10 Korrik 2015 - 08:54 - Halil Matoshi
Shteti nuk mbështetet në krijimin e miteve për t’u dhënë zjarr politikave populiste dhe etnonacionaliste, por do të duhej të mbështetej në arsye, pra në arsyen përse ekziston dhe përse është njohur nga kombet e tjera (Kosova tashmë është njohur nga 110 kombe anëtare të OKB-së).
Prandaj Kosovës i vyen një frymë e realizmit politik dhe rezonit shtetëror (Raison d’Etat), pra fryma realiste në të drejtën ndërkombëtare.
Mirëpo ose nga mungesa e dijes për veten – për shtetin – ose qëllimisht e për ta neglizhuar drejtësinë ndërkombëtare dhe eventualisht për t’ia rritur çmimin vetvetes (kjo lojë e dyfishtë i përshkruhet liderit të PDK-së Hashim Thaçi) udhëheqësit e institucioneve të vendit nuk bënë asgjë për të krijuar opinion publik se drejtësia duhet të vendoset dhe se shteti pos të mirave (garantim i lirisë dhe sigurisë) i ka edhe detyrimet (shpesh të zorshme e të komplikuara) ndërkombëtare dhe Gjykata Speciale ishte njëra prej tyre.
Në thelb nëse Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së, ajo me këtë akt do të konkurronte si shtet i denjë që e afirmon veten si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, duke e afirmuar drejtësinë dhe të drejtat e njeriut.
Hans J. Morgenthau, duke bërë fjalë për transformimin e nacionalizmit dhe synimin që t’u jepet fuqi mekanizmave që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe moralin ndërkombëtar, thotë se për të ushtruar detyrim moral ndaj pjesëtarëve të tij, shteti-komb ka kapacitet gjithnjë në rritje dhe kjo aftësi pjesërisht është rezultat i prestigjit thuajse hyjnor, që shteti gëzon në kohën tonë dhe pjesërisht i kontrollit ndaj mjeteve që i japin formë opinionit publik…
Dhe këto kapacitete shteti kosovar nuk i përdori për të krijuar opinion publik pro themelimit të Gjykatës Speciale, ngase vetë bartës të funksioneve të larta shtetërore mund të kenë dijeni se janë të implikuar në krimet e pretenduara të luftës, prandaj synohet shmangia e drejtësisë.
Dhe duke mos krijuar opinion të qartë publik rreth detyrimeve të shtetit, klasa politike kosovare ka krijuar disa mite.
Miti i parë që një pjesë e pushtetit (deputetët e PDK-së që votuan kundër amendamentit nr. 24 të ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale) dhe opozita parlamentare në Kosovë po mësyjnë të krijojnë është se kjo Gjykatë cenon sovranitetin e Kosovës, duke lejuar paralelizëm në sistemin e drejtësisë kosovare!???
Mirëpo dhomat e veçanta për krime lufte do të jenë zyrtarisht pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, por do të punojnë në mënyrë të pavarur me gjyqtarët e emëruar nga misioni në Kosovë i BE-së.
Projektligji thotë se dhomat do të jenë të vendosura në Kosovë, si dhe në një vend pritës (Holandë?), ndërkohë që prokuroria do të vendoset në një vend pritës, por ajo mund të ketë një zyrë në Kosovë.
Pra shihet sheshit se ligji penal kosovar është i aplikueshëm në të gjitha rastet dhe nuk kemi të bëjmë me paralelizëm në sistemin e drejtësisë.
Në letrën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dërguar vitin e kaluar baroneshës Ashton, theksohet nevoja që ka Kosova për praninë e mëtutjeshme të EULEX-it gjatë periudhës së ardhshme 2-vjeçare.
Gjithashtu presidentja e ftoi misionin e EULEX-it duke u bazuar në ligjet e aplikueshme të shtetit, sipas Kushtetutës dhe jo sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.
Ndërsa në letrën e baroneshës Ashton thuhet: “E nderura zonja Presidente, me anë të kësaj po ju njoftoj për pranimin e letrës suaj në të cilën ju e keni ritheksuar përkushtimin tuaj të vazhdueshëm për bashkëpunim të plotë me misionin EULEX në Kosovë. Unë e pranoj ftesën tuaj të përmbajtur aty për vazhdimin e përmbushjes së mandatit të misionit EULEX në Kosovë në frymën e bashkëpunimit të ndërsjellë.
EULEX-i do t’i kryejë detyrat e veta ashtu siç janë përcaktuar në veprimin e përbashkët 2008/124/CFSP për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX KOSOVË, i miratuar dhe ndryshuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian më 4 shkurt 2008”. (…)
Pra nga ky letërkëmbim shihet qartë se Kosova ka hyrë në obligime ndërkombëtare, ngase, nëse Kosova nuk është anëtare e BE-së dhe nëse nuk është njohur pavarësia e saj gjerësisht nga të gjithë anëtaret e bllokut, atëherë, në emër të kujt bëhet ky letërkëmbim?
Sigurisht që e ka validitetin dhe peshën zyrtare të traktateve ndërkombëtare, përderisa bëhet në emër të Republikës së Kosovës (Jahjaga) dhe në emër të BE-së (Ashton.)
Sipas Kushtetutës së Kosovës, [Kuvendi i Kosovës] neni 65 [Kompetencat e Kuvendit]; Pika (4) ratifikon traktatet ndërkombëtare;
Mirëpo, para se ligji të miratohej në Kuvend, kryetari i Kuvendit të Kosovës ia kishte drejtuar një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për të saktësuar nëse amendamenti nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës nuk pakëson të drejtat dhe liritë e njeriut, të përcaktuara në kapitujt II dhe III të Kushtetutës.
Gjykata, në mbështetje të nenit 113.9 dhe të nenit 144.3 të Kushtetutës, në mbështetje të nenit 20 të Ligjit dhe në mbështetje të rregullit 56 (1) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në seancën e mbajtur më 14 prill 2015, njëzëri vendos që:
I. Të deklarojë të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit, të dorëzuar më 9 mars 2015, me amendamentin nr. 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
II. Të konfirmojë që amendamenti nr. 24 nuk pakëson të drejtat dhe liritë e njeriut, të përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës, si dhe në Kapitullin III të Kushtetutës dhe me shkronjën e me frymën e saj, siç është përcaktuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës;
Pas kësaj, edhe me shumicën e votave të opozitës (AAK dhe Nisma dhe të shumicës nga deputetët e PDK-së që abstenuan, nuk ishin të pranishëm ose votuan kundër ndryshimeve të kërkuara kushtetuese) por jo edhe të lëvizjes “Vetëvendosje”, Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar Marrëveshjen Kosovë - BE, (23.04 2014), e cila mundëson themelimin e Gjykatës Speciale të Kosovës dhe vazhdimin e mandatit të ristrukturuar të misionit EULEX deri në qershor të vitit 2016, duke e fuqizuar në ligj. (Ligji nr. 04/L -274 për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi misionin e BE-së për sundim të ligjit në Kosovë.)
Dhe për ta ripohuar hipokrizinë ose mosdijen e skajshme, shumë deputetë nga pushteti dhe opozita tash po thonë se Kosova nuk mund të ratifikojë marrëveshje ndërkombëtare duke mos qenë pjesë e saj (OKB, BE etj.).
Shumica e deputetëve që në qershor 2015 e lëshuan seancën (AAK, Nisma dhe VV) ose votuan kundër Gjykatës (disa deputetë të PDK-së) kishin harruar se për çfarë kishin votuar rreth një vit më përpara, kur me ligj i kishin thënë “po” ratifikimit të marrëveshjes ndërkombëtare sipas letërkëmbimit Jahjaga – Ashton. (Sa për krahasim Gjykata Speciale në Sierra Leone është krijuar pas një letërkëmbimi të kryetarit të Sierra Leonës dhe sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.)
Mirëpo për themelimin e saj do të duhej amendamentimi i një serë ligjesh të Kuvendit të Kosovës.
Një vit më parë 89 deputetë votuan për themelimin e Gjykatës Speciale, ndërsa 22 votuan kundër, ndërsa një vit më vonë për votuan vetëm 75 deputetë, e të tjerët iu shmangen votimit, ose votuan kundër dhe abstenuan.
Atëbotë për hir të së vërtetës dhe që të shmangen manipulimet e propagandave partiake, të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, me përjashtim të lëvizjes “Vetëvendosje”, votuan në favor të themelimit të Gjykatës Speciale, ndonëse pothuaj të gjithë thanë se janë në presion nga bashkësia ndërkombëtare dhe janë para një fakti të kryer.
Ose Kuvendi i Kosovës ta votojë themelimin e Gjykatës Speciale, ose këtë do ta bëjë Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Mirëpo tashti nga AAK-ja dhe Nisma po vijnë zëra se më mirë ta themelojë OKB-ja sesa Kosova, kurse nga VV-ja po pretendohet se pasi që OKB-ja nuk e njeh Kosovën, si do të miratonte Gjykatë Speciale për të?
Pasi që, sipas tyre, nuk ka precedent të gjykatave speciale për territore subjektivitetin ndërkombëtar të të cilave nuk e njeh OKB-ja.
Disa thonë se 1244 do të shërbente si bazë ligjore. Atëherë e vetmja mënyrë do të ishte nëse OKB-ja do të miratonte Gjykatë Speciale për Serbinë.
Por kjo nuk u intereson, sepse sponsorizuesit janë Rusia e Serbia. (Visar Ymeri.)
Meqë sipas Aneksit 1 të Rezolutës 1244 thuhet se OKB-ja do të iniciojë një proces politik drejt krijimit të një marrëveshjeje të përkohshme politike që mundëson për një vetëqeverisje përmbajtjesore për Kosovën, duke marrë në tërësi parasysh marrëveshjet e Rambujesë dhe parimet e sovranitetit dhe të tërësisë territoriale të RFJ-së dhe të vendeve të tjera në rajon, si dhe demilitarizimin e UÇK-së;
Atëherë nisur nga kjo, OKB-ja në marrëveshje me Serbinë (si trashëgimtare e RFJ-së në marrëdhëniet ndërkombëtare, pra decidivisht e njeh sovranitetin e RFJ-së) do të duhej që ta themelonin këtë gjykatë me juridiksion për krimet e pretenduara në Kosovë, si territor i RFJ-së sipas Rezolutës 1244.
Mirëpo kërkesa e Perëndimit që Kosova të miratojë vetë (në Kuvend) Gjykatën Speciale për të hetuar krimet e pretenduara të luftës brenda territorit të saj, me një Qeveri të ligjshme dhe sipas ligjeve kosovare (si dhe konventave ndërkombëtare) është konfirmim klasik i sovranitetit të Kosovës.
E ripërsërisim se po të synohej cenimi i sovranitetit të Republikës së Kosovës, KS i OKB-së do të miratonte rezolutë ose do të thirrej në Rezolutën 1244 dhe në bashkëpunim me Serbinë si shtet sovran (me Kosovën brenda juridiksionit të saj shtetëror) do të obligohej që të krijonte Gjykatën Speciale, e cila do t'i dënonte krimet eventuale të luftës të kryera brenda territorit të saj sovran.
Ky është fakti - pra ana pozitive e themelimit të saj nga Kuvendi i Kosovës - është ripohimi i sovranitetit të Kosovës, si subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ndërsa shumë aktorë në Kosovë, që marrin vesh ose jo, në të drejtën ndërkombëtare deklarojnë se Kosova përderisa nuk është njohur nga të gjitha vendet e BE-së dhe nuk është anëtare e OKB-së (njohja e shteteve të reja bëhet nga shtetet veç e veç ose ‘njohja kolektive’ konfirmohet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me propozim të Këshillit të Sigurimit) nuk ka detyrime ndërkombëtare, duke harruar kështu zotimet e Kosovës shtet (edhe si kategori kushtetuese) për paqe dhe moscenim të rendit botëror, për njohjen dhe zbatimin e konventave ndërkombëtare ) thjesht për ta mbrojtur rendin dhe moralin ndërkombëtar.
Donovan Pentz në esenë “A kualifikohet Kosova si shtet në bazë të së drejtës ndërkombëtare?” mendon se ky është një rast i mirë debati rreth natyrës së të drejtës ndërkombëtare.
Sipas këtij autori, në nenin 1 të Konventës së Montevideos, 1993, mbi të drejtat dhe detyrat e shteteve, përcaktohen katër kritere që duhet të përmbushen në gjykimin për shtetndërtim.
Këto kërkesa përfshijnë këta faktorë: shteti i supozuar duhet të ketë një territor të definuar, i cili duhet të jetë në një posedim të një popullsie të përhershme; duhet të ketë një qeveri të ligjshme dhe efektive mbi territorin e tillë dhe së fundi, një njësi ekonomike me kapacitete të plota që angazhohen në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe një aftësi për të përmbushur traktatet dhe detyrimet ndërkombëtare.
Prandaj nga kjo buron se Kosova kualifikohet si shtet – subjekt i së drejtës ndërkombëtare, sepse i përmbush plotësisht këto kritere.
Dhe se ashiqare del se themelimi i Gjykatës Speciale nga vetë Kosova rikonfirmon jo vetëm sovranitetin shtetëror, por edhe aftësinë për të përmbushur traktatet dhe detyrimet ndërkombëtare.
Që nga themelimi i OKB-së ekzistojnë qindra gjykata dhe organe në nivel ndërkombëtar. Disa mbështeten nga zgjerimi i tillë që inkurajon zgjidhjen e kontesteve ndërkombëtare, ndërsa të tjerët dënojnë atë si rrezik për uniformitetin e ligjit ndërkombëtar.
Mirëpo krahasimi që dikush e bën mes Gjykatës Speciale që kërkohet ta themelojë Kosova dhe atyre të Nurenbergut dhe Tokios është qëllimkeq, sepse këto të fundit janë gjykata ekskluzivisht ushtarake.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore fuqitë aleate ranë dakord për të krijuar gjykata ushtarake ndërkombëtare ad hoc për të ndëshkuar liderët gjermanë dhe japonezë, të cilët ishin përgjegjës për "krime lufte, krime kundër paqes dhe krime kundër njerëzimit" gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Tribunali Ushtarak Ndërkombëtar i Nurenbergut është themeluar nga marrëveshja e Londrës e 8 prillit 1945, kurse Tribunali Ushtarak Ndërkombëtar i Tokios është themeluar në vitin 1946 me dekret të komandantit suprem të forcave aleate MacArthur.
Drejtësia ndërkombëtare njeh tribunalet penale ndërkombëtare ad hoc, si p.sh. ICTY që u themelua nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 808 për "t'u dhënë fund krimeve të kryera në territorin e ish-Republikës Federale të Jugosllavisë që nga viti 1991 dhe për të marrë masa efektive" kundër shkelësve.
Për këtë arsye, sipas nenit 25 të Kartës së OKB-së, themelimi i saj është i detyrueshëm për të gjitha shtetet anëtare të OKB-së.
Sipas nenit 9 të Statutit të Tribunalit "ka përparësi ndaj gjykatave kombëtare dhe mund të urdhërojë ata që të shtyjë për të vendosur mbi rastin e caktuar në çdo fazë të procedimit të tij".
Tribunali ka juridiksion mbi krimet e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës të kryera që nga viti 1991 në territorin e ish-Jugosllavisë.
Pastaj u krijua Gjykata Penale Ndërkombëtare, (Statuti i Romës 1998) dhe hyri në fuqi më 1 korrik 2002, por ajo nuk do të ketë juridiksion mbi krimet e kryera para hyrjes së tij në fuqi në 1 korrik 2002.
Kurse gjykatat speciale ose të jashtëzakonshme kombëtare & ndërkombëtare për krime lufte në drejtësinë ndërkombëtare njihen si gjykata penale ndërkombëtare “hibride”.
Sipas inventarizimit aktual, ka rreth tetë gjykata “hibride” duke përfshirë Gjykatën Speciale për Sierra Leone, dhomat e jashtëzakonshme në Kamboxhia, Gjykatën Speciale për Libanin dhe Kosovën; Gjykata e Veçantë Penale në Timorin Lindor; Dhoma e Krimeve të Luftës në Bosnjë - Hercegovinë, Dhoma e lartë e Tribunalit irakian dhe Tribunali për krime lufte në Serbi.
Këto gjykata dhe tribunale janë “hibride”, sepse ato përmbajnë karakteristika ndërkombëtare dhe kombëtare. Përveç dhomës së krimeve të luftës të Serbisë dhe Gjykatës së Lartë të Irakut të gjitha janë krijuar me anë të pjesëmarrjes ose fillimin e OKB-së dhe trupin e saj territorial administrativ.
Tipar tjetër ndërkombëtar i këtyre gjykatave është përfshirja e gjykatësve ndërkombëtarë.
Përveç Tribunalit të Irakut, të gjitha gjykatat “hibride” përmbajnë gjyqtarë dhe prokurorë të zgjedhur nga organizatat ndërkombëtare dhe kombëtare.
Këto gjykata aplikojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare, të drejtën kombëtare, si dhe ligjet dhe statutet e themelimit.
Edhe pse ligji në fuqi ndryshon nga njëri-tjetri, juridiksioni i tyre fokusohet kryesisht në krimet kundër shkeljes së të drejtës humanitare ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Për këtë arsye këto gjykata do të aplikojnë të drejtën ndërkombëtare për të ndjekur penalisht krimet ndërkombëtare të njerëzimit, krimet e luftës dhe krimin e gjenocidit.
Me përjashtim të Gjykatës Speciale për Sierra Leonen dhe Gjykatës së Veçantë për Liban, të cilat janë përcaktuar nga traktate, të gjitha gjykatat e mbetura janë pjesë e sistemit të brendshëm juridik.
Pra, edhe Gjykata Speciale në Kosovë.
Të tjerat janë thjesht mite dhe manipulime të pastra politike.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...