ahtisaarit dhe për ta drejtuar konstitucionin e saj në kah të dëshirueshëm, konform interesave shtetërore dhe kombëtare, interesave gjeostrategjike dhe gjeopolitike.

Duke qenë kështu, vazhdimi edhe për një mandate i vendeve të rezervuara për serbët kosovarë, pavarësisht se sa vende të garantuara i fitojnë subjektet politike serbe, garuese në zgjedhje, së pari do ta inicionte përshpejtimin e normalizimit të marrëdhënieve mes të dyja shteteve (përmes ndonjë traktati të paqes) dhe “shkrirjen” e dispozitave të paprekshme kushtetuese në Kuvendin e Kosovës, në fakt do të provonte se Kushtetuta nuk është e paprekshme dhe se ajo mund të amendamentohet dhe të ndryshohet, konform me zhvillimet e reja të brendshme dhe ato ndërkombëtare dhe natyrisht jo në drejtim të shkurtimit të të drejtave dhe lirive për të gjithë shtetasit, por në drejtim të zgjerimit të tyre.
Që zhvillimi i konstitucionit shtetëror të Kosovës të mos mbahet peng i zgjidhjeve (ahtisaariane) emergjente paskonfliktuale.

Pra, liderët politikë shqiptarë do të duhej ta realizonin këtë premtim, t’ua bënin këtë favor qytetarëve serbë të Kosovës, duke nënshkruar një marrëveshje të re me ta, që “shumica e dyfishtë” të pranonte në një të ardhme ndonjë ndryshim tjetër kushtetues, më thelbësor, për çështje që kanë të bëjnë me titullarin e kombit të shtetit (preambulën), duke mënjanuar kufizimet dhe duke hapur rrugën për ndryshime të tjera në të ardhmen.

Dihet se komunitetve pakicë në Kosovë, sipas Pakos së Ahtisaarit, pos vendeve të garantuara u mundësoheshin edhe 10 vende të rezervuara, për dy mandate pas zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, gjë që, sipas Kushtetutës së Kosovës që është derivat i Pakos Ahtisaari, këto dy mandate i kanë konsumuar tashmë.
Kërkesa që t'u mundësohen vendet e rezervuara edhe për një mandat shtesë është një kërkesë politike legjitime, ndonëse jokushtetuese, ajo mund të hyjë në Kushtetutë si produkt i një marrëveshjeje politike, (konform siç hyri dhe mbeti presidentja Atifete Jahjaga).

Nga këndvështrimi i nevojës së Prishtinës zyrtare për integrimin e plotë të pakicave të sistemin politik, ashiqare, kjo kërkesë del të jetë jo vetëm e realizueshme, por edhe si interes kombëtar i Kosovës.

Kur dihet se për ligjet e një rëndësie vitale për vendin siç është Ligji për zgjedhjet, apo edhe Ligji për ndërrimin e emrit përkatësisht strukturës së tanishme të FSK-së në FAK (Forca të Armatosura të Kosovës) duhen dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve në Kuvend si dhe dy të tretat (2/3) e deputetëve të komuniteteve pakicë, pra mekanizmi i shumicës së dyfishtë që është kategori plotësisht kushtetuese. Prandaj komunitetet pakicë e kanë këtë mekanizëm në duart e tyre dhe mund ta përdorin, nëse paraprakisht nuk arrihet një marrëveshje me ta. Dhe në këtë moment nuk paraqet asnjë dëm dhe asnjë pengesë për zhvillimin e parlamentarizmit dhe e sistemit politik në Kosovë zgjatja edhe për një mandat e vendeve të rezervuara, por dëm do të shkaktonte bllokimi i ligjeve të kësaj natyre (që prekin interesat vitale të pakicave) nga komunitetet pakicë.

Kjo situatë është lehtë e tejkalueshme vetëm duhet më shumë vullnet politik nga shumica kombformuese në Kuvend.
Pra për të marrë "po" për ushtrinë e nesërme të Kosovës, komuniteteve pakicë duhet dhënë pa hezitim vendet e rezervuara edhe për një mandat.

E ushtria kosovare në inicial (për t’u shndërruar në ushtri klasike gjatë këtyre 4-5 vjetësh) është kryeargumenti i kryepolitikës kosovare në këtë kohë të trazuar, dhe është lehtësisht e këmbyeshme me zgjatjen edhe për një mandat të vendeve të rezervuara në Kuvend për komunitetet pakicë.

Kosova përfiton nga politikat dhe filozofia “me dhënë” - me ua zgjatë dorën kosovarëve që janë pakica etnike. Po ashtu Gjykata Speciale për krimet e supozuara të luftës nuk ia dëmton Kosovës imazhin, porse ia rikthen dinjitetin dhe kredibilitetin.

Sepse Kosova nuk qe e aftë kastile të themelojë vetë një gjykatë të tillë, sepse kurrë nuk arriti ta instalojë gjyqtarin e pavarur.

© Koha Ditore

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...