7 Gusht 2015 - 08:21 - Halil Matoshi
Ata (shumica e deputetëve të opozitës dhe të pushtetit) po i vazhdonin lojërat me trupin elektoral, përkatësisht me votuesit e tyre të bindur edhe në ditën “D”, kur kosovarët vareshin nga numri 80, nëse atdheu i tyre do të shkëputej nga një epokë e errët dhe do të niste një udhëtim të ri me fenerë në dorë drejt qytetërimit…
Dhe vërtet duhen bërë studime multidisiplinare për ta thënë ndonjë fjalë më shumë se si disa huliganë të paarsimuar dhe me deficite të skajshme në edukatë qytetare arrijnë që t’i bindin votuesit në shoqëritë e dala nga konfliktet.
Madje, ata më të fuqishmit, e dinin se ky ishte fundi i tyre politik, por i varnin shpresat në paaftësinë e ndërkombëtarëve për t’u gjetur në rrethanat ballkanike dhe në injorancën e votuesve.
Disa nga ta populli i Kosovës i ka ngritë në pushtet për t’i shpërblyer për ndonjë hajr që mund t’ia kenë bërë Kosovës - duke i ulë në Qeveri dhe Parlamentin e vendit – në tempullin e demokracisë, por që, shumë shpejt, e harruan zotimin e çlirimtarit dhe e njollosën Republikën, reputacionin e saj, ëndrrën e shumë brezave të kosovarëve, por po ashtu duke i vënë në siklet edhe çlirimtarët e vërtetë të Kosovës: Atdhetarët e NATO-s!
Ata, kushdo qofshin, nuk e meritojnë vëmendjen tonë.
Nuk e meritojnë dhembshurinë dhe respektin për lavdinë e luftës, sepse në paqe ishin shndërruar në kulçedra nga ato qe dëgjohen në tregimet e moçme epike shqiptare: “Kulçedra që mish insani kishin ngranë.”
Derisa kryeministri Mustafa “luante “policin e mirë” me një fjalim pa frymëzim dhe politikanesk, ai sapo synonte me ra në sy të PDK-së, kinse vërtet po i vjen keq për këtë padrejtësi, që po i ndodh vendit, duke e paragjykuar kështu drejtësinë.
Koalicioni qeverisës as nuk dinte dhe as nuk donte (ishte i pavullnetshëm dhe i pamotivuar) ta arsyetonte me argumente pse duhej që të votohej për amendamentin 24, që mundëson krijimin e Gjykatës Speciale! Ndërsa PDK-ja (pjesa e SHIK-ut) u lëshua në qërim hesapesh personale me Lëvizjen VV!
Vërtet pse kjo heshtje si ndër varreza e LDK-së?
Realisht zyrtarët e shtetit të Kosovës ishin pa alternativë dhe këtë ua kishin thënë shumë herë diplomatët perëndimorë.
Peshën e presionit ndërkombëtar – të aleatëve të Kosovës - e ndiente madje secili qytetar koshient i vendit.
Dhe dihej, ose do të kalonte Gjykata të hënën, ose si kundërveprim Perëndimi e kishte vetëm një alternativë: Ta vendoste Kosovën në një izolim total ndërkombëtar.
Pra në një izolimin politik dhe diplomatik.
Përndryshe të gjitha format tjera të izolimit ndërkombëtar - mungesa e qarkullimit të lirë, mbetja jashtë tregjeve ndërkombëtare të punës - vetë këta zyrtarë që derdhnin lot krokodili, tashmë ia kanë imponuar popullit të vet.
Liderët aktualë institucionalë dhe partiakë të Kosovës, të cilët nëse nuk do të arrinin që ta shtynin përpara krijimin e kësaj Gjykate, nuk do të kishin mundësi të lëvizjes së lirë në vende evropiane, përkatësisht do të izoloheshin në kuptimin diplomatik.
E ndoshta nuk do të ishin të dëshirueshëm as në Tiranë!
Së këndejmi, votimi i parë në qershor ishte farsë, lojë e dyfishtë e vet kreut të PDK-së, që mësynte të arrinte disa objektiva pragmatike, por djallëzore.
Së pari, neglizhimin e shihte si një mundësi që të sprovohej reagimi i asaj që i themi bashkësi ndërkombëtare, veçanërisht SHBA-së dhe BE-së, pritej të shihej nëse do të heshtnin apo do t’i dërgonin “kangjallozat” me çanta të zeza në Prishtinë për t’ua shpallë mandatën…
Së dyti, kreu i PDK-së synonte të rriste pazarin e “kokës së vet”, nëse dikush nga aleatët e Kosovës do t’i ofrohej për të kërkuar shërbime të mira - t’ia rriste kështu pazarin vetes - siç kishte vepruar qe 16 vjet më radhë, duke u shitur si i domosdoshëm.
Mirëpo, kësaj here, askush nuk ia çeli derën HTH, gjë që ishte ogur se e kishin braktisur…!?
Së treti, duke ndier se “ylli i tyre” po shuhej rrëmbimthi, për arsye të krimit të shumëfishtë të pasluftës, dhe maspari në rajonin e Drenicës (e sidomos pasi e lanë krejtësisht të vetmuar Sami Lushtakun, guerilin e ditëve të para), ata e sfidonin sërish popullin, duke pretenduar se kishin bërë përpjekje të fuqishme ta ndalnin ortekun porse, ja që nuk i dilej më përpara, sepse tashmë ishte tepër shtypës (“Kosovës po i bëhet edhe një padrejtësi” – ulërinin si çakej, deputetët nga PDK-ja, po edhe nga opozita - ata që duhej ta dinin se Kosova ishte çliruar pikërisht nga ata që sot po “ia bëkan” Kosovës këtë padrejtësi) për ta ruajtur kështu fytyrën dhe për të bërë përpjekjen e fundit që të shtihaven si viktima të drejtësisë ndërkombëtare!
Ose edhe ta ruajnë ndonjë xixë lavdie nga e shkuara e tyre rebele.
Sidoqoftë në këtë lojë kishte një moral: S’ke kah t’ia mbash!
Kosova duhej të shpëtohej nga ky izolim.
Në aspektin e sigurisë Kosova do të hynte në një fazë të jostabilitetit dhe ngase dështimi i themelimit të Speciales do ta dërgonte vendin në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, mbase në muajin shtator dhe do të ishin ato zgjedhjet më të këqija të mundshme.
Sepse do të zhvilloheshin në një atmosferë pasionesh të ndezura dhe tensionesh të rrezikshme.
Në një hallakamë mes spiunësh dhe “revolucionarësh”, në Kuvendin e Kosovës, shpërtheu një dhunë e paparë verbale, të cilën transmetuesi publik (RTK) është dashur ta jepte nën siglen paralajmëruese + 18!
Terror i vërtetë verbal në skenë, ku defilonin “skënderbega me mjekërr” dhe “dhunues grash”, “kriminelë” e hajna të të gjitha formateve, spiunë “të mirë” dhe asi të Millosheviqit, me alltia dhe shuma parash; kusarë ose Robin Huda kosovarë, që patrullojnë akset rrugore dhe marrin haraçin (por ja që historia me një babë ishte “dëshmi” kusarësh se paskëshin qenë humanistë të përulur, tamam kushërinj të Nënës Terezë!)
Dhe kur flasim për këtë çështjen famoze të baballarëve, ekziston në Kosovë, në të gjitha formacionet retrograde politike një sindromë për t’i qëruar hesapet mes vete, politikanët e kriminalizuar dhe të paemancipuar qytetarisht, duke përdorë “pemën gjenealogjike” familjare në përplasjet e politikave ditore, apo edhe më thjesht, duke përdorur një baba të kujtdo qoftë, i cili paskësh qenë i tillë ose i këtillë, për ta goditur të birin?
Çfarë përplasjeje arketipore “asllanash kretenë” të kësobotshëm!???
Po çfarë faji paskësh i biri nëse i ati paskësh qenë një hajdut dhe çfarë faji mund t’i vishet rreth qafe si gur mulliri një babai të shkretë për të birin batakçi!?
Nëse doni të dini përse shqiptarët janë shoqëria e fundit në rruzullim me besë e me të ngujuar, me gjakmarrje e mjerim, shkoni e dëgjoni dhe shihni në Kuvendin e Kosovës.
Aty e merr vesh se Kosova njëmend u shpërblye me liri nga Perëndimi i lirive - për vuajtjet njëshekullore nën thundrën e xhandarëve serbë - madje duke i dhënë edhe shtetin kombëtar, por kjo shoqëri nuk ka arritur të ngrihet mbi cenet e saj etnopsikologjike, të shtrira thellë në histori dhe të kodifikuara në konstitucionin e vet shpirtëror e moral, kjo shoqëri nuk është ngritur në “njësi të rritur” dhe nuk është shndërruar në shoqëri politike, sepse, i mungon solidarësia qytetare, kultura e debatit dhe qasja normale ndaj së vërtetës dhe ndaj së drejtës - drejtësisë.
Pra shoqëria kosovare vazhdon të jetë tribale.
Nga ata që ishin pro votimit të Speciales (koalicioni qeverisës) publiku nuk dëgjoi as një argument valid pse duhet të votohet Gjykata Speciale, mirëpo këtë favor nuk ia bëri publikut kosovar as opozita parlamentare, hiq një përpjekje të Visar Ymrit nga Lëvizja VV, i cili megjithatë duhej ta dinte pse Kosovës i erdhi “kjo mandatë” dhe i cili po ashtu nuk e tha përse Kosova nuk e kishte ndërtuar pas pavarësimit Gjykatën e saj për krime lufte, kurse ja tashti paska vullnet ta krijojë?
Ymeri e di historinë pse kosovarët s'kanë me i pa me sy as letrat e Gjykatës Speciale, sepse, duke qenë se shoqëria kosovare funksionon sipas traditave tribaliste, vëllazërive që nëse je një dëshmitar në një rast kriminal dhe ta mësojnë emrin - vëllazëria nuk fal - dhe kjo gjëmë i ka ndodhur Kosovës 16 vjet pas luftës.
Pra “dragonjtë” i kanë gëlltitur “urithët”.
Ai po ashtu e di se në atdheun e tij nuk ka as vullnet dhe as ndjesi për drejtësi dhe satisfaksion moral për viktimat;
Nuk ka sistem kredibil të ndjekjes dhe gjykimit (janë zhdukur dëshmitarë, janë vrarë e kërcënuar me vdekje, gjykimi është influencuar politikisht);
Shteti ka lejuar me iu shmang drejtësisë;
Po ashtu shteti ka negociuar drejtësinë…
Prandaj argumentet e Ymerit janë lehtë të rrëxueshme.
Kështu që në Kuvend nuk pati debat me ballafaqim argumentesh për dhe kundër, por pati, megjithatë, kukurisje gjelash mbi pirgun e plehut – në mbrojtje të gjakut të dëshmorëve dhe atyre dhjetë mijë viktimave civile – të cilat askush nuk i mbrojti, as shteti serb sipas Konventës së Gjenevës dhe as guerilja, e cila, ndonëse e pafuqishme përballë okupatorit, doli të ketë bërë edhe vetë krime mbi popullsinë civile, qoftë duke i konsideruar armiq dhe kolaboracionistë, qoftë duke i pandehur thjesht kundërshtarë politikë, të cilët me lehtësi të padurueshme duhej eliminuar.
Pra spekulimet dhe manipulimet me gjakun e kosovarëve të martirizuar ishin aq të neveritshme sa ai gjak, në Kuvendin e Kosovës, të hënën shkoi shumë lirë…
Në këtë skenë terrori verbal imponoi LDK-ja me durimin stoik dhe tejmase neveritës (çile gur gojën!), sepse nuk di dhe nuk ka guxim qytetar që të argumentojë pse ajo e voton Specialen, por që në sfond i fërkon duart, se pas rënies së perdes në një skenë hamletiane, ku pandehet se do të bien dhe koka, ajo mëton se do të përfitojë politikisht.
Parti e urtë pa sjellje dhe fjalë të urta, - para së gjithash pa fjalë të mençura – që prêt si hiena në një skenë horror në Yellow Stone, thjesht për ta ndukur hisen e vet prej kërme!
Porse, duhet vënë në pah se i vetmi deputet që imponoi për pak minuta, me sinqeritet dhe mirësjellje ishte Ilir Deda, i cili u shfaq më racional, ndonëse oportunist, në tërë atë kakofoni të çmendurish ‘Made in Kosova’.
Ndërsa intenca e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e opozitës tjetër (me tre-katër deputetë të PDK-së) për ta imponuar një projektrezolutë për gjenocidin serb në Kosovë ishte thjesht hipokrite dhe manipulim me ndjenjat e deputetëve që kishin ndarë mendje për t’i thënë “po” Speciales, por ishte edhe manipulim i pastër me ndjenjat e qytetarëve të Kosovës, posaçërisht me ata që në një mënyrë ose në një tjetër ishin viktima të fashizmit të Millosheviqit, duke ia shprushur plagët, 16 vjet pas krimeve monstruoze të një ushtrie të kapitulluar me 10 qershor 1999 në Kumanovë dhe të një administrimi të egër të një shteti, i cili është përzënë nga trupat e NATO-s nga Kosova, pikërisht për arsye se ishte sjellë egërsisht ndaj civilëve shqiptarë, së këndejmi pikërisht për këtë Kosovës i ishte dhënë “vetëvendosje zhdamtuese”, pra e drejta e themelimit të shtetit kombëtar.
Blloku që ishte pozicionuar në Kuvend kundër Speciales, së bashku me krerët e PDK-së që votuan nga zori, linte përshtypjen se dinin gjithçka, madje mbaheshin të “informuar” se kush ka bërë sherr dhe ironizonin me njëri-tjetrin se kush kujt ka me ia shtrue “qilimin e kuq” – si në spektaklet Hollywoodiane - në ritualet gjakatare tribale, ku secili kërkon të pijë pak nga gjaku i tjetrit.
Skena trilerësh me personazhe që shëmbëllejnë me vampirët!
Mund të kenë të drejtë skeptikët që thonë se s’ka me ndodhë sen as pas themelimit të Speciales – sepse vargojtë me të cilët ishte mbërthyer këmbaduarsh qytetari kosovar ishin të rëndë aq sa as ndërkombëtarët nuk ia këputën dot - por sido që të jetë, gjërat kurrë s’do të jenë si më parë…
Ky është një ogur se po nis ndry
shimi epokal.
Emancipimi, modernizimi dhe perëndimorizimi i shoqërisë kosovare.
© KOHA
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...