Flora Brovina si “Casus belli” e PDK-së

12 Shtator 2014 - 08:47 - Halil Matoshi      

Ajo mban emrin e bimësisë – emër luleje. Por me konformizmin e saj, deri në përkulje - ndaj shefave të saj – Flora Brovina dëshmoi se edhe njerëzve me prirje humaniste (qofshin edhe poetë) pushteti mund t’ua stërkeqë reputacionin. E përdorur nga partia-shtet, ajo sërish del në skenë, do që të përdoret!?. Ajo ka për ta bërë sërish - siç i thonë - sepse duke shikuar gjatë drejt humnerës, ajo e ka tërhequr brenda. Flora Brovina po e tërheq pas vetes edhe Kosovën...

Flora Brovina i ka dy opsione.
Së pari, që të refuzojë ta drejtojë seancën konstituive për shkak se PDK-ja që ka mbetur në pakicë parlamentare po e shkel parimin e shumicës demokratike, duke krijuar një precedent të rrezikshëm dhe kështu blloku opozitar do ta merrte të drejtën që sipas rregullores së punës të caktojë drejtuesin tjetër të seancës, të dytin për nga mosha, për ta zhbllokuar krijimin e institucioneve. Këtë mundësi ajo e përmendi si ndër dhëmbë në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

“Mund të mos e udhëheq unë” – tha ajo shkurt.
Së dyti, gjë që është më tipike të ndodhë konform me karakterin e saj, është që ajo sërish do ta pezullojë seancën, në momentin kur PDK-ja do të dështojë të marrë 61 vota për kandidatin e saj për të parin e Kuvendit.
Me këtë akt Brovina e fut në konflikt të hapur Gjykatën Kushtetuese me konstitucionin shtetëror dhe me konstelacionin shoqëror, kurse PDK-në e armiqëson me tërë spektrin politik kosovar, duke u shndërruar kështu vetë në një “Casus belli”.

E konfliktin ajo e paralajmëroi në një prononcim për mediat kosovare, kur tha se nuk do të lejojë që pa pajtimin e partisë së saj blloku opozitar LDK-AAK-Nisma ta zgjedhë Isa Mustafën kryetar të Kuvendit të Kosovës më 12 qershor, duke u dëshmuar sypatrembur në gatishmërinë e saj që ta mbyllë sërish seancën konstituive, për ta shpënë vendin në krizën më të thellë institucionale prej pavarësisë së vet, më 17 shkurt 2008, me intencë të ekzagjerimit të kësaj krize në një anarki të plotë!?

Pra Brovina, në vend se të tërhiqet, për t’i krijuar mundësi shumicës parlamentare që të krijojë institucionet, me arrogancë të pashoqe dhe politikisht fodulle (pa mandat nga sovrani për këtë qëndrim abuziv) po e pengon funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit, për çka do të duhej të ndërhynte presidentja e vendit.

Paçka se edhe ajo po ngjet - po do - të përdoret nga parapolitika!?
Ose po frikësohet!?
E frika rëndom është këshilltari më i keq.
Ajo shpie në dhunë! (Shih: Domenique Moissi.)
Dhe duke u nisur nga dy postulate të thëna nga vetë ajo, druaj se kjo grua do të mbahet mend si fytyrë e urryer që i ka shkaktuar vendit shumë halle e kokëçarje të panevojshme.
E para, Brovina akuzon mediat kosovare (ajo qëndron skajshmërisht keq me të shkruarit, ngase e njoh mendësinë dhe mënyrën e saj të përkorë të perceptimit të gjërave - e kam redaktuar një shkrim autorial të saj për një OJQ kosovare - akuzon analistët e pavarur - dhe të gjithë ata që nuk mendojnë sikur ajo, ta kenë shkaktuar krizën duke krijuar paqartësi në publik – thuajse publiku ha bar!

Dhe së dyti, nuk kam besuar se Brovina është e brumosur në shpirt me racizëm: “(…) Kam vërejtje sa i takon Partisë Demokratike që gjatë dy mandateve të veta nuk bëri mjaft që të ketë edhe aleatë të tjerë shqipfolës, përveç partisë së Behxhet Pacollit dhe deri tani ajo (PDK) e kishte zgjedhur këtë punë. Dhe nuk është mirë nëse cilado parti, në këtë rast Partia Demokratike, të fitojë postin e parlamentit përmes votave të minoriteteve, aq më pak të serbëve.”

Ajo subjektet politike të shqiptarëve të Kosovës i quan si “shqipfolëse”, cilësor që nuk përcakton origjinën e tyre as etnike dhe as kombëtare!?
Kurse ndaj serbëve ashiqare ka urrejtje dhe nuk mund t’i pranojë si qytetarë të barabartë, të njohur nga konstitucioni i vendit, por synon që t’i përjashtojë nga vendimmarrja politike, duke i trajtuar më zi se ish-regjimi i Milosheviqit shqiptarët!?

Si qytetar i rëndomtë i këtij vendi të dalë nga konflikti i tmerrshëm, e kam obligim moral të angazhohem shoqërisht për një shoqëri të qetë politike, ku jetohet në paqe me të tjerët që nuk janë dhe që nuk mendojnë si ne.
Një shoqëri plurale, që debaton dhe negocion vlerat – qofshin edhe ato universale – sepse të gjitha vlerat janë të debatueshme, së këndejmi të negociueshme.

Si gazetar dhe kritik i shoqërisë e kam për obligim profesional dhe moral (madje edhe për kënaqësi) të propagandoj dijen, librin, liritë civile dhe ato të njeriut, pra paqen mes njerëzve, mes grupeve etnike e fetare dhe mes kulturave të ndryshme.
Dhe jo për një shoqëri skajshmërisht të polarizuar, të çarë e të përçarë nga të gjitha prizmat: në aspektin kombëtar e qytetar, në atë fetar e krahinor, e së fundi skajshmërisht të çarë politikisht nga HTH dhe partia e tij, PDK.

Gjatë katër mandateve në pushtet (pa përjashtuar edhe Qeverinë e përkohshme dhe atë të spektrit të gjerë, me Bajram Rexhepin si kryeministër) PDK-ja i ka yshtur të gjithë kundër të gjithëve dhe i ka mbajtur për vete vetëm duartrokitësit e paguar, pra servilët!
Si ka mundur të ndodhte kështu?
Së pari, fraksioni terrorist brenda LPK-së dhe UÇK-së është hedhur kundër LDK-së dhe vepruesve të saj në terren duke i ekzekutuar dhjetëra sish pa gjyq!

Së dyti, i ka dhënë vetes për detyrë patriotike ta godasë fraksionin ushtarak të quajtur FARK dhe krerët e tij;
Së treti, ka stigmatizuar dhe ekzekutuar kolaboracionistë të regjimit serb, të qenë e të paqenë;
Së katërti, i ka stigmatizuar të gjithë qytetarët që nuk aderojnë në PDK – duke i trajtuar si të mundur në luftë – përmes metodave të ashpra militare, duke i përjashtuar nga pjesëmarrja në institucione, qofshin ato politike, kulturore apo arsimore.
Ndërsa nëse i ishin lakuar PDK-së, ata mund të merrnin edhe ca pushtet – gjithnjë nën vëzhgimin dhe përbuzjen e “Vëllait të madh”, pra të PDK-së.

Së pesti, i toleroi predikuesit e islamit politik derisa prodhoi xhihadistë që po i shërbejnë ISIS-it, për shkëmbim vote, për t’ua hedhur shtetin pastaj në shpinë, nën trysninë e Perëndimit, por edhe të qarqeve të brendshme properëndimore;
Kësisoj PDK-ja dhe HTH po e armiqësojnë shtetin me shtetasit;
Së pesti, PDK-ja për të dëshmuar se e ka seriozisht luftën kundër islamit politik (përderisa po ashtu për nevoja votash) eksponentë radikalë të proviniencës islame i ka futur në gjirin e vet. HTH është në koalicion me Gëzim Kelmendin, i cili kosovarëve ua fyen heroin historik - Gjergj Kastrioti, që shumë shqiptarë e mbajnë si hajmali kundër “shpirtrave të këqij” të orientalizimit të shoqërisë, kulturës dhe politikës së tyre;

Po ashtu HTH është në koalicion me Labinota Demi-Murtezin, gruan e cila, pas rreth 2000 vjetësh qytetërim (që nga përkthimi i Biblës shqip e këtej) ia arriti që ta fuste shaminë (xhihabin) në Kuvendin e Kosovës, gjë që e kishin flakur vetë gjyshërit dhe baballarët e kosovarëve të sotëm, nën idenë e madhe komuniste të barazisë sociale, kombëtare e gjinore.
E në anën tjetër, ashiqare HTH nuk ka fare mendim nëse bënë mirë apo keq të rinjtë e partisë së tij, PDK, që e kallen në sheshin “Skënderbeu” flamurin e zi të ISIS-it, i cili në fushën e zezë e ka të dizajnuar si përmbajtje “Shehadetin” me germa jeshile, pra çelësin e islamit!?

Derisa Bashkësia Islame e Kosovës, BIK, dhe “benjamini” i HTH, Naim Tërnava, ngrihen kundër kalljes së “fjalës së Zotit”, HTH hesht, pa e kuptuar se idetë e Tërnavës, Ramiqit, Krasniqit & Co për sheriatin si ligj suprem në Kosovë, i ka abortuar historikisht kjo shoqëri dhe ka për t’i hedhur poshtë gjithmonë e mot – sepse i tillë është krijuar konstitucioni shpirtëror i shqiptarëve që u përkasin tri feve universale dhe konfesioneve të tjera, por që kulturalisht dhe politikisht përkasin në Perëndim.

Perëndimorizimin e shqiptarëve nuk mund ta ndalë as “Vëllazëria myslimane”, as ideologjitë selafiste të vehabive që e prodhuan “Al Qaedan” dhe ISIS-in, këtë organizatë maniako-depresive e të pështirë, por as koketimi i HTH me ta. Prandaj djegia e flamurit të ISIS-it, ndonëse ata që e kanë djegur aksidentalisht identifikohen me PDK-në, dëshmon identitetin e kësaj shoqërie.

Aksidentale në këtë akt është fakti se u desh një akt vandal i pasardhësve ideologjikë të atyre që dikur kallnin flamurin e dizajnuar nga kryetari historik Ibrahim Rugova, për ta kthjelluar HTH, i cili që sot duhet ta prishë koalicionin me ata që e mbrojnë flamurin e ISIS-it dhe nëse ai nuk guxon, këtë duhet ta bëjë anëtarësia e PDK-së për ta shpëtuar nga katranosja, nëse tashmë nuk është bërë futë e zezë!

Po mirë boll njerëzim, po qysh mund të qëndrojnë bashkë në një tryezë tashti Kelmendi & Demi-Murtezi &Co me “kaurët” e HTH, që në pikë të ditës në sheshin qendror dogjën pjesë nga Kur’ani (paçka se të keqpërdorura nga ISIS-i!?)
E shihni, se me të humbur pushtetin (çmontimi i kleptokracisë së tij ka filluar që herët në pranverën e këtij viti me Universitetin e Prishtinës) HTH po bëhet gjithnjë e më agresiv, ai po shan, ai po përçan, ai në njërën anë i lut partitë e tjera politike për bashkëqeverisje, e në anën tjetër i cilëson si shantazhuese të shtetit!?

E shihni patriotizmin e tij!?
Dhe po, ende keni për ta parë tek mësyn ta përplasë shoqërinë mes vete, grupet e ndryshme etnike e politike, fetare e ideologjike – ndonëse në Kosovë kurrë nuk ka pasur përplasje të tilla të këtij intensiteti. E shihni se HTH është mjeshtër i shkatërrimit të një shoqërie, që ka mundur të jetë vërtet plurale, shumëkulturore e shumëfetare, por, para së gjithash, demokratike.

Dhe si qytetar e gazetar më ka mbajtur shpresa se kosovarët po e ndërtojnë një shoqëri politike demokratike – një demokraci pa armiq – ngase Kosova nuk është demokraci, dhe sidomos jo shoqëri e qetë dhe e mirëqenë nëse detyrohet të arrestojë njerëz përditë, pavarësisht kauzave të tyre, nëse përpiqen për më shumë kulturë brenda qenies së tyre e për më shumë liri civile ose për më shumë ideologji e politikë brenda feve dhe kulturave të tyre dhe më shumë shtypje sociale “mbi të mundurit në luftë”!?
E në këtë kontekst nuk dihet nëse Flora Brovina si poete dhe humaniste e ka pyetur veten: A thua përse askush në këtë vend s’po do t’i bëhet partner HTH përkatësisht PDK-së dhe asaj personalisht, por ajo ndihej shumë e fyer dhe e prekur në ndërgjegje se liderët e partive politike në Kosovë nuk i shkuan në bisedime.

Po t’ia bënte vetes këtë pyetje dhe t’i qasej nga këndvështrimi neutral (si poete dhe humaniste) do të mund edhe të përgjigjej përse nuk po duan as të flasin me ta!? Këtë pyetje e shtroi në një shkrim kohë më parë edhe i dyti i partisë së HTH, Kadri Veseli. Thjesht, partia e tyre me t’u ngjitur në pushtet është kriminalizuar! Prandaj Flora & Kadria dhe të tjerët, nëse duan që kosovarët e tjerë të flasin me ta – duhet t’ia nisin një pune të vështirë – ta dekriminalizojnë partinë dhe shtetin e kapur nga ta...
Zonja Brovina kështu po bëhet “Casus belli” e krizës institucionale në Kosovë, sepse po i shërben “Casus bellit” të PDK-së, për ta bllokuar jetën institucionale të shtetit, dhe “Casus belli” në këtë rast është fakti pse askush s’po do me ta!?

E Brovina, me këmbëngulësinë e saj në favorizimin e partisë së saj dhe në luftën e saj groteske për ta mbajtur “fronin” të paprekur nga “të tjerët” po e dëshmon mishërimin e saj me “frymën” dhe shpirtin konfliktual të PDK-së jo vetëm me partitë e tjera politike në vend, me kastat dhe elitat kulturore e politike, por me shumicën e shoqërisë kosovare në shoqërinë kosovare, pra është dëshmi se këtë parti masivisht e mbruan një mllef joracional ndaj ‘tjetrit/tjerëve’ dhe konflikti e shquan shpirtin e saj të vërtetë. Prandaj Brovina, në dy tentimet për një seancë konstituive të Kuvendit të Kosovës, u shndërrua vetë në ‘Casus belli’ – pretekst për konflikt.

‘Casus belli’ është një shprehje latine që do të thotë "një akt ose ngjarje që provokon ose është përdorur për të justifikuar luftën" - casus është “rast” ose “incident” - kurse bellum do të thotë luftë.
Nëse artikulohet zyrtarisht, një qeveri që nxjerr një “casus belli” ajo zakonisht parashtron arsyet e veta për luftë. Ajo përpiqet të tregojë se është duke shkuar në luftë vetëm si mjetin e fundit. Dhe raporti Ultima i PDK-së (dhe Brovinës) është fakti se po u rrëshqet pushteti absolut nga duart dhe se ajo ka "vetëm të shkaktojë" për të bërë kështu. Profili i saj si poete (ndonëse mediokre) diqysh nuk po i shkon për fytyre.

Ndërsa profesioni i mjekes dhe humanistes është tipik për një politikane të paskrupullt.
Realisht në emër të humanizmit janë bërë krimet më të mëdha nëpër histori dhe Flora Brovina në emër të po këtij humanizmi, të cilin ka qejf ta shquajë si veti dhe vete të painstrumentalizuar, ajo po e drejton vendin drejt kaosit dhe anarkisë edhe pse nuk është e zgjedhur për këso ndërmarrjesh të mëdha e të mbrapshta. Ajo është thjesht deputete e zgjedhur dhe e barabartë me 120 deputetët e tjerë të Kuvendit të Kosovës. Ajo nuk është palë politike që negocion dhe lidh marrëveshje, sepse nuk e kishte mandatuar partia e saj për negociim.

Ajo thjesht, duke i thirrur liderët partiakë për të arritur marrëveshje, ia dha vetes një punë që s’i takon.
Ajo nuk do të duhej të kishte kurrfarë mandati tjetër.
Ajo e ka kryesuar seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës nisur nga një rrethanë banale, siç është mosha e shtyrë.
Dhe u bë protagoniste nga partia e saj, por edhe disi po dëshmonte se ia kishte ëndja.

Dhe u bë “njeriu i vitit” – njeriu i keq - duke hyrë në një vendim kontrovers të Gjykatës Kushtetuese si “Causa prima” e një procesi, i cili asaj i takonte aq sa të 120-tëve.
Ajo ka qenë e zgjedhur deputete në të gjitha legjislaturat e pasluftës në Kosovë. Është e dhimbshme të shohësh se si po i konsumon e shkatërron shumë figura publike kosovare politika, e veçmas partia e HTH, (për pak pushtet dhe një grusht monedha) për t’i hedhur pastaj në “Recycle bin.” Mirëpo as në aspektin biblik të fjalës nuk do të jenë të shpëtuar – nuk do të falen - sepse e bëjnë me vetëdije të plotë, madje duke u krekosur se janë në anën e drejtë të historisë.
E cok nuk janë...
©KOHA.net

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...