30 Dhjetor 2016 - 08:28 - Halil Matoshi
Jemi duke shikuar historinë dhe dramën e një fëmije të vetmuar të kolegjit në New York dhe me origjinë nga Hawaii, Indonezia, Kenia…
Ai nuk është presidenti Barack Obama ende. Për momentet modeste të kësaj kronike filmike ai është vetëm Barry.
Ai interesohet për politikën, duke e parë atë si instrument të drejtësisë dhe të luftës kundër skllavërisë.
Debati me të cilin nis filmi do të na shërbejë për ta qartësuar faktin përse një kryeministër ose president i zgjedhur me shumicën e votave është edhe autoritet moral, nëse ai/ajo nuk ka rrëshqitur në autarki…
Barry ndihet si një njeri i interracial në një qytet dhe vend të ndarë.
"Ju mund të përshtateni kudo", i thotë shoku i tij i djalërisë Ellar Coltrane.
Interesimin e tij për politikën Barry e nis me monologun e tij.
“Problemi sot nuk janë republikanët, por Republika, nuk janë demokratët, por demokracia.
Ka një krizë në karakterin e kombit tonë. (…) Po krijohet një tension mes racave. Tensione mes gjinive. Nuk jemi ne problem i njëri-tjetrit, por zgjidhja dhe zgjedhja e njëri-tjetrit…”
Kështu tha Barcak Obama i ri.
Të mësuar tashmë me diskurse agresive dhe joinstitucionale në Kosovë (e për këtë ka faj e tërë kasta politike) do të befasohemi kur nga debati për demokracinë që nga antika e këtej, na del se qeveria, kryeministri apo kryetari i shtetit në secilin variant janë edhe autoritete morale dhe jo vetëm bartës të dhunës legjitime!?
Derisa në ligjëratën tij një profesor në Columbia University po shpjegonte nocionin e demokracisë që nga antikiteti, ai po thoshte se drejtësia nuk është gjë tjetër veçse interesi i të fuqishmit… Tani të gjithë e dimë se grekëve u pëlqenin simbolet.
- Cili është atëherë simboli i famshëm i demokracisë në kohën e Platosë? – pyet ai studentët.
Barry ngre dorën!
Po Barry – flet profesori. Derisa studentët presin përgjigjen e tij, Barry e mban dorën e ngritur lart.
Është e saktë. Dora e ngritur. Një burrë, një votë, gjithçka publike.
Dhe Barry nis ligjërimin e tij për demokracinë në Res Publica.
“Por kur imagjinoni ato duar të ngritura duhet të kujtoni që secili prej tyre mbante një heshtë dhe ai ishte kuptimi i “sundimit të shumicës”, pra kjo na shpie tek pyetja nëse është sundimi i qeverisë gjithmonë i mbështetur nga kërcënimi i dhunës?
Duhet të jetë! Ndryshe çfarë autoriteti do të kishte? Po vullneti i popullit? - Ndërhyn një student në auditorium.
Sigurisht, populli me shumë heshta. Ka më shumë se kaq. – thotë Barry dhe vazhdon: Dua të them, ne sakrifikojmë pak nga pavarësia jonë për një qeveri në këmbim të sigurisë dhe të një lloj vigjilence kolektive. Siguria është thjesht një fjalë tjetër për “shumicën e heshtave”.
Sa herë që kishte një votim pakica nuk numëronte heshtat dhe vendoste që të mos revoltohej. Kur bën një marrëveshje për të pasur një Qeveri, kjo Qeveri merr një tjetër lloj autoriteti. Si një lloj autoriteti moral.
Ndërkohë ndërhyn një studente e cila e ndez debatin: - Pra Ronald Regan ka autoritet moral? – shpotit ajo.
Sigurisht që ka. Është zgjedhur nga një elektorat i gjerë.
Studentja që e shtroi pyetjen nëse Regani ishte një autoritet moral shpërthen: Mirë nëse është diçka që Ronald Regan nuk e ka, padyshim që është autoriteti moral!?
Megjithatë ka flokë shumë të bukur (ndërhyn dikush nga auditori.) Plasin të qeshura.
Të kujtojmë për lexuesit më të rinj se Ronald Regani ishte Presidenti i 40-të i ShBA-së dhe aktor i Hollywoodit nga Illinois.
Dhe tema e preferuar e Barryt pa dyshim që del në pah në vazhdim të debatit dhe vijon deri në fund të filmit, duke jetuar vetë situata që dëshmojnë se skllavëria ende nuk është mundur, porse ajo po heq shpirt. Sepse kjo është Amerika.
Kështu që në këtë pikë autoriteti moral zë vend për të mbrojtur pakicën, kundrejt dëshirës së popullit. Dhe këtu dalin në pah heshtat. D.m.th. dhuna legjitime.
Nëse shtetet do të kishin votuar për skllavërinë, do të kishim humbur votën.
Derisa një student i përgjigjet Barryt: Po, pashë edhe unë lajmet mbrëmë Barry. Jesse Jackson tha këtë gjë për skllavërinë.- Po e tha. Dhe ka të drejtë. – Përgjigjet Barry, derisa tjetri ia kthen: - Po seriozisht e ke? Njeriu që përqafoi Jaser Arafatin ka të drejtë?
Kjo s’ka lidhje me këtë tjetrën – përgjigjet Barry.
Po e sjellim këtë debat fiksional për ta rihapur debatin real sot dhe këtu, në mendësinë kosovare, sepse shumë njerëz nuk e kuptojnë institucionalizimin, mbrojtjen e pakicës elektorale, etnike ose tjetër dhe sidomos “dhunën legjitime” dhe autoritetin moral të një qeverie të zgjedhur legalisht, në demokraci.
Në këtë aspekt, opozita kosovare shpesh i jep vetes të drejtën të gjykojë shumicën e duarve të ngritura që janë heshta, duke ia mohuar të qenët autoritet moral një kryeministri ose presidenti të vendit, për arsye thjesht të mësymjes së pushtetit politik (arsye joinstitucionale) e në thelb ndonjëherë duke e dëmtuar jo vetëm sigurinë të cilën e kemi këmbyer me sakrifikimin e pak pavarësie individuale dhe kolektive, por duke e dëmtuar edhe interesin e shumicës, si në rastin e demarkimit të kufirit, me çka shumica privohet nga favori i liberalizimit të vizave për shembull.
Siguria është thjesht një fjalë tjetër për “shumicën e heshtave” dhe opozita kosovare e ka cenuar shpesh sigurinë për t’u dhënë jehonë qëndrimeve të veta për lirinë dhe demokracinë, por edhe për ekonominë dhe tregimet e mëdha kombëtariste që përkojnë me shekullin 19 dhe 20.
Pra tingëllon absurd në kushtet aktuale të polarizimit shoqëror të thuhet se kryeministri dhe presidenti kosovar janë edhe autoritete morale përderisa janë të votuar nga shumica e duarve të ngritura!
Ashiqare me shumicë votash.
Ani pse politika shpesh cilësohet si e zhveshur nga morali dhe shumëkush beson se asaj nuk i duhen autoritete morale, ngase drejtësinë e bën interesi i të fuqishmit – fituesit nga një proces elektoral – përderisa nuk ka rrëshqitur në autarki ose tirani.
Sepse rebelimi i popullit kundër tiranisë dhe rrëzimi i saj do të ishte legjitim.
Problemi i Kosovës nuk është sistemi politik, porse modeli qeverisës që sillet në mes kleptokracisë dhe kakistokracisë, si dhe sistemi arsimor.
Në Kosovë secila intencë për dije “shtypet”, sepse këtij sistemi politik i hyjnë në punë ‘analfabetët funksionalë”, pra për t’i kontrolluar masat, së këndejmi, për t’i qeverisur më lehtë.
”Shkolla gjithashtu duhet t’ua mundësojë qytetarëve që në bazë të kritereve racionale të refuzojnë çdo politikë arbitrare dhe të dhunshme dhe t’i kundërvihen asaj me idenë e drejtësisë.” (Patrice Canivez: “Të edukohet qytetari”; Fq.198.)
Pra është koha që edhe opozita të këndellet, duke hequr dorë nga përmbysja dhe duke pranuar realitetin elektoral, porse padyshim duke kritikuar pushtetin për të mos e lënë të gabojë.
Dhe nëse opozita, por edhe segmentet e shoqërisë civile vlerësojnë se pushteti ka gabuar, atëherë i vetmi mekanizëm legal në demokraci është vota e lirë.
Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, shumë shpejt, porse ajo nuk mund të bjerë në duar të njerëzve të papërgjegjshëm ndaj institucionalizimit dhe jo sidomos të atyre që e përligjin marrjen e pushtetit politik me dëmtimin e interesave të sovranit, për të jetuar mirë dhe në paqe.
Për fund t’i rikthehemi edhe një here filmit “Barry”. I dëshpëruar me tensionet ndërracore, Barry pasi që ndahet me të dashurën e tij të bardhë i kthehet lojës së basketbollit në dyshe me një fëmijë me ngjyrë.
Nga je? – E pyet fëmijën.
Riwerside. Po ti?
Nga shumë vende. Por jetoj këtu tani.
Vërtet të jesh nga shumë vende e raca njëherësh, të luftosh për të drejta civile e ta mbrosh pushtetin e duarve të ngritura dhe të heshtave, si Barry, kjo dëshmon se ti je në Amerikë.
Si në rrëfimin për Presidentin e parë me ngjyrë në ShBA, Barack Obama.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...