Si u lëshua shansi për ta krijuar ushtrinë kosovare

10 Prill 2015 - 08:17 - Halil Matoshi      

Ndonëse në histori nuk ka “sikur”, dua t’ia përkujtoj kryeministrit Isa Mustafa se sikur vitin e kaluar partia e tij, LDK, t’u thoshte ‘po’ vendeve të rezervuara, sot ushtria e Kosovës do të ishte duke kryer urdhrat e eprorëve të saj…

Po përse Kosova nuk po mundet të krijojë forcën e vet të armatosur? Ushtria kosovare u flijua para së gjithash si pasojë e paditurisë, kryeneçësisë dhe patriotizmit pa mbulesë dhe tash i lihet në dorë NATO-s. NATO-ja nuk do të krijojë kurrë ushtri në Kosovë, sepse NATO-ja është në Kosovë me tjetër mision. Këtë forcë e ka legjitimitetin ta krijojë vetëm Kuvendi i Kosovës dhe askush tjetër.

Është rregull i pashkruar për shkrimin e historisë se në këtë dije nuk ka ‘sikur’ apo “çka do të bëhej sikur të bëhej” – ngase tashmë po flasim për diçka të shkuar, që është një fakt i kryer. Mirëpo, thonë se historia është mësuese e jetës dhe ai që nuk mëson rëndom e pëson, përkatësisht krijon kushte për t’iu përsëritur historia.

Nuk krijohen politika të qëndrueshme kombëtare duke vënë kushte herë njërës e herë palës tjetër. Politikat e qëndrueshme duhet ta kenë parasysh gjithnjë kohezionin e brendshëm kombëtar dhe rezonin shtetëror (Raison D’Etat.)

Shqiptarët përgjithësisht dhe kosovarët në veçanti janë të prirë ta mësojnë historinë në copëza dhe jo integralisht, dhe ato copëza i marrin të gatshme, qoftë nga librat paçavure të historianëve mashtrues ose kuazipatriotë, qoftë të interpretuara ideologjikisht nga “historianët zyrtarë” ose oborrtarë që shkruajnë atë që u thotë fituesi. Dhe më shpesh kosovarët përsërisin histori me të dëgjuar, që janë aq të pabesueshme dhe aq nebuloze, por që janë aq të ngulitura në mbamendjen e tyre, saqë shumë kosovarë janë në gjendje të grinden me të tjerët deri në përmasa konflikti për vërtetësinë e atyre që thonë, pra është i habitshëm ky afeksion me historinë që është, fatkeqësisht dhe kryesisht e manipuluar, e rreme…

Qysh më 1 shkurt 2014, po në “Kohën Ditore” kam shkruar artikullin e parë që zbërthente në detaje idenë e zgjatjes edhe për një mandat të vendeve të rezervuara për komunitetet joshumicë në këmbim të votimit të ligjit për FSK-në, përkatësisht për shndërrimin e saj në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK.)

Madje atëbotë kam shkruar se pajtimi me vendet e rezervuara jo për një por edhe për dy mandate së pari e dekompozon fuqinë e Asociacionit të komunave kosovare me shumicë serbe dhe së dyti e fuqizon shtetin kosovar. Pra, as që bëhet fjalë për defunksionalizimin e tij, mirëpo lidershipi politik kosovar, duke dashur që të shiste patriotizëm të shekullit 19 para publikut kosovar u bë i shurdhër karshi kësaj ideje.

Kam shkruar se në situatën e atëhershme të shtetndërtimit, të shtendosjes së marrëdhënieve me Serbinë dhe rritjes së imazhit të Republikës së Kosovës në botë, përkatësisht afirmimin e pavarësisë shtetërore në OKB, liderët politikë kosovarë duhej t’i thoshin “po” këtij akti që e zmadhonte dhe nuk e zvogëlonte shtetin.
Atëherë kryeministër, Hashim Thaçi fillimisht ishte për vazhdimin e dhe për një mandat të vendeve të rezervuara, por kur po shihte turrin që kishte marrë LDK-ja dhe partitë e tjera kundër kësaj ideje, u zmbraps duke e pandehur veten se po e humbte këtë garë patriotike dhe po kërkonte konsensusin për miratimin e Ligjit zgjedhor për zgjedhjet e qershorit 2014.
Pastaj e kam përsëdytë këtë ide, tash gati një vit më parë (19 prill 2014; Shih shkrimin: Tribunali, ushtria dhe vendet e rezervuara) duke shkruar për sigurinë në rajon, në kontekst të krijimit të një force të armatosur kosovare, padyshim se në mes po hynte fuqishëm çështja e zgjatjes edhe për një mandat të vendeve të rezervuara për komunitetet joshumicë, si shkëmbim që serbët t’i thoshin po krijimit të kësaj force.

Dhe atëbotë pata vënë në dukje se në debatin se a duhet apo jo t’u zgjatet jeta edhe për një mandat vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë, ka shumë nacionalizëm patetik e pak racionalitet, shumë mujshi ballkanike e pak përpjekje për vlerat e përbashkëta evropiane.

Pra, atëherë nuk kishte fare drejtpeshim të interesave kombëtare, porse kishte shumë retorika të zjarrta dhe asnjë arsyetim kredibil që nuk justifikonte shkëmbimin e diçkaje që nuk e dëmton as sistemin politik të vendit dhe as parlamentarizmin, për diçka tjetër, që i shërben sigurisë së vendit, imazhit shumetnik (si begati kombëtare) dhe mbi të gjitha që e stolis politikën kosovare me filozofinë e të dhënit (të sa më shumë të drejtave e lirive e jo tkurrjes së tyre).

Si një vëzhgues aktiv i politikës nuk mund t’i kuptoja atëherë retorikat nacionaliste të një partie që vlen si qytetare - LDK, kur është fjala për interesat madhore kombëtare (me interesa kombëtare e kuptoj gjithnjë integritetin dhe stabilitetin e shtetit kosovar) kur është fjala për zgjatjen edhe për një mandat të vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë dhe nuk po mund t’i kuptoj as sot, tek po thonë (kryeministri Isa Mustafa) se për FAK-un vendos NATO-ja!?

Dihej atëbotë se çfarë duhej bërë me Ligjin për zgjedhjet dhe me Ligjin për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK), kur serbët kosovarë në Kuvendin e Kosovës kërkonin një këmbim.

Mirëpo lidershipi mujshor dhe folklorik kosovar e lëshoi nga duart këtë shans!?
Sipas nenit 144, ndryshimet kushtetuese mund të bëhen me miratimin e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, duke përfshirë edhe 2/3e të gjithë deputetëve që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për komunitetet joshumicë.

Në këtë aspekt ndryshimet kushtetuese nuk mund të kalojnë nëse ato pakësojnë ndonjë të drejtë vitale apo liri të përcaktuar me nenin 2 të Kushtetutës, të drejtat e përgjithshme të njeriut, liritë fondamentale dhe të drejtat e komuniteteve nga kapitulli 3 i saj.
Nëse do të arrihej një marrëveshje me subjektet politike serbe, kjo e hap udhën që Kuvendi i Kosovës pos që me lehtësi e kalonte Ligjin për FAK-un, një të nesërme mund ta amendamentonte nenin 143 në një të ardhme, për t’ia shkurtuar fuqinë Pakos së Ahtisaarit dhe për ta drejtuar konstitucionin e saj në kah të dëshirueshëm, konform interesave shtetërore dhe kombëtare, interesave gjeostrategjike dhe gjeopolitike.

Duke qenë kështu, më 2014 vazhdimi edhe për një mandat i vendeve të rezervuara në Kuvendin e Republikës, për serbët kosovarë, pavarësisht se sa vende të garantuara i fitojnë subjektet politike serbe, garuese në zgjedhje, së pari do ta inicionte përshpejtimin e normalizimit të marrëdhënieve mes të dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë (përmes ndonjë traktati të paqes) dhe do të shërbente si katalizator për “shkrirjen” e dispozitave ende të paprekshme kushtetuese në Kuvendin e Kosovës, në fakt do të provonte se Kushtetuta nuk është statike dhe e përjetshme dhe se ajo mund të amendamentohet dhe të ndryshohet, konform me zhvillimet e reja të brendshme dhe ato ndërkombëtare dhe natyrisht jo në drejtim të shkurtimit të të drejtave dhe lirive për të gjithë shtetasit, por në drejtim të zgjerimit të tyre.
Që zhvillimi i konstitucionit shtetëror të Kosovës të mos mbahej peng i zgjidhjeve etnike (ahtisaariane) emergjente paskonfliktuale.

Pra, liderët politikë shqiptarë do të duhej ta realizonin këtë premtim, t’ua bënin këtë favor qytetarëve serbë të Kosovës, duke nënshkruar një marrëveshje të re me ta, që “shumica e dyfishtë” të pranonte në një të ardhme ndonjë ndryshim tjetër kushtetues, më thelbësor, për çështje që kanë të bëjnë me titullarin e kombit të shtetit (preambulën), duke mënjanuar kufizimet dhe duke hapur rrugën për krijimin e ushtrisë kosovare.

Dihet se komuniteteve pakicë në Kosovë, sipas Pakos së Ahtisaarit, pos vendeve të garantuara u mundësoheshin edhe 10 vende të rezervuara, për dy mandate pas zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, gjë që, sipas Kushtetutës së Kosovës që është derivat i Pakos Ahtisaari, këto dy mandate i kishin konsumuar tashmë.
Kërkesa që t'u mundësohen vendet e rezervuara edhe për një mandat shtesë ishte një kërkesë politike legjitime, ndonëse jokushtetuese, ajo mund të hynte në Kushtetutë si produkt i një marrëveshjeje politike.

Nga këndvështrimi i nevojës së Prishtinës zyrtare për integrimin e plotë të pakicave të sistemin politik, ashiqare kjo kërkesë del të ishte jo vetëm e realizueshme, por edhe si interes kombëtar i Kosovës.

Kur dihet se për ligjet e një rëndësie vitale për vendin, siç është Ligji për ndërrimin e emrit përkatësisht strukturës së tanishme të FSK-së në FAK (Forca të Armatosura të Kosovës) duhen dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve në Kuvend, si dhe dy të tretat (2/3) e deputetëve të komuniteteve pakicë, pra mekanizmi i shumicës së dyfishtë që është kategori plotësisht kushtetuese është dashur që të sakrifikohet diçka për të marrë diçka tjetër shumë më qenësore.

Prandaj komunitetet pakicë e kanë këtë mekanizëm në duart e tyre dhe mund ta përdorin nëse paraprakisht nuk arrihet një marrëveshje me ta. Dhe në këtë moment nuk paraqet asnjë dëm dhe asnjë pengesë për zhvillimin e parlamentarizmit dhe sistemit politik në Kosovë zgjatja edhe për një mandat e vendeve të rezervuara, por dëm do të shkaktonte bllokimi i ligjeve të kësaj natyre (që prekin interesat vitale të pakicave) nga komunitetet pakicë.

Kjo situatë është lehtë e tejkaluar vetëm duhet më shumë vullnet politik nga shumica kombformuese në Kuvend.
Pra për të marrë "po" për ushtrinë e nesërme të Kosovës, komuniteteve pakicë duhet dhënë pa hezitim vendet e rezervuara edhe për një mandat.

E ushtria kosovare në inicial (për t’u shndërruar në ushtri klasike gjatë këtyre 4-5 vjetëve) është kryeargumenti i kryepolitikës kosovare në këtë kohë të trazuar, dhe është lehtësisht e këmbyeshme me zgjatjen edhe për një mandat të vendeve të rezervuara në Kuvend për komunitetet pakicë.

Por duhet thënë atyre zotërinjve se për FAK-un vendosin të zgjedhurit e popullit, në Kuvendin e Kosovës dhe askush tjetër.

Porse është ditur që nga fillimi se për këtë duhen votat e dyfishta dhe ata, duke qenë se nuk e kanë menduar se mund të vijë një grupim i linjave të forta të politikës serbe, si bartëse e interesave të serbëve kosovarë, përkatësisht të interesave të Serbisë në Kosovë, atëherë mbetet të negociohet ndonjë marrëveshje e re me serbët kosovarë që eventualisht ushtria kosovare të mos funksionalizohet për një kohë të caktuar edhe në pjesën veriore të Kosovës, që të votohet në paket Asociacioni i Komunave me shumicë serbe etj.

Fatkeqësisht, të gjitha këto kompromise të mundshme sivjet janë më të dëmshme se vazhdimi i vendeve të rezervuara edhe për një mandat, vjet...

Prandaj, ky është rrëfimi se si u lëshua nga dora shansi që Republika ta kishte që sot Forcën e saj të armatosur dhe kjo, me këmbëngulësinë kinse atdhetare e patriotizmin e fortë të LDK-së, por edhe me bekimin e partive të tjera që përfaqësoheshin në Kuvend.

Nëse politika është art i së mundshmes, art i negociimit dhe këmbimit, atëherë krijimi i konsensusit kombëtar për krijimin e FAK-ut ishte i mundshëm vjet, e kur sivjet nga Lista Srpska është vënë në pikëpyetje, kryeministri i Kosovës po hesht, ose po i qet hi syve publikut duke e spostuar krijimin e ushtrisë kosovare nga Kuvendi i Kosovës në NATO!?

Gjë që s’bëhet!

Do të doja të dëgjoja versionin e patriotëve të LDK-së këtë herë, që i mëshonin gurit e drurit që të mos hyhej në pazar me serbët kosovarë për vendet e rezervuara.

Do të isha vërtet kureshtar të dija si do ta krijojnë ushtrinë kosovare tashti kur janë edhe udhëheqës të Qeverisë, patriotët e verbër të LDK-së, por edhe partiakë të tjerë, si dhe miq të mi nga shoqëria civile, analistë politikë dhe të sigurisë, që dështuan atëbotë duke u rreshtuar kundër vazhdimit të vendeve të rezervuara për serbët në Kuvend, e të cilët ende mendojnë se votimi për Forcat e Armatosura mund të futet në pako me Gjykatën Speciale (të kushtëzohet bashkësia ndërkombëtare!?)

Synohet trembja e arushës me shoshë!?

Si në përrallat dhe legjendat e moçme shqiptare: Përralla n’shkallë - dukati n’ballë…

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...