Shtëpia e sovranit është uzurpuar!

2 Tetor 2015 - 08:28 - Halil Matoshi      

Kosova është Republikë parlamentare, kurse Kuvendi është institucioni qenësor i saj, pra shtëpia e sovranit dhe atë nuk ka të drejtë që ta bllokojë as shumica as pakica. Opozita duhet të sillet me përgjegjësi, sepse po ashtu është pjesë e sovranitetit të popullit…

Çështja e instrumentalizimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, për qëllime partiake, pra në luftën për pushtet dëshmon se klasa politike kosovare nuk ka arritur konsensus asnjëherë, as për çështjet që cilësohen si të interesit kombëtar.

Dhe për të gjitha çështjet vitale kombëtare është vendosur nga koalicionet qeveritare dhe nga ambasadat e shteteve të Quintit, përkatësisht me Ambasadën amerikane, duke mos diskutuar fare me opozitën dhe kjo e ka gërryer në kontinuitet legjitimitetin horizontal të pushtetit.

Prandaj mungesa e debatit mes pushtetit dhe opozitës ka sjellë te kriza institucionale, përkatësisht bllokimi i punës së Kuvendit të Kosovës, i cili duhej t’u jepte përgjigje shumë aspekteve të ndjeshme të funksionalitetit të shtetit, përmes debatit parlamentar.
Umberto Eco ka një përgjigje për sjelljen absolutist të shumicës, kur ajo thotë se ka gjithmonë të drejtë dhe pakica nuk guxon të reagojë.

Sipas tij, në këso rrethanash demokracia është në rrezik.
Po ai nuk ka asnjë përgjigje kur ndodh paradoksalisht e kundërta e kësaj: Kur pakicat profetike kanë sjellje despotike dhe uzurpatore të institucioneve demokratike, duke e mohuar të drejtën e shumicës!?
Në këtë kontekst, është emblematike përgjigjja e spocemanit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, i cili i pyetur nëse Ilir Deda ka mendim dhe qasje disparate me organizatën e tij, përgjigjet se secili anëtar i VV-së, pra edhe Deda, duhet t’i nënshtrohet parimit të shumicës, mirëpo ai e harron këtë fakt, sepse, sipas tij, në Kuvendin e Kosovës nuk vlen ky parim!?

Kundërthënia është hapi i parë që konstituon një gënjeshtër të madhe.
Në anën tjetër, çështja e Asociacionit që po përdoret dendur nga opozita për ta legjitimuar mësymjen e përmbysjes së Qeverisë, është më e thellë dhe më thelbësore sesa që paraqitet në mënyrë ikonike si “një minishtet në shtet” duke ia barasvlerësuar Republikën Serbe në Bosnjë!?.

Ofrimi i garancive shtesë për serbët kosovarë ka qenë çelësi i ‘debllokimit’ të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, gjatë negociatave të Vjenës (2005-2007) dhe pala kosovare e ka bërë që atëherë këtë kompromis me bashkësinë ndërkombëtare (përkatësisht me Grupin e Kontaktit) në këmbim të Pavarësisë kombëtare, si vetëvendosje zhdëmtuese jashtë kontekstit kolonial.
Sipas Pakos Ahtisaari, që është e sponsorizuar nga OKB-ja, Kosova obligohej që t’ua njihte serbëve kosovarë të drejtën e vetos në shtet, ‘votimin e dyfishtë’ (lidhur më çështjet që i prekin interesat e tyre vitale).

Pastaj, pos vendeve të garantuara për serbët kosovarë në Kuvend (Komunitetet joshumicë) ata të kishin edhe vende të rezervuara për tri mandate, pastaj trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore serbe në Kosovë iu njoh statusi i eksterritorialitetit (në juridiksionin e Kishës Ortodokse Serbe SPC); atyre iu njohën edhe komunat e reja në procesin e decentralizimit sipas Kartës së Këshillit të Evropës (ku jetojnë më shumë se 5 mijë pjesëtarë të një komuniteti) kurse Asociacioni i komunave me shumicë serbe ishte postulat i Pakos dhe rrjedhimisht edhe kategori kushtetuese në Kosovë.

Ashiqare, përshkrimi nga ana e opozitës të këtij asociacioni si minishtet brenda shtetit është i pavend dhe i paargumentuar.
Hetohet së këndejmi te sillen ingranazhet e një makinerie propaganduese, në thelb joparimore dhe e papërgjegjshme karshi publikut, që nuk është e thënë të dijë të dallojë çështjet e politikës së lartë shtetërore dhe politikat ndërmjet shteteve si dhe përgjegjësitë e një shtetit si subjekt i së drejtës ndërkombëtare.

Me këtë propagandë, opozita e veçmas VV-ja dhe Albin Kurti, po mësyjnë rrënimin e pushtetit dhe deklasimin e tij edhe për të ardhmen, si forcë jolojale ndaj Republikës, përkatësisht si klasë që i “ka shitur” interesat e shtetit.

Tregimi me “minishtetin brenda shtetit” ose “Republikën e lehtë serbe” (Kurti) është metanarracion, letërsi dhe, vërtet, pos propagandës për qëllime manipulimi të publikut - në këtë mesele – ka fare pak të vërteta.

Ka së këndejmi paranojë se çka mund të ndodhë në të ardhmen, por jo ekspertizë që argumenton se serbët kanë fituar entitet juridiko-politik si Republika Srpska në Kosovë!

Pse frika nga serbët nesër, kur Prishtina zyrtare i ka në duar mekanizmat e kontrollit të territorit, sipas rendit kushtetues.
Statuti i Asociacionit i nënshtrohet “inspektimit” të Gjykatës Kushtetuese, financat “inspektimit” të Auditorit Gjeneral të Kosovës; Kufijtë “inspektohen” nga policia kufitare e Kosovës…

Shtetit i njihet e drejta që ta ushtrojë funksionin kushtetues, “dhunën legjitime” edhe në veri, paçka se kjo nuk është e dëshirueshme për hir të integrimit të qytetarëve serbë në institucionet kosovare.
Prandaj VV-ja dhe opozita e kanë keq në këtë rrafsh.
Fundja, nesër askush s’e di se çfarë mund të ndodhë, por shteti duhet të kujdeset që të mos ndodhë asgjë që cenon integritetin territorial.

Pra, opozita po na thonë se serbët nesër mund të shpallin referendum për shkëputje!?
Natyrisht që ata mund të shpallin edhe referendum për t’iu bashkuar (po e them me cinizëm) Planetit Glis 832C, mirëpo shteti e ruan të drejtën e sovranitetit mbi këtë territor duke i shpallur të paligjshme ato pretendime, çfarëdo qofshin nëse bien ndesh me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës.

Në anën tjetër, përderisa Asociacionin e dekreton Qeveria e Kosovës e jo ndonjë Qeveri e serbëve në veri; sistemi gjyqësor, i strukturave të sigurisë, ai fiskal, doganor mbetet unik për tërë territorin e Republikës, ky trup politik është një mekanizëm ndërlidhës me Qeverinë në Prishtinë, që informohet dhe informon për çështjet që kanë të bëjnë me interesat e serbëve në Kosovë, duke i ushtruar disa ingjerenca autonome në rrafshin kulturor (arsim), shëndetësi dhe rregullim hapësinor. Kurse Republika Srpska është entitet juridik-politik federalist.

Prandaj publikut duhet thënë e vërteta, pa manipulime.
Përderisa, secila parti ose organizatë politike që merr pjesë në zgjedhje e synon marrjen e pushtetit politik dhe kjo në demokraci është legjitime.
Mirëpo, opozita kosovare po mësyn përmbysjen e pushtetit pa dhënë asnjë alternativë zhvillimore që bind qytetarët se me ta do të jetë më mirë.

VV-ja, p.sh., as që ka pasur ndonjë respekt për Republikën - të cilën, as që e ka njohur për të veten ndonjëherë - duke qenë kundër që nga Rambouillet, Pakoja Ahtisaari, Kushtetuta dhe rendi simbolik e deri te procesi i Vjenës dhe Asociacioni.
Nuk i ka dhënë lojalitet as dje as sot për ta fituar të drejtën që sot ta mbrojë atë nga “mbrapshtitë” e pushtetit.

Ndërsa privilegjet që jep Republika i ka marrë me të dyja duart, që nga paratë e Fondit të demokratizmit për partitë parlamentare deri te pagat në Kuvend dhe komisionet e tij deri tek ato të pushtetit lokal (në Prishtinë) dhe në asambletë komunale nëpër komunat kosovare.

Pra opozita nuk është se bëhet shumë merak për Asociacionin dhe demarkacionin me Malin e Zi, porse, këto “dhembje” po i monopolizon si karta etnonacionaliste, për të fituar simpatinë e shqiptarëve, të cilët kur është fjala për pakicat në Kosovë nuk është se shquhen për zemërgjerësi dhe solidarësi qytetare!?
Në këtë situatë të paqëndrueshme, është e tepërt që të përmendet e drejta legjitime për të protestuar, porse në demokraci ato paralajmërohen te zyrat e policisë (për siguri dhe mbarëvajtje), ato duhet të jenë të padhunshme (që ruajnë jetën e njerëzve dhe pronën - veçmas atë private - dhe që ruajnë funksionimin demokratik të institucioneve.

Opozita pikërisht e ka bllokuar institucionin kryesor të sovranit, shtëpinë e tij, Kuvendin, duke prodhuar krizë me tendencë të eskalimit në konflikt shoqëror.

Ndonëse ambient për jetë normale në një vend të varfër e të izoluar nuk ka, do të duhej që të kishte së paku ambient të sigurt për jetë dhe garanci për të drejtat e njeriut, liritë civile dhe demokracinë.
Përderisa shumica e institucioneve janë të bllokuara qoftë nga përplasjet e opozitës me pushtetin qoftë nga padija, ndërsa ka sosh që e kanë gërryer legjitimitetin, duke qenë të korruptuara deri në asht, të tjerat duke shpenzuar paranë publike pa nikoqirllëk etj.
Po cila duhej të ishte formula e cila shmang përplasjet dhe e nxjerr vendin nga kriza?

Së pari, pushteti duhet (e ka për obligim kushtetues) që të ulet me opozitën në tryezë politike për të gjetur rrugën e daljes nga kriza dhe këtë e ka për obligim ta bëjë Qeveria e Kosovës, e cila nuk guxon të sillet në mënyrë përjashtuese, sepse opozita është pjesë e sovranitetit të popullit dhe partner i Qeverisë në çështjet e interesit madhor.

Së dyti, presidentja e vendit e ka për obligim kushtetues që të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve, pra ta debllokojë “shtëpinë e sovranit” që është Kuvendi i Kosovës, qoftë edhe me “mjete jopopullore” dhe të mirëmbajë unitetin e popullit, duke mos lejuar që të përplasen mes vete grupet e ndryshme shoqërore, përkatësisht shteti me grupet etnike, fetare, politike, kulturore etj.

Kosova ka nevojë për një kontratë të re shoqërore dhe politike, ndoshta edhe për një balancë të re mes pushteteve dhe, nëse këto nuk arrihen me pjesëmarrjen e të gjithëve, atëherë e vetmja strategji dalëse mbeten zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Tek po debatoja me një koleg që ka përfunduar studimet në shkenca politike dhe po e citonte Churchillin që thotë se armikun duhet ta mbash në një pozicion të keq në raport me bashkësinë ndërkombëtare (e këtu ai mendonte për Perëndimin) pra, duhet që qeveritë të investojnë për t'i mbajtur armiqtë në pozicione jo të favorshme".

Nisur nga kjo, Qeveria e Kosovës, pa fuqi ekonomike dhe ushtarake, së këndejmi edhe pa diplomaci të mirëfilltë, nuk është në pozicion që ta mbajë Serbinë sa më larg Perëndimit, përkatësisht në pozicion sa më të disfavorshëm karshi Perëndimit.
Kurse Serbia po e bën këtë me shtetin e ri, Kosovën, duke rrëmuar stabilitetin e saj, me të gjitha mjetet armiqësore. Ndonëse Serbia, në esencë, nuk është kundërperëndimore, ajo taktizon që ta rrisë çmimin “orbital” ndaj BE-së.

Në këtë kontekst, kolegu e shpreh drojën se bashkësia ndërkombëtare sërish do të mund ta shihte Serbinë si "Prusia e Ballkanit", por në këtë tregim, është Perëndimi ai që është në krah të Kosovës (SHBA-ja dhe shtetet më të fuqishme të BE-së që e kanë njohur tashmë Kosovën), prandaj për këtë drojë nuk ka vend, ndonëse Kosova do të ketë probleme të mëdha gjatë procesit të integrimeve në BE.

Por nuk do të ketë probleme të ndarjes nga brenda. Sepse në thelb as Serbia nuk është e interesuar që të shkaktojë tërmet në Kosovë, në këtë fazë kur i duhet mbajtja e kursit të integrimeve edhe për hir të ekonomisë së rrënuar.
Sebepi që Serbia po tolerohet nga Perëndimi që të shkaktojë tensione të intensitetit të ulët në Kosovë, vuajtjeve të kësaj të fundit nuk po u shihet fundi.

Mirëpo, kjo situatë nuk mund të jetë e përjetshme, porse karota i jepet Serbisë derisa të shmanget faza kritike e dy orbitave: mes Rusisë dhe BE-së, pra derisa Serbia përfundimisht të anëtarësohet në bllok.
Pastaj ajo mund të marrë edhe dajak!
Një ditë pas, Serbia do të detyrohet ta lërë Kosovën të lirë në shtëpinë e vet!

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...